DITA BOTËRORE E LIBRIT, PANTEONI DHE SHKRIMTARI QË IKU SOT…
– Nderim Akademikut Rexhep Qosja –
Nga Visar Zhiti
Teksa më shfaqet imazhi i një tempulli librash, befas lexoj se është shuar sot Akademik Rexhep Qosja… Gjithandej shkruajnë lexues, dashamirës të shumtë, kolegë dhe kritikë të tij, etj. Sipas njoftimit familjar, porosia e Shkrimtarit ishte të mos kishte ceremoni zyrtare, heshtje dhe zi në shtëpinë e tij.
Po Rexhep Qosja ka një emër zulmëmadh dhe shtëpia e tij është Letërsia Shqipe, që ai e përfytyronte si një panteon, kolonat e të cilit po rralloheshin.
Dhe unë kam shkruar dikur:
KOLONË NË PANTEONIN
E LETRAVE SHQIPE…
Nderim akademikut Rexhep Qosja, studiues dhe kritik letrar i fuqishëm, prozator me tregime, romane dhe drama që kanë shenjuar ecuri në modernitetin e letërsisë së sotme…
Dhe fjala e tij përbën qendresë për Republikën e Kosovës, mendim rilindas dhe forcë, pjesë e lirisë dhe e ardhmërisë…
Veprat e tij krijojnë kohë dhe identitet Kombëtar, paradigmë dhe gjuhë…
Sigurisht që mund të mos ishim në një mendje për çështje dhe qendrime, jo vetëm politike dhe ideore, madje dhe kundërshtarë sidomos në raportet me diktatorin Hoxha të Shqipërisë, me ‘97 apo me lidershpin e Republikës së Kosovës, por mund të them se ai i dha letërsisë dhe kultures Kombëtare shumë. Ta mendosh që jetoi dhe punoi në Prishtinë, në Jugosllavinë e dikurshme, regjimi sundues i së cilës, edhe pse liberal dhe vetadministrativ, ishte me pasoja dhe trauma për shqiptarët dhe për më pas, prandaj mbetet akt i madh, sublim dhe historik që letërsia dhe artet në Kosovë qendruan, që u shkruajt shqip me dashuri për dheun amë dhe arritën të japin metaforën e një identeti modern shqiptar.
Ishte koha e mbylljes dhe ndalesave kur mësuam emrin e Rexhep Qoses dhe lexuan romanin e tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë”. Dhe e deshëm…
Do ta takoja në Prishtinë dhe në Tiranë, në panaire të librit, autoritar, fjalëfortë.
E kujtoj në përurimin e librit tim me poezi “Si shkohet në Kosovë”, në rreshtin e parë, pranë kundërshtarëve të tij politikë, libri na bashkon, thashë… biseduam… kemi shkëmbyer mesazhe, rrallë, por vlerësimet e tij mbeten si gurë të çmuar për mua.
Dhe ata sytë e atillë prej nga vinte vdekja duket se ende vëzhgojnë
vëngër, të mjegulluar, por prapë të rrezikshëm, që, përveç të tjerash, arrijnë të pengojnë emra dhe libra, jo si në diktaturat e tyre, por me forma të tjera, madje demokratike, të konvertuara…
Profesor Rexhep Qosja e pranoi letërsinë tjetër që erdhi nga burgjet dhe internimet…
Dhe ka një Panteon të Nëndheshëm, – ky është dhe titulli i një studimi që kam bërë për letërsinë e dënuar, që gërmimet po e bëjnë të duket…
PARTENONI TJETËR
I LIBRAVE
Dhe më ndërmendet një vepër arti e çuditëshme, si Partenoni – një instalacion nga skulptorja argjentinase Marta Minujuin.
U ngrit në Gjermani, në qytetin Kassel, me 100 mijë libra të ndaluar, nga nazifashizmi, ku përfshiheshin 170 tituj të deriatëhershëm, pjesa dërrmuese e librave u dhuruan nga vetë vendasit dhe u vizitua nga dhjetramijëra qytetarë.
Partenon me kolonat dorike prej librash, çatia trekëndore – pedimenti, – i gjithë prej librash, ngrehinë stërmadhe librash të ndaluar, që do t’i shtonin diktaturat komuniste më pas…
* * *
Shkrimtari Rexhep Qosja më shfaqet tani në studion e tij dhe me dorë mënjanon perden e dritares dhe shikon andej nga ku nuk lejohej…
…dhe nëse përdorim një metaforë të tij, ai vetë u bë kolonë në panteonin e letrave shqipe.
