13/12/2024

Është koha e fundit për një katharsis të pastër e të domosdoshëm politik

0
Ndue-Ukaj

Nga Ndue Ukaj

Kosova për afro tri dekada ishte në qendër të politikës dhe të diplomacisë perëndimore, e Shtëpia e Bardhë për shqiptarët ishte e bardhë si bora, ku priteshin me nderim e respekt udhëheqësit tanë.

Këto raporte viteve të fundit janë njollosë dhe kjo Shtëpi është atakuar me fjalë shumë të rënda, prandaj duket qartë se çelësambajtësit e saj janë të zemëruar me ne dhe nuk i hapin dyert lehtë. Sepse, jemi sjellë shumë keq. Me siguri, mund të përdori edhe fjalë tjera, semantikisht të qëndrueshme për t’ i shpjeguar këto trandje, por po e lë me kaq.

Ne, jo shumë kohë më parë, së bashku me atë Shtëpi – e me Berlinin, Londrën, Parisin e Romën- kemi fituar çdo betejë ushtarake e politike me Serbinë.

Kurse sot, ekziston një psikozë joracionale në institucionet e Kosovës në raport me këto vende dhe rrjedhimisht me të ardhmen e vendit

tonë.

Jam fort i bindur se asnjë mendje racionale s’di ta shpjegojë e as ta arsyetojë këtë rrokullisje: pse Kosova nuk është në qendër të politikës perëndimore, ndërkohë që ne e dimë se Kosova për këto vende përbën njërin nga tregimet më të suksesshme të politikës së jashtme?

Udhëheqësit mediokër, të mbarsur në ideologji të mbrapshta dhe shpeshherë joperëndimorë – me sjellje e mendime – e kanë tërheqë Kosovën nga qendra në periferi. Në politikë, ata që kuptojnë sadopak e dinë se periferia për vende të vogla është një vend i skëterrshëm.

E, pikërisht te kjo rrokullisje duhet kërkuar e

lexuar, edhe ekskursionin e Kryeministrit të Kosovës nëpër periferi politike. Si i tillë, ky ekskursion nuk është një dështim vetëm për të si politikan ambicioz e megaloman, por është një goditje fort e rëndë për Kosovën dhe raportet e saj me perëndimin.

Duhet ta përsërisim një të vërtetë politike dhe kulturore: këto raporte, për ne, nuk janë luks dhe nuk duhet trajtuar si luks, por janë raporte ekzistenciale.

Përgjatë viteve të 90-ta, Kosova ishte e izoluar, nuk kishte institucione e nuk ishte shtet, por udhëheqësi Ibrahim Rugova pritej me admirim e respekt nga të gjithë shefat e shteteve të botës së përparuar. Sepse, ai ishte i vërtetë, i dashur, nuk shtirej, nuk urrente aksë dhe luftonte për një kauzë të drejtë. Ai kishte miq, i nderonte, iu besonte dhe i donte ata, dhe ata ia kthenin me të njëjtën masë.

Sot, kemi shtet, institucione, buxhet për t’ i kënaqë apetitet e udhëheqësve, ambasada, madje themi se kemi edhe diplomaci, por bota na sheh me dyshim, sepse nuk jemi të vërtetë, nuk jemi kreativë, por përtypim thashetheme e politikë foshnjore, dhe mjerisht të trullosur s’ dimë çka duam.

Sot, shefat tanë nuk priten e as nuk nderohen në botën e përparuar dhe faji nuk është i askujt tjetër pos i Prishtinës zyrtare, e cila e ka stërkeqë politikën dhe i ka mjegulluar këto raporte.

Imagjinojeni sa përbaltja e sa urrejtja është krijuar  rreth dy dekadave të fundit të Kosovës, ndërkohë që për vendin tonë dhe miqtë tanë, këtë janë kohët më të ndritshme.

Imagjinojeni, sikur t’ i kishim këta shefa që duket qartë se nuk i besojnë askujt, përgjatë viteve të trishta të 90- tave, ku do të ishim sot?

Një ide e keqe, për secilën shoqëri, është ma e rrezikshme se sa çdo qeverisje e papërgjegjshme dhe e keqe. E, sot, kemi qeverisje të papërgjegjshme e të padijshme, por edhe ide të këqija.

Është koha e fundit për një katharsis të pastër e të domosdoshëm politik dhe ky mund të jetë shërbimi ma i mirë që udhëheqësit e sotëm mund t’ ia bëjnë vendit e breznive të reja.

Udhëheqësit mëkatarë duhet të rrëfehen dhe të kthehen në shtëpi si djali plangprishës: të ulen në gjunjë dhe të kërkojnë falje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok