22/12/2024

DY  FJALË  QË  NDRYSHUAN  HISTORINË  E BOTËS  (pj.I)

0
u6_Kastrioti-Zeusi

Historia e kuptuar keq , nëse nuk tregohet kujdes , fare lehtë mund të rrezikojë të tërheqë me diskretitimin e saj, historinë e kuptuar mire – Mark Bloch Mjeshtria e Historianit

Nga Fatbardha Demi

Ky studim bazohet në metodën që ka zënë vend të rëndësishëm në shkencën historike të shekullit të 20-të, të emërtuar “filozofia e historisë”, por që akoma nuk ka mundur të hyjë në derën shekullore të  Akademise sonë Albanologjike.

Patrick Lancaster Gardiner (1922-1997) “Philosophy of history vëren, se emërtimi “Histori” mund të përdoret me dy mendime të kundërta : mund të nënkuptojë 1) rradhitjen e thjeshtë të ngjarjeve dhe veprimeve të së kaluarës së njerëzimit ose 2) përfundimet e arritura prej studiuesve në pasqyrimin e  kaluarës, si rrjedhojë e metodës kërkimore të tyre.(1) Përdorimi nga historiani i metodës së “filozofisë historike” ka vlerë të dyfishtë :

Së pari ajo e  ndihmon  lexuesin, që në vënd të pranimit “sy mbyllas” të çfarëdo teze dhe botimi me titull “historik”, të vlerësojë AI përfundimet (e drejta apo jo) të autorit.

Së dyti , kjo metodë e çliron studiuesin nga “ prangat e dogmatizmit” (pranimi i detyruar i tezave të autorëve paraardhës) si dhe  nga “ frika ” e fakteve dhe përfundimeve të reja shkencore.

Po cilat janë këto fjalë dhe cila gjuhë ka qënë mëma e tyre? Le të ndjekim arsyetimin për të parën:

Origjina gjuhësore e fjalës “barbar”

Për të zbuluar popullin që e ka shqiptuar i pari fjalën “barbar” duhet fillimisht të njihet formimi i saj gjuhësor, i cili e ruan edhe sot kuptimin e tij zanafillor. Sipas Fjalorit të Oksfordit (Oxford English Dictionary, 2nd Edition, 1989, “barbarous”) : Emërtimi Barbar (gr. βάρβαρος) mendohet se u përket fjalëve bëlbëzuese (onomatopeice) indo-eur. « bar-bar », siç mund t´iu dukej grekëve e folura e popujve të huaj.  (2)

Sipas Enciklopedisë italiane të viteve 1930, « Barbarë » është një koncept i lashtë dhe e ka origjinën nga gjuha e ashtuquajtur « indo-europiane » (në indishten e lashtë. barbaras; gr. βάρβαρος; lat. balbus ). Në zanafill « barbar » emërtonte të folurën e popujve, tingëllimi i fjalëve të të cilëve u ngjanin zërave që lëshonin kafshët. (3) Në Fjalorin hebraik fjala “barbar” emërtohet greke – βάρβαρος (barbaros) dhe zbërthehet nga ana fonetike :  bar’-bar-os (4) dhe është përmëndur 6 herë në Bibël.

Në të gjitha Fjalorët e kërkuar nuk gjëndet shpjegim gjuhësor, por jepet kuptimi me të  cilin është përdorur ky emër. Dhe siç ka ndodhur edhe në rastet e tjera, kur flitet për origjinën gjuhësore të fjalëve të lashta , ato gjejnë shpjegim vetëm në gjuhën shqipe.

Po krahasojmë fjalët e formuara në shqip nga rrenja “bar”, me ato të gjuhës greke, italiane, franceze, angleze dhe gjermane.

Shqip. bar : gr. grasídi ; it. erba; fr. herbe; angl. grass ; gjerm. gras

Shq. bariu: gr. voskós; it. pastore ; fr. berger; ang. shepherd; gjerm. schäfer

Shq. barbar : gr. várvarous fr. barbares angl. barbaric; gjerm.barbarische

Shq. barngrënës: gr. chortofágos ; fr. herbivore; angl. herbivorous; gjerm. pflanzenfress. (5)

Siç vihet re , rrenja/fjalë “bar” në të folurën e shqipetaro-arbërve është ruajtur e paprekur edhe tek fjalët e tjera, ndërsa në gjuhët e huaja (greke, franzeze, angleze dhe gjermane) gjëndet vetem tek një fjalë dhe këto gjuhë nuk e shpjegojnë dot  kuptimin e rrënjës së saj. Ky përfundim na çon drejt ligjit themelor të shkencës së gjuhësisë historike dhe krahasuese, i trajtuar nga Petro Zheji (Shqipja dhe Sanskritishtja,2005), por akoma i pa pranuar në Shqipëri dhe në Institucionet botërore :

“Fakti i pakundërshtueshëm që të gjitha gjuhët e tjëra, nuk janë në gjëndje të shpjegojnë vetë fjalët e tyre (në rastet e paraqitura nga autori-shën im) , dëshmon së ato janë ndërtuar me receta dhe lëndë të parë të marrë hua, në mos edhe të vjedhura (…) nga Shqipja”(e cila) u jep mundësinë fjalëve të të gjitha gjuhëve të Botës të pajtojnë në vetvete formën me brendinë (kuptimin e rrënjës së fjalës-shën im), që deri tani kanë qenë  krejt të shkëputura mes tyre e pa asnjë lidhje…” (6)

Gjuha shqipe jo vetëm e shpjegon kuptimin e rrënjës “bar”(bari i tokës), por ka formuar edhe fjalë të tjera, të cilat e ruajnë lidhjen kuptimore të zanafillës (bar  kafshë ; bari ushqim i kafshëve, bariu, barnatore, dhe si mbiemër mbart domethenjen : njeriu, fiset, veprimet  si të kafshëve). Pra origjina e fjalës “barbar” është nga gjuha pellazgo-shqipe.

Siç vërehet në botimet historike të shkruesve të të gjitha qytetrimeve që njihen, kjo fjalë është përdorur e pandryshuar në shqiptim, por  

Për popujt dhe shkruesit, fjala “barbar” ka patur kuptime të ndryshme

Nga një gjurmim i thjeshtë i bërë shkrimeve, studimeve apo thënjeve të mbledhura , emërtimi “barbar” është përdorur për :

prifterinjtë pellazgë, fjalët e të cilëve nuk kuptoheshin.

fiset që nuk bëjnë pjesë në Amfilokinë e ashtuquajtur « greke »

gjuhën e popujve të cilën nuk e njihnin helenët.

ata që vijonin ta ruanin trashëgimin e të parëve.

popujt  të cilësuar ”të pa qytetruar / të pa helenizuar ” që nënkuptonte  të etnisë « jo greke » dhe që nuk flisnin gjuhën e ashtuquajtur “greqishtja e lashtë”.

fiset pushtuese të lashtësisë (gotët, hunët, avarët etj.)

popuj, jo të besimit kristian (paganët).

popuj , të cilëve nuk u njhet apo u fshihet autorsia e alfabetit të tyre (popuj të quajtur « pa alfabet » nga historianët e shk.19 si psh. pellazgët dhe pasardhësit e tyre shqipetaro-arbër) … etj.

Mund të vijohej edhe më tej me këtë listë, meqënëse kjo fjalë nuk është përdorur nga vetë popujt, por nga shkruesit e lashtë dhe të kohëve të më vonshme . Për këtë shkak, studimi historik dhe filozofik i emërtimit “barbar” merr një rëndësi të veçantë për të njohur botkuptimin e kohës së dokumenteve shkrimore ku është përdorur kjo fjalë.

