08/10/2024

Flasin Roza Anagnosti dhe Mevlan Shanaj: Figura si Pirro Mani vijnë shumë rrallë për një komb

0

(Me rastin e 1-vjetorit të vdekjes)

Nga Albert Z. ZHOLI

Pirro Mani lindi në 14 prill të vitit 1932 në Korçë. Ai njihet më tepër nga publiku shqiptar si ndër regjisorët më brilantë sidomos në Teatër. Në fëmijëri ëndërronte të bëhej sportist, por e tërhiqte edhe skena, cirku si dhe muzika. Fati i tij u përcaktua kur iu dha e drejta për të ndjekur studimet e larta në Institutin e Lartë të Kinematografisë në Moskë. Ishte koha kur regjisorët e diplomuar në shkollat e Europës Lindore, po burrëronin personalitetin e tyre artistik. Atje u shqua për talentin e tij të rrallë, sidomos në pjesën “Pamje nga ura”. Në vitin 1961, u kthye në Shqipëri dhe u emërua regjisor në teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës ku e drejtoi atë për 8 vjet.

Pirro Mani së bashku me Pandi Raidhin, bashkëshortët Dhorka dhe Dhimitër Orgocka, Thimi Filipi, Stavri Shkurti e të tjerë, realizuan atje vepra me vlera të qëndrueshme e që lanë mbresa në kujtesën e artdashësit, si “Hijet e Natës” të Vedat Kokonës, apo që dëshmuan art të shquar regjisorial dhe aktorial. Pas një nisje karriere të suksesshme, Mani do të emërohej regjisor dhe aktor në Teatrin Popullor të Tiranës. Vepra e parë që përgatiti për publikun kryeqytetas ishte “Cuca e maleve” e Loni Papës. Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, Pirro Mani për 25 vjet punoi në Teatrin Kombëtar ku ka vënë me dhjetra pjesë teatrale. Në karrierën e tij artistike numërohen mbi 80 shfaqje. Roli i parë në film do të jetë ai i Stavri Larës në “Vitet e para” (1965). Më pas ai luajti një personazh që do ta identifikojë atë në vitet e mëvonshme, pikërisht rolin e Sali Protopapës tek “I teti në bronz” (1970). Ka përgatitur shumë studentë për aktorë dhe regjisorë si pedagog i Mjeshtërisë së aktorit dhe regjisurës në Institutin e Lartë të Arteve, kurse në vitet 1974-1978  kreu si pedagog i jashtëm, detyrën e shefit të katedrës së Regjisurës në atë institut.

Ndihmesa që ai dha për ngjitjen dhe afirmimin e dramës shqipe në skenë, mbetet një nga meritat kryesore. Regjisori Mani solli qysh herët në teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës një frymë të re, që u përhap gjerësisht më vonë nga teatri shqiptar përgjithësisht. Kjo ra në sy veçanërisht në ngulmimin e tij ndaj mënyrës realiste të lojës së aktorëve, vërtetësisë, kundër këngëzimeve, patetikës, emfazës, shfaqjeve të diletantizmit etj. Gjithashtu, Mani solli risi në njëmendësimin me mjete e forma ekspresive të mizanskenës, të dekoreve, aplikimin e guximshëm të konvencionit, ndërfutjen e spikamave ekspresioniste, simbolike apo të parimeve konstruktiviste në trajtimin e rrafshit skenik, si te dramat “Pamje nga ura (1961) e Artur Milerit, “Vdekja e Blanko Postnet” (1962) e Bernard Shout, “Këneta” (1964) sipas romanit të Fatmir Gjatës, “Hijet e natës” (1965) e Vedat Kokonës dhe “Rrethimi i bardhë”, (1966) i Naum Priftit. Me shfaqjet e shumta në Teatrin Kombëtar, ai dalloi për vërtetësinë, ashpërsinë dhe konkretësinë e madhe në dhënien e konflikteve dhe tablove të jetës që funksionalizoheshin rëndom si gjendje apo trysni psikike, herë të llojit satiriko-dramatik dhe herë të llojit tragjiko –heroik si te “Fytyra e dytë”, (1968) e Dritëro Agollit, “I pazëvendësueshmi”, 1974 i Qamil Buxhelit “Përmbytja e madhe”, 1976 e Kolë Jakovës, “Monserati, 1983, e Robles apo te “ Prometeu” 1984, e Viktor Eftimiut. Regjisori Mani është nderuar me shumë çmime si dhe i është akorduar titulli “Artist i popullit”.

Shfaqjet kulminante të regjisorit Mani janë “Cuca e maleve”, “Fytyra e dytë”, “Arturo Ui”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Epoka para gjyqit”, “Nata e 12 -të” , “Prometeu”, etj. Ndërsa shfaqjen e fundit si aktor, Pirro Mani do ta ketë në vitin 1994 tek “Loin des barbares”, (Luan Kodra). Pirro Mani u nda nga jeta në qershor të një viti më parë në Nju Jork ku jetonte së bashku me bashkëshorten, aktoren e mirënjohur Pavlina Mani dhe familjen e tij.

KUJTESË

Roza Anagnosti

(“Mjeshtre e Madhe”, “Nderi i Kombit”)

Pirro Mani, Artisti i Popullit, Nderi i Kombit, bashkëshorti, babai dhe artisti

i papërsëritshëm shumë dimensional, u largua nga kjo jetë më 3 qershor 2021. Figura të tilla vijnë shumë rrallë për një komb. E kujtoj me mall e mirënjohje për atë vlerë që i dha teatrit shqiptar me një bujari të rrallë. Kam qenë e privilegjuar dhe me fat si aktore, që pata mundësinë të punoj nën regjinë dhe drejtimin e tij. Ishte një akademi e vërtetë. Teatri foli shqip si asnjëherë. Karakteret, emocionet që përçonte e ngrinin publikun peshë. Edhe në kohë të vështira Pirro bëri spektakël të jashtëzakonshëm, me art për t’u admiruar.

Me të drejtë bashkëshortja, aktorja e shquar, Pavlina Mani, nuk gjen ngushëllim për ikjen e tij. Një artist i madh si ai, e kishte edhe shpirtin e madh. Prandaj duhet të studjohet, të shkruhet dhe të dokumentohet vepra dhe jeta e tij. Ishte një busull për ne, po do të jetë frymëzim për artistët e rinj dhe më tej. Është në nderin e shtetit shqiptar që figura të tilla me vlera kombëtare të prehen në dheun mëmë.

I përjetshëm kujtimi dhe vepra e tij.

Mevlan Shanaj “Mjeshtër i Madh”

Legjenda Pirro Mani ka bërë çudinë në skenën e teatrit shqiptar.

Fenomeni aktoresk Sali Protopapa

Pirro Mani solli në regjisurën shqiptare nivelin e barazisë botërore artistike. Në vitin 1970 pra 51 vite më parë u shfaq në ekranin shqiptar filmi “ I teti në bronx” me skenar të Dritëro Agollit dhe regji të Viktor Gjikës. Ndër personazhet më emblematik ishte figura e Sali Protopapës. Mesa kujtoj në diskutimet krijuese mes regjisorit dhe aktorit Piro Mani, shkëmbenin mendime për një trajtim të karakterit alla “ Taras Bulba” të dy njihnin mirë kulturën e vërtetë ruse! Unë kisha parë një punë diplome me film të dy kineastëve shqiptarë, sipas një vepre të Heminguejt. “Askush asnjëherë nuk vdes”. Në rolin kryesor interpretonte studenti për regjisor teatri, i talentuari Piro Mani. Studentët e shkëlqyer të kamerës Dhimitër Anagnosti dhe Viktor Gjika me këtë film u vlerësuan me notën maksimale, më pas ky film u shpall fitues në Poloni në një konkurim mes studentave! Kështu bashkëpunimi për realizimin e karakterit të Sali Protopapës po pritej me kuriozitet në mjediset tona. Gjatë xhirimeve, u bë kujdes me maskën e personazhit, veshjen duke u plotësuar më pas me konceptimin e figurës artistike që nga xhestet e aktorit deri në marrëdhëniet dramaturgjike me shpurën e Saliut dhe kundërshtarëve !Po lindëte sipas mërmërimave një çudi artistike. Kjo vërtetohet edhe sot! Jo pak herë, përmëndet figura artistike e Sali Protopapës si një shprehi dhe lidhet me shumë biseda sipas rrethanave. Ndonjëherë nuk e kam kuptuar këtë simpati të publikut për këtë figurë artistike! Nuk ka figurë artistike më të lakuar në Shqipëri se sa Sali Protopapa! Më ka befasuar “ pajtimi kombëtar” që ka mbritur niveli artistik i figurës se ballistit Sali Protopapa, interpretuar madhërishëm nga magjia që ka emrin Piro Mani. Është rasti për të theksuar se niveli artistik ka mposhtur historinë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok