SE SI VJEN AT’ GJERGJ FISHTA… PËRTEJ KOHËS ATËVRASËSE!
– në 155 vjetorin e lindjes –
Nga Visar Zhiti
A E KUJTUAN?
Dita e 23 tetorit, kjo e premte, kaloi në Shqipëri dhe Europë, ndërsa në Amerikë ka orën e vet të fundit, më pak madje, por do desha të di që a e përkujtuan shqiptarët At’ Gjergj Fishta, 155 vjetorin i lindjes së tij? Pati ndonjë konferencë, a shkruajtën e a u fol në media?
Kohë protestash në atdhe, janë ngritur studentët e qytetarët dhe shteti është i përkushtuar në shtypjen e revoltave të tyre me dhunë policore, ndërkohë grupe me maska po thyejnë e plaçkisin shitore e u vënë zjarrin institucioneve. Nuk ka kohë për At’ Gjergj Fishtën, por çuditërisht nuk ka patur kohë për atë, sidomos në diktaturë, kur jo vetëm ishte e ndaluar vepra e tij dhe emri i tij, por dhe eshtrat ia nxorën nga varri në Kishën e Françeskanëve në Shkodër dhe me një thes i hodhën në lumin Drin. Komunistët kështu. Edhe postdiktatura nuk shpëtoi dot nga mendësitë dhe praktikat enveriadiste, ndryshimi ishte i vështirë, kritika e Realizmit Socialist u kovertua në realizëm demo(n)kratik dhe më mediokrit e më të patalentuarit që s’botonin dot atëhere për dobësi deri edhe logjike, janë bërë më të zellshmit, të ndihmuar nga liritë e çdollojshme dhe lehtësitë e botimit si dhe mundësitë e pakontrolluata të përhapjes, se fundmi dhe nga Inteligjenca artifivmciake, kanë krijuar një çoroditje aestetike, ngjajnë me patronazhistët letrarë të prapa shpinave apo me policët përballë demonstratave, me kaskat e fanatizmit ideologjik mbi krye dhe parreshtur frushullojne shkopinjtë e gomave të ligësisë.
At’ Gjergj Fishta e ka ende të vështirë
të çmohet realisht, as të kuptohet, aq nxë gjuha e tyre eunuke, por s’guxojnë dot të thonë se At’ Gjergj Fishtën nuk e pranojnë dot.
Ai është si mal hijerëndë, ku dhe pasqyrohet pellgjeve, por jo se ato e nxënë dot. Ai është me i madh se koha shqiptare.
PËRSISTJE PËR IKONËN
Kur themi At’ Gjergj Fishta, janë bashkë e të pandara emri i Poetit me fjalën e shenjtë: Atë,/ baba, – parake sa vetë shqipja e lashtë, që tashmë kanë marrë kuptimet më madhore të tyre, – kështu kam shkruar.
Mund të thosha që vetë emri Gjergj ka ringjallje dhe është në traditën e krishtere edhe si shenjt, Shën Gjergji. dhe në traditën e hershme të emertimeve shqipe. Gjergj Kastrioti – Heroi ynë Kombëtar, që me shpatë mbrojti dhe shqipen dhe pas 500 vjetësh u desh dhe një Gjergj tjetër që të përdorte fjalën si shpatën në mbrojtje të shpirtit dhe gjakut arbëror.
At’ Gjergj Fishta – Homeri i fundit në Ballkan, – e kanë quajtur, – Lahuta e mbramë e botës, – më pëlqen të them.
Atij i ra barra të mbartte së voni amanetet e fisit iliro-arbëror, kumtet e maleve tona si në gojë shpellash mitike e bubullimash, buzëve të plagëve të shekujve, duke u bërë dhe vetë zë i madh, me mbifuqitë të Mujsit dhe të Halyllit (kupto: Muji dhe Halili). Mbarti kryqin e Krishtit dhe priu me gjuhën e popullit të tij qëndresën. U bë kujtesë e tokës së vet.
Legjendë modern u bë që në gjallje, biblik, plot dije dhe urti, që shungëllonte shqip si orteqet e dimrave tanë, onomatopeik betejash e i lumenjve të gjakut.
Akademik roman ndërkohë, që befas kthehej në lirik, me një romantizëm po aq dhe europian, Edhe dramaturg, prozator, mendimtar, kritik letrar, piktor, arkitekt, deputet, opozitar, diplomat, përfaqësues i Shqipërisë, etj, gjithmonë prift, françeskan i bukur! Herë-herë me një si zëmërim shenjtësh, që nga dashuria kristiane, si poet që është, e kthen në satirë të hidhët, ndërkaq ai ishte satiristi më i mirë në Ballkanin e kohës së tij, por që kumbon dhe sot aktual, se çelës është gjakimi i tij për përmirësim e races. Disa nga shpotitë e tij ngjajnë të porsa shkruara për ata që i kemi përreth dhe në krye.
Átë Gjergj Fishta është veprimtari i lartë Kombëtar, patrioti i flaktë, kushtrimtar. Dhe nën pushtuesin, aspak bashkëpunëtor me të në dëm të vendit të tij, siç e akuzuan komunistët, ai bëri politikanin e atdheut. Me kryqin dhe Fjalën. I dekoruar dhe nga armiqtë për paqen që sillte, edhe nga Turqia madje, se shmangu një gjakderdhje në Malësi.
At’ Gjergj Fishta është një fenomen, jo vetëm në kuptimin metaforik.
Vepra e At Gjergj Fishtës është pjesë e Vargmaleve të Shqipërisë.
ME GJERGJIN
Unë njoh shumë Gjergja, kam edhe miq. Besoj që në atë emër është Shën Gjergji, por edhe Skënderbeu, edhe Poeti Kombëtar, edhe etër të tjerë, Gjergja që ikin dhe që vijnë..
Sot pasdite ishim në një meshë në një kishë në rrethinë të Chicagos, më shumë shqip se anglisht, u kremtuan dhe datindjet që kishin sot, mes tyre ishte dhe e një gazetari nga Prishtina,
Gjergj Filipaj. Kam emrin e Skënderbeut, na tha, kur e uronim. Edhe të Fishtës. Dhe në darkë po flisnim per Atë Gjergj Fishtën.
Unë desha dhe një Gjergj tjetër, mik imi, Maestro Gjergj Kola, piktor që jeton dhe punon në Itali. Ka ardhur nga Lezha, ku Gjergj Kastrioti – Skënderbeu mblodhi Kuvendin e Madh apo aty mbylli sytë përgjithmonë. Gjergji im ka piktura e kompozime të çuditëshme dhe për Atë Gjergj Fishtën, na i bën më familjar, duke i ruajtur madhështinë, e lidh me brezat dhe me gjithëkohësinë, krahas librit, shton dhe vetë lahutën, po edhe lahutarin e ri, ti sheh fytyren tënde në atë, të gjeneratave, e gjitha nën një dritë mahnitëse, bluja e qiellit me të kuqen gjak të luleve qiellore, që vazhdon dhe në xhamadan, edhe në epos, edhe në ardhmëri…
Se desha ta përkujtoj dhe unë sot Atë Gjergj Fishtën.