Veprat e para historike, sot pranohen Iliada dhe Odisea dhe sipas Tuqiditit (Tucidide, I, 3), Homeri nuk e ka përdorur asnjëherë fjalën “barbar” për pjesëmarësit në luftën e Trojës. (7) Siç dëshmon Dr. Arif Mati, nuk ekzistonte asnjë dallim etnik, fetar apo kulturor midis akejve dhe trojanëve. (8)

Këtë filozofi të fiseve pellazge, pjesëmarrëse në Luftën e Trojës , e gjejmë të shprehur tek dramaturgu helen Antifon (Antifòn 480 p.K.  – 410 p.K) i cili shprehet se : nuk ekzistojnë dallime midis fiseve sepse “të gjithë njerëzit nga natyra e tyre janë të lirë”.(9)

Ky botkuptim i lashtë mbijeton në Kanunin e Lek Dukagjinit ku ndjenja e urrejtjes apo përbuzjes për “tjetrin” ishte e dënueshme : “Kanuni i Malevet të Shqypnis nuk e veçon nierin prej nierit. ”Shpirt per shpirt , se duken e fale Zoti ”. (Libri i tetët, Ndera, Kry i shtatëmbdhetët § 593).

Në Kanu të Malevet të Shqypnis gjithsa djelm të lein, njihen të mire e nuk veçohen njani prej tjetrit. Seicilli mbahet i mire edhe i thotë vedit: “Jam burrë” e i thonë : “A je burrë!” (Shtjefen Gjeçovi, Kanuni, Krye i njizetedytë, Nye i njqindenjizetekatërt,Gjaku,§ 886, § 888).

Studiuesi arbëresh Zef Krispi (1781-1859) duke folur për periudhën e ashtuquajtur « helenike » pohon se : « Grekët mbaheshin tërë madhështi për shkak të kulturës greke dhe i shihnin maqedonasit si barbarë; por në asnjë vënd nuk thuhet se ata i quanin barbarë, psh. athinasit ose peloponezasit edhe kur këta ishin me origjinë nga fiset dore (…) edhe pse kishin dialekte të ndryshme, megjithatë quheshin grek (helenë –shën im) ». (10) Për rrjedhojë fjala “barbar-etni jo helene” nuk i përket fjalorit dhe botkuptimit të Europës së lashtë.

Si përfundim, mund të themi se Pellazgët e hershëm nuk e njihnin fjalën “barbar” dhe nuk i përcaktonin “të tjerët” me përbuzje si kafshë, përkundrazi, në besimin e tyre hënor (sellenizmin) kafshët adhuroheshin, si psh kau Api në dinastitë faraonike të Egjiptit apo dhia, shqiponja , ujku, luani tek pellazget. Në objektet arkeologjike e shikojmë mbretin apo faraonin në formën e kafshëve të hyjnizuara në besim apo me pjesë trupore të tyre (kokën, brirët, krahët). Themeluesit mitik të Romës , Remo dhe Romolo janë “bijt” e ulkonjës.

Perëndia Seth-Amon (⁓ 3050 p.e.r.) me kokën e dhisë, Egjypt.(fg.1) Zeusi, ku brirët dëshmojnë besimin hënor (dashi/dhia janë simbole kultike të Krijueses/Hënë) (fg.2); Skënderbeu me simbolin kultik të besimit hënor pellazg – dhinë (fg.3); Perëndia Pan (fg.4, Ortenburg ,Bavari, shk 16). (11)

Ky hyjnizim i kafshëve nga pellazgët, u përdor nga kristianizmi si shprehje e “barbarisë” së tyre dhe si mjet frikësimi për popullsinë. Kristianët i zbukuruan kishat me statuja dhe piktura të përbindshave, duke i çpërfytyruar figurat e mitollogjisë pellazge, si të mbretit-bari Pan (Alpan/Alban), Meduzës, etj. Në Mesjetë, perëndia Pan me brirë dhe këmbë dhie, shprehte figurën e Diallit. (fg.4) (12)

Duhet theksuar se emërtimi “barbar” nuk është përdorur nga populli, por  nga elita drejtuese (mbretër, komandantë të ushtrive apo sekretaret e tyre, politikanë, oratorë, pronarë të skllevërve, etj.), dokumentet shkrimore shprehin fjalët e tyre. Në të gjitha këto raste, emri  “barbar” shprehte përbuzjen ndaj “tjetrit”: për paditurinë , mungesën e qytetrimit, kundrejt fiseve kundërshtare në luftime, që nuk e kishin besimin apo gjuhën e tyre. Dionisi i Alikarnasit ( Dionysius of Halicarnassus,) pohonte se një helen dallohej nga një “barbar” në katër veçori : gjuha e përpunuar, edukimi, besimi dhe e drejta e qytetarit (“i lirë” apo skllav-shën im). (13) Si shprehje përbuzëse përdorej edhe për njerëzit e tyre, siç pohon Aristofani ( Aristophanes ): “Një njeri analfabet është gjithashtu barbar”. (14)

Në librat e Historisë së shekullit 21, qytetrimi i shoqërisë njerëzore i Europës së lashtë nis me  dy emra : Grek, Romak apo qytetrim Greko-Romak. Asnjë prej këtyre emrave nuk  përmënden nga Homeri, Hesiodi dhe shkruesit e tjerë të lashtësisë për ndonjë emërtim fisi, deti, lumi, mali, gadishulli, të një mbreti të hyjnizuar në mite apo si emërtim i besimit të lashtë (përveç si emër qyteti – Roma 753 p.K.). Në këtë Histori të kohës së sotme , fjala “barbar” nuk i prek emrat “grek”dhe “helen”, por u bashkangjitet emrave të famshëm që i hasim në dokumentet e lashtësisë si Pellazg, Etrusk, Dardan, Maqedon, Ilir, etj. që njihen si fise PELLAZGE. Historiani  gjerman Lochner-Hüttenach (1960) zbulon se, që në lashtësi fjala “barbar” ka treguar ndryshimin etnik : “ Herodoti do të trajtojë edhe çështjen e përkatsisë etnike të pellazgëve dhe do t´i quaj ata “etnos barbar”. (15). Studiuesi nuk  e vërteton me fakte, nëse Herodoti e ka përdorur fjalën “etni barbare”, për mungesë të qytetrimit të fiseve pellazge, siç e gjejmë të përdorur në periudhat e mëvonshme, apo “të ndryshimit si racë ” .

Për fjalën BARBAR  ETNI TJETËR , Hüttenach akuzon autorët grek : “Mospërkatësinë e Pellazgëve tek popullsia greke do e tregojnë më tepër, ato vënde të shkrimeve historike të antikitetit, ku historianët grek do t´i pershkruajnë ata si “barbarë”. (16) Por, sipas Fjalorëve eciklopedik, në kohën e Homerit (⁓ shk.8 p.e.r.) dhe  të Aristofanit (v. 445 – 385 p.e.s) fjala “barbar” akoma nuk përcaktonte dallimin etnik. (17)

Në Historinë e Lashtësisë së shekullit 21, fatkeqësisht, “teza etnike” e fiseve Pellazge vijon të huazohet nga studiuesit e shk. 19 si, Diefenbach 1861, Busolt 1885 ¸ Hesselmeyer 1890 etj.  pa i vënë në dyshim (të gabuara apo jo) përfundimet e tyre. Këtë metodë, Mark Bloch e quan një “recitim” përmëndësh i autorëve paraardhës dhe gabim, pranimin e çdo dokumenti të shkruesve të lashtë, si fakt shkencor : “… prej shumë kohësh është vënë re, se nuk duhen pranuar verbërisht të gjitha dëshmitë historike”. (18)

Në Europën e lashtë, fiset e shumta pellazgjike mund të kenë bashkjetuar edhe me tribu të panjohura.  Por  është e çuditshme se si studiuesit nuk marrin parasysh, faktet e fiseve të njohura, si psh që pellazgët kanë folur një gjuhë por me dialekte të ndryshme. Në librin e studiuesit arbëresh, Nikoll Ketta (Tesoro di Notizie su de´Macedoni, v.1777)   lexojmë : «  gjuha e grekëve (helenëve-shën im) dhe e maqedonasve ndryshonte vetëm si dialekte (…) dhe e folura e maqedonasve ishte e njejtë me të epirotëve … ) (19) Pra helenët flisnin të njejtën gjuhë me fiset “barbare” maqedone dhe epirote.

Mospërdorimi i metodës së “filozofisë historike” apo “kritikës mbi dokumentet”, siç shprehej M. Bloch, solli si pasojë shtrëmbërimin e vetë Historisë së Lashtë që kemi sot, ku fiset Pellazge trajtohen artificialisht si fise të huaja nga ana etnike.

Thumer : “Një gjë duhet të veçohet në mënyrë të prerë, që pellazgët dhe helenët duhet të  trajtohen si dy popullsi të ndryshme, të dallueshme etnikisht nga njera-tjetra”. (20) Ndërsa G.Grote (A History of Greece,1853) do e theksoj me forcë : “ndërmjet grekëve (helenëve –shën im) dhe pellazgëve ekziston një ndryshim etnik”. (21)

Çudija e përfundimeve të “shkollës gjermane” mbi “tezën etnike” të Pellazgëve është edhe  fakti, se Tuqididit (Thuk.1,3) kishte pohuar se, Helenët përpara se të merrnin këtë emër, dmth të quheshin helenë, ata  emërtoheshin me emrin e popujve të tjerë, kryesisht me emrin Pellazg.(22) Shkëmbimi i emrit të fiseve me një emër tjetër, nuk do të thotë se ata shkëmbejnë edhe racën. Edhe shqipetarët pas viteve 90 u detyruan të ndrojnë emrin e tyre në Greqi apo ta shpallin veten “grek”, por kjo nuk i bëri ata etnikisht të  ndryshëm nga prindërit shqipetarë që lanë në atdhe.

Pasojë e kësaj verbërie në trajtimin e dokumentave të lashta, ishte vjedhja “shkencoree “pronës historike” të Lashtësisë (mitet, objektet arkeologjike, qytetrimin, etj) prej pronarëve të saj legjitim Atlantido – Pellazgëve hyjnor dhe pasardhësve të tyre të mbijetuar në Gadishull, Shqipetaro-Arbërve të sotëm.

Do ishte naive të besonim se në këtë masakër, faji i takon vetëm metodës së ndjekur,  ndikoi edhe padija e studiuesve mbi gjuhët e lashta dhe dialektet e gjuhës shqipe, dhe veçanrisht i besimit pellazg, nga e kanë origjinën emrat “pellazg”, “arbër”, “shqipetar” dhe “helen”. Emri “grek” nuk i përket asnjë besimi.

Nikoll Ketta shton këtu edhe faktin e habitshëm, se si, të ndodhur brënda Europës  : “Asnjë studiues nuk u ka dhënë vëmëndje të veçantë popullsisë Arbëreshe, e cila deri në shk. 14 ka patur tradita të përmëndura nga shumë studiues të lashtë si Erodoti, Tucididi, Dionisio, Plutarku, Straboni etj. me të cilat ne formuam sistemin e origjinës…)(23)

Por, le t´iu drejtohemi fakteve të autorëve të shekujve modernë, se si e kanë vlerësuar qytetrimin e pellazgëve “barbarëve” dhe sa u detyrohen helenët “grekë” arritjeve të tyre.

“Ligji” barbar që  baltosi Pellazgët hyjnor

Kur flitet për Lashtësinë, që nga periudha e emërtuar “greko-romake” e deri në ditët e sotme, është pranuar si “ligj” i padiskutueshëm përkufizimet : Helenizëm→ Qytetrim;  Helen  Grek; Grek  Simbol i zhvillimit të shoqërisë njerëzore, krijues i pasurisë kulturore, mitike dhe besimtare të Euro-Azisë; Pellazgët dhe fiset e tjera “ të pa helenizuara”(që nuk  kishin kulturën helene)  Barbarë.

Po veçoj disa dëshmi të marra nga “shkolla gjermane” e shk.19-20  që janë mbështetur mbi autorët e lashtësisë :

Në Enciklopedinë Italiane /Treccani/ shkruhet se Hipokrati (Hippocrate, 460 p.e.r. – 377 p.e.r) dhe  historianët e parë që drejtpërdrejt u njohën me popujt “jo hellen”, vunë re se, edhe ata kishin një kulturë të rëndësishme , shpesh edhe më të zhvilluar , bile mëma e asaj hellenike. (24)

Locher-Hüttenbach duke u bazuar tek Diodori shkruan se : Poetët e parë të Hellasit, kishin përdorur ato shkronja alfabeti që i kishin patur perdorur më parë banorët e parë të këtij vendi , “pellazgët”. (25)

Në studimin e tij (1861),  Diefenbach pohon se : Helenët do të huazonin nga popullsia e mëparshme një numër shumë të madh fjalësh, të cilat njihen si fjalë të kulturës. (26) Disa vjet pas tij (1890) një tjetër autor gjerman, Ellis Hesselmayer do të shtojë : Pellazget do të bëhen mësuesit e tyre (grekëve) në fushën e bujqësisë, para së gjithash në punimin e tokës si dhe artin e ndërtimit, veçanrisht në ndërtimin e banesave të forta dhe të sigurta. (…) Larisa dhe Argosi me ndërtimet e tyre të rralla nuk do të zhduken kurrë nga kujtesa e grekëve. Ata do huazojnë prej kulturës së pellazgëve të lashtë edhe elementet e kalendarit si dhe mësimet e perëndive (teollogjinë pellazge-shën im) . (27)

Një pasqyrë më të detajuar për qytetrimin pellazg na jep gjuhëtari gjerman Hans Krahe (1898 – 1965) . Sipas tij, shumica e emërtimeve që lidhet me shtetin dhe organizimin shtetëror dhe shprehin kuptimin e ushtrimit të “pushtetit dhe të sundimit shtetëror”që gjënden në fjalorin e greqishtes janë huazime nga materiali gjuhësor i gjuhës paragreke. Gjithashtu, Greket do të mësojnë nga pellazgët përpunimin e metaleve, lundrimin detar dhe fjalët që lidhen me këto veprimtari. (28)

H.Krahe nënvizon se influenca pellazge mbi grekët përfshin veçanërisht fushën e fesë. Të gjitha emrat e hyjnive greke, me përjashtime shumë të vogla janë emra me prejardhje jo greke dhe rrjedhin nga bota e vjetër e mesdheut. Së bashku me emrat, vijon studiuesi, grekët përvetsuan edhe historitë (mitet / folklorin e pellazgëve –shën im) që lidheshin me këto emra dhe të heronjve që lidheshin me këto histori. (29) Duhet të kemi parasysh se çdo veprimtari e njeriut nga parahistoria deri në periudhën e mesjetës së herëshme udhëhiqej nga feja dhe drejtuesit e Institucioneve fetare, prandaj « greket » kanë huazuar nga pellazgët jo vetëm ritet, por edhe ligjet. Ligjet e para ishin ato që dënonin moszbatimin e riteve nga qytetarët.(F.Demi, Kombi  –  origjina e organizimit të bashkesive fisnore dhe i ligjeve të Kanuneve të Arbërve ).

Vetë emri i Europës , që sot mbahet si simbol i qytetrimit më të lartë, e ka origjinën nga mitet pellazge.  Dokumentet historike tregojnë se në veri të Thesalisë dhe në Labadeia, ku banonte  fisi pellazg, adhurohej perëndesha e tokës me emrin « Demetër Europa » (Fick 1905). (30) Titano-Pellazgët e quanin veten « bij të dheut/tokës » dhe nga ana gjuhësore emrin e saj e shpjegon vetëm gjuha shqipe : shq. De/dhe ; gr. γη (gi); it. terra; fr.terra ang. terre; gjerm.erde. Edhe fjala/rrenjë « terr » e cila ka dhënë në gjuhët latine fjalën terra (toka), i përket gjuhës zanafillore shqipe : terr-errësirë, siç është brëndësia e tokës; terri i natës, u bë qielli terr i zi, etj.

Në këtë studim,  ju drejtova kryesisht « shkollës gjermane » për dy arësye : 1. sepse Historia e Lashtësisë së Europës, në të gjithë botën është bazuar tek kjo shkollë e  shk.19  dhe 2. sepse dëshmitë e studiuesve të huaj, trajtohen si « të padiskutueshme » për vërtetsinë e tyre shkencore, nga  hartuesit e botimeve shkollore në Shqiperi dhe në mendimin akademik të Albanologjisë.

Nga sa pamë në thënjet e mësipirmë, studiuesit gjerman të shekullit 19 (Kretschmer 1895, Busolt 1885 Hesselmeyer 1890 etj.) do të pranojnë se « kultura që zotëronte popullsia paragreke (dmth pellazge-shën im) ishte në një nivel shumë herë më e lartë se sa kultura e popullsisë së mëvonshme greke » (31)

Ndiqni me vëmëndje arsyetimin e « shkollës gjermane » të shk.19, për përfundimin e tyre « pellazg/barbar →  etnikisht jo grek/pa qytetrim»: « Sipas Herodotit (II,51) historianët do ti trajtojnë pellazgët si të ishin helenë, por ai vetë është i prirur që të shoh tek pellazgët – barbarët, por nuk guxon ta theksoj këtë mendim me siguri. (32) Ndërsa pjesa e parë e frazës është fakt historik, tek e dyta (me të zeza) autori shpreh mendimin e tij personal për Herodotin, por pa fakte të dokumentuara.

Kjo kontraditë vihet re edhe tek Hesslmeyer (1890), Busolt (1885) , të cilët , pasi i quajtën pellazgët « barbar » dhe « të paqytetruar », do të pohojnë se : « Faktet historike (…) do të tregojnë se ishin helenët ata, që kur erdhën në këto vise, do të gjenin një popullsi shumë herë më të zhvilluar dhe me një nivel shumë më të lartë kulturor, e cila do të bëhej mësuesja e tyre dhe prej se cilës do të merrnin njohuritë më të rëndësishme në të gjitha fushat e jetës, që më vonë do t´i trajtonin si arritje të tyre ». (33)  Lind pyetja :  kush ishin në të vërtet fiset BARBARE ( të pa zhvilluar dhe pa qytetrim) të Lashtësisë, para çfaqjes së fiseve aziatike mongole ?  Ky problem i ka trazuar shpirtrat e filozofëve dhe sedrën profesionale të autorëve modern.

Për ta justifikuar çoroditjen e tezës « pellazg →barbar, jo etni helene / jo grek » të shk19,  Hesselmeyer (1890) përdor një frazë po aq të çuditshme (me shkronja të theksuara)  : « Nëse poetët e kohëve historike flasin për prejardhjen e grekëve (bëhet fjalë për helenët-shën im) nga pellazgët , kjo nuk ka të bëj me konceptin historik mbi pellazgët. Pellazgët ishin etnikisht të ndryshëm nga grekët dhe është e gabuar ti trajtosh ata si paraardhës të grekëve ». (34) Se cili ka qënë ky « koncept historik » që do tregonte dallimin etnik të pellazgëve me helenët, mbetet enigme, « fajtori » i vetëm mbetet fjala – BARBAR.

Origjina e « ligjit » pellazgë = barbar

« Shkolla gjermane » e shk.18-19 njihet si nismëtare e shkencës gjuhësore, që solli krijimin edhe të shkencave të tjera që u morrën me zbulimin e origjinave dhe lidhjeve etnike të popujve.  Fakti që  fjala «barbar » është përdorur si përbuzje ndaj një popullsie tjetër dhe sidomos këmbëngulja, se kjo fjalë  i dallonte etnikisht pellazget nga « helenët e qytetruar », siç e pamë më lart, na shtyn të kërkojmë filozofinë e elitës së Europës veri-perëndimore të kësaj periudhe.

Përbuzja, që jo rrallë shndrohet në urrejtje brënda një etnije apo ndaj etnive të tjera, për arësye nga më të ndryshme, në kohët moderne është emërtuar « racizëm ». Studimi i kësaj ideollogjije është emërtuar « racizmi shkencor ». (35)

Nuk është vëndi këtu të zgjerohem me tezat e ndryshme që i dhanë shkas filozofisë raciste, që sollën « përbuzjen etnike » në botimet historike. Ishte shkenca gjuhësore që i dha shtysë lindjes së mitit historik ; kërkimi shkencor çoi në pretendimin e superioritetit moral, që do të  kryesonte filozofinë e racizmit. Gjatë mësimdhënjes në Angli (1859-1861) gjuhëtari gjerman, Max Müller shprehte doktrinën raciste nën velon e kërkimeve gjuhësore. (36)

Racizmi (etnik), u çfaqën tek disa autorë të shk.17- 18 në shkencën e historiografisë, por  u shndrua në doktrinë për trajtimin e Lashtësisë, nga studiuesit e shk 19-20.  Docenti i Universitetit të Londrës mjeku Robert Knox (1791  1862) pohonte në vitin 1850 se « raca është çdo gjë, është një fakt më i jashtzakonshëm, më i kuptueshëm që ka shpallur filozofia ndonjeherë. Raca është gjithshka : letersi, art, shkencë –me një fjalë qytetrimi varet nga ajo ».  Arësyen e këtij racizmi historik e shpjegon studiuesi belg Guy Bunnsen :  « … se ishte e pabesueshme që popuj, të cilët janë kaq të rëndësishëm sot, nuk duhet të kenë luajtur asnjë rol në të kaluarën ». (37)

Përfundimi : Fjala BARBAR e përdorur për “tezën etnike” të Pellazgëve ishte një fallcifikim i fakteve historike të Lashtësisë dhe nuk kishte asnjë bazë shkencore, siç e pohon edhe Friedrich Müller (1834-1898)  : “Etimologjia është ende një shkencë në të cilën hamëndsia e verbër është praktikuar më shumë se sa hulumtimi metodik (…) punimet tona shpesh rezultojnë në një pështjellim se sa në sqarim ».(38) Duke u njohur me ideollogjinë që përfshiu botën shkencore europiane të shk.19, do të shpreheshim se, nuk fajsojmë vetëm metodollogjinë, shkak kryesor ka qënë filozofia raciste që , krahas politikanëve, përfshiu edhe studiuesit e shkencës së Historiografisë.

Që në shk 18-19, « shkolla Albanologjike » e Arbëreshëve të Italisë, një shekull përpara « shkollës gjermane », zbuloi panoramën shkencore të përbërjes etnike dhe qytetrimin e fiseve të Gadishullit Pellazgjik. Dy shekuj që pasuan nuk i lëkundën dot përfundimet e tyre.

Shënim : Të gjitha referimet mbi « shkollën gjermane » të shk.19-20 janë marre nga studiuesja Shpresa Musaj (Gjuha –Dëshmi e lashtësisë sonë mijëravjeçare)

Fatbardha Demi   (fatbardha_demi@yahoo.com )

31.01.2020

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok