21/07/2024

FESTȄ NȄ FSHATIN PA BANORȄ

0

– Mbresa nga festa e Shen Mërisë në Kaçinar të Mirditës –

NGA LLESH NDOJ – shkrimtar

Zilja e telefonit në tavolinën e punës, më tërheq vemendjen:

– Alo, Llesh! Marku jam. Mark Gjergji. Besoj nuk e ke harruar…

Pasi rikontrollova emrin e telefonuesit dhe u binda se po flisja me zotin Mark Gjergji, mik i kahershëm, ish – kuadër, intelektual e krijues, i disa librave me studime, poezi dhe publicistikë nga Arrëzi i Kaçinarit në Mirditë, iu përgjigja zërit që vinte ëmbël në veshin tim perms receptorit  të celularit dhe në sy m’u parafytyrua edhe fytyra e tij përherë e gëzuar dhe e qeshur.

– Urdhëro zotëri!, – i them. A jeni mirë të gjithë? Shkëmbyem fjalët e zakonshme përshëndetëse e ishim gati në të mbyllur të bisedës, bisedë ku u përpoqa për t’iu shmangur kastile pyetjes fillestare të telefonuesit Mark. Por ai nuk harron dhe në vend të përshëndetjes ndarëse, më rikthen tek fillimi i bisedës:

– Mirë, mirë, – më thotë, – po nuk mora përgjigje për pyetjen që të bëra!

– Për çfarë bëhet fjalë, ia ktheva unë si në padije, megjithëse asgjë s’kisha harruar…

Dhe s’kisha si t’a harroja! Ma kishte përsërit disa herë ftesën që të merrja pjesë në këtë festë sa lokale, aq edhe të përgjithshme për të krishterët e kësaj zone, sa nuk mund ta harroja lehtë. Më ftoi disa herë familjarisht, bashkë edhe me mikun e përbashkët Vlash Prendi, me kaçinarasin e mirënjohur Mark Dushi, një person shumë të veçantë për mua, një lexues e dashamirës deri në adhurim, intelekti natyror i të cilit të bën për vete, me Prend Jak Ndrekën nga Vau i Dejës. Ndoshta për të fundit festë në Arrëz! Si për ta bërë më të vlerësueshme ftesën nga ana ime, por edhe për të shprehur një brengë të shpirtit të vet, dhe jo vetëm të tij, Marku do t’ma theksonte disa herë: – Sivjet të dua patjetër! Ndoshta është festa e fundit që e festoj në vendlindje…

Vërtetë kjo ftesë e tij me këtë shpjegim sqarues nga pas më futi në mendime dhe dilema të brendshme, dilema të cilat më shoqërojnë tash shumë vite për Domgjonin tim, për Fanin, Kaçinarin, Spaçin, Oroshin, Kurbneshin e gjithë zonat malore, jo vetëm veriore të vendit. Këto vende të bekuara, mbushur me dëshmi të rralla historike dhe banimi të hershëm, besimi të palëkundur, me ngjarje të mëdha e sakrifica të pamatshme atdhedashurie të banorëve të vet, sot po boshatisen… vërtëtë po festohej një festë tradicionale, por në fshatin pa banorë. Tek ecnim rrugës për në Kaçinarin malor, i cili mbart shumë histori, nga i cili kanë dale mjaft intelektualë, shkrimtarë, artiste, poetë dhe drejtues të zotë, bshkë me miqt e mi, shihnim shumë pak lëvizje. – Dikur, -theu heshtjen Antoni, – këtu bëhej festë madhështore. Kjo luginë e bukur dhe piktoreske, nga Bukmira deri në Kaçinar, gjallonte së tepërmi. – Ja pra, tani nuk ka më lëvizje, qoftë edhe për festë, – ndërhyn Prend Jaku. Dhe fakti kështu është. Festa ndjehej vetëm në shtëpinë e krijuesit she publicistit Mark Gjergji. Në shtëpitë tjera që ishin jo të pakta, kishte rënë qetësia. Në Domgjon, tek trojet e të parëve të mi, kanë liri tufat e derrave të egër, kurrë më parë të pikasur aty, në Kaçinar më parë takon ujkun, dhelprën dhe arushën, se të shohësh një shtëpi që nxjerr tym nga oxhaku. Kështu thuajse kudo nëpër këto fshatra të njohur të Mirditës dhe mbarë Shqipërisë.

– A e meritojnë këto vende këtë braktisje totale?

– A mund të gjendet një mundësi për t’i mbajtur ato gjallë?

Pyetje pa fund lindin, nostalgji, mallë, por edhe frikë se mos këto fshatra të banuara dikurë masivisht, bien në krahët e harresës së përjetshme. Të gjitha këto më sillen vërdallë në mendje dhe më trazojnë në këtë udhëtim të paharrueshëm drejt Arrëzit për festën e Shën Marisë…

Por, me shokë të mirë rrugëtimi, sado i gjatë dhe i vështirë, nuk ndjehet. Megjithëse nga Lezha në Kaçinar është një rrugë jo e shkurtër, që kalon edhe në pjesë të vështira malore e pa asfalt, kur udhëton me dëshirë e ke me vete bashkëudhëtar të këndshëm, siç pata fatin të kisha unë në këtë udhëtim, koha dhe vështirësitë kalohen për mrekulli, aq më tepër kur shkon për festë tek një familje e nderuar dhe bujare.

Kam qënë edhe here të tjera në këto anë, e kam shijuar së tëpërmi mikpritjen dhe bujarinë e këtyre malësorëve fisnikë. Herën e fundit, këtë rrugë e pata bërë nën shoqërinë e Mark Dushit, i cili flet me pasion për vendlindjen, shoqërinë, miqësinë e jetën që ka kaluar në këto anë, herët e tjera flet ngadalë, me shprehje të bukura alegorike e me filozofinë popullore që e bart kaq bukur, dhe nuk të len të biesh në mërzi asnjëherë. Bile, ai nuk përsërit të njejtat gjëra dhe në bisedën me të rrallë të jepet shansi të thuash: – Po! Këtë ma ke treguar, edhe pse nuk janë të pakta bisedat e mija me Markun. Kësaj radhe, megjithese i ftuar, Marku nuk mundi të vinte. Kishte arësye të plotë: Nusen e djalit që jeton në Amerikë do t’a përcillte në udhën e kthimit pas një periudhe të shkurtër që kishte kaluar me pushime në Shqipëri, por akoma pa u takuar me Markun. E asnjëri nuk mund ta linin pas këtë moment malli e përkujdesjeje reciproke. Por Marku nuk mungoi të më njoftonte për mungesën, e të më ngarkonte t’ua përcillja të falat e tij bashkëudhëtarëve të mi, familjes, e të ftuarëve të Mark Gjergjit.

Me mua në këtë udhëtim ishte edhe Prend Jak Ndreka. Ai është i gojanas në origjinë, banues në Vaun e Dejës, thuajse tek të tetëdhjetat, nuk i le gja mangut Mark Dushit. Edhe Prendi e njeh bukur filozofinë popullore, shprehjet alegorike e për gjithshka ka një përkufizim me gjuhën e jetës. Bashkë me të edhe miku i tij Tonin Bardhi, i kaçinaras në origjinë. Shpesh i bashkohet bisedës miku ynë i çmuar, studjuesi kurbinas Vlash Prendi, i cili mundohet të dëgjojë më shumë më të moshuarit se vetja, por edhe ndërhyn herë pas here me vend e me gjetje origjinale që burojnë nga puna e tij e gjatë mësimdhënëse, hulumtuese e studjuese, sidomos ne fushën e folklorit e të traditës popullore. Unē e kisha më të thjeshtë gjithshka: Kur doja të ndërhyja, nga që isha vozitës i mjetit, më dëgjonin me vëmendje, ndoshta duke shpresu që t’a mbyllja shpejt bisedën dhe t’i përkushtohesha punës kryesore, vizitjes… Një udhëtim për t’u mbajtur mend gjatë, mes bisedave të kandshme e humorit të hollë… Një mrekulli e vërtetë.

Kur afrohemi tek shtëpia e Mark Gjergjit gjithshka të bie në sy për mirë. Vendi i sistemuar e rregulluar për bukuri, shtëpia e rregulluar dhe oborri i pastër plot lule.Edhe pse mes tetori, kopshtnijet ishin plot perime, rrushi e pemët pa gjethe se ato “ua kishte vjedhur” vjeshta, por me rrush e fruta që të duket sikur !ta bëjnë me sy”, rreth e qark bagëti të imta e shpendē plot, të gjitha në kullosë të rrethuar. Një parajsë e ngritur me shumë mundime e djersë nga Marku dhe Dila, dy pensionistë që braktisën jetesën në qytetin e Rreshenit dhe ngritën gjithçka nga e para në trojet e tyre. E të mendosh se kanë vetëm 7 – 8 vjet që e kanë arritur këtë mrekulli, që ndoshta koha e pa shpirtë po i detyron, që t’a braktisin pa dëshirën e tyre këtë vend të bukur, në prag të dimrit që po afron. Buzëqeshja dhe gëzimi i mirëseardhjes lexohet në sytë e tyre.

– Bash mirë se ju pru Zoti, – na thonë të dy e sytë ju shndritin! Shtëpia plot me miq, gëzim dhe hare. Ku ka më bukur se kaq? Tryezës sonë bujare iu bashkuan edhe mësuesi i nderuar në pension, i mirënjohuri Zef Bushati dhe Hil Shani nga Pukja, miq e dashamirë të familjes, që bënin të gëzonte jo vetëm shtëpia e Markut, por edhe malet për rreth, edhe lisat, edhe kisha…t’i jepnin gjallëri për pak caste si dikurë, atij fshati të braktisur mes malesh. Tek – tuk, edhe disa oxhaqe të tjera tymonin, deshmi se ndonjë familje ishte rikthyer qoftë edhe vetëm të kalonte festën në trojet e të parëve, por edhe këto ishin shumë të rralla.

Marku e Dila na gostitën me gjithshka si s’ka më mirë, ndonëse nuk mund t’a fshihnin për asnjë çast trishtimin e largimit të detyruar prej aty, pasi kanë mbet të vetmit banorë të atij fshati, duke përjetuar edhe mungesën e fëmijëve.

Të falemi Mari: Shën Maria njihet si nëna e Jezusit, Zotit tonë, ndaj besimtarët katolikë në lutjet e tyre i drejtohen si “Nëna e TanZot”, nëna e Zotit të të gjithëve. Kjo festë lutet në zona të ndryshme, në data të ndryshme e njihet si festa e Të Ngriturit të Shën Marisë, që kremtohet me 15 gusht, apo festa e Shën Maria Magdalenë, që festohet me 22 korrik, Shën Maria e Virgjër Mbretëreshë, që festohet me 22 gusht, etj. Në Kaçinar e jo vetëm, kjo festë përkon me 8 tetorin. Kisha e Kaçinarit mban emrin e Saj dhe daton që nga viti i largët 1424. Banorët e fshatit Kaçinar, besohet se kanë ardhur në këto troje në shekullin XV nga Pashtriku dhe sollën me vete edhe Pajtoren e Shenjtë Marien, nënën e Krishtit, apo Zojën e Bekuar, siç e njohin besimtarët.

Urata për të fillon me “T’falemi Mari, hirëplotë”! Kjo lutje i shoqëroi kaçinarasit rreth 500 vite në atë vend e ndoshta është koha sot më shumë se kurrë, për ta kënduar atë lutje në shpirt, në vatra e në Kishë, që Kaçinari i Mirditës të mos t’mbesë thjesht si një toponim aty mes maleve… Unë s’jam praktikant feje, por jam besimtar, ndaj në nder të kësaj feste po e them uratën:

“T’falemi Mari, hirëplotë. Zoti me Ty!

E bekuar je mbi të gjitha gratë dhe i bekuar fryti barkut tënd, Jezusi.

Shenjtja Mari, nana e tanZot, lutu për ne mëkatarët, sot e n’fill t’mortes sonë. Amen!” Lutem që mëkati i braktisjes se këtij vendi të bjerë mbi ata që kanë patur e kanë pushtet për t’mos e dorëzuar këtë vend të bekuar në krahët e braktisjes së dhimbshme!

Lezhë – Kaçinar, më 8 tetor 2023

LLESH NDOJ

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok