22/12/2024

“DRITA NË ERRËSIRRË“

0
Timo-Merkuri

Rezistenca poetike te “Hëna ime” e Sadik Bejkos

Nga Timo Mërkuri

Poezinë “Hëna ime”  Sadik Bejko e shkroi në janar të vitit 1980, por për hir të së vërtetës duhet të themi se variant i përfshirë te libri “Si vdes gruri” Tiranë 1994 ka ndryshime nga variant fillestar i cili gjithsesi qëndron lart artistikisht. Mund tju citoj vetem vargun e pare te saj: “Hëna brënda meje kishte zogun e fatit” dhe këtë pa lejen e autorit, për të parë nivelin e saj artistic, por ajo që dua të them është fakti se Sadik Bejko i ripunon vazhdimisht poezitë, madje dhe poezitë e botuara si kjo, e cila shfaqet në internet në 3-4 variante të ndryshme nga botimi, madje ju them se dhe ky variant që po analizoj unë është variant më i fundit dhe sipas autorit, më i afërti i tij. Ripunimi i vazhdueshëm i saj  tregon se kjo poezi ka një rëndësi të veçantë për poetin ndaj ai do që te ajo të arrijë përsosmërinë artistike, synim që pasqyron dashurinë e tij të thellë për atë. Për një poet, ripunimi i një poezie deri në përpikmëri shpesh tregon se ajo përmban ndjenja dhe mendime shumë personale, të cilat ai dëshiron t’i shprehë në mënyrën më fine, më artistike dhe të plotë të mundshme. Kështu dhe kjo poezi, për Bejkon, përfaqëson ndoshta një nga kulminacionet e krijimtarisë së tij, një simbol të fuqishëm të rezistencës dhe qëndresës ndaj vështirësive të jetës dhe diktaturës.

Në poezi hëna simbolizon një burim ndriçimi shpirtëror e emocional që është gjithmonë prezent, pavarësisht errësirës së jashtme. Kjo hënë nuk është një objekt fizik që ndriçon nga qielli, por një prani që ndriçon nga thellësitë e qenies së poetit, veçanërisht në momentet e pikëllimit dhe pasigurisë. Duke qenë se poeti në ato vite kur realizoi variantin e parë ishte duke punuar në minierën e qymyrgurit në Memaliaj kjo hënë jo vetëm që ishte e vetmja gjë e bardhë që kontrastonte me ambientin por ishte dhe simbol i qëndrueshmërisë e mbështetjes ,  që i jipte poetit forcën për të përballuar errësirën dhe për t’u zgjuar çdo ditë, pavarësisht sfidave që do të përballej. Kjo shihet qartë kur hëna e troket lehtë në ballë në mëngjes, duke i çelur sytë dhe duke sjellë një dritë unike ,”dritën që s’ka të dytë“.Gjendja shpirtërore e poetit duket e tensionuar, e ndarë midis ndjesisë të pikëllimit dhe  shpresës së qëndrueshmërisë. Ai është në një gjendje introspektive, ku përjeton një konflikt të brendshëm midis errësirës dhe dritës, mes gjumit dhe zgjimit, mes shpresës dhe dëshpërimit. Hëna e tij, që ai nuk e sheh kurrë, është gjithmonë aty, duke vozitur në “lumin e pikëllimit” të tij, një metaforë për gjendjen e tij shpirtërore të trazuar.

I-Poezia “Hëna ime” e Bejkos mund të interpretohet si një reflektim i forcës shpirtërore të poetit, ku hëna përfaqëson talentin e tij, dashurinë për artin poetik, karakterin e tij të fortë në përballjen me diktaturën dhe besimin në të ardhmen. Kjo hënë  është simbol i ndriçimit shpirtëror që buron nga vetë poeti dhe e udhëheq atë në rrugëtimin më të errët. Në këtë kontekst, hëna shfaqet si simbol i disa aspekteve:

  1. Hëna shfaqet si simbol i talentin dhe dashurisë për artin poetik duke patur parasysh se poeti u ndëshkua me riedukim në minierën e qymyrgurit, ku çdo gjë, që nga ambienti dhe gjer te fytyrat e njerëzve nxinin nga pluhuri I qymyrit, madje unë do të shtoja se edhe bisedat nxinin nga pluhuri ideologjik. Hëna në këtë poezi mund të shihet si një metaforë për talentin dhe krijimtarinë e poetit, një burim ndriçimi që ndihmon atë të përballojë sfidat dhe të shprehë ndjenjat përmes artit poetik.Te vargjet:”Është një hënë, hëna ime / Më ndrit në netët e verës, në netët e dimrit.”ku hëna, e shfaqur si një dritë e përhershme e çdo stine dhe situatë, simbolizon talentin krijues të poetit që vazhdon të ndriçojë, pavarësisht rrethanave të jashtme, Kjo është arsyeja që poeti e personalizon në “hëna ime”. Po ashtu edhe vargu:”Në ag më troket butë butë në ballë / Me gishta të tejdukshëm m’i çel sytë.” shihet si inspirimi i brendshëm dhe fuqia e krijimtarisë që e zgjon atë për të krijuar dhe për të shprehur artin e tij në ditën e re.

2..Në kontekstin e vuajtjeve në minierë, hëna mund të interpretohet si simbol i rezistencës dhe i qëndrueshmërisë shpirtërore të poetit. Ajo përfaqëson forcën e brendshme që e ndihmon atë të mbijetojë dhe të përballojë sfidat e represionit politik. Vargu:”Fshin natën në fytyrën time të gjumit / Sjell dritën, dritën që s’ka të dytë.” Ku kjo hënë, përfaqëson fuqinë shpirtërore të poetit për të mbajtur gjallë shpresën për të kundërshtuar errësirën e regjimit, duke ruajtur dritën e vetme dhe të veçantë të së vërtetës dhe ndershmërisë. Te vargu:”Vozit dhe në lumin tim të pikëllimit.”  hëna që vozit në lumin e pikëllimit sugjeron një forcë që e mban poetin në “lundrim” në detin a lumen e dhimbjes, duke i ofruar një udhëzues të qetë dhe të qëndrueshëm.

  1. Ajo gjithashtu mund të shihet si një shprehje e besimit të poetit në të ardhmen, një simbol që ndriçon rrugën përpara dhe e mbush atë me shpresë, edhe kur e tashmja është e errët dhe e pasigurt, përfundim që e shfaqin vargjet:”Dhe sikur dita të nxinte më terr se nata / Dhe përmbys të gdhihesha në gërmadha.”kuhëna (besimi i poetit në të ardhmen dhe në të vërtetën) mbetet një dritë e përhershme që vazhdon të ndriçojë.
  2. Poezia e Bejkos mund të lidhet ngushtë me vuajtjet e tij gjatë periudhës së punës në minierën e qymyrgurit të Memaliajt. Përvoja e tij atje, në një mjedis të ashpër dhe të errët, ku ai ishte i detyruar të punonte për “riedukim,” mund të ketë ushqyer thellësinë emocionale dhe simbolikën e hënës në këtë poezi. Hëna, përfaqëson pikërisht atë dritë të brendshme që poeti kërkonte gjatë kohës së tij në minierë, dritë që e ndihmonte të përballonte errësirën e jashtme. Errësira në vargjet e tij mund të jetë një reflektim i kushteve të vështira dhe të zymta të punës në minierë,por e derdhdur në art ka një shkëlqin diamanti të zi kur mbi atë reflektohet drita. Gjendja shpirtërore e poetit, si një përzierje e pikëllimit dhe një force të brendshme, mund të jetë një reflektim i gjendjes së tij mendore dhe emocionale gjatë kohës në minierë. Hëna që “vozit në lumin e pikëllimit” dhe “ndrit në terr… nën lëkurë” mund të pasqyrojë përpjekjet e tij për të gjetur dritë në një situatë që mund të ishte përjetuar si dëshpëruese.

II-E parë në këtë aspekt poezia “Hëna ime” e Bejkos mund të cilësohet si simbol i qëndresës dhe rezistencës së artit dhe të poetit ndaj diktaturës, edhe pse ai ishte i dënuar në minierë. Kjo poezi shpreh fuqinë e brendshme shpirtërore të poetit, që reflekton një refuzim total nënshtrimit ndaj represionit të regjimit dhe besim të thellë në fuqinë e artit për të mbijetuar në kushtet më të errëta.

  1. Hëna është një simbol i rezistencës personale kundër një sistemi që synonte të kontrollonte mendimet dhe ndjenjat e individëve. Ajo është “…vetëm për mua, hëna ime”,një dritë që i përket vetëm poetit, dhe që mbetet e paprekshme nga fuqitë e jashtme. Hëna, si një simbol i fuqisë shpirtërore dhe krijimtarisë, përfaqëson një besim të palëkundur në të ardhmen dhe në mundësinë e rilindjes, pavarësisht shkatërrimeve të personalitetit njerëzor që i sjell regjimi. Vargu:”Dhe sikur dita të nxinte më terr se nata / Dhe përmbys të gdhihesha në gërmadha.” tregon se, poeti nuk e humb shpresën, duke rezistuar përmes besimit se ndriçimi i brendshëm i artit të tij do të triumfojë.

2.Në këtë poezi hëna përfaqëson forcën shpirtërore të poetit dhe ndriçimin që vjen nga dashuria për artin, i cili është i përhershëm dhe i pavarur nga rrethanat e jashtme, simbolizon qëndresën e poetit dhe artit të tij ndaj diktaturës. Pavarësisht izolimit në minierë, poeti ruan një burim të brendshëm ndriçimi dhe fuqie, që nuk mund të shuhet nga jashtë. Vargu: “Është hëna, vetëm për mua, hëna ime, / Me të përbrenda i gjej gjithmonë zgjimet.”sugjeron se poeti gjen forcë dhe shpresë brenda vetes, një hënë personale që e udhëheq atë përmes errësirës dhe vështirësive, duke përfaqësuar kështu qëndrimin e tij të palëkundur përballë një regjimi represiv.

  1. Hëna mund të shihet si një mbrojtëse e artit të poetit, një dritë e veçantë që e ruan atë dhe e mbron nga errësira e kohës së diktaturës. Kjo hënë simbolike mbron dhe ndriçon poezinë e tij, duke e bërë të pamundur që regjimi të shuajë plotësisht zërin dhe shpirtin e tij krijues. Ky ndriçim shpirtëror në formën e hënës është një shprehje e qartë e fuqisë së artit për të mbijetuar dhe për të përballuar çdo lloj errësire.

III-Megjitheatë, si një poezi moderne që është, kjo poezi nuk është njëkuptimëshe. Kjo poezi është shumëdimensionale dhe simbolika e hënës mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, përfshirë edhe si një përfaqësim të gruas, nënës, apo të dashurës së poetit. Ky interpretim mbështetet në disa aspekte të poezisë dhe në përdorimin e figurave artistike që e bëjnë hënën një simbol të ndërlikuar dhe të pasur.

  1. Në traditën poetike dhe kulturore, hëna shpesh lidhet me feminitetin, duke u përfaqësuar si një simbol I bukurisë, i butësisë, kujdesit, dhe dritës që vjen nga një burim i jashtëm. Në poezinë e Bejkos, hëna merr një rol të ngrohtë dhe mbrojtëse, që mund të interpretohet si një figurë femërore që i sjell poetit ndriçim dhe paqe shpirtërore.Psh vargu:”Në ag më troket butë butë në ballë / Me gishta të tejdukshëm m’i çel sytë.”tregon një akt kujdesi dhe butësie që mund të përfaqësojë dashurinë e një gruaje apo nënë që zgjon poetin me delikatesë dhe dashuri. Te vargu:”Fshin natën në fytyrën time të gjumit / Sjell dritën, dritën që s’ka të dytë.”akti i “fshirjes së natës” dhe sjelljes së një “drite që s’ka të dytë” mund të interpretohet si akt i përkujdesjes dhe mbrojtjes që një grua e afërt me poetin (nënë, e dashur) ofron për të, duke e çliruar nga errësira dhe pikëllimi.
  2. Hëna që “vozit në lumin e pikëllimit” dhe që është gjithmonë e pranishme për poetin mund të përfaqësojë një figurë femërore që është burim i qëndrueshëm i ngushëllimit dhe mbështetjes në jetën e tij. Këtë e shohim nëpërmjet vargjeve:”Është hëna, vetëm për mua, hëna ime, / Me të përbrenda i gjej gjithmonë zgjimet.”ku ajo përshkruhet si një dritë e përhershme dhe intime që është përherë pranë poetit, duke sugjeruar një lidhje të veçantë dhe të ngrohtë, si ajo midis një burri dhe një gruaje të dashur apo dhe të nënës.

3.Interpretim i hënës si simbol i feminitetit i jep poezisë një dimension emocional e personal që rezonon me përvojat e përbashkëta njerëzore të dashurisë dhe kujdesit. Realisht kjo perspektivë interpretimi e shton thellësinë emocionale dhe përforcon ndjenjën e lidhjes së poetit me një burim ndriçimi dhe ngushëllimi që mund të jetë një grua, nënë, apo e dashur në jetën e tij.

Duhet të theksojmë se edhe në rastin kur “Hëna” në poezinë e Sadik Bejkos interpretohet si simbol i feminitetit poezia ende qëndron si simbol i rezistencës së poetit ndaj diktaturës. Në këtë kontekst, hëna përfaqëson jo vetëm një burim ndriçimi dhe shprese, por edhe lidhjen e poetit me vlerat e dashurisë, ndjenjave dhe lidhjeve njerëzore që ai kërkon të mbrojë dhe të ruajë nga shtypja dhe dehumanizimi i regjimit. Në këtë mënyrë, poezia mbetet një manifest i fuqisë shpirtërore dhe ndriçimit të brendshëm që triumfon mbi çdo errësirë.

IV- Poezia e Sadik Bejkos lidhet me disa rryma moderniste, por më së shumti ajo duket të ketë qasje ndaj ekzistencializmit dhe simbolizmit.

  1. Ekzistencializmi si një rrymë filozofike dhe letrare përqendrohet në shqetësimet individuale, në kuptimin e jetës, dhe në përballjen me absurditetin e ekzistencës. Në “Hëna ime,” poeti trajton tema të tilla si izolimi, ndarja midis dritës dhe errësirës, dhe kërkimi i një kuptimi të brendshëm në një botë të mbushur me pikëllim dhe pasiguri. Hëna, si një burim personal ndriçimi, mund të interpretohet si një përpjekje për të gjetur një kuptimdhe ekuilibër shpirtëror dhe të qëndrueshëm në një botë që duket e pakuptimtë dhe shtypëse.Te vargu: “Më ndrit në terr… nën lëkurë / Që nga kufinjtë e pakuptimit.”, poeti përjeton një ndriçim të brendshëm që e ndihmon të përballojë terrin, por ky ndriçim ndodh “nën lëkurë,”duke sugjeruar një përpjekje intime për të gjetur kuptim në një situatë që është e “pakuptimit.” Ky është një moment tipikekzistencialist ku individi ballafaqohet me absurditetin dhe kërkon një kuptim të brendshëm. Pasazhi:”Një hënë që asnjëherë nuk e shoh / Fikur diku në kufirin mes gjumit e zgjimit.” tregon ndarjen midis gjumit dhe zgjimit, një metaforë për ndarjen midis vetëdijes dhe pavetëdijes, realitetit dhe iluzionit, që është temë qendrore në ekzistencializëm. Pra,poezia shqyrton ekzistencën në një zonë gri, ku kuptimi është i paqartë dhe e vërteta është e fshehtë.
  2. Simbolizmi si rrymë artistike përdor simbolet për të shprehur ide dhe ndjenja që nuk mund të shfaqennë mënyrë të drejtpërdrejtë. Në këtë poezi, hëna është një simbol i fuqishëm që përfaqëson ndriçimin e brendshëm, qëndrueshmërinë shpirtërore e rezistencën personale përballë errësirës ,vuajtjeve dhe përndjekjeve të sistemit. Përdorimi i hënës si një metaforë për një burim drite dhe shprese tregon ndikimin e simbolizmit në këtë poezi. Te vargu:”Është një hënë, hëna ime / Më ndrit në netët e verës, në netët e dimrit.” hëna është një simbol i një dritë gjithmonë e pranishme, pavarësisht nga koha apo kushtet e jashtme. Ajo, si një simbol i shpresës, reflekton një realitet të brendshëm të poetit që nuk ndikohet nga jashtë. Te vargu: “Fshin natën në fytyrën time të gjumit / Sjell dritën, dritën që s’ka të dytë.” ajo përfaqëson një dritë të veçantë, “dritën që s’ka të dytë,” që është unike dhe personale. Ky simbol është një mjet për të shprehur një përvojë të brendshme dhe kuptim të thellë që vetëm poeti mund ta përjetojë dhe ta kuptojë plotësisht. Ky është një përdorim i pastër simbolist, ku një element i natyrës (hëna) shndërrohet në një shprehje të kompleksitetit emocional dhe shpirtëror të individit.
  3. Poezia lidhet me modernizmin e vonë, (Neomodernizmin), ei cilipërqendrohet në eksperi-mentimin me formën dhe përmbajtjen, shpesh duke përdorur një gjuhë të sofistikuar dhe abstrakte për të shprehur shqetësimet ekzistenciale. “Hëna ime” përdor një strukturë të thjeshtë por me një përmbajtje simbolike, që është karakteristikë e këtij lloji të modernizmit. Qasja ndaj modernizmit të vonë ose neomodernizmit në poezinë “Hëna ime” të Bejkos shfaqet përmes eksperimentimit me formën, thellësisë simbolike, dhe përqendrimit në përjetimet individuale dhe komplekse të subjektit lirik. Poezia ruan një strukturë të rregullt dhe elemente tradicionale, por në të njëjtën kohë, eksploron ndjenja të thella dhe konflikte të brendshme që janë karakteristika të neomodernizmit. Ja si manifestohet kjo përmes pasazheve specifike:
  4. Modernizmi i vonë shpesh përfshin një eksperimentim me formën dhe përdorimin e gjuhës për të krijuar një efekt poetik të veçantë që reflekton një ndjesi moderne të kompleksitetit dhe ambiguitetit. Psh te pasazhi:”Në ag më troket butë butë në ballë / Me gishta të tejdukshëm m’i çel sytë.”Bejko përdor një imazh të detajuar dhe të sofistikuar që është në kontrast me gjuhën e thjeshtë dhe direkte të soc.realizmit. Gishtat “e tejdukshëm” të hënës që “çel sytë” krijojnë një atmosferë të ëndërrt dhe misterioze, që tregon për një largim nga e zakonëshmia dhe një përqendrim në përjetimin personal dhe subjektiv.2. Aspekt tjetër i neomodernizmit është përzierja e kufijve midis realitetit dhe irrealitetit, mes gjumit dhe zgjimit, që krijon një ndjenjë tensioni të brendshëm dhe të ambiguitetit ekzistencial. Psh vargjet: “Një hënë që asnjëherë nuk e shoh / Fikur diku në kufirin mes gjumit e zgjimit.” pasqyrojnë një përzierje të realitetit dhe ëndrrës, ku hëna ekziston në një hapësirë të ndarë midis dy botëve, duke reflektuar ndjenjën e fragmentimit të përvojës e të vetëdijes, ndjesi e zakonshme në neomodernizëm.3. Modernizmi i vonë fokusohet te introspeksioni dhe përjetimi i ndjenjave të izoluara. Pasazhi:”Vozit dhe në lumin tim të pikëllimit.” shpreh një ndjenjë  pikëllimi dhe vetmie të thellë, ndërsa hëna, lundron në këtë “lum të pikëllimit.” Kjo ndjenjë e izolimit dhe e introspeksionit (introspeksioni është akti i kthimit të vëmendjes brenda vetes për të reflektuar mbi gjendjen e brendshme mendore dhe emocionale). është karakteristikë e modernizmit të vonë, ku poeti merret me pasqyrimin e përvojave të brendshme e emocionale në një mënyrë komplekse dhe të nuancuar.4. Në modernizmin e vonë, ka shpesh një kritikë të heshtur ndaj realitetit të jashtëm. Pasazhi:”Dhe sikur dita të nxinte më terr se nata / Dhe përmbys të gdhihesha në gërmadha.” sugjeron një realitet të përmbysur e të shkatërruar. Ky është një koment mbi kontrastin midis përvojës së brendshme dhe realitetit të jashtëm, një temë e zakonshme në neomodernizëm, ku bota e brendshme shpesh është në konflikt me botën e jashtme.

U ndalëm pak më gjerë te neomodernizmi për të treguar e provuar se muret e soc. realizmit kishin rrënë qysh në vitet 1980 në Shqipëri, një dekatë e ca para se të rrëzoheshin muret e ambasadave në Tiranë dhe me këtë rast ua kemi një borxh mirënjohjeje poetëve dhe artistëve që guxuan në ato vite të “shembnin” ato mure dhe na treguan hapësirat e kaltëra rreth nesh.

V- Ajo që bie në sy në poezinë e Bejkos është struktura dhe forma tradicionale që poeti përdor ndonëse qysh në ukjen e parë shihet se kemi të bëjmë me një poezi moderniste.. Në këtë poezi, ndërthurja e elementeve tradicionale me ato moderniste krijon një tension që thekson sfidën dhe inovacionin e poetit. Le të shohim elementet tradicionale dhe si funksionojnë ato si sfond për modernitetin poetik:

1.Element tradicional është forma e rregullt dhe struktura metrike e vargjeve: Poezia ka një strukturë të rregullt me katër strofa, secila me nga katër vargje me rimë dyshe. Kjo strukturë tradicionale siguron një ritëm të qëndrueshëm dhe një rend formal, që është karakteristikë e poezive tradicionale. Psh pasazhi:”Është një hënë, hëna ime / Më ndrit në netët e verës, në netët e dimrit.” Ku ky çift vargjesh përfaqëson një rend simetrik dhe një përdorim të kujdesshëm të rimës së brendshme, që pasqyron një lidhje me teknikat poetike tradicionale. Ndërrkohë duhet të themi se këto vargje i qasen simbolizmit brenda rrymave moderniste, pse hëna përdoret si simbol me kuptime të shumëfishta, përfaqëson ndriçimin e brendshëm , shpresën, apo një prani shpirtërore që mbetet konstante, pavarësisht stinëve dhe kohës (verës dhe dimrit).

2.Hëna është simbol klasik në poezinë tradicionale, që shpesh përfaqëson dashurinë, misterin, natyrën dhe ndriçimin. Përdorimi i këtij simboli lidhet me një traditë të gjatë poetike, që e bën poezinë të lidhet me të kaluarën. Psh te vargu:”Një hënë që asnjëherë nuk e shoh / Fikur diku në kufirin mes gjumit e zgjimit.” hëna ruan karakterin e saj simbolik tradicional, por është rikonceptuar në kontekst modern, ku kuptimi i saj është i ndërlikuar dhe introspektiv, por ndërkohë duhet të themi se ky varg i qaset surrealizmit, i cili shpesh eksploron realitetet alternative, gjendjet e ndërmjetme të vetëdijes, dhe përzierjen e ëndrrave me realitetin. Këtu, hëna është e vendosur në një hapësirë midis gjumit dhe zgjimit, një gjendje kuptimësisht surrealiste, ku kufijtë midis realitetit dhe fantazisë janë të mjegulluar. Kjo qasje krijon një atmosferë misterioze dhe enigmatike, tipike për surrealizmin, duke nënvizuar tensionin midis të dukshmes dhe të padukshmes, mesdijes dhe pavetëdijes.

3.Ndriçimi dhe errësira janë tema të përhershme në poezinë tradicionale, që përfaqësojnë luftën midis dritës dhe errësirës, të mirës dhe të keqes, njohjes dhe injorancës. Te vargu: “Fshin natën në fytyrën time të gjumit / Sjell dritën, dritën që s’ka të dytë.” kjo tematike është një tjetër element tradicional që në poezinë e Bejkos ruhet, por që i qaset ekspresionizmit. Në këtë varg, errësira dhe drita janë përdorur si simbole të fuqishme që përfaqësojnë luftën e brendshme të poetit, ku drita triumfon mbi natën, duke sjellë një ndriçim absolut (“dritën që s’ka të dytë”). Ky tension dhe intensitet emocional, së bashku me përdorimin e një imazhi të fuqishëm që sfidon realitetin objektiv, janë tipare thelbësore të ekspresionizmit. Pra elementët tradicionalë shërbejnë sis fond poetik për modernitetin e poezisë.

VI- Figurat artistike në poezinë “Hëna ime” janë të ndërlidhura dhe krijojnë një ndërtim kompleks që pasqyron përvojat e brendshme dhe tensionet e poetit. Metafora, personifikimi, simbolizmi, antiteza dhe imagjeria bashkëpunojnë për të krijuar një poezi që është e mbushur me ndjenja dhe ide të thella, duke i dhënë lexuesit një përvojë poetike të pasur dhe të ndërlikuar. Këto  shërbejnë jo vetëm për të zbukuruar gjuhën poetike, por edhe për të thelluar kuptimin dhe për të përforcuar mesazhin e poezisë. Analiza e figurave artistike, ndërtimit dhe funksionit të tyre në poezi na ndihmon të kuptojmë më mirë si poeti përdor gjuhën për të krijuar një efekt emocional dhe intelektual të thellë.

  1. Metafora është një nga figurat artistike kryesore në këtë poezi, që përshkon të gjithë tekstin dhe i jep poezisë një dimension simbolik. Në vargun::”Është një hënë, hëna ime / Më ndrit në netët e verës, në netët e dimrit.”hëna është përdorur si një metaforë për një ndriçim të brendshëm dhe personal. Ajo nuk është një objekt fizik, por simbol për një forcë shpirtërore apo ndjesi e brendshme që ndihmon poetin të përballojë errësirën, qoftë ajo e natës apo e gjendjes shpirtërore. Te vargu:”Fshin natën në fytyrën time të gjumit”nata bëhet një metaforë për gjumin, një gjendje e pavetëdijshme që fshihet kur hëna sjell dritën e saj.
  2. Personifikimi është një tjetër figurë artistike e rëndësishme në poezi, ku hëna trajtohet si një qenie e gjallë me cilësi njerëzore. Te vargu:”Në ag më troket butë butë në ballë / Me gishta të tejdukshëm m’i çel sytë.”hëna personifikohet si një qenie që “troket” dhe “çel sytë” e poetit me “gishta të tejdukshëm.” Kjo i jep hënës një karakter human, duke e afruar më shumë me përvojat dhe ndjenjat e poetit.Personifikimi e bën hënën më të gjallë dhe më të afërt për lexuesin. Ai krijon një lidhje emocionale midis hënës dhe poetit, duke e bërë atë një simbol të fuqishëm të ndihmës dhe përkrahjes që poeti merr në momentet e tij të errëta.

3.Simbolizmi është figura kryesore në këtë poezi, ku hëna simbolizon diçka më të madhe se vetvetja. Psh te vargu:”Vozit dhe në lumin tim të pikëllimit.”Hëna, si një simbol i ndriçimit të brendshëm, lundron në “lumin e pikëllimit” të poetit. Lumi këtu është një metaforë për emocionet e thella dhe pikëllimin që poeti përjeton, ndërsa hëna simbolizon një shpresë ose ndihmë që lundron nëpër këto emocione të vështira. Simbolizmi e ngrit poezinë në një nivel më të lartë abstrakt dhe shpirtëror. Ai lejon që një objekt i thjeshtë natyror, si hëna, të marrë një kuptim më të thellë dhe të ndërlikuar, duke e bërë poezinë një reflektim të fuqishëm mbi përvojat njerëzore dhe ndjenjat e thella.

  1. Antiteza përdoret për të krijuar kontraste të forta që theksojnë tensionet dhe dualitetet e pranishme në poezi. Psh te vargu:”Dhe sikur dita të nxinte më terr se nata / Dhe përmbys të gdhihesha në gërmadha.”poeti përdor kontrastin midis ditës dhe natës për të shprehur një përmbysje të pritshmërive dhe përjetim të mospërputhjes mes realitetit dhe perceptimit.Antiteza e bën poezinë më dramatike dhe thekson ndjenjat e poetit për një botë të përmbysur, ku as dita nuk sjell dritë, dhe zgjimi ndodh në gërmadha. Kjo krijon një ndjenjë të fuqishme të tensionit dhe konflikteve të brendshme, që janë të rëndësishme për kuptimin e poezisë.

5.Imagjeria përdoret për të krijuar imazhe të gjalla dhe të fuqishme që pasqyrojnë ndjenjat dhe përvojat e poetit. Psh te vargu:”Fshin natën në fytyrën time të gjumit / Sjell dritën, dritën që s’ka të dytë.”poeti krijon një imazh të fuqishëm të hënës që fshin natën dhe sjell një dritë të veçantë dhe të papërsëritshme. Ky imazh i fuqishëm ndihmon në krijimin e një atmosfere të qetë dhe reflektuese. Në këtë poezi imagjeria ndihmon në përfshirjen e lexuesit në përvojën e poetit, duke krijuar një lidhje vizuale dhe emocionale me vargjet. Ajo e bën poezinë më të gjallë dhe më të ndjeshme, duke e ndihmuar lexuesin të përjetojë ndjenjat dhe tensionet e poetit. Te vargu: “Me gishta të tejdukshëm m’i çel sytë” krijohet një imazh vizual i hënës me “gishta të tejdukshëm” që “çel” sytë e poetit. Ky imazh është i pasur me ndjenja dhe delikatesë, duke përçuar një moment të qetë dhe të ëmbël të zgjimit shpirtëror, por duhet të dimë që e ka origjinën nga ndërveprimi i personifikimit. Te vargu: “Dhe përmbys të gdhihesha në gërmadha.” imazhi i zgjimit në “gërmadha” krijon një atmosferë dramatike dhe melankolike, duke sjellë para lexuesit një skenë të zymtë dhe të dëshpëruar.

Pra siç po shohim figurat artistike në poezinë “Hëna ime” janë të ndërlidhura mes tyre dhe krijojnë një ndërtim kompleks që pasqyron përvojat e brendshme dhe tensionet e poetit.Këto figura artistike janë ndërtuar me qëllim që të krijojnë një poezi të ndërlikuar dhe të thellë, ku ndjenjat personale dhe përjetimet e poetit përçohen me një ndjesi të fortë estetike dhe shpirtërore. Përmes këtyre figurave, poezia e Bejkos kapërcen kufijtë e zakonshëm të përshkrimit dhe kalon në një dimension simbolik dhe introspektiv.

Në përfundim, mund të themi se poezia “Hëna ime” shpalos një dimension të veçantë të ndjenjës së thellë njerëzore dhe të lidhjeve më të shenjta me artin dhe me njerëzit e dashur, duke krijuar një lidhje të pandashme midis poezisë dhe shpirtit të palëkundur të poetit. Ky angazhim për përsosmëri dhe ndriçim shpirtëror e vendos Sadik Bejkon në një vend të veçantë në poezinë shqipe, duke e bërë atë një zë të rëndësishëm në përballjen me sfidat e kohës.Kjo poezi mund të shihet si një manifest poetik i qëndresës ndaj diktaturës, ku përmes fuqisë simbolike të hënës, Bejko i jep zë shpirtit të tij rezistent, duke u përballur me errësirën e kohës me një dritë që nuk shterohet kurrë. Kjo poezi reflekton një modernizëm të vonë, të ndjeshëm ndaj ndjenjave personale, por gjithashtu i hapur ndaj temave universale si liria, dashuria dhe e drejta për të krijuar.

Në këtë mënyrë, kontributi i Sadik Bejkos në poezinë shqipe mbetet i veçantë, duke shërbyer si një shembull i fuqisë së artit për të qëndruar përballë çdo lloj errësire. Përmes kësaj poezie dhe veprës së tij në tërësi, Bejko tregon një angazhim ndaj vlerave njerëzore dhe përkushtim të palëkundur ndaj artit si një mjet qëndrese dhe shprese, duke lënë pas një trashëgimi poetike që frymëzon përtej kohës dhe hapësirës. Ndaj themi se kontributi i tij në poezinë shqipe mbetet i veçantë, dhe shërben si një shembull i fuqisë së artit për të qëndruar përballë çdo lloj errësire.

Sarandë, më gusht 2024

Sadik Bejko

HËNA  IME

Është një hënë, hëna ime

Më ndrit në netët e verës, në netët e dimrit.

Më ndrit në terr… nën lëkurë

Që nga kufinjtë e pakuptimit.

Në ag më troket butë butë në ballë

Me gishta të tejdukshëm m’i çel sytë

Fshin natën në fytyrën time të gjumit

Sjell dritën, dritën që s’ka të dytë.

Një hënë që asnjëherë nuk e shoh

Fikur diku në kufirin mes gjumit e zgjimit.

Po s’është në qiell, është tek unë

Vozit dhe në lumin tim të pikëllimit.

Është hëna, vetëm për mua, hëna ime,

Me të përbrenda i gjej gjithmonë zgjimet

Dhe sikur dita të nxinte më terr se nata_

Dhe përmbys të gdhihesha në gërmadha.

1980

Te libri “Si vdes gruri” Tiranë 1994 f.56

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok