23/12/2024

Dom Lush Gjergji në Parlamentin Europian: Kush ishte, është dhe do të jetë për mua Dr. Ibrahim Rugova?

0
Lush-Gjergji-PE

Fjalimi i Dom Lush Gjergjit në Akademinë Përkujtimore në Parlamentin Europian, kushtuar Presidentit Ibrahim Rugova, më 5 Shkurt, 2024 në Strasbourg

Kush ishte, është dhe do të jetë për mua Dr. Ibrahim Rugova?

Nga Dom Lush Gjergji

Pas 18 viteve të vdekjes, 80 viteve të lindjes, këndvështrimeve dhe analizave të llojllojshme, për mua pyetja thelbësore dhe qendrore është dhe mbetet kjo: kush ishte, është dhe do të jetë për mua,  Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova?

Përkufizimi për mua është i domosdoshëm, sepse në asnjë mënyrë përvojën, njohuritë, bashkëpunimin, miqësinë dhe vëllazërinë shumëvjeçare  time me Te, nuk dëshiroj t’ua imponoj askujt, sipas parimit të vjetër latin: Quot capita, tot sentetiae, sa koka, aq edhe mendime.

Nisur nga këto dy parime të qarta dhe të domosdoshme, për mua Dr. Ibrahim  Rugova ishte së pari fryt i Provanisë hyjnore, pastaj edhe i historisë dhe rrethanave të atëhershme dramatike, që ishin pyetje mes jetës dhe vdekjes, dritës dhe territ, të mirës dhe të keqes, lirisë dhe robërisë, gënjeshtrës dhe të vërtetës, demokracisë apo diktaturës, qenies apo shkatërrimit, apo në stili shekspirian: të jesh apo mos të jesh!

Dr. Ibrahim Rugova, me Të ne Shqiptarët e Kosovës, edhe më gjerë, ishim në anën e jetës, drejtësisë, dritës, lirisë, demokracisë, pavarësisë, me mjete paqësore dhe jodhunore.

Deri te këto vlerësime, përcaktime, vendosje, orientime të guximshme dhe largpamëse, ai nuk arriti rastësisht, për me një rrugëtim të gjatë dhe të mundimshëm filozofik, botëkuptimor dhe jetësor, duke analizuar mirë dhe në hollësi historinë tonë ilire, arbërore dhe shqiptare, si edhe atë të Mesdheut, Evropës dhe të botës, në stilin e Gandit, Martin Luter Kinguta, Havelit, sidomos të Papës Gjon Pali II dhe Nënës Tereze.

Pikënisja e tij ishte mjaft pragmatike: më mirë gomar i gjallë, se ari i cofur, që me fjalë tjera domethënë ruajtja me çdo kusht e Popullit, sipas parimit të Shën Nënës Tereze: Jepe pjesën më të mirë të vetvetes.

Ai pohonte këtë me këto fjalë: “Arma jonë e fuqishme është lashtësia, tradita, kultura, rrënjët dhe identiteti ynë, si dhe rina jonë… Intelektualët shqiptarë duan të jenë në shërbim të Popullit. Çka na duhet Kosova e përgjysmuar nga masakrimet apo përjashtimet?… Tani është e rëndësishme ta shpëtojmë Popullin. Do të kërkojmë prej bashkësisë ndërkombëtare një fazë kalimtare, protektoratin ndërkombëtar për disa vite, pastaj do të punojmë së bashku për pavarësinë e Kosovës… Në mua kanë ndikuar shumë pozitivisht dy personalitete: Papa  Gjon Pali II dhe Nëna Tereze…”

Prandaj, ai ishte dhe mbetet vizionar, “vegimtar”, në një mënyrë edhe “profet”, arkitekt,  Presidenti historik i Kosovës së lirë dhe të pavarur, demokratike, të hapur ndaj të gjithëve, Beogradit dhe Tiranës, gjithnjë në kërkim të bisedimit, dialogut dhe komunikimit, për të mirën, të drejtën, të vërtetën, mbi të gjitha jetën dhe dashurinë, që janë hallka që e përbëjnë zinxhirin e përbashkët historik dhe aktual.

Kurrë nuk do ta harroj parimi e tij jetësor: “Nëse bota na njeh se kush kemi qenë dhe jemi, çka duam dhe si duam të arrijmë atë, atëherë bota do të jetë me ne, sepse me ne është lashtësia, historia, tradita, kultura, qytetërimi, krishterimi ynë shumëshekullor, mbi të gjitha jeta dhe drejtësia, barazia… Ne duam të kërkojmë mënyra njerëzore dhe demokratike që të na pranojnë për atë çka jemi e pa e dëmtuar askënd… Populli nga përvoja na mëson dhe orienton: E mira vjen ngadalë, ndërsa e keqja shpejt…”

Dhe ndodhi historia – mrekullia, bota e madhe ishte me ne, Kosovën e vogël, me Popullin tonë, sepse parimet, qëndrimet, çështja jonë u bë shqyrtim i ndërgjegjes së mbarë njerëzimit.

Mendja e tij largpamëse, zemra e tij e madhe,  kultura dhe qytetërimi i tij njerëzor dhe kombëtar, ia mundësuan që Dr. Ibrahim Rugova të ishte i kohës dhe me kohë, por edhe në vlerësimin e së kaluarës, historisë, lashtësisë dhe martirizimit, si dhe në projektimin e së ardhmërisë, lirisë, demokracisë dhe pavarësisë, në dobi dhe të mirë te të gjithëve.

Parimet si: “Në anën tonë është e vërteta, historia, toka e Kosovës, Populli… Strategjia paqësore dhe jodhunore është zgjidhje dhe nevojë për ta dëshmuar se jemi Popull që ka zgjedhur paqen me mjete paqësore  dhe jodhunore… Jodhuna është një mënyrë, pasi që ne kemi mbetur pa polici, pa parlament, pa qeveri, sepse serbët i kanë dëbuar shqiptarët nga këto institucione. Megjithatë strategjia paqësore dhe jodhunore  është më tepër një përcaktim se një nevojë, në mënyrë që bota ta hetojë se jemi të nëpërkëmbur dhe të vetmuar nga të gjithë…” (Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Resistenza nonviolenta nella ex – Jugoslavia, EMI Bologna, 1993, f. 29 -30).

Kjo mënyrë, formë, strategji është dëshmuar që ishte më e mira, bile edhe e vetmja, për t’iu shmangur përgjysmimit apo dëbimit të Popullit, për t’i ikur masakrimeve dhe shfarosjes tonë.

Dr. Ibrahim Rugova nuk “diti” dhe nuk deshi kurrë të mbrohet, por guximisht, urtisht dhe me shumë sukses e kudo e mbrojti Populli shqiptar, sidomos Kosovën tonë. Ai nuk “diti” dhe deshi kurrë ta sulmonte askënd, përpos të keqes, padrejtësinë, diktaturën, urrejtjen, rrenën, mashtrimin, dhe atë gjithnjë me fuqinë e së Vërtetës dhe të Dashurisë, me strategjinë këmbëngulëse dhe frymëzuese të faljes, pajtimit, bashkëpunimit dhe bashkëjetesës me të gjithë.

Vlerësimi im për Dr. Ibrahim Rugovën është ky: Dikush shkruan histori, dikush mbetet në histori, dikush është histori. Dr. Ibrahim Rugova shkruan histori, mbeti në histori, dhe çka është edhe më e rëndësishme, Ai për mua, është historik dhe mrekulli, e tashmja dhe e ardhmja jonë, Gandi “shqiptar”, udhërrëfyesi dhe frymëzuesi i lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë.

Parlamenti Evropian:

Prishtinë–Strasburg, 5shkurt 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok