DIALOGU I SHPIRTIT ME TË PËRJETËSHMEN
Nga Timo Mërkuri
Poezia e Luan Ramës “Ti shkruaje në koma”, e rrallë në llojin e saj në letërsinë shqipe ofron një reflektim të thellë mbi marrëdhënien e poetit me artin dhe shpirtin e tij, duke ilustruar një dukuri estetike unike: praninë e poezisë si thelb shpirtëror që mbijeton përtej kufijve të vetëdijes,në ëndërr, madje edhe në koma. Në këtë poezi, vargjet bëhen dëshmi e një ekzistence të përjetshme të ndjenjave dhe përjetimeve më të thella të poetit, duke u shfaqur si frymëmarrje e shpirtit të tij në një gjendje ku trupi duket i ndalur. Fenomeni kur gjatë gjumit, ëndrrave apo komës individëve u shfaqen krijime artistike apo zgjidhje intelektuale njihet si iluminim apo zbulim intuitiv në pavetëdije. Ky proces është pjesë e veprimtarisë së trurit dhe lidhet me mënyrën sesi pavetëdija punon për të integruar dhe përpunuar informacionin ose për të zbutur trysninë emndore të artistit dhe në këtë rast quhet shkencërisht “Procesimi i pavetëdijshëm” pse truri punon në sfond gjatë gjumit apo gjendjes së pavetëdijshme, koma për të zgjidhur probleme apo për të krijuar. Unë nuk e di dhe poeti nuk na e sqaron në se kjo gjendje e poetes paciente ishte midis komës dhe daljes prej saj (zgjimit), kohë në të cilën mendimet dhe idetë shfaqen në mënyrë spontane dhe fenomeni në këtë rast quhet “hipnagogjia” dhe është e njëjtë me periudhën midis gjumit dhe zgjimit. Shumë artistë e shkencëtarë kanë raportuar frymëzim në këtë gjendje. Psh. Dmitri Mendeleev, i cili pa në ëndërr tabelën periodike. Po kështuu Paul McCartney, këmngëtar, kompozitor dhe istrumentist britanik, I njohur si antar I grupit të famshëm The Beatles që krijoi melodinë e këngës së famëshme “Yesterday” gjatë një ëndrre. Po ashtu dhe shkrimtarja britanike Mary Shelley, gjeti frymëzim për romanin Frankenstein nga një ëndërr. Në rastin e poetes që frymëzoi Luan Ramën ky fenomen mund të shfaqet dhe shprehet si manifestim i shpirtit krijues që triumfon mbi vetëdijen, duke dëshmuar se krijimtaria artistike është një akt i thellë shpirtëror dhe jo vetëm racional. Është mjeshtëri e Luan Ramës gjetja dhe trajtimi i një fryme të tillë poetike dhe talent i tij niveli i ndërtimit të kësaj poezie.
I-Poezia shfaqet si pjesë shpirtërore e jetës në një situatë ku subjekti lirik vazhdon të krijojë, edhe pse fizikisht është i shtrënguar nga koma. Kjo përforcon idenë se poezia është më shumë se një veprim fizik; ajo është një akt shpirtëror që tejkalon vetëdijen. Në vargjet:
“Ti shkruaje në koma
nën një dritë të bardhë neoni
vargje që ndereshin në ajër…”
poeti paraqet një atmosferë eterike, ku krijimi poetik ndodh në një hapësirë të paprekshme, madje të padukshme. Kjo “dritë e bardhë neoni” simbolizon ndriçimin e pavetëdijshëm të shpirtit, ndërsa “vargjet që ndereshin në ajër” tregojnë lidhjen e pandashme të poetit me frymëzimin e tij.
II-Dukuria estetike e poezisë që lind edhe në koma shfaqet si dialog me të paprekshmen. Vargjet:
“Kushedi në ç’qiell janë këto re,
mërmërima shpirti e shenjti…”
tregojnë sesi poezia buron nga thellësitë e shpirtit, dhe si e tillë ajo merr forma mistike dhe metafizike. Subjekti lirik këtu ndien një lidhje të brendshme me universin, ku vetë fjalët bëhen “shkronja argjendi” që ndriçojnë edhe sytë e mbyllur, duke ilustruar fuqinë transformuese të poezisë.
Kam njohur dhe bashkëbiseduar me poetë që e kanë përjetuar situate të ngjashme, që procesin e krijimit të ndonjë vargu apo strofe poezie në ëndërr e kanë shpjeguar si një “Moment Eureka”, shpërthimi i beftë, si ai i Arkimendit në zbulimin e tij të famshëm, por në rastin tone kemi një ndryshim, poetja gjatë komës krijonte poezi në mënyrë të vazhdueshme, ndonëse të pavetëdijëshme. Veçse duhet të themi se ka dy elemente në këtë rast që e shpjegojnë fenomenin e krijimit poetik: ajo është poete dhe krijimi i poezive shpesh krijon një tension të jashtëzakonshëm shpirtëror e mendnor gjatë krijimit, dhe në rastin tonë trysnia e parakomës dhe ajo gjatë kohës, të cilës ju shtua dhe sëmundja arriti nivelet maksimale dhe kërkonte një “valvul shkarkimi”. Ishte krijimi i poezive valvola nga u zbraz trysnia e brendëshme e saj. Ky moment i shkarkimit krijoi ato drita neoni dhe pyetjen për qiellin dhe rete, ky moment ishte shpëtimi i saj, pavarësisht nivelit të poezisë që krijoi.
III-Poezia shfaqet si kujtesë dhe dëshmi e dashurisë. Në koma, subjekti lirik shfaq nostalgji për njerëzit dhe përvojat që ka humbur, madje ai i shfaq këto ndjenja si mall të pafund, duke numëruar kohën dhe ndier praninë e dashurisë së dikurshme. Duhet të dimë se pacienti në koma ndjen e përjeton, kujton e dëgjon të pranishmit çfarë thonë, por nuk reagon, madje pas daljes nga koma i kujtohen një pjesë e tyre. Vargjet:
“Sa shumë ju ndjej të dashurit e mi nën këtë qiell akuarel,
ndjej frymën dhe aromën tuaj…”
krijojnë një peizazh emocional ku poezia bëhet mjeti për të mbajtur gjallë kujtimet dhe lidhjet shpirtërore. Ju rikujtoj gjëndjen në koma të heroinës, për të cilën na lindi qysh tani dëshira për t’a njohur e takuar. Sigurisht që dëshirojmë të vijojë të shkruajë, por jo të vuajë si gjer tani.
IV- Poezia shfaqet në hapësirat e përtej jetës , si vazhdimësi Kur “porta e jetës” hapet, poezia nuk zhduket, por kthehet në një formë të gjelbër, të gjallë, që simbolizon rigjallërimin dhe vazhdimësinë përtej jetës fizike:
“Jo krizantema,
por lule të gjelbërta nga bota e tej-jetës…”
Kemi dëgjuar shpesh të tregojnë për njerëz që patën një përjetim pushim zemre, apo “vdekje të përkohëshme” apo prag vdekje të flasin për drita të bardha që ju faniten, për fusha të gjelbëra e lumenj kristal të pastër, diçka parajsore, thua se ata ishin te porta e saj dhe hodhën vështrimin brenda. Ne skemi pse të mos i besojmë ata, por ne duhet të besojmë dhe poteen tonë që dhe aty ku ishte, (boll e përmendëm situatën mjekësore të saj) ajo vijonte të krijonte poezinë e saj, madje ka krijuar edhe disa vargje të brilantta.Kjo do të thotë se poezia nuk është vetëm një akt i kësaj bote, por një zë i përhershëm që mbijeton edhe përtej saj, duke dëshmuar pavdekësinë e shpirtit poetik.
IV-Estetikisht, kjo poezi ndërthur simbolizmin me një ndjeshmëri të lartë shpirtërore. Përmes përdorimit të figurave të tilla si metafora (“shkronja argjendi,” “qiell akuarel”) dhe personifikimi (“lutjet e pemëve”), poeti krijon një hapësirë ku realja dhe e paprekshmja ndërthuren. Poezia, përmes tonalitetit të saj të qetë dhe meditative, ndërton një realitet ku fryma poetike triumfon mbi kufizimet fizike.
Kështu ky krijim i Luan Ramës dëshmon se poezia është një formë e pavdekshme e shprehjes shpirtërore, e cila vazhdon të pulsojë edhe në kushtet më ekstreme. E thënë ndryshe, sshprehja shpirtërore jeton përjetësisht në poezi si hspirti I njeriut në parajsë. Në këtë kontekst, poezia bëhet një lidhje me thelbin më të pastër të qenies dhe një mjet për të komunikuar me universin dhe kujtimet, duke mbajtur gjallë ndjenjat më të dashura të jetës. Është për t’u përshëndetur kjo poezi e Ramës, siç e thamë, e para në llojin e saj në letërsinë shqipe, që shpalos hapësira të reja poezie. Me këtë rast duhet të përshëndesim talentin dhe vizionin e tij mjeshtëror. Sinqerisht është një poezi që të ve në mendime për bashkëjetesën e poezisë me shpirtin në pavetëdijen e njeriut, e pse jo (do na pëlqente shumë) dhe në botën e përtejme. Duhet të guxojmë të ëndërrojmë, vetëm atëherë fitojmë.
Sarandë, më 26 nëntor 2024
________
Luan Rama
Ti shkruaje në koma…
Poetes Sh. K. që dhe në koma poezia pulsonte në shpirtin e saj
Ti shkruaje në koma
nën një dritë të bardhë neoni
vargje që ndereshin në ajër
dhe thoje : “kushedi në ç’qiell janë këto re,
mërmërima shpirti e shenjti,
këto shkronja argjendi që bien
mbi sytë e mi të mbyllur ».
Kështu i thoje ti lutjet e pemëve
lutjet e pengjeve që flladi i tundëte tutje si fenerë
për të kujtuar atë çka s’munde të bëje,
atë çka s’munde të doje,
duke parë symbyllurazi njerëzit që s’i kishe më
në pagjumësinë e madhe dhe rrjedhën e paqtë
të gjakut që s’donte të ndalej,
shikoje shtëpi që ngjiteshin në qiell
duke dashur të ngjiteshe dhe ti lart
mbi çatitë e magjisë së jetës,
numuroje orët
kur dita dhe nata kishin bërë paktin e tyre
të ngjizeshin në një,
dhe në këtë mos-kohë
ti vazhdoje të shkruaje poezi në eter
me zanore farfuritëse për dashurinë e vjetër
dhe mallin e botës,
“sa shumë ju ndjej të dashurit e mi nën këtë qiell akuarel,
ndjej frymën dhe aromën tuaj
aromë gruri dhe bari,
ku veç lulëkuqe shoh mbi buzët tuaja »…
E kur porta e jetës tu hap
vargjet sërish tu shfaqën,
jo krizantema,
por lule të gjelbërta nga bota e tej-jetës,
shpirti yt nuk i kishte harruar,
as fryma…