25/12/2024

Fatime Sokoli këngëtare dhe artiste e madhe, atdhetare e flaktë

0
u6_Fatime-Sokoli

Nga Ibrahim Kabili

Jeta është e bukur. Më e bukur bëhet ajo kur e jeton në mënyrë aktive. Dhe aq më e bukur kur e vën atë në shërbim të kombit tënd. E kush më mirë se këngëtarja, instrumentistja dhe shqiptarja e madhe Fatime Sokoli ja kushtoi jetën Atdheut dhe Shqiptarisë? Jeta e saj u këput në mes, por kujtimi dhe respekti për të  do mbeten në përjetësi. Ajo do mbetet në kujtesën e shqiptarëve për aq kohë sa do jenë Alpet Shqiptare, për aq  kohë sa do të rrjedhë Valbona me ujin e saj të pastër dhe të kristaltë, për aq kohë sa do jetë Dragobija dhe Malsia e Gjakovës që e lindi e rriti, për aq kohë sa të jetë Kosova që ajo e pati idhull dhe i kushtoi shumë këngë, për aq kohë sa do të ketë shqiptarë. Fatime Sokoli me veprimtarinë e saj artistike fitoi përmasat, dhe rrespektin e kombit të vet. Duke e parë në këtë kontekst dhe duke e ndjekur intensivisht veprimtarinë e saj artistike në ato vite, ndihem i obliguar të bëj një shkrim modest për këngëtaren e madhe Sokoli. Për ta bërë këtë shkrim për të, kam disa motive të brendëshme. E kam dëgjuar për dekada dhe e kam admiruar si këngëtare dhe instrumentiste. Ajo, si askush tjetër:

  • Shumicën e këngëve ja ka kushtuar figurave të shquara të historisë sonë kombëtare, patriotëve dhe atdhetarëve të kombit tonë.
  • U këndoi me gjithë fuqinë e shpirtitkëtyre figurave historike të kombit tonë, i përjetësoi në këngë duke ngjallur optimizëm dhe atdhedashuri te shqiptarët.
  • Si grua ajo doli mbi paragjykimet e kohës, përqafoi dhe përkrahu të renë në malësinë e atyre viteve, duke u kthye në model për gratë dhe femrat e tjera.
  • Me këngët kushtuar Kosovës, Fatimja ngjalli optimizëm dhe shpresë tek ato dhe i motivoipër demonstratat e vitit 1981.Shumë njerëz në Kosovë janë burgosur sepse kanë kënduar dhe janë frymëzuar prej këngëve patriotike të sajë.
  • Me këngët e saj për figurat historike, na motivonte dhe ne mësuesit e rinj në punën tonë për mësimin dhe edukimin e brezit të ri.
  • Në ato vite askush më mirë se ajo, i këndoi vendlindjes së saj të mrekullueshme Tropojës, bukurive natyrore, arritjeve,dhe transformimeve të vendit në atë periudhë.
  • Në kontekstin e kohës në kushtet e sistemit socialist, Fatimja bëri maksimumin si artiste, këngëtare dhe instrumentiste për promovimin e vlerave të këngës, kulturës dhe folkut të krahinës së Tropojës, Malsisë së Gjakovës dhe gjithë shqiptarisë.
  • Qe një vlerë kombëtare në fushën e artit, muzikës dhe kulturës,dhe si e tillë duhet të jetë model për tu ndjekur nga gjeneratat e reja në të ardhmen.
  • Një motiv shumë i madh që më bëri ta bëjë dhe përshpejtoj shkrimin për artisten e madhe Tropojane dhe gjithë shqiptare, qe dhe nëna ime Razia. E cila është 86 vjeç. Në kohën e saj e ka pasur shumë për zemër Fatimen. Kanë kaluar shumë vjet dhe ajo e kishte harruar.

Duke më parë me orë të tëra duke punuar në tavolinë, një ditë korriku më thotë: A jeton më ajo këngëtarja me nam e Tropojës? Kush i them unë? Nuk ja mbaj mend emrin më thotë, natyrisht mosha bën të vetën! Pasi i përmend disa këngëtarë të atyre anëve, në fund i kujtoj Fatimen. Po më thotë, a është ajo vajza që vishej si burrë e këndonte këngë trimërie ? Po i them unë, por ajo ka vdekur e re, nga azotermia në veshka. Mos më trego më thotë, ajo qe këngëtare që të bënte për vete, dhe të tërhiqte me zërin e saj burrëror. Të lutem më thotë, bëje një shkrim për të. Mos mu lut nënë, i them unë, për ty bëj gjithçka. Vetë e kisha vënë në plan të bëj diçka. E, nëna, si nëna! Ajo më bëri ti kushtoj shumë kohë këtij shkrimi, të përmbush dhe dëshirën e saj, të përshpejtoi publikimin, apo botimin e këtij shkrimi. Për shkak dhe të nënës, jam dy herë krenar për këtë shkrim kushtuar Fatimes!

Fatime Sokoli lindi në Dragobi, të Malsisë së Gjakovës, Tropojë, më 18 qershor 1948. Familja ku u lind, rrit dhe u edukua Fatimja qe një familje e thjeshtë dhe bujare, por me vlera patriotike dhe atdhetare. Familja e saj qe bazë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ajo qe një fëmijë e zgjuar, e shkathët, e dashur dhe mjaft e dhënë pas mësimit dhe muzikës. Që në moshë fare të vogël mbeti jetime pasi i vdiq nëna dhe në çdo moment pati nga afër mbështetjen e babait të saj, Manit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në Dragobi. Arsimin 8 vjeçar e vazhdoi dhe e mbaroi në Bajram Curr me rezultate shumë të mira. Në shkollën 8 vjeçare ajo u aktivizua me grupin artistik të shkollës. Këtu ra më shumë në sy talenti, i këngëtares së ardhshme, në fushën e artit dhe muzikës. Babai dhe familja e saj tregonin një kujdes të madh për Fatimen. Duke parë prirjen e saj për këngën dhe muzikën, e dërgojnë Fatimen për arsimim të mëtejshëm në Tiranë. E regjistrojnë në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Shkollën e mesme artistike e mbaron në vitin 1967 me rezultate të shkëlqyera. Gjatë shkollimit atje, çika e Dragobisë, u pajis me dije dhe kulturë dhe u afirmua dhe më shumë si këngëtare dhe instrumentiste. Si talent që ishte ajo pati një ndihmë shumë të madhe nga profesorët e mirnjohur të saj. Dhe pas mbarimit të shkollës ajo mbante lidhje të ngushta  dhe konsultohej me to.

Ajo çiftelinë, por dhe sharkinë  e kishte mësuar në odat e burrave të Dragobisë, ku nuk i ndahej për asnjë çast babait të saj, duke thyer çdo tabu e traditë, për gratë dhe vajzat e malsisë. Pas mbarimit të liceut Fatimja kthehet në vendlindje, në Dragobi. E emërojnë mësuese muzike në shkollën 8 vjeçare të këtij fshati. Tanimë, ajo ishte e afirmuar në fushën e këngës dhe muzikës dhe e priti me shumë gëzim dhe dëshirë emërimin si mësuese muzike në shkollën 8 vjeçare në vendlindje. Detyrën e re e vlerësoi shumë dhe punoi me përkushtim e profesonializëm, në përmbushje  të saj. Gjatë kësaj periudhe ajo qe dhe përgjegjëse e Shtëpisë së Kulturës së Dragobisë. Zona qe e hapur, përfshinte një krahinë të tërë, dhe Fatimjja punonte me përkushtim në përzgjedhjen dhe përgatitjen e talentëve të reja. Ajo bëri më të mirën e mundëshme në “vjeljen” e folkut shumë të pasur të Malsisë së Gjakovës dhe ekspozimin e tij nëpërmjet grupit artistik në eventet në shkallë rrethi, kombëtare dhe ndërkombëtare. Ajo punoi pa u lodhur me shumë djem, burra, gra dhe vajza dhe u mësoi atyre çiftelinë, kërcimin e vallen, pse jo dhe tupanin e sharkinë. Këtu punoi shumë edhe për emancipimin e femrës shqiptare, duke qenë vetë shembulli, modeli dhe figura e gruas së re. Ajo shihej me admirim nga gratë dhe vajzat që punoi me to dhe jo vetëm prej tyre. Jo vetëm kaq, ajo dha një ndihmë të madhe dhe në fushën e koreografisë, ku shumë kërcimtar, janë përgatitur dhe më pas afirmuar, gjatë kohës së saj. Këngët e Fatimes dhe Ansamblit të Tropojës, tanimë qenë kushtrim për Dragobinë, Malsinë e Gjakovës, Kosovën dhe gjithë shqiptarinë. Si mësuese qe model me nxënësit,qe e urtë, e sjellshme, e hapur, shumë komunikuese dhe mbi të gjitha shumë kërkuse dhe e sukseshme me to. Fatimja qe për nxënësit, modeli dhe shembulli që duhej ndjekur, dhe që ndiqej  plotësisht prej tyre.

Kariera e saj arisitike qe e shkurtër, pasi vdiq në moshën 39 vjeçare në kulmin e krijimtarisê së saj, por qe shumë e sukseshme. E filloi veprimtarinë e saj në moshën 11 vjeçare, te vendi ku ka rënë Bajram Curri, në një përvjetor të Tij, ku ajo këndoi këngën për Të dhe vetë i binte dhe çiftelisë. Këtu ajo theu tabunë pasi qe malësorja e parë që e bëri një gjë të tillë, falë dhe qëndrimit liberal të babait të saj. Më pas në kohë Fatimja u bë pjesë e Ansamblit Popullor të Tropojës. Këngët e saj fillimisht jepeshin në Radio Tirana, Radio Shkodra, Radio Kukësi, disa radio lokale në Kosovë, dhe më pas në kohë nga TVSH-ja. Repertori i saj në këtë ansambël u rrit dhe u forcua nga ana sasiore, ashtu dhe nga ajo cilësore. Tanimë Ansambli i Tropojës nuk kishte më kuptim, pa Fatimen, dhe shpesh identifikohej me emrin e sajë. Me këtë ansambël ka marrë pjesë në shumë evente kombëtare, në të gjitha Festivalet Folklorike Kombëtare të organizuara në Gjirokastër. Atje Fatimja dhe grupi shkëlqenin dhe janë vlerësuar shumë herë me shumë çmime, madje dhe të para. Ansambli dhe Fatimja u bënë shumë të dashur me repertorin e tyre në Shqipëri, Kosovë, në trevat shpiptare dhe diasporë. Fatimja këndoi me shumë pasion këngët e trimërisë. Ajo qe dhe pjesë e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore në shumë evenimente jasht atdheut, ku kënga dhe çiftelia e saj “gjëmoi” në skenat e Europës. Dhe atje shkëlqeu dhe u prit me adhurim të madh nga spektatorët. Shumë herë u duartrokit dhe rikthehej në skenë me këmbënguljen e tyre.

Këngët patriotike të kënduara mrekullisht nga Fatimja, për figurat historike si për: Shotë dhe Azem Galicën, Bajram Currin, Sulejman Vokshin, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Vojo Kushin, Naim Frashërin, Asim Vokshin, Hajdar Dushin, Emin Durakun, Mic Sokolin etj. Ngjallnin shumë patriotizëm dhe atdhedashuri. Më e theksuar kjo në Rrafshin e Dukagjinit e Kosovën e uzurpuar nga Jugosllavia. Në vitin 1972 Fatimja me Ansamblin e Shtetit merr pjesë në një turne në Kosovë. Atje pritet me ovacione nga shqiptarët e Kosovës, shihet si emblemë e këngëve patriotike dhe dhurohet si trimëreshë për çështjen kombëtare. Dhe nga ana tjetër shihej me një sy shumë të keq nga autoritetet jugosllave. Shihej kështu pasi çiftelia dhe kënga e Fatimes qenë armë në duart e saj, për të realizuar çështjen e madhe të çlirimit të Kosovës dhe bashkimit kombëtar. Për Fatimen: Plava, Gucia, Ulqini, Tuzi, Kosova, Dibra e Madhe, Tetova, Kumanova, Ohri, Prespa, Struga, Shkupi, Janina, Çamëria etj..qe gjihë Shqipëria. Këtu u deformua dhe historia! Fatimja me këngët e saj qe kundër kësaj padrejtësie. Ajo së bashku me këngëtarët e tjerë të afirmuar të kohës si: Dërvish Shaqa, Aziz Ndreu, Feride Kurti, Sali Mani, Dava Gjergji, Drane Gega, Vitore Rusha, Violeta  Përbasha, etj i kënduan me shumë pasion këngët patriotike dhe zgjuan ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve. Fatimja u lind, rrit dhe u formua si artiste gjatë viteve të socializmit. Ajo ka patur përkrahje nga pushteti i kohës dhe u afirmua si këngëtare gjatë kësaj periudhe. Shumë këngë i kushtohen arritjeve të kohës, transformimeve social ekonomike, partisë dhe udhëheqësit të saj. Këto transformime ajo i përcolli me zërin dhe tingujt e çiftelisë së sajë. Krahas këngëve patriotike, i këndoi me shumë pasion vendlindjes të saj të bukur Dragobisë, Tropojës, bukurive natyrore të saj, i këndoi dashurisë, jetës së re, grave, çikave e nënave të Tropojës dhe më gjerë. Ajo u dashurua shumë me Valbonën e saj dhe pothuajse të gjitha këngët i inçizoj dhe xhiroj atje. Këngët e saj shquhen për: tematikën, larmishmërinë, forcën e interpretimit, qartësinë, artikulimin e fjalës, vijën e bukur melodike, zërin e bukur dhe brilant të Fatimes, origjinalitetin e interpretimit, shoqërimin perfekt me çifteli të këngëve të saj. Shkurt, ajo qe mbretëresha e këngëve folklorike, bilbili dhe shpiponja e  bjeshkëve të malësisë, krenaria e gjithë shqiptarisë.

Gjatë karierës të saj 30 vjeçare Fatimja pati një krijimtari të gjërë e të larmishme me rreth 100 këngë. Midis këngëve që ajo krijoi dhe këndoi qenë: Moj Kosovë moj kështjellë burrnie, Bajram Currit, Tym të zi po qet Europa, Çikë e bukur, Shotë dhe Azem Galica, Ushtarëve të Dobërdolit, Emin Durakut, Ganimete Tërbeshi, N’majë të bjeshkës më lindi nana, Kërce moj çikë, Jam një çikë nga Dragobia, Ty Kosovë këtë këngë ta knova, Kem lidh zemrat, Dy tupana n’der të kullës, Këngë për Tropojën, Kur po knon ai zog i zi, Ka lidh besën shqiptaria, Në krah shqipesh nga Tropoja, Pamje të bukur ka marrë Shkodra, Po luftojnë djemt e Mërturit, Ty parti të knojmë lavdi, Ku je rrit çika e malsisë, Moj Kosovë oj nëna ime, Në këtë tokë me rrënjë të lashta, Kaluan shekujt mbi Ballkan, Çdo lloj kënga nga zemra ime, Këngë për Idriz Seferin, Zani im n’gjëmim t’armëve, Këngë në Kongresin e 7 të B.G.SH., Çikë e bukur që del në shkallë, Këngë për Oruç Hasën, Pushkë e mbushur në Tufana, Këngë e valle, Ylberi, Ujt e kthjellët që ka Valbona etj.

Fatime Sokoli, vetë çika e malsisë, vuante nga një sëmundje e rëndë. Me gjithë përpjekjet e familjes dhe shtetit për shërimin e saj, ajo nuk ja del dhe vdes në Dragobi më 8 qershor 1987. Vdekja qe humbja e madhe për familjen e saj, për artin, kulturën dhe gjithë shoqërinë shqiptare. Vdekja e artistes së madhe, në një moshë shumë të re, në kulmin e krijimtarisë së saj, i hidhëroi shumë shqiptarët, por me solidariteti që ju bë familjes, shumë shpejt dhimbja u kthye në forcë.

Në të gjallë  Fatimja, u vlerësua dhe u desh shumë nga publiku. Mori shumë çmime dhe medalje nga autoritetet shtetërore për krijimet dhe interpretimet e saj në shërbim të kombit. Eshtë vlerësuar me medaljen “Mjeshtër i madh” dhe në vitin 1976 vlerësohet me titullin “Artiste e merituar”. Pas vdekjes për Fatimen janë thurur këngë, janë bërë dokumentar, është përkujtuar dhe vlerësuar edhe më shumë krijimtaria dhe veprimtaria e sajë. Këngët që këndohen për të, ndër të tjera janë: Këngë për Fatime Sokolin, kënduar nga Ibrahim dhe Eduard Muçaj; Fatime Sokolit, kënduar nga Naxhije Bytyçi; Fatime Sokolit, kënduar nga Enver Dugolli; Për bijë të vet pyet Dragobia, kënduar nga Fatmira Breçani etj. Nuk ka si bëhet më mirë kur artistët, nëpërmjet vargjeve dhe këngëve për Të, përjetësojnë artisten e madhe:

… Shumë i kënojshe këtij trolli

Çika jonë Fatime Sokoli

Do të kujtojë gjithmonë malsia

Çikë burrneshë nga Dragobia.

Kush i këndojë punës e trimërisë

Sikur çika e Dragobisë

Si Valbona nëpër gryka

Këngët e saj na i ka lënë çika…

Te kënga tjetër, kënduar nga Fatmira  përjetësimi i saj, bëhet me vargjet:

…  Për bijë të vet pyet Dragobia

Var në mur rrin çiftelia

Ku ka shku çika e kësaj ane

Ku ashtë artistja Tropojane

Kur e kapte çiftelinë

N’skemë e qiste historinë

Mal e fushë bienin n’mendime

Tuj ndigju motrën Fatime…

Fatime Sokoli, qe dhe do mbetet mbretëresha  e këngës folklorike të Tropojës, Malsisë së Gjakovës, Shqipërisë, Kosovës, dhe e mbarë trojeve shqiptare.

IBRAHIM KABILI

Tiranë më 17.10.2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok