22/12/2024

DY AUTORË, NJË LIBËR: SHUMËSIA E LEXIMEVE

0
Jupolli-Dibrani-Arti

(“Arti  kritikës” i autorëve Musa Jupolli e Shefqet Dibrani, botoi Faik Konica, Prishtinë, 2023)

Nga Prend BUZHALA

Një vepër e veçantë me punime kritiko-letrare, eseistike, me interpretime letrare… Është fjala për librin “Arti  kritikës” i autorëve Musa Jupolli e Shefqet Dibrani, që të dy nga Llapi… autorë mërgimtarë, njëri në Francë, tjetri në Zvicër. Aty, gjithsesi, është edhe emri i Mentor Thaqit (me referencën: ideator dhe autor i parathënies).

1.

Por ata nuk kanë hequr dorë asnjëherë nga shkrimi letrar. Kur lexohen këto shkrime, të krijohet mbresa, se autorët arrijnë të sjellin jehonat e mendimit estetik bashkëkohor evropian, meqë janë në kontakt edhe me letërsitë e literaturën e atjeshme në disa gjuhë. Dhe kjo jehonë, e gërshetuar me mendimet për veprat letrare e për krijimet letrare në shqip, përbën një vlerë të veçantë.

(INTEREMXO: nga të dy autorët e ndiej veten të nderuar, meqë aty përfshihen disa punime për veprat e krijimet e mia letrare: disa shkrime për veprën time poetike “Ani i ilirishteve”: esetë interpretuese të Musa Jupollit, dhe dy shkrime kritiko-letrare nga të dy autorët).

Mirëpo, në libër vijnë emra kulmorë të letrave shqipe, siç është pjesa e parë me punime të Musa Jupollit: për vepra e autorë si Ismail Kadare, Ibrahim Kadriu, akademik Idriz Ajeti, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, Zekerija Cana, por edhe për krijues që janë aktivë dhe kanë vlerat e veta artistike, si Shaip Beqiri, Tonin Nikolli, Fatmir Halimi, Lutfi Lepaja, Rita Salihu, Martin Çuni, Naxhije Doçi, Drita Fejza, Bajrush Zeka, Shaban Pllana, Fatos Kabashi, Angjalina Marku, Lumni Nimani, Mentor Thaqi, FRran Tanushi, Besnik Camaj, Muharrem Blakaj, Faruk Tasholli, Sylë Bajrami, Bardhyl Mahmuti, Shefqet Dibrani, Dritë  Ruhani, Gjekë Marinaj, Rexhep Rifati, Bekim Lumi, homazhe shkrimesh për shkrimtarë e gjuhëtarë si Musa Ramadani, Petrit Ruka, Isa Bajçinca.

Pjesa e dytë vjen me shkrime të Shefqet Dibranit, ku shkrimi letrar është ekskluzivisht i ligjërimit kritiko-letrar, i analitikës letrare apo i librit nga fushat tjera dokumentare e publicistike, për veprat e autorëve: Jusuf Buxhovi, Gani Bytyçi, Barabara- Burbuqe Heim, Muharrem Blakaj, Ajete Zogaj, Zef Ahmeti, Rexhep Rifati, Hajdar Sadrija, Adnan Mehmeti, Haradin Gashi, Musa Jupolli, Mentor Thaqi, Gjek; Marinaj, Sevdije Rexhepi, Besnik Camaj, Yiye Pepshi, Nam fetaj, Shemis Makolli, Fatime Kalimashi dhe Agim Desku.

2.

Kur i lexojmë së bashku dy autorë të mërgatës që merren edhe me shkrimin kritiko-letrar, apo me analitiken e librit shqip përgjithësisht; zhanër kaq pak i kultivuar në ato anë; libri i tillë merr edhe një vlerë e domethënie tjetër: për të dëshmuar se Fjala Shqipe andej është e gjallë, se Fjala e Shkruar Shqipe është pjesë integrale e Letrave Shqipe përgjithësisht, se ky zë shkrimi vjen i nuancuar, me thesaret e mendimit  të hapësirës së Fjalës sonë kudo që shkruhet e flitet. Sikundër vërehet, mbizotërojnë autorë nga mërgata, dëshmi se letrat shqipe nëpër shtete të ndryshme të Evropës perëndimore e në SHBA, po e përjetojnë edhe një renesancë shkrimi e ringjalljeje. Ndër këta emra që u përmendën më lart, përveçse janë poetë e krijues letrarë, ata janë edhe autorë të fushave të tjera të shkrimit, si gazetarë, piktorë, gjuhëtarë apo historianë, qëmtues të librit dokumentar, të librit të dëshmisë e të historisë.

Më shumëse sa art i kritikës, këto punime janë art i shkrimit, i shkrimit eseistik e interpretues, te Musaja, dhe të shkrimit kritiko-letrar e të analitikës letrar dhe të asaj të beletristikës a librit dokumentar e publicistik, te Shefqeti. Te analitika lexojmë kujdesin autorial për shqyrtimin dhe  vlerësimin e kujdesshëm të një vepre letrare apo joletrare, ndërsa te interpretimet, përveç vlerësimit të një aspekti a krijese lirike.

3.

Kur që në titull takohemi me referencat përkufizuese “art” dhe “kritikë”, atëherë lexuesi do të ndeshet me dy rrjedha shkrim-leximi: me shijimin e së bukurës që ofrojnë jo vetëm veprat a krijimet në vlerësim-interpretim, por edhe me përjetimin e mendimit, si thënie e pëlqyeshme kritiko-letrare. Zaten, kritika letrare vetvetiu iu takon dy fushave: artit dhe dijes, krijimit dhe vlerësimit. Kësisoj, autorët arrijnë t’i veçojnë shenjat kreative te secili autor, arrijnë të zbërthejnë pjesët përbërëse a strukturën e veprës e të krijimeve, t’i ekzaminojnë veçoritë individuale autoriale etj. Meqë Musaja jeton në Paris, atëherë edhe relacionet e disa autorëve me Parisin janë parapëlqime shkrimesh me frymë mendimi e me ligjërimin karakteristik eseistik.

Ndërkaq, te Shefqeti, tashmë i sprovuar me disa vepra e studime letrare (këtu te pjesa “Një autor një libër”), vjen me përgjegjësinë ndaj fjalës së shkruar, si rezultat i kësaj përvoje në kontakt me librin e me veprimtaritë e librit.

Është thënë sa e sa herë se Kritika gjithnjë vjen mbas veprës, ani se ngandonjëherë ajo edhe i prin me kontekstin kulturor e shoqëror të momentit, në të cilin ajo krijohet, shkruhet. Hegel do të thoshte: “Kjo është fryma e epokës, e farkuar nga mendimet”. Së këndejmi, edhe koha e konteksti hapësinor i krijimtarisë e botimit të librave nga mërgata, veç sa e pasuron me rrezatime të reja vlerash.

Secili kritik e ka gjedhen e vet të leximit. Epoka Moderne kërkonte vetëm Leximin e Tekstit, kurse që nga Niçeja e këndej, kërkonte vetëm Interpretimin. Shtigjet e leximit dhe të jetës të shpijnë në brigje gjithnjë të reja. Edhe shkrimi kritik i Shefqet Dibranit nuk mund t’i ikën kërkesës dhe prirjes së kryehershme të kritikës për të qëndruar në mes krijimit dhe dijes; në mes artit dhe shkencës. Shtigjet e leximit dhe të jetës të shpijnë në brigje gjithnjë të reja leximi, kërkimi e vlerësimi.

Autorët na dëshmojnë se leximi nuk i do kufizimet, ashtu sikundër as interpretimit të një shkrimi letrar nuk mund t’i vihen kufij; letërsia në vete ngërthen shumësinë e leximeve. Këtë shumësi leximi, ata arrijnë ta përçojnë te lexuesi.

31 korrik 2023

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok