21/12/2024
Visar-Zhiti

MBI MASAKËR, KUJTESË DHE ART…

Nga Visar Zhiti

Sot shumë njerëz kujtuan atë që nuk e kujtojnë të gjithë, por që nuk harrohet dot… atë genocit të tmerrshëm ndaj shqiptarëve në Çamërinë e tyre, që u përndez me gjak e hekur në 27 qershor 1944, por fatkeqësisht ka patur dhe më parë e më pas…

Institucionet jo se i ulën flamujt në gjysmë-shtizë, por instutucioni i kujtesës, ai kolektiv nuk mposhtet. Kështu është dhe poezia…

Arti që i përgjigjet masakrës. Shembujt janë të shumtë e tronditës. Thjeshtë po dua të kujtoj piktorin çam, atë me njohje botërore, Abedin Dino, te shtatorja e tij shoh dinjitet njerëzor dhe mendim. Dhe mora të shfletoj sërisht Antologjinë Poetike “Eni vjen prej Çamërie”, që na la poeti i dashur nga Kosova Ali Podrimja. Nis me vajet çame, ato të popullit. Dhe pastaj poetët, nga të gjitha trevat shqiptare, Veri e Jug, përtej kufijve të padrejtësive të historisë: ja, De Rada e Vaso Pasha, Naimi  e At’ Gjergj Fishta, rilindja e deri te poezia e re, që për temën çame kulmoi me Bilal Xhaferrin e pafat, i cili u arratis nga Shqipëria diktatoriale dhe erdhi këtu në Chicago e para se të vdiste (në rrethana të paqarta), i dogjën dhe banesën, me dorëshkrime plot dhe gazetën çame “Krahu i Shqiponjës”. Dyshohet se vepronte Sigurimi i Shtetit të dikurshëm shqiptar. Kështu më thotë dhe bashkëvuajtësi im çam Kaso Hoxha, që e ka njohur dhe takohemi herë pas here…

Po të kthehemi te Naimi ynë, poet dhe profet Shqipëribërës, që kur këndon, i drejtohet dhe çamçe dallëndyshes së tij metaforike:

“A mos vjen nga Shqipëria? Eni vjen prej Çamërie, /

Me këto milëra fjalë e me gluhë Perëndie?”.

Të tillë e cilëson gjuhën shqipe… Që të mos futemi në mitologji, por prej andej, nga Çamëria, vjen dhe dhëmbja e madhe si dhe porositë për të mos harruar. Në vitet e Luftës II Botërore dhe im atë shkruante:

“Kujto Kosovën, Çamërinë e shkretë,

Ëndërruan lirinë, u bënë ëndërr vetë.”

Podrimja zgjodhi poezi dhe nga unë për antologjinë. Në librat e mi të burgut flas dhe për bashkëvuajtësit çamë, mikun Hasan Bajo e Mond Sejko e Latif Sadiku, po unë i kam bërë dhe parathënien Kujtimeve të Kaso Hoxhës, të porsa botuara.

Le të kthehemi te poezia, te Antologjia çame e Podrimjes. E ka ilustruar me disa skica nga piktori Abedin Dino. Dua të tregoj paksa për të: lindi në Stamboll dhe vdiq në Paris, mik me të mëdhenjtë, me Omer Kaleshin e Kodrën, deri dhe të Pikasso e me poetët bashkëkohorë botërorë si Nazim Hikmet e Tristan Tzara e romancieri Jashar Qemal. etj. Ai ishte mik me turq e grekë, francezë e rusë (studioi dhe në Rusi), me italianë e gjermanë e amerikanë, etj. Po i them të gjitha këto për fatin e njeriut çam, për të treguar dhe aftêsitë e shqiptarëve të lirë. Ndërkaq në pikturën e Dinos është dhe dhimbja çame. E kujtojmë këtë dhimbje jo për të urryer, por për të dashur, që duke e njohur të vërtetën, të ndreqen padrejtësitë, që popujt të rrojnë pranë njeri-tjetrit në harmoni e bashkëpunim, kështu siç do të duhej të na mësonin dhe në shkolla…. Por po dua ta mbyll duke thënë se toka çame është plot me elegji e legjenda e me ullinj, me trungjet si me plagë, ndërsa degët e tyre thonë fjalë të blerta për paqe… që janë dhe poezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok