13/12/2024

Flet aktorja Margarita Xhepa, “Nderi i Kombiit”: Ky festival ishte një homazh për mjeshtrin e skenës dhe ekranit, Bujar Lako

0
Zholi-Xhepa

-Çmimi në Prespë të Maqedonisë së Veriut solli një frymë dhe model të ri

Nga Albert Z. ZHOLI

Ditët e fundit aktorja Margarita Xhepa “Nderi i Kombit” u vlerësua me çmimin “Actor of Europe”. Në edicionin e tij të 19-të festivali ndërkombëtar i teatrit “Actor of Europe”, që zhvillohet nën siglën “Liqen pa Kufij” në Prespë të Maqedonisë të Veriut, shpalli çmimet për artistët. “Actor of Europe 2021” ku zonjës Margarita Xhepa iu dha çmimi për interpretimin e saj në rolin e Zonjës Mëmë te shfaqja “Kush e solli Doruntinën”, me regji të Laert Vasilit, i cili gjithashtu u vlerësua në këtë festival online. Juria e festivalit, e përbërë nga prof. Meto Jovanovski, prof. Mimoza Rail dhe prof. Jani Bojadzi, vlerësuan me çmimin “Regjisori më i mirë i Festivalit” Laert Vasilin për regjinë e tij te shfaqja “Kush e solli Doruntinën”, bazuar në novelën me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë. Ky produksion teatror u realizua disa vite më parë si bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Kulturës, teatrit “Aleksandër Moisiu”, Laert Vasilit dhe mbështetjen e Teatrit Kombëtar. Ajo që duhet theksuar është se në këtë produksion teatror, për herë të parë u bënë bashkë në skenë disa prej ikonave më të shquara të skenës dhe teatrit shqiptar si: Margarita Xhepa, Bujar Lako, Viktor Zhusti. Shfaqja teatrore “Kush e solli Doruntinën” me regji nga Laert Vasili mori pjesë si shfaqje përshëndetëse edhe në festivalin mbarëkombëtar të teatrit online “Moisiu On”, si homazh për mjeshtrin e skenës dhe ekranit, të ndjerin Bujar Lako, i cili në këtë rol të tij të fundit në skenë, u vlerësua në festivalin “Talia e Flakës” (Gjilan) me kupën e “Aktorit më të mirë” në vitin 2016. Në shfaqjen “Kush e solli Doruntinën”  drejtuar nga Laerti Vasili, skena dhe kostumet janë nga Stela Laknori, muzikë Ambra Marjanaku, drejtor artistik Bashkim Hoxha. Në role aktorët Margarita Xhepa, Bujar Lako, Viktor Zhusti, Laert Vasili, Luli Hoxha, Mimoza Marjanaku, Suela Bako, Eralda Çaushi, Gjergj Doçi, Amos Muji Zaharia dhe Xhejni Fama.

-Si do ta vlerësonit çmimin “Actor of Europe” në edicionin e tij të 19-të të festivalit ndërkombëtar të teatrit “Actor of Europe”, që  u zhvillua nën siglën “Liqen pa Kufij” në Prespë të Maqedonisë të Veriut?

-Ishte një çmim që më dha një forcë në këtë situatë. Dhe pse ky festival u zhvillua online sërish mund të them se vlerat janë të njëta pasi aty kishte një juri shumë profesionale dhe njëkohësisht kishte pjesëmarrje nga trupa prestigjioze. Kur merr një çmim në këtë situatë  ndjen një sadisfaksion të veçantë pasi ndihesh se je ende pranë spektatorit ndihesh se je pranë profesionit dhe ndjek zhvillimet më të findit në skenë. Festivali erdhi në një kohë kur shumica e teatrove në botë janë mbyllur, kur aktorët janë të kufizuar në lëvizje dhe nuk kanë kontakt të drejtpërdrejt me spektatorin. Ndaj zhvillimi i këtij festivali sikur solli një erë të re, një këndvështrim ndryshe për jetën dhe artin në tërësi. Në këtë situatë Pandemie ky festival ishte dhe si një homazh për mjeshtrin e skenës dhe ekranit, të ndjerin Bujar Lako, i cili në këtë rol të tij të fundit në skenë, u vlerësua në festivalin “Talia e Flakës” (Gjilan) me kupën e “Aktorit më të mirë” në vitin 2016.

Çdo të thotë të luash në rolin e Zonjës Mëmë te shfaqja “Kush e solli Doruntinën”, me regji të Laert Vasilit?

Kush e solli Doruntinën është një nga  romanet më të bulur të Ismail Kadaresë në fund të viteve 70. Romani bazohet mbi baladën e Konstantinit dhe Doruntinës ku sipas legjendës, Konstandini e bind nënën që ta martojë motrën e tij Doruntinën me një njeri prej një vendi të largët, i cili po i kërkonte dorën. Konstandini i jep besën nënës se nëse atë e merrte malli për të bijën atëherë ai vetë do të shkonte e do t’ia sillte. Nëna pranon dhe e marton Doruntinën me burrin nga vendi i largët. Por ndërkohë vdesin të gjithë vëllezërit, përfshirë dhe Konstantinin dhe nëna mbetet e vetme. Atë e merr malli për Doruntinën dhe mërzitet shumë. Shkon te varri i Konstantinit dhe e mallkon të birin që kishte shkelur besën. Në mesnatë Konstantini ngritet nga varri, shkon e merr motrën dhe ia sjell nënës te dera. Pra ka skena tronditëse. Ka një mesah historik. Ka një brendi artistike që të mbërthen. Ishte përgjegjësi ky rol. Një gigurë e madhe e legjendës shqiptare. Ndaj edhe  regjisori Laert vasili punoi me shumë përkushtim. Të dy u munduam të japim maksimumin pasi një figurë e tillë do një përqëndrim dhe aktivizim skenik të tejskajshëm. Dihet si vazhdon legjenda. Pas lë motrën Kostandimi për vete kthehet në varr ndërsa Doruntina troket në derë pa e ditur se i vëllai kishte vdekur. Kur hapet dera, nëna e pyet atë se kush e solli, e ajo i thotë Konstantini. Nëna i tregon se Konstantini bashkë me vëllezërit e tjerë kishin vdekur shumë kohë më parë…Një dialog deri në pabesueshmëri. Një skenë që kur e lexon tronditesh dhe jo më kur e vë në skenë.

Ende luani me atë fuqi dhe me atë përkushtim, si dikur e re?

E dua artin, profesionin tim, e dashuroj atë! E ndjej se kam ende për të dhënë në art. E them këtë, se e shoh se kam forcë, memorie, energji, dëshirë, ide që më mbajnë të gjallë në këtë rrugë të bukur. Jam me parimin se artin duhet ta lësh, kur ai të lë; pra, të lënë këto elemente që përmenda më lart. Unë e them me bindje se ende do të jap, se nuk më mungojnë energjitë, por edhe kërkesat e regjisorëve janë të shpeshta.

Si do ta cilësonit artin shqiptar në regjimin komunist?

Dua të jem realiste, ai sistem ishte shumë të meta, por artin e përkrahu. E keqja ishte se kishte shumë ideologjizma brenda, por sërishmi u bë art. Në atë sistem dolën shumë korifej të artit skenik dhe në kinematografi. Dolën shumë sa mund të them se ishte koha e të mëdhenjve. Për atë sistem jo çdo gjë duhet hedhur poshtë. Punonim shumë, ishim shumë idealistë, kërkonim shumë ndaj njeri-tjetrit dhe kishim një dashuri të madhe për punën. Punonim për të bërë art, për të lënë gjurmë, ana materiale në atë kohë ishte e papërfillshme. Ngelëm të varfër por bëmë art që ka lënë gjurmë. Regjimet kalojnë arti mbetet.  Por edhe pse në kontroll, artistët tanë të mëdhenj kanë bërë art. Ne ishim më shumë idealistë se materialistë ndaj dhe sot jemi të varfër. e bënim punën me dashuri e nuk mendonim se sa para do të merrnin në fund të shfaqjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok