21/12/2024

Flet Afrim Avdiaj, kryetar i Komunitetit të emigrantëve në Hania, Kretë

0
Afrim-Avdiaj

Jam ndjerë keq nga Z. Majko që na premtoi për një takim gju më gju, por na harroi

Nga Albert Z. ZHOLI

Afrim Avdiaj është një nga drejtuesit e shoqatave më aktive të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Ai ka mbi 20 vjet në Hania të Kretës ku ka bërë shumë aktivitete me komunitetin shqiptarë mdaje duke hapur dhe një klasë të gjuhës shqipe. Ai është gjithmonë luftarak por nuk bën kompromis me askënd në emër të së drejtës.

-Ju si kryetar i komunitetit shqiptar në Hania, Kretë, këtë detyrë e quani nder apo përgjegjësi?

Si kryetar i Komunitetit që jam do doja t’ju bëj me dije disa pika që ua kam bërë të qarta të gjithëve atyre që më zgjodhën, në të cilat nuk duhet të më keqkuptoni, por të më mirëkuptoni, sepse po shkruaj dhe unë me të njëjtin qëllim. Kryetari i Komunitetit apo i shoqatës, quajeni si të doni, nuk ka fuqinë të ndryshojë asnjë ligj apo asnjë nen të ndonjë ligji ose më saktë; asnjë paragraf të ndonjë neni: me pak fjalë nuk jam i plotfuqishëm për të zgjidhur çdo hall apo çdo problem që mund të ketë kushdo.

Dëshirat e mia janë të mëdha, por fuqinë e kam të kufizuar.

Puna ime si kryetar është të transmetojë të gjitha problematikat tona që na shqetësojnë në pushtetin vendor dhe qëndror.

Por do ju lutesha shumë të më kuptoni, se puna e kryetarit të nderuar nuk është as të gjej vende pune, apo të gjej shtëpi për të gjithë të interesuarit.

Sa herë që kemi ndonjë kërkesë për vende pune i shpallim në faqen tonë të fb ose në gazetën tonë elektronike ( albcrete.gr) ose në gazetat lokale në prefekturën e Haniasë.

Do ju lutesha shumë të kuptoni rolin e organizatës dhe mos na shqetësoni me problem, të cilat nuk janë të profilit tonë kombëtar.

Koha jonë është tepër e kufizuar për t’u marrë me tema, të cilat kushdo mund t’i zgjidhi vetë.

Koha jonë është koha që ja shterojmë familjes sonë, fëmijëve tanë, shoqërisë dhe miqësisë sonë për të ndihmuar në çdo lloj forme këdo që mundemi.

Do punoj me përkushtim për çfarë jam zgjedhur dhe të jeni të sigurt, që nuk do ju zhgënjej, por; për atë që jam zgjedhur.

-Cila është plaga më e madhe që ndjeni në emigracion?

Plaga më e dhimbshme që kam në jetë është largimi nga vendlindja.

Por më e dhimbshme është kur mendon se brek grisurit, politikanët tanë të këtyre 30 vjetëve na dhanë dhjerokraci,,, na dhanë liri duke më lënë në mëshirë të fatit, duke më marrë nderin dhe gjithçka që kisha si njeri, duke më dërguar derë më derë të botës si derollan.

Sot jam i boshatisur nga çdo gjë që më lidh me vendin tim, jam i boshatisur nga ndjenja e dashurisë që kisha dikur për çdo gjë që më rrethonte, jam i boshatisur nga çdo gjë që ka të bëjë me vendin tim falë politikanëve buth pa larë shqiptarë.

Kështu pra;

Politika shqiptare e 30 viteve të fundit bëri atë që nuk ta bënte as hasmi. Më shuajti çdo ndjenjë që kisha, më mori krenarinë, më mori djalërinë, më mori fisnikërinë.

Sot si emigrant që jam, si në Greqi po ashtu dhe në Shqipëri po mundohem të mbledh copëzat e thyera, për t’i bashkuar dhe për të formuar një ikonë, e cila të trashëgohet tek brezi i ardhshëm, tek fëmijët e mi, të cilëve nuk ua ndjen fare për Shqipërinë, falë politikanëve brek grisur, të cilët kujtojnë se duke bërë para do arrijnë të andrrojnë brekët e tyre.

-Duke jetuar në Greqi si e shikoni Reformën në Drejtësi në Shqipëri?

Sot në drejtësinë shqiptare lind ende pyetja: Sistemi gjyqësor a merr vendime të padrejta, dhe kush është e drejta në këtë mes? Sepse e drejta jote është padrejtësia ime.

Dhe njëkohësisht dëgjojmë për pagesa marramendëse tek sekserë avokat, të cilët nuk të lënë as gurin e varrit pa të marrë për gjojapafajsinë tënde.

Përse drejtësia apo padrejtësia duhet të paguhet me vlerë monetare, kur fare thjesht drejtësia shpërblehet me liri, dhe padrejtësia dënohet për veprën penale?

Ose më qartë përse sistemi lejon DRITARE për të anashkaluar situatat dhe në këtë mes të dënohen qoftë dhe moralisht të dëmtuarit?

Përse duhet të anashkalohet ligji kur ligji mund të ndërtohet në mënyrë të tillë pa ato DRITARE ku zakonisht nga ato vrima fryn era korrupsion. Përse ligji duhet të krijojë dyshime për vendim-marrje në çdo seancë?

Dhe përse politika çdo herë në këtë sistem kërkon ta kapë dhe ta ketë në dorë këtë treshe të përbërë prej ORATORËSH juristë?

Këto pyetje kanë vetëm një përgjigje miq të nderuar: Sepse juristët kanë qenë ORATOR të mashtrimit. Dhe ky sistem ishte i ndërtuar mbi ORATOR mashtrimi ku gjithmonë mashtrimi është më i bukur se e vërteta.

Sepse e vërteta është e ëmbël, por njëkohësisht dhe e hidhur, reale, por njëkohësisht dhe tronditëse, e brishtë, por njëkohësisht dhe shkakton dhimbje modeste, por njëkohësisht e pamjaftueshme, bujare, por njëkohësisht dhe armiqësore.

Sepse e vërteta nuk ka zbukurime nga mashtrimi.

Por në kohët e sotme populli shqiptar nuk është gati për të vërtetën, sepse është uzurpuar nga mashtrimi mbase në një të ardhme të afërt do e kuptojë dhe do çlirohet nga ky ves i keq, i ndërtuar nga një sistem i keq, ku përdoret po nga njerëz të këqinj.

 

-Keni bërë shumë takime me politikanë shqiptarë? Nga cilat takime jeni më i indinjuar?

Një takim, i cili u shoqërua me një premtim, i cili nuk u mbajt kurrë ai me Pandeli Majkon.

Nuk e di miq të nderuar përse politikanët mashtrojnë!

Premtimi i z/Majko që do vij në Kretë dhe do bisedoj me shqiptarët e Kretës gju më gju për hallet dhe për problemet që na shqetësojnë nuk u mbajt.

Mua më lind e drejta sot t’i them se është një mashtrues dhe një politikan, i cili nuk meriton respekt.

Presioni që bëri z/ Ministër në takimin që kishim ne si përfaqësues të Komunitetit në Ambasadë, ishte një presion nga i cili z/Majko donte të dilte nga situate, që kishin formuar të gjitha qeveritë gjatë gjithë këtyre 30 vjetëve?

Ky presion bëri që përfaqësuesit e Komunitetit tonë nga gjithë Greqia të heshtnin dhe të mos kërkonin atë për çfarë kishim shkuar në atë takim.

Loja politike nga politikanë të pazot edhe njëherë bëri punën e vet: premtimet boshe nga politikanë me kapacitet të ulët gjunjëzuan dhe njëherë komunitetin tonë në Greqi.

Klanet politike dhe seksereske në ambasadën tonë vazhduan të bënin kërdinë në kurriz të bashkëkombësve tanë.

Por mobilizimi i Komunitetit tonë dhe fryma bashkëpunuese bëri që politika të detyrohej për të kthyer sytë nga emigrantët shqiptarë të Greqisë.

Respekte pa fund për të gjithë aktivistët shqiptarë që ishin pjesë e bashkimit dhe e bashkëpunimit.

Komuniteti shqiptar në Greqi tregoi se vetëm të bashkuar dhe pa ju lëpirë politikës ja del mbanë.

Politika gjunjëzohet vetëm nga bashkimi, prandaj mikesha dhe miq vetëm të tillë bëjmë që politika t’i bëjë hesapet mirë, qoftë ajo shqiptare po ashtu dhe ajo greke.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok