QKF Fier rrëmben çmimin për aktoren më të mirë në Festivalin Kombëtar të Teatrit për fëmijë, Darlin Dimo vlerësohet “Aktorja më e mirë protagoniste”

0

Nga Entela Binjaku

Të hënën e 20 qershorit në mesditë Teatri “Bylis” i qytetit të Fierit do të hapë dyert për adhuruesit e vegjël. Në skenë do të vihet shfaqja që i dha qytetit trofeun për aktoren më të mirë protagoniste në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrove për Fëmijë. Të gjithë aktorët e dramës “Kush e solli Doruntinën” do t´u japin mundësinë bashkëqytetarëve të shijojnë interpretimin e e kësaj pjese të njohur.

Edicioni i dytë i Festivalit Mbarëkombëtar i Teatrove për Fëmijë, 2022 u mbyll në mbrëmjen e 10 qershorit. Aktiviteti i titulluar “Një mbi një dritaret”i organizuar nga Bashkia e Beratit në bashkëpunim me Qendrën Kulturore të Fëmijëve u zhvillua në Kalanë e qytetit. Vlerësimi i fëmijëve ju besua jurisë së përbërë nga aktorët: Ndriçim Xhepa (pjestar i jurisë edhe në edicionin e parë) Anila Bisha, Zamira Kita. Nxënës të moshave nga 8-16 vjeç nga shkollat e 10 qyteteve të vendit u paraqitën para publikut me pasionin dhe punën e bërë bashkë me mësuesit e tyre. Festivali nisi më 1 qershor me fëmijët e Qendrës Kulturore të Beratit dhe u mbyll me trupën e Durrësit, që ngjiti në skenë 46 fëmijë. Në mbrëmjen e 4 qershorit në skenën e Festivalit u paraqitën fëmijët fierakë. Qëndra Kulturore e Fëmijëve të këtij qyteti kishte zgjedhur dramën e njohur me titull: “Kush e solli Doruntinën?” me  interpretimin plot përgjegjësi e pasion nga nxënësit e shkollës jopublike “Flatrat e dijes”. Në skenë interpretuan: Darlin Dimo (nëna e Doruntinës), Maria Mitro (Doruntina), Darling Vrenozi (Konstandini interpretuan në), Eljo Lalaj (Kapiten Stresi) Helios Feleqi (Stanishi).

Loja e tyre teatrore ishte përgatitur me regji të Rajmonda Aliajt e mbështetur nga aktori dhe regjizori Klajdi Marku.  Në përfundim të Festivalit juria vlerësoi me çmimin e parë fëmijët e QKF në Korçë me shfaqjen  “Një ngjarje e pazakontë”, me çmimin e dytë fëmijët QKF Durrës të cilët u nderuan edhe me çmimin inkurajues për aktoren më të mire si dhe me çmimin e tretë pjesëmarrësit e QKF-së së qytetit organizator, Beratit.

Në mbrëmjen e fundit të Festivalit në prani të artdashësve dhe të kryetarit të Bashkisë së Beratit, në mesin e fituesve ishte edhe nxënësja Darlin Dimo. Ajo u nderua nga juria me çmimin e aktores më të mirë protagoniste për rolin e nënës së Doruntinës. Me marrjen e këtij cmimi Darlin i dhuroi qytetit, shkollës dhe shokëve e shoqeve të saj të skenës, gëzimin dhe shijen e fitores. Interpretimi mbresëlënës i nxënëses fierake i kishte bashkuar anëtarët e jurisë që e vlerësuan atë njëzëri me cmimin e rëndësishëm. Në marrjen e çmimit vetë Darlin falënderoi të gjithë shokët e shoqet e saj si dhe mësuesit me të cilët kishte punuar duke e bërë të bukur këtë natë në kalanë plot magji. Edhe pse e vogël kjo nxënëse ka treguar pjekurinë dhe përgjegjësinë që kërkon një detyrë dhe një angazhim. Por rruga e saj drejt teatrit ka nisur të marrë formë prej vitit të kaluar kur në muajin nëntor  në konkursin e  “Fjalës artistike” 2021” të shkollave 9-vjeçare të Bashkisë Fier shkolla jopublike “Flatrat e dijes”  u nderua me cmimin e parë.. Në mesin e nxënësve të klubit të recituesve  të kësaj shkolle ishte edhe fituesja e vendit të parë Darlin Dimo – klasa Vic. Një muaj me vonë ajo u shfaq në skenën e Teatrit Bylis para një publiku të mbledhur me rastin e 50-vjetorin e themelimit të Teatrit. Darlin në skenën e madhe interpretoi pjesën me të cilën i kishte dhuruar shkollës së saj, cmimin e madh.  Nga ajo shfaqje daljet e saj në skenë vijuan me prezantimet e që ka organizuar Bashkia, shkolla apo edhe të tjera institucione të qytetit që ja kanë besuar përkushtimit të peshën e prezantimit. Siguria në skenë, qetësia, pasioni dhe puna e Darlit janë jo vetëm duke vlerësuar nga të rriturit, por po kthehen në një model bashkëpunimi edhe për  bashkëmoshatarët e saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok