18/04/2024

EVROPË, KA BAR PËR DESTRUKSIONIN SERB!

0

Nga Xhelal Zejneli

Kryetari i Serbisë, Vuçiqi, duket sikur thotë: “Mos pandehni ju të Perëndimit se pas rënies së Rusisë dhe të Putinit në Ukrainë, Serbia ka mbetur pa mbështetje dhe si e tillë do të dorëzohet para trysnive tuaja”.

Dalja e serbëve nga institucionet e Kosovës, është akt destruktiv. Pas veprimeve destruktive të pakicës serbe në Kosovë qëndron Serbia, qëndron Beogradi, qëndron politika destruktive e Vuçiqit. Serbia për Kosovën nuk do zgjidhje, nuk do dialog, nuk do marrëveshje.  Ajo do territor. Beogradi vuan se pakica serbe në Kosovë gëzon të drejta që nuk i gëzon asnjë minoritet në BE.

Pjesëtarët e pakicës serbe në Kosovë kanë qenë të përfshirë, si në pushtetin qendror. ashtu edhe në atë qendror. Kanë qenë të përfshirë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në Qeverinë e saj, në sistemin gjyqësor, në policinë e Kosovës. Pra, kudo.

Edhe pse të përfshirë në të gjitha institucionet e Kosovës, përfaqësuesit e pakicës serbe nuk kanë bërë asnjë përpjekje për t’i integruar serbët në shoqërinë kosovare. Me fjalë të tjera, përfaqësuesit e pakicës serbe, të përfshirë në institucionet e sistemit në Kosovë, vetëm formalisht. Shikuar nga kjo pikëpamje, ata, si të përfshirë në institucione, si të mbetur jashtë tyre, ata nuk kanë kontribuar fare për integrimin e bashkëqytetarëve të tyre në shoqërinë kosovare. Prishtinës nuk i duhet që ata të figurojnë në institucionet e Kosovës, vetëm formalisht. Të nxitur nga politika rrënuese e Beogradit ndaj Kosovës, ata nuk e ndjejnë veten shtetas të Kosovës. Shtrohet pyetja: Si mund të jesh pjesëtar i institucioneve të Kosovës dhe të mos e ndjesh veten shtetas të saj?!

Me daljen e serbëve prej institucioneve të Kosovës, Beogradi synon që dialogun e Brukselit ta kthejë në fillimin e tij, d.m.th. në pikën zero. Këtë e bën për arsye se ka mbetur pa Putinin, pa Rusinë.

*   *   *

Për çfarë dialogu të Brukselit mund të flitet kur kryetari i Serbisë, Vuçiqi deklaron se kurrë s’ka për ta njohur pavarësinë e Kosovës?! Të njëjtën e deklaron e dhe kryeministrja Ana Bërnabiq. Po këtë e thonë edhe anëtarët e kabinetit të Vuçiqit.

Në kohën e zjarrvënësit të Ballkanit, Millosheviqit, në Serbi aty-këtu dëgjohej ndonjë zë që vinte ndesh me ideologjinë serbomadhe. Sot ndërkaq, Vuçiqi ka imponuar njëmendim politik dhe ideologjik, saqë zërin alternativ e ka shuar tërësisht. Vuçiqi është pasardhës i radikalit dhe kriminelit Vojisllav Sheshel. Në kohën e Millosheviqit ka qenë edhe ministër. Ministri i përtashëm i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka qenë dorë e djathtë e Millosheviqit. Ja, Evropë, kush e udhëheq Serbinë e periudhës pas kasapit të Ballkanit. A këta do të zhvillojnë dialog?! Këta janë kriminelë, janë gjakatarë. E kanë vendin në Hagë. Në vitet e fundit, gjatë dialogut të Brukselit, pas Serbisë ka qëndruar Vladimir Putini, ka qëndruar Sergej Lavrovi, ka qëndruar Moska, ka qëndruar Rusia. Putini dhe Lavrovi janë dy antishqiptarë të përbetuar, dy antishqiptarë të kapluar nga paranoja.

Para agresionit rus në Ukrainë, në BE kishin ndikim dhe fuqi të jashtëzakonshme forcat proruse. Nën ndikimin e Moskës, këto forca ishin njëherazi edhe filoserbe. Sot të gjithë e kanë kuptuar se blerja e gazit natyror rus, i zhvillonte do shtete perëndimore, por e forconte ushtarakisht edhe Rusinë. Perëndimi kurrë nuk duhet të lejojë që të varet nga lëndët energjetike ruse.

Evropa Perëndimore duhet ta dijë se:

– sot e mot, i kanoset rreziku nga Rusia; dhe

– pa ShBA-në, kontinenti i vjetër kurrë s’mund të mbrohet nga rreziku rus.

Evropë! Edhe zajednicë t’u japësh serbëve, Beogradi nuk thotë se do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Evropë! zajednicë e serbëve në Kosovë, do të thotë dodik republikë. Vetëm disa muaj pas dodik republikës, serbët do të kërkonin të shkëputen nga Kosova dhe t’i bashkohen Serbisë. Dhe ti Evropë, përsëri do të thoshe: “Ruajeni paqen, problemin zgjidheni me kompromis”.

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut përbëjnë 30 për qind të popullsisë së këtij vendi dhe nuk kërkojnë entitet. Po të kërkojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut entitet, ç’do të kishe bërë ti, Evropë?! Po t’i lënë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut institucionet e pushtetit qendror dhe t’i krijojnë institucionet e veta – paralele – si do të kishe reaguar ti, Evropë?! Prej shqiptarëve kudo që janë, kërkohet të ndjekin politikë paqeruajtëse, konstruktive dhe stabilizuese. Kërkohet të jenë faktorë qëndrueshmërie në rajon. Prej shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut kërkohet të jenë faktorë stabiliteti, edhe pse gjuha e tyre nuk figuron si gjuhë shqipe, por si gjuhë që e flasin mbi 20 për qind e popullsisë!! A nuk është absurde, Evropë?! Madje këtë formulim të turpshëm ua ka imponuar shqiptarëve një popull me identitet të diskutueshëm, një popull që as ka legjitimitet për të qenë trashëgues i shtetësisë, as ka kapacitet për të qenë mbartës i shtetësisë. Maqedonia e Veriut është shtet dy popujsh, ku njëri prej tyre – shqiptarët – janë të privuar nga e drejta shtetformuese. S’ka shembull tjetër në rruzullin tokësor që gjuha e një populli të matet me numra apo me përqindje. Kjo në Maqedoni, është rast i vetëm.

Në anën tjetër, për 4 për qind serbë në Kosovë ngrihet gjithë kjo zhurmë. Për një grusht serbësh, që i kanë të drejtat, si asnjë minoritet në Evropë. Të gjitha minoritetet e Kosovës i gëzojnë të drejtat që s’i gëzon kush në Union.

Për çfarë dialogu të Brukselit bëhet fjalë, Evropë, kur në Kushtetutën e Serbisë, Kosova vazhdon të figurojë si krahinë e saj?! Serbia e pallankave është e vogël për të pasur nën vete apo me vete një Kosovë të banuar me 92 për qind shqiptarë. Filozofinë politike demokratike bashkëkohore evropiane apo perëndimore nuk mund ta bëjnë priftërinjtë e Kishës Ortodokse fashiste Serbe, siç pandeh Vuçiqi. Politika e përtashme serbe bazohet në pikëpamjet obskurantiste të kishës së sipërthënë. Një ideologji e tillë është në kundërshti frapante me demokracinë perëndimore të shekullit XXI.

Ku e merr forcën Serbia:

– të refuzojë Berlinin dhe Parisin, Olaf Sholcin (Olaf Scholz) dhe Emanyel Makronin (Emmanuel Macron);

– të vë në dyshim prestigjin e lokomotivës së Unionit;

– të nëpërkëmbë parimet themelore të BE-së për mosndryshimin e kufijve.

BE-ja vlerëson dhe çmon vlerat dhe parimet demokratike dhe respektimin e lirive dhe e të drejtave të njeriut apo të minoriteteve. Çdo gjë jashtë kësaj apo përtej kësaj, nuk është veçse luftë për territore. Kjo është në kundërshti të plotë me filozofinë politike të Brukselit. Luftërat për territore s’kanë fund, sidomos në Ballkan, dikur të cilësuar si fuçi baruti, si një rajon që është djegur nga bellum omnium in omnes.

Kush e trimëron Beogradin që të luajë me autoritetin e dy fuqive të BE-së – të Gjermanisë dhe të Francës?! Konflikti në gadishull i shkon në dobi vetëm Putinit, vetëm Rusisë.

Evropë, nuk duhet barazuar viktimën dhe agresorin. Serbët s’janë dot kurrfarë viktime. Ata janë agresorë, janë të pangopur, kërkojnë diçka që s’ua njohin të tjerëve. Kërkojnë Serbi të madhe. Jetojnë jashtë realitetit. Realiteti i tyre është Putini. Ata e kanë matur realitetin me forcën ruse. U doli gabim. Ata nuk e dinë se forca qëndron te drejtësia. Ata jetojnë në anën e kundërt të drejtësisë.

Ka bar për marrëzinë e Serbisë. Ky bar nuk është politika e kulaçit dhe e kërbaçit.

Ndaj Serbisë duhet të merren masa të caktuara, si:

– të përjashtohet nga Këshilli i Evropës;

– t’i ndërpriten të gjitha investimet nga vendet perëndimore;

– ndërmarrjet perëndimore që kanë investuar miliarda euro në Serbi, t’i tërheqin investimet, për arsye se ajo ka synime ekspansioniste në rajon;

– duhet të pushojë përkëdhelja dhe ledhatimi i Serbisë nga fuqitë perëndimore;

– Serbisë duhet t’i vihen sanksione nga bota perëndimore, njësoj si Rusisë së Putinit;

– Serbisë duhet t’i mbyllet përgjithmonë perspektiva e integrimit në BE;

– Serbisë nuk duhet t’i lejohet të rijë në dy karrige: edhe me Rusinë e Kinën, në një anë, edhe me Perëndimin, në anën tjetër.

*   *   *

Serbia nuk është veçse kalë troje ruso-kinez në bashkësinë perëndimore. Kush i mundëson Vuçiqit të përfitojë edhe nga Lindja edhe nga Perëndimi?! Ky farë Vuçiqi po e imiton Josip Broz Titon, i cili hiqej se e çonte mirë me të gjithë. In ultima linea, ai udhëhiqte një shtet me një sipërfaqe prej 255.804 km2 dhe me 22.424.711 banorë, sipas regjistrimit të vitit 1981. Përveç kësaj, në kohën e luftës së ftohtë, ai i shfrytëzonte antagonizmat midis Lindjes dhe Perëndimit. Territori i Serbisë, në epokën e kompjuterit, nuk e ka rëndësinë e territorit të “Jugosllavisë së Titos”.

Në Serbi jetojnë 23 bashkësi etnike apo minorite. Aty shkelen liritë dhe të drejtat e njeriut. Shqiptarët në Kosovën lindor (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë) janë populli më i shkelur në Evropë. Mbi ta ushtrohet gjenocid i heshtur. Dhe Brukseli hesht. Evropë, thuaji Vuçiqit t’u japë entitet shqiptarëve të luginës.

*   *   *

Në vitin 1948, në Vojvodinë jetonin 496.492 hungarezë, d.m.th. gjysmë milion. Serbia bëri çmos që numrin e tyre ta zvogëlojë. Në vitin 1931, në Vojvodinë jetonin 328.631 gjermanë. S’ka dyshim se ky numër ka qenë më i madh se kaq. Në vitin 1948, mbetën vetëm 28.869 sish. Për të bërë pastrimin etnik të Vojvodinës, Serbia i fajësoi gjermanët si kolaboracionistë. Dhe i dëboi. Me kalimin e kohës, numri i gjermanëve në Vojvodinë u pakësua edhe më, saqë mund të numëroheshin në gishta.

*   *   *

Evropë, nuk do ta bindësh Beogradin që ta njohë realitetin e Kosovës, duke e ledhatuar atë! Në një anë Serbia i përket zonës ruse të interesit dhe sferës ruse të ndikimit, kurse në anën tjetër, hiqet sikur dëshiron të hyjë në BE. Mos e tolero Evropë, këtë politikë të djallit, të Mefistofelit, armikut të dritës. Mefistoja e Serbisë, Vuçiqi, nuk i beson të mirës. Mefisto është shpirtkeq, shpirt i mohimit, djallëzor, cinik, i neveritshëm, inferrnal, satanik dhe sotonik.

Evropë, ju e keni njohur Kosovën në këta kufij që i ka, ndaj duhet t’i dilni zot aktit tuaj të njohjes. Në kufijtë ekzistues e kanë njohur Kosovën 117 shtete të botës. A di kush në ka në botë ndonjë shtet me dy palë targash?! Kosova është, ndaj me të drejtë synon ta rrumbullakojë shtetësinë e vet. Mos kërkoni kompromis nga Kosova. S’ka kompromis më të madh se Pakoja e Ahtisarit. Kjo pako u garanton minoriteteve të Kosovës të drejta që s’i ka asnjë minoritet në BE. Ç’kërkojnë serbët më shumë se kaq?! Më shumë se kaq, është synimi territorial.

*   *   *

Kosova është një shtet ku sundon ligji, rendi dhe rregulli, si në asnjë vend të Ballkanit Perëndimor. Për dallim nga Serbia, në Kosovë ka pluralizëm politik. Serbia ndërkaq, udhëhiqet nga një politikë bolshevike, staliniste, bizantine dhe klerofashiste.

*   *   *

Uashingtoni, Berlini dhe Parisi duhet:

– t’ia pranojnë Kosovës liberalizimin e vizave;

– ta pranojnë Kosovën në Këshillin e Evropës;

– ta pranojnë Kosovën në BE;

– ta pranojnë Kosovën në NATO.

Dikur i kërkuan Kosovës t’i japë Malit të Zi 8.000 hektarë territor, si kusht për ta fituar liberalizimin e vizave. Evropa e sotme nuk e di se në kohën e Kongresit të Berlinit (1878) dhe më vonë, Malit të Zi iu dhanë troje shqiptare, si: Plava, Gucia, Hoti, Gruda, Tivari, Tuzi, Ulqini, malësia etj. A s’u nginë hienat sllave me të cilat rrethohen shqiptarët, populli më i vjetër i gadishullit, ndër më të vjetrit e kontinentit?!

Për ta forcuar ekonominë kosovare, vendet perëndimore duhet të investojnë aty dhe jo në Serbi, e cila s’i vuri sanksione Rusisë. Është për t’u habitur: Beogradi, edhe s’i vuri sanksione Putinit, edhe i shfrytëzon të mirat e Perëndimit?!

A thua Evropa ka krizë qeverisjeje?!

*   *   *

Përballë orekseve irracionale të Beogradit dhe të Putinit, faktori politik i Kosovës duhet të jetë unike. Cili është ai politikan shqiptar që ia del mbanë të ballafaqohet me destruksionin serbomadh?! Beogradi kërkon nga Kosova atë që asnjë politikan shqiptar nuk mund ta pranojë. Kërkon pra territor. Nuk dimë në ka në botën shqiptare edhe një Esat pashë Toptan.

S’ka fare dyshim se qeveritarët e Kosovës, veprimet politike duhet t’i harmonizojnë me Uashingtonin, Berlinin, Parisin dhe Londrën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok