02/05/2024

U bëfsh 1000 vjeçe, Tirona ime!

0

Nga Elvi Sidheri

Tirona është e tillë, kaq unike në çdo nuancë të shumanshmërisë së qytetarisë së saj, saqë të gjithëve pa përjashtim, na bën të ndihemi bij të saj, qoftë nëse, si stërgjyshërit e mi, katër breza më parë, kemi ardhur në këtë qytet të bekuar njerëzish të butë, të ëmbël, mikpritës e shpirtmirë, kur ajo do të shpallej kryeqytet nga patriotët largpamës pas Kogresit (shpëtimtar për fatet e Shqipërisë) të Lushnjes, në vitin 1920, qoftë nëse në këtë qytet kemi lëshuar rrënjë qysh pas rithemelimit nga Bargjinët, qoftë po të kemi ardhur bashkë me Llacifacët në agun e shekullit XIX, qoftë me dibranët (nga të dyja Dibrat, pas Luftës së Parë Botërore), qoftë në kohë të Mbretit Zog, bashkë me parinë dhe fisnikërinë e qytetëruar që ndërtoi Tiranën bashkëkohore, e gjithashtu hodhi themelet e shtetit shqiptar, në arsim, shëndetësi, ekonomi e kulturë, qoftë me partizanët në 1944, qoftë pas vërshimit drejt Tiranës në 1991 nga veriu, e në 1997 nga jugu.

Tirana është zemra e Shqipërisë së sotme aspak rastësisht, por sepse shpirti i saj është aq i madh, saqë ka vend për këdo që e shpie udha gjer në kryeqytet, duke na përkundur të tërëve në krahët e saj, duke na bërë të flasim në dialekt tirons të gjithë, paçka se mund të kemi prejardhje nga Labëria e thellë, nga Korça, Mallakastra, Çamëria, Shkodra, Kukësi, Kosova, Tropoja, Puka, Shkupi e Ohri.

Tirana të birëson vetvetiu, të mëson me vlerat e kulturën e saj mendjehapur, ta melodizon të folurën me dialektin e vet të hareshëm, t’i miklon shijet me Tavë Dheje e Caraca, ta grish kureshtjen me emërtimet e saj të pashoqe, nga Bërryli te Zogu i Zi, 21-shi e Xhomlliku, ta çjerr fytin në stadium për Tironën e Partizonin (edhe Dinamon për disa të paktë), e të bashkon në mirësi gjithmonë.

U bëfsh 1000 vjeçe, Tirona ime!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok