21/12/2024

Enveri ynë imagjinar

0
Koshare

Nga Prof. Blerim Latifi:

Disi e kam të vështirë t’i përshkruaj ndjesitë e asaj dite kur bashkë me batalionin tim kemi zbritur kësaj rruge në drejtim të Botushës. Gjuha më duket e varfër disi. Lufta kishte përfunduar. Kosova ishte çliruar. Gëzim më të madh nuk mund të kishte. Por me gëzimin përziheshin ndjesi të tjera. Ndjesia e dhimbjes për shokët që kishim lënë prapa. Për dy muaj e kishim parë nga lartësitë Rrafshin e Dukagjinit, i cili me të ardhur pranvera dukej edhe më i bukur. Dhe të gjithë veç një dëshirë e kishim: të zbrisnim atje sa më parë. 114 prej nesh mbeten atje në lartësitë e Kosharës. Heronj të lirisë së saj dhe gjithë Kosovës. Heronj që sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë emri e vepra u lartësohen. Sepse gjithçka e mbulon pluhuri e harresa, përjashto kujtimin e atyre që vdesin për lirinë.

___________

Kam qenë vetëm gjashtë vjeç, por kujtesa fotografike e atyre ditëve vazhdon të mbetet ende shumë e gjallë tek unë. Në shtëpinë tonë kishte rënë një hije e zisë. Nana ime endej nëpër shtëpi dhe në oborr duke kryer punët e përditshme të amvisërisë dhe herë pas here vinte në odë, aty ku e kishim televizorin, dhe shikonte pamjet që transmetonte RTSH-ja.

E vetmja gjë që arrita të kuptoja ato ditë ishte se ata lotë që pashë në sytë e saj dhe mërzia e përgjithshme që kishte pllakosur shtëpinë tonë, lidhej disi me ato pamje televizive. Kishte vdekur një njeri që e kishte emrin Enver Hoxha. Çdo bisedë ato ditë vërtitej rreth këtij emri.

Vite më vonë do ta kuptoja atë që nuk mund ta kuptoja si gjashtë vjeçar. Ndikimi televizionit shqiptar në familjen tonë kishte qenë total. Përmes tij ne e kishim krijuar përfytyrimin për Shqipërinë komuniste si një vend i lulëzuar në çdo pikëpamje. Shqipërinë e përfytyronim si  një parajsë të vërtetë mbi tokë, krijimi i të cilës ishte vepër e një njeriu, Enver Hoxhës. Në familjen time, si në mijëra e mijëra familje tjera kosovare, dashuria e pafundme për Shqipërinë dhe udhëheqësin e saj bashkëjetonte me bindjen e palëkundur se edhe Shqipëria dhe udhëheqësi i saj na donin njësoj dhe mendonin e angazhoheshin për ne. Këtë bindje na e ushqenin këngët për Kosovën, që këndoheshin me aq pasion nga rapsodët e Shqipërisë dhe filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re” ku përmendej Kosova dhe heronjtë e saj. Mbi këtë dashuri të imagjinuar në Kosovë do të ngrishin shumë grupe ilegale, të cilat kishin për synim kundërshtimin e regjimit jugosllav. Më e shquara në mesin e tyre do të ishte LPK-ja, prej të cilës, gjatë viteve ’90-të, do dilte vetë UÇK-ja, guerilja më e suksesshme në historinë moderne ( T.Judah), e cila do ta bënte luftën e saj kundër Serbisë me armët e prodhura në uzinat ushtarake të Enver Hoxhës. Për të qenë  e plotë ironia e historisë: ato armë ishin menduar për t’u përdorur kundër agresionit NATO-s mbi Shqipërinë dhe ja tani ato ishin në duart e një guerilje shqiptare të mbështetur nga vetë NATO-ja.

Më rënien e komunizmit në Shqipëri, doli në dritë Shqipëria e vërtetë e 45 viteve të sundimit të tij. Enveri ynë imagjinar do të shembej bashkë me të. Sot vetëm aty-këtu ndonjë nostalgjik i grupeve ilegale të viteve ’80-të, vazhdon ende të besojë se Enveri ynë imagjinar ishte Enveri i vërtetë.  Ky në fakt është thelbi i nostalgjisë : zbukurimi i imazhit të së kaluarës edhe kur ajo në realitet ka qenë e hidhur.

39 vjet pas vdekjes së diktatorit të saj, Shqipëria po hedh hapat e fundit në lënien pas të trashëgimisë së tij totalitare, bashkë me periudhën e gjatë plot dhimbje të tranzicionit postkomunist. Dhe kjo më së miri shihet në një fakt fort të dukshëm : në rrugët nga dikur Shqipëria e bunkerizuar priste ushtritë pushtuese të imperializmit amerikan apo të social-imperializmit sovjetik, tani vijnë ushtritë e miliona turistëve nga e gjithë bota për të shijuar mrekullitë e detit shqiptar, mrekullitë e natyrës shqiptare dhe gjurmët e lëna nga përplasjet e vazhdueshme midis civilizimeve në tokën e shqiponjave.

___________

Është shumë i përhapur një mendim-klishe që 1 Prilli, Dita e rrenave, duhet të shpallet dita e politikanëve, nisur nga fakti se këta rrejnë shumë. Por ky mendim e ka një problem konceptual.

1 Prilli është dita e rrenave gazmore, rrenave që konsumohen mes miqëve dhe që, në thelb, shpreh shpirtin e miqësisë.

Ndërkaq, rrenat e politikanëve nuk jane gazmore, as miqësore. Ato janë rrena të dëmshme, rrena që e tradhtojnë besimin demokratik, kontratën demokratike midis zgjedhësve dhe të zgjedhurve. Janë rrena që në rastet më të lehta përfundojnë në farsa politike, e në rastet më të rënda në tragjedi shoqnore.

___________

Roma e cezarëve e kryqëzoi. Pastaj pasuesit e tij i ndoqi, i persekutoi, i poshtëroi, i talli, i vrau e të gjallë ua hodhi bishave nëpër sheshet e qyteteve dhe arenat e koloseumeve. Plot 300 vjet me radhë. Dhe pas 300 vjetësh, e njëjta Romë, fuqia ma e madhe e kohës, i ra në gjunj figurës së tij dhe dishepujve të tij të paarmatosur.

Dhe bota ndryshoi përgjithmonë.

Dhe bota u bë ajo që është sot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok