06/12/2024

Çmimin e vizitave të Aleksandër Vuçiq e të Edi Ramës në Paris e paguan Kosova!

0
Enver-Bytyci1

Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, mikpriti në fillim-javë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Fillimisht entuziazmi i kreut të shtetit serb ishte i madh. Ai shpresoi se do të arrinte një fitore të pakthyeshme me përkrahjen e Macron në përballjen e tij me Kosovën. Por fakti që shefi i Elizesë kërkoi dënimin e terroristëve të Banjskës dëshmoi se Aleksi nuk mundi të marrë gjithçka çka donte nga kjo vizitë.

Megjithatë nuk duhet nxituar e të thuhet se kjo vizitë ishte e pasuksesshme për të. Ne nuk e dimë se cila ishte formula që është diskutuar në atë takim. Nuk e dimë, nëse nuk është bërë pazari sipas të cilit “Unë do të kritikoj publikisht, por ti Aleks bën atë që di më mirë e që do”! Ato një miliardë euro që Franca i merr nga Serbia për 12 avionët Rafale nuk kalojnë pa një shpërblim në aspektin gjeopolitik e gjeostrategjik në favor të blerësit, Serbisë. Po të shtojmë dhe dy miliardë euro të tjera për furnizime të tjera ushtarake, atëherë del se Serbia po blen te Franca edhe influencën gjeostrategjike pro saj.

Interesant është se Edi Rama, menjëherë pas Vuçiq, do ta vizitojë Shën Elizenë. Do pritet me ceremoni ushtarake, njësoj si edhe Aleksandri. Këtë e mësuam prej lajmeve që erdhën nga Parisi, por jo nga zyra e shtypit e kryeministrit. Ndoshta pas Ramës Emmanuel Macron ka planifikuar ta presë në selinë e tij edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Dhe të gjitha këto veprime presidenti francez i kryen në emër të “ruajtjes së paqes dhe stabilitetit”! E ndihmon shumë qëndrimi radikal kundër Rusisë, një risi kjo në historinë e marrëdhënieve ruso-franceze. Në opinionin publik ai mundet të hiqet si kampioni evropian i mbrojtjes së perimetrit kufitar të Evropës.

Po cila është kostoja dhe kush e paguan këtë kosto të iniciativave të presidentit francez?

Se diplomacia e Shën Elizesë e kohëve të sotme ka kosto, këtë na e dëshmon fakti që shqiptarët informohen nga Parisi për faktin se kryeministri Rama do të vizitojë kreun e shtetit francez. Kryeministri shqiptar, i njohur për etjen e tij egoiste të shitmendjes nuk është nga ata që heziton të publikojë ftesa kaq të rëndësishme. Pse e fshehu? Sepse tam-tamet e tij në takimet me kreun e shtetit francez kanë kosto, të cilën e paguajmë ne, shqiptarët, sidomos Kosova.

Ne e kemi parë karshillëkun e Ramës dhe Macron ndaj Kosovës gjatë vizitës së vjeshtës së kaluar në Tiranë, kur ndodhi kërcënimi me bllokimin e liberalizimit të vizave. E njohim faktin që Rama dhe Thaçi e ndoqën zotin Macron në vitin 2018 deri në Armeni, me qëllim të merrnin dakordësinë e tij për projektin e ndarjes së Kosovës. E njohim gjithashtu eventin e Parisit pas Armenisë, në të cilin Hashim Thaçi takoi presidentin rus, Vladimir Putin, me ndërmjetësinë e Macron dhe të Vuçiq.

Qëllimi ishte që të merrte nga Putin një lloj premtimi se “pas ndarjes dhe shkëmbimit të territorit, Rusia nuk do ta pengonte pranimin e Kosovës në OKB”!

Të gjitha lëvizjet Vuçiq-Macron-Rama kanë rezultuar si lëvizje, koston e të cilave e paguan Kosova. Madje Kosova paguan jo vetëm koston e përfitimeve në miliarda të Francës nga biznesi i saj me Serbinë. Ajo paguan edhe koston e përpjekjeve të Aleksandër Vuçiq dhe të Edi Ramës për të ndenjur në pushtet derisa ata të mërziten, gjithnjë me përkrahjen dhe mbështetjen e Francës dhe presidentit të saj pro-serb.

Në këtë mënyrë presidenti francez duhet konsideruar gjithashtu si ndërmjetës i koordinimit midis presidentit të Serbisë dhe kryeministrit të Shqipërisë, gjithnjë në dobi të partneritetit serb në tregti me avionë e armatime.

Por asgjë nga ato që projektojnë këta tre liderë anti-Kosovë nuk kalon, nëse nuk bashkohet me ta lidershipi i Kosovës. Ndaj shkrova më lart se ndoshta ftohet në Shën Elize edhe Albin Kurti. Pra, Kosova paguan kosto shumë të ulët nëse nuk gjenden brenda saj bashkëpunëtorë të Vuçiq, Ramës dhe Macron. Megjithatë kjo nuk mjafton. Përpjekjet Rama-Vuçiq-Macron kundër Kosovës e pro-Serbisë duhen neutralizuar përmes një bashkëpunimi të ngushtë me kancelaritë e tjera europiane dhe me SHBA-të. Macron duhet izoluar. Ndërsa Rama duhet refuzuar dhe Aleksandër Vuçiq duhet luftuar me të gjitha mjetet, në varësi nga mjetet që përdor edhe ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok