02/05/2024

FAZLI GRAJÇEVCI – PËR TOKËN E KOMBIN DUHET TË PUNOHET SHUMË DHE PËR TË MBROJTUR ATË DUHET EDHE TË FALET JETA

0

T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:

(1935-e mbytën në burg më 17 gusht, 1964)

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

Fazli Grajçevci u lind në muajin prill të vitit 1935, në fshatin Sankoc të Drenicës. Ishte i biri i Xhemajl Grajçevci dhe i Sherifës, e lindur Miftari në fshatin Krasimirovc. Fazliu ishte fëmija i gjashtë i familjes Grajçevci. Ai kishte edhe këta vëllezër e motra: Hamdiu, Fazliu i parë, Mehdiu, Fazliu, Nailja, Rrahimja, Mehremja (edhe kjo kishte vdekur menjëherë pas lindjes), Halimja, Hatixhja dhe Shehidja. Andaj, për Xhemajl Grajçevcin ishte goxha e vështir për të siguruar bukën e gojës. Ai kishte punua edhe si minator në minierën e Goleshit, që nuk ishte aspak e lehtë.

Familja e Fazliut, njihej si një familje atdhetare  dhe në çdo kohë kishin qenë dhe kishin ndihmua lëvizjet çlirimtare për Kosovën. Ndërsa nga ana e nënës, dajat ishin patriot të shquar dhe bashkëluftëtar të Azem Bejtës. Fazliu si fëmijë u përball me skamjen, me padrejtësitë dhe me luftërat për liri dhe pavarësi. Qysh si fëmijë, tek i riu i Sankovcit u vërejt zgjuarsia  e më vonë edhe atdhedashuria ndaj vendit. Ishte i entuziazmuar kur filloi klasën e parë në fshatin Komoran, pasi se në fshatin e tij të lindjes shkollë nuk kishte. Fati e deshi që për mësues të kishte atdhetarin e njohur të kësaj ane, Arif Shalën. Mësuesi Arif, gjatë kohës që punoi si imam e mësues ishte i përkorë dhe i sjellshëm, nxënëseve të tij iu mbante ligjërata, ku temë trajtimi kishte kombin e atdheun, heronjtë e shumtë që kishin rënë për një Shqipëri Etnike. Gjithmonë iu fliste për lirinë dhe robërinë dhe nëpër mes këtyre ligjëratave kultivonte dhe përçonte atdhedashurinë tek nxënësit e tij. Si mësues, nxënësit e adhuronin. Sidomos nga ata dallonte nxënësin e tij me të cilin kishte krijua raporte të shkëlqyeshme, thuajse prindore- Fazli Grajçevcin. Dhe nuk ishte aspak befasi aktiviteti i tij i mëvonshëm patriotik i Fazliut. Shkolla ku vijonte mësimet, për Fazliun e vogël ishte larg dhe ai udhëtonte nga 11 kilometra në ditë për të shkua dhe ardhur nga shkolla. Fazliu i ri kurrë nuk do i harroj ato vite, ngase skamja ishte e madhe veshmbathjeje ishte e dobët ndërsa dimrat ishin shumë të ftohët, por dashuria për të mësua ishte shumë më e madhe se të gjitha këto. Dhe, ai tepër i lumtur përfundon shkollën fillore.

Por , siç dukej jeta nuk e përkëdheli, Fazli Grajçevcin. Në moshë të re atij i vdes e ëma, humbjen e nënës i riu e përjetoi rëndë, dhe do të lë gjurmë të pashlyera në jetën e tij të shkurtër. Në vazhdim përkujdesën për të, e morën motrat dhe vëllai Hamdiu që kishin një dashuri të madhe në mes veti.

Gjatë shkollimit fillor, Fazliut, mësuesi i ri Arif Shala, iu kishte bë idhull, por, kishte ndodhur më e keqja, se mësuesin e tij më 30 dhjetor 1946, e kishin vëra udbashët, andaj urrejtja ndaj okupatorit e pushtuesit u shtua edhe më shumë. Ai kur kishte dëgjua për fatin e mësuesit të tij ishte betua ashtu në heshtje se do e ndjekë rrugën e tij dhe do të bëhej mësues dhe do të hakmerrej për të. Duke e parë se analfabetizmi ishte shumë i madh tek shqiptaret, dhe me idealin e madh që një ditë ti shërbej arsimimit të popullit të vet, ai punonte dhe angazhohej që sa më parë të përfundoi shkollën e nisur. Pas kësaj, ai vendosi të regjistrohet në Shkollën Normale në Prishtinë. Okupuesit jugosllav, shkollimin e Fazliut e shikonin me dyshim. Shkollimi i tij iu pengonte, andaj filluan të thurnin plane për ta penguar dhe në fund për ta likuiduar.

Fazliu, ishte aktiv në shkollë, mësonte shumë dhe shoqërohej me shokët që ishin përparimtar e atdhetar në mendime. Lexonte shumë, dhe librat e tij ishin të përzgjedhura nga rilindësit tanë. Nuk kishte libër që nuk kishte lexua në bibliotekën e shkollës. Por, nuk e lanë që ta përfundoi shkollën në Prishtinë, ai pas kësaj ishte i dëshpëruar dhe shkollimin e vazhdoi në Normalen e Prizrenit, më 1958. Për të diplomua ai qe i detyruar që të kthehej në Mitrovicë dhe më në fund u bë me diplomë mësuesi. Sa i përket shkollimit, ai u ndje i plotësuar, por situata politike në vend ishte e tensionuar dhe për çdo ditë për shqiptarët jeta ishte më e vështir dhe presioni ishte më i madhe. Kishte fillua aksioni i pushkëve. Një nga metodat më të përshtatshme që filluan për ti përdorur pushtuesit e rinj, ishte po ajo metodë që e kishin përdorur edhe më herët kralët serb: Shpërngulja permanente e shqiptarëve nga trojet e veta. Meqë përballë popullsisë vendase  dhe asaj botërore, ky aksion  nuk mundë të ndërmerret me dhunë të hapur, sikurse në kohën e Jugosllavisë së vjetër, ata i hynë një aksioni të tërthorët. Përtërin e ripërtërin marrëveshjen xhentëlmene turko-jugosllave, dhe kërkuan që nga Kosova dhe viset tjera shqiptare të shpërngulën sa më shumë shqiptar të besimit mysliman. Gjatë viteve të tmerrshme të dhunës e terrorit shtetëror ndaj shqiptarëve filloi edhe shpërngulja e madhe për në Turqi. Duke e parë rrezikun e madh nga shpërngulja dhe duke lënë mbrapa shumë fshatra të zbrazura shqiptare, atdhetarët shqiptar nuk qëndruan duarkryq dhe ndërmorën masat e nevojshme për të penguar zbrazjen e tokave shqiptare. Në statistikat e gjykatave të qarqeve në Kosovë janë të njohura shumë procese gjyqësore që u organizuan ndaj të gjithë atyre që pengonin në shpërnguljen e shqiptarëve. Si gjithmonë, pushteti nuk delte hapur kundër atyre që pengonin shpërnguljen por gjenin shumë e shumë arsye për ti hedhur në burg, që në një mënyrë amortizonin reagimin kundër shpërnguljes.

Si metodë e dytë që u aplikua me mjaft sukses ndaj shqiptarëve që kishin ngelur nën Jugosllavi, ishte edhe metoda e grumbullimit të armëve tek shqiptaret, apo ndryshe në popull njihej si “Aksioni i mbledhjes së armëve” gjatë vitit 1955/56. Aksioni ishte organizua me pretekstin se  gjoja u kishin mbetur  nga lufta  shumë armë shqiptarëve dhe të gjitha ato paraqitnin rrezik për sigurinë e rendit në Jugosllavi. Në fakt, Aksioni i armëve  ishte një nga mënyrat për presion  mbi popullin shqiptar, me qëllim kryesor e të fundit- shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi e gjetkë. Gjatë aksionit populli shqiptar u torturua  aq shumë nga UDB-eja, sa që një numër i madh njerëzish e humbën edhe jetën, kurse pjesa tjetër (e banorëve të moshës madhore), mbeti me pasoja të rënda fizike e psikike. Të gjitha këto, Fazliu mësues, i shihte dhe të gjitha këto i përjetonte rëndë. Por punën si mësues e vazhdonte, nxënësit i edukonte në frymën atdhetare dhe shpesh iu thoshte se për tokën e kombin duhet të punonin shumë dhe për të mbrojtur atë e vlen edhe të vdiset.

Fazliu kishte përjetua edhe një zhgënjim tjetër, dhe fortë të rrezikshëm për kohën. Si të rijnë duhet kryer shërbimin ushtarak në ushtri që Fazli Grajçevci asnjëherë nuk e llogariti si ushtri të veten. Shumë shpesh ka ndodhur kur të rinjtë shqiptar shkonin në ushtri dhe nga andej i sillnin në arkivole duke u gjendur 1001 arsye. Duke iu thënë familjarëve rrenat më ordinere se fëmija i tyre ishte i sëmurë, apo e ka përdorur keq armën dhe aksidentalisht është vrarë. Por, Fazliu, çështjen e ushtrisë nuk e mori me seriozitet dhe atje sa ishte shokëve tinëz eprorëve ushtarak iu mbante ligjërata, për atdheun e tyre, dhe se një ditë shqiptaret duhet të ngritën në këmbë për të luftua për lirinë që nuk e kishin. Ai bashkë me shokët e vet e kishte festua ditën e flamurit, 28 nëntorin në një kamion që ishte në oborrin e kazermës, duke e nxjerr një flamur të vogël të cilin vet e kishte vizatua dhe duke u betua para tij se do të luftojnë për këtë flamur.

Më vonë, për aksionin e mbledhjes së armëve në Kosovë, pas viteve 1966/1968, shkruante edhe shtypi i vendit dhe shtypi botëror. Gazeta “Vus” e Zagrebit, kishte shkruar se gjatë kohës së aksionit të armëve  nga viset shqiptare nën Jugosllavi u shpërngulën dhe shkuan për Turqi rreth 300 mijë shqiptar. Kundër këtyre metodave perfide që organizoheshin nga ana e pushtetit u bë rezistencë e madhe si në mënyrë individuale po ashtu edhe në formë të organizuar. Gjatë kësaj kohe u formuan dhe vepruan shumë organizata ilegale që kishin për qëllim rezistencën e shqiptarëve dhe u mundonin që në masat e gjera të bënin informimin e drejtë për shpërnguljet në Turqi dhe metodat e ndryshme të dhunës që përdornin okupuesit. Gjatë kësaj periudhe, numri i të burgosurve politik u shtua dukshëm, në këtë kohë u mbajt procesi gjyqësor i njohur me emrin “Procesi i Adem Demaqit”, Procesi gjyqësor i Metush Krasniqit me shokë. Në burg u mbyt me dhunë mësuesi patriot i Letancit të Llapit, Shaban Shala, Fazli Grajqevci e shumë e shumë të tjerëve anë e kënd Kosovës dhe viseve shqiptare nën Jugosllavi. Me të madhe u aplikuan programi i Vasa Qubrilloviqit.

Në vazhdën e shumë organizimeve ilegale atdhetare, duhet përmendur se më vitin 1963, në Kosovë formohet edhe një organizatë tjetër atdhetare me emrin “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” e udhëhequr nga atdhetari i njohur Adem Demaçi. Mbledhja mbahet në Prishtinë, në shtator të vitit 1963. Aty marrin pjesë : Adem Demaçi,- atdhetar i dëshmuar dhe prozator i njohur nga Prishtina; Fazli Grajqevci- mësues dhe poet nga Sankoci i Drenicës; Zeqir Gërvalla- normalist dhe poet nga Lupçi i Llapit; Azem Beqiri- nënpunës dhe poet nga Dumnica e Llapit. Komiteti Revolucionar i LRBSH-së më vonë do ti emëroj udhëheqësit e disa qyteteve dhe territoreve të Kosovës. Për kryetar të Komitetit të Prishtinës do të caktohet Kadri Kusari, për Gjilan Rexhep Elmazi, për Mitrovicë Zeqir Gërvalla, për Pejë Ramadan Shala, kurse për territorin e Drenicës Fazli Grajçevci. Siç po shihet, kontributi i Fazli Grajçevcit në kuadër të LRBSH-së është që nga dita e themelimit të saj dhe do të vazhdiu deri në arrestimin e tij. Gjithashtu, në këtë mbledhje themeluese, vendoset që kryetar i lëvizjes të jetë Adem demaçi, organizata të quhet “Lëvizja Revolucionere për Bashkimin e Shqiptarëve” dhe caktohet anëtarësia mujore për anëtarët e LRBSH-së në lartësi prej 500 dinarësh.

Mendoi se ky organizim ilegal në kuptimin e plotë të fjalës e meriton që të quhej lëvizje, ngase si në aspektin vertikal po ashtu edhe në atë horizontale i plotësonte të gjitha kriteret që e karakterizojnë një lëvizje politike. Se nën 1. LRBSH-ja ishte organizata më e njohur e kohës që kishte ndikim të pamohueshëm dhe programin e saj e kishin miratuar dhe përvetësuar edhe disa organizata ilegale më pak të njohura. 2. Numri i anëtarëve ishte i konsiderueshëm ngase pas formimit të ko¬mi¬teteve të qyteteve të LRBSH-së në Prishtinë, në Mitrovicë, në Pejë, në Gjakovë, në Gjilan, në Shkup dhe në Stamboll, parashihej që të vazhdohej me formimin edhe të komiteteve të tjera më të vogla; 3. Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqi¬pta¬rëve për një kohë të shkurtër do të ketë programin politik të saj po ashtu edhe Statutin, dhe, kjo bëri që LRBSH-ja të jetë një lëvizje që i karakterizonin të gjitha lëvizjet e mëdha.

Andaj, si imperativ i kohës ishte shtruar domosdoshmëria që të shkruhej Statuti dhe Programi i Lëvizjes. Pas konsultimeve paraprake të kryetarit të LRBSH- së , me anëtarët e tjerë të Komitetit Revolucionar në nivel të vendit, fillojnë përgatitjet që t`i hyhet kësaj pune me shumë interes. Për t`i ikur përcjelljes nga Sigurimit Shtetëror Jugosllav dhe UDB-ja, u propozua që të shkohet në Pejë. Kryetari i Lëvizjes Adem Demaqi në bashkëpunim me Ramadan Shalën bëjnë përpilimin e dokumenteve.

E veçanta e këtij programi ishte se kishte dy pika kryesore në të cilat prezantohet karakteri i luftës së kësaj lëvizjeje ishte me: 1. Karakter të bashkimit kombëtar dhe  2. Karakter të çlirimit kombëtar. Por në katër pika të tjera ishte përfshirë plotësimi i kushteve themelore, që po ashtu kishin vazhdimësinë nga kërkesat e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit si:

  1. Me qenë i bashkuem territorialisht;
  2. Me pas nji treg të përbashkët ekonomik;
  3. Me pas nji gjuhë të përbashkët letrare;
  4. Me qenë i përshkuam nga ndjenjat e dashurisë, përkatësisë dhe solidaritetit reciprok vëllazëror

       Programi politik i LRBSH-së veç që kishte rendësin historike, duhet shtuar se ai kishte vizion gjë që edhe sot ka rëndësi aty-këtu aktual. Pas vendimit të Komitetit Revolucionar për ngritjen e flamurit kombëtar dhe shkrimin e parullave patriotike dhe pas qepjes dhe përgatitjes teknike të flamujve nga vëllezërit Sabri e Selatin Novosella, kryhet ky aksion ndër më të mëdhenjtë e këtij lloji pas viti 1945, duke u mbuluat pothuaj e tërë Kosova me flamuj kombëtar. Flamujt ngjitën në Prishtinë, në Letancë (mbi varrin e atdhetarit Shaban Shala të cilën UDB-eja jugosllave e kishte mbytur në burgun e Prishtinës, në vitin 1963), në Obiliq, në Mitrovicë, në Pejë, në Istog, në Jabllanicë të vogël, në Radavc, në Novosell të Pejës, në Gjakovë, në Gjilan dhe në repetitorin e TV-së në Golesh, aksion të cilin e kryen me vetëmohim dhe rrezik të madh Fazli Grajçevci me shokë. Një aktivitet të posaçëm Fazli Grajçevci do ta tregojë në edukimin e gjeneratave të reja në shkollat e Kishnarekës, Poklekut dhe Dobrashevcit.

Pas aktivitetit të shumta që kishte zhvilluar në LRBSH, në tërë Kosovën, ai do të mbetet i paharrueshëm si për kolektivet ku punoi si për nxënësit e tij që i donte si ti kishte fëmijë të vet. Gjithashtu, Fazliu do të punoi një kohë edhe në gazetën “Rilindja” në Prishtinë. UDB-eja, çdo gjë përcillte dhe i kishte rënë në gjurmë aktivitetit të LRBD-së dhe Fazli Grajçevcit për aksionet e kryera, dhe kontakteve që kishin pasur me përfaqësuesit e shtetit amë nëpër mes të konsullatës së Tiranës në Turqi, për fat të keq, e tërë kjo ishte përcjell dhe ishte zbuluar. Fill pas kësaj fillojnë burgosjet në tërë Kosovën prej 8 qershorit 1964, me ç rast, për disa muaj do të burgosën rreth 300 anëtar të kësaj lëvizjeje.

Fazliu, burgosjet e shokëve do ti përjetoi rëndë. Ishte i vetëdijshëm se pushteti i kishte rënë në gjurmë dhe kishte mundësi të largohej për Shqipëri, por një rrugë të tillë nuk e donte. Ai, Fazli Grajçevci, pas ftesës që kishte marr nga UDB-eja, ashtu siç i kishte hije një heroi, përshëndetet me familjen, miqtë e shokët, dhe vet dorëzohet në organet e ndjekjes, me 3 korrik 1964. Fazliu ishte i bindur se nuk do të kthehej i gjallë nga burgu i Prishtinës, andaj, në ndarje do të porositë si të shoqen Myrveten, ashtu edhe vëllain Hamdiun si edhe gjashtë motrat, se: “Nëse ndërkohë me lind djalë të ma  pagëzoni me emrin Flamur dhe shkrimet e mia të mi ruani si sytë”

Gjatë hetuesisë xhelatët do i përdorin metodat më çnjerëzore, më shtazarake dhe më të tmerrshmet në trupin e njom të Fazli Grajçevcit.  Ata donin që ta mbytnin idealin e tij dhe ta mbytnin vet atdhetarin, që në asnjë moment nuk hapi gojën për të tregua për shokët apo për organizatën.  Nga rrahjet dhe torturat ashtu pa dashje i dilnin rënkimet e rënda që i dëgjonin edhe të burgosurit e tjerë. Ndihmë askush nuk i kishte ofrua. Asnjëherë nuk e thirrën mjekun për ta kontrolluar dhe për ta ndihmuar. Gënjeshtra ishin ato, kur thoshin udbashët se, e kishin ndihmuar. Po, e vërtet është se, vetëm me 17 gusht 1964, kur ai vetëm më, kishte dhënë shpirt, kishin kërkuar nga doktor Ali Sokoli që të jap mendimin e rremë për shkakun e vdekjes së tij, e ky, assesi nuk kishte pranua. Ndërsa mjeku serb Sllobodan Nikoliqi, jashtë etikës profesionale kishte shkrua se Fazli Grajçevci “Ka vdekur nga infarkti” gjë që nuk ishte e vërtet. Ndërsa, kufomën në arkivol të plumbosur ua kishin dërguar familjarëve për varrim, duke u frikuar që mos të zbulohet e vërteta. Familjaret duke e ditur të vërtetën, e hapin arkivolin dhe panë se trupi i atdhetarit ishte i masakruar. Ai kishte dy dhëmbë të thyer dhe pjesët e poshtme të trupit të mavijosura, të lënduara, dëshmi se mbi Fazliun ishte ushtruar dhunë shtazarake. Pas vdekjes së heroit, e shoqja (gruaja e Fazliut) kishte lindë djalë, dhe sipas amanetit të Fazliut, i venë emrin Flamur, por edhe djali vdes pas 18 muajve. Duhet theksuar se në Kosovën trime lindin edhe mija Flamur të tjerë duke e trashëguar Fazli Grajçevcin dhe idealin e tij, për të mos vdekur kurrë.

Fazli Grajçevci u varros në fshatin e lindjes me nderime të mëdha ashtu siç i pati hije një heroi, i cili do të ngel për jetë e mot në kujtesën ton si simbol qëndrese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok