09/12/2024

TAKIM ME ARKITEKTIN FLAMUR DOLI

0
Mehmeti-Doli

Prof. Dr. Flamur Doli: Kullat shqiptare, simboli i veçantë i banimit dhe mbrojtës. Rindërtimi i tyre, bashkim shpirtëror gjeneratave në mbëltimin e dashurisë dhe respektit ndaj të kaluarës sonë.  Arkitektura shqiptare vlerë botëror e stilit të veçantë  .

…  ndër të parët studiues në arkitekturën tradicionale shqiptare shekujve

Nga Hazir Mehmeti, Vjenë

Nga miku im, Bedrit Tahiri mësova se, interesimi im për rindërtimin e kullës së stërgjyshit do pasurohej me takimin e profesionistëve arkitekt me përvojë në Kosovë. Ai si veprimtar i dalluar në realizimin e disa projekteve në ndërtimin e disa monumenteve historike të shkatërruara nga barbaria pushtuese, më sugjeroj të njihesha me profesor Flamur Dolin, të cilin ai e njihte prej shumë vitesh.   Kontaktet rrodhen përmes postës elektronike dhe u pëlqyem të takohemi të tretë në kryeqytet. Ishte kënaqësi njohja me njeriun e sinqertë dhe vlerësues në çdo gjë pozitive tek të tjerët edhe të mikut tim i cili ishte nyja e takimit tonë.  Prof. Flamurin e njohin të gjithë ata që ndërtuan dhe ndërtojnë shtëpi shqiptare nga gurët e gdhendur me aq mjeshtëri shekujve. Dhe, derisa ne prisnim të porositnim kafe, para derës së qelqtë të restorantit u pa njeriu me çantën e një arkitekti varur në krah dhe syze që shkëlqenin nga larg.
Kafet i porositëm së bashku të tretë, duke shtuar këtu shishe uji rugove në freskimin tonë mesdite nga rruga që kishim bërë nga fshati rrëzë bjeshke deri këtu në zemër të Prishtinës.
Më vjen mirë që po ju takoj, – i them, duke e falënderuar mikun tim dhe të profesorit, për kujdesin e tij në njohjen tonë.  Kam lexuar për ju në shtypin elektronik, më vjen mirë për kontributin tuaj në historinë e arkitekturës kombëtare. Kjo më bënë të lumtur tani kur shumica e objekteve me vlera historike të shkatërruara nga barbaria pushtuese, kanë mundësi meremetim apo rindërtimi. Armiku e deshi shkatërrimin e gjurmëve tona shekullore, e dëshironte vrasjen e kujtesës sonë kombëtare.  Kësaj i ndihmoj edhe pakujdesia jonë, injoranca e jonë në pakujdesi ndaj ndërtimeve tona shekullore, – them duke dashur ta zgjeroj pak bisedën tonë dhe të hap rrugë qëllimit të takimit tonë.    Të dy miqtë miratuan mendimin tim që dëgjuan.   Unë do ta plotësoja këtë me argumentet e mia, – e vazhdoi arkitekti dhe nga çanta e tij i vogël, një çantë fletësh dhe lapsash forma të ndryshme e cila nuk lente të kuptohej se brenda ka gjëra tjera. E hapi çantën dhe nxori librin e tij  në anglisht, e vuri mbi tavolinën e vogël mes filxhanëve të kafeve.  Libri shkëlqente me ballinën e saj stolisur nga figura artistike kulti të gdhendura me kujdes shekujve nga dora e mjeshtrit të popullit; diellori, gjarpri, shqiponja, kryq e figura gjeometrike të lashta, shumë të lashta shekujve që flasin e porosisin kohëve.  Në brendësinë time shpirtërore u zgjua malli për kullën time ku linda dhe u rrita,  ringjallën figurat e gdhendura në gurët e oxhakut me gjithë misterin e tyre ushqyes të fantazisë sime fëmijërore derisa mbyllja qepallat para gjumit. Deshifrimi i tyre ishte një ëndërr e fshehur thellë në heshtjen dhe madhështinë e kullës ku fshihej kodi i mistershëm deshifrues i jetës sonë. Njëkohësisht, u zgjua dëshira që bota të di e të kuptoj sa më shumë për ne, arkitekturën tonë, njerëzit e zgjuar mjeshtër të përsosur, artistë të gdhendjes në gurë që flasin. “Ky libër do duhej të ishte në Bibliotekën Nacionale të Austrisë, aty ku unë e kaloj kohë leximi”.   E mora librin e rëndë, e shfletova shkurtas nga kureshtja e cila më gërryente.

Sërish e lash librin dhe  u ktheva në bisedë.   Arkitekti foli me respekt nga përvoja e tij në projekte të shumta rindërtimi e ndërtimin e kullave sipas lapsit të tij të zgjuar. Foli mbi konferencat shkencore, kongreset, ekspozitat, projektet, ligjëratat e shumë tema tjera nga jeta e tij.  Ne dëgjonim gojëhapur ato që kurrë nuk i kishim ditur nga lëmi i arkitekturës shqiptare për të cilën profesori kishte dhënë shumë në njohjen e tyre konferencave shkencore gjithandej kontinentit. Kuvendimit tonë iu bashkëngjit edhe Profesori i nderuar Isak Shema.

Kulla

Qëllimi i takimit ishte kulla. Porosia e gjyshit ishte shkruar mureve të gurta të kullës ku unë linda, u rrita dhe u burrërova. Nami i saj na përcolli deri në vitet tetëdhjeta kur mbarova normalen dhe nisa studimet, atëherë ku kulla u rrënua.  Ishte kohë e mbijetesës sonë në robëri dhe çdo nismë për rindërtim ishte e pamundur, por amaneti i saj nuk harrohej, ishte shekullor. “Kurdo që mundeni, kushdo nga ju që vini gjakut tonë, do ta keni bekimin tonë në ruajtjen dhe mbrojtjen e kullës, amanet shekujve”.    Këto porosi rrodhen gjeneratave, trualli i kullës po ringjallej në liri me ndërtime e rindërtime fuqishëm.  Në ëndërr shihja shpesh gurët e oxhakut, simbolet e tij, xhezvja sipër ballinës kurse  lart dyfeku  varur në mur bashkë me lahutën. Pasi kisha kuvenduar gjerësisht me stërgjyshin, Lam Beçiqin, dhe Vlorën time në qiell, u zgjova me betimin e ri. Kulla do të ndërtohet, – thash.  Dy ditë më pas e takova sërish Vlorën me flokët  e prera dhe çuditërisht, nuk i dukej fytyra. Dëgjova zërin e ëmbël nën tingujt e bareshës: Unë do kthehem sërish aty pranë vatrës. Oh, sa e desha truallin ku linda! Ika, më presin engjëjt. Ndërto… .to..”  U zgjova me duar të zgjatura të kapja rrezet e agimit, por mbeta i shtangur nga fjalët dhe pamja e përjetuar e cila nuk më shqitet nga retina as sot.  Këto desha t’ia përcillja arkitektit, por u lidh fjala ne fyt. “Amaneti nuk tregohet, ai vetëm mbahet”, kisha lexuar ku ta di në cilin libër.

Bedriu i zgjuar, e kuptoj nyjën e fjalëve para zërit dhe vazhdoi bisedën rreth ndërtimeve të kullave në Galicë e Prekaz derisa e gjeti lidhjen e bisedës për çka ishim takuar së bashku. Arkitekti dëgjonte kureshtar.  Unë ia përcolla në detaje historinë e kullës dhe emrin e saj “Kulla e Lam Beçiqit”. Ai mbeti i ngazëllyer nga historia e Kullës dhe luftërave të banorëve të saj për mbijetesë.

Arkitekti e plotësoi bisedën me miratimin e tij se Kulla duhet ndërtuar, tani kur mundësitë janë në liri për të cilën kulla ishte vend qëndrese e shumë heroinave dhe heronjve që nuk harrohen. Kullat u kallën  dhe u dëmtuan luftërave por sërish u ndërtuan gjeneratave. Një histori e dhembshme por e lavdishme ashtu siç ishte historia jonë. Ato me  arkitekturë e stil të veçantë, janë vlerë botëror, janë simboli ynë i qëndresës. Ndërtimi dhe rindërtimi bënë lidhjen shpirtërore gjeneratave drejtë mbëltimin  të dashurisë, të respektit ndaj të kaluarës sonë.

Librin në anglisht “Vernacular architecure of Kosovo” e shtrëngova nën sqetull deri në Vjenën e njohur me muzetë dhe bibliotekën Kombëtare në gjithë botën. Me padurim pritja momentin e dhurimit në sportelin e Prunk Sallës, me histori mbi tre shekuj dhe me madhështinë e saj e para në glob.  U ndjeva i lumtur kur zyrtarja e shfletoi dhe miratoi duke e pranuar librin me jetën e kullave shqiptare. E doja aty dhe kullën e stërgjyshit tim Lam Beçiqit, me histori tre shekullore.  “Rruga e mbarë kullat e mia shihemi pas një jave”- thash duke u larguar mes vizitorëve të shumtë me një krenari të rifreskuar.

Biografi..
Flamur Doli (1951), Inxhinier i arkitekturës Flamur Doli u lind në Mitrovicë. Shkollimin fillestar dhe të mesëm e mbaron në qytetin e lindjes. Studime  e larta për arkitekturë i mbaron në UN e Shkupit. Doktoratën e mbron në UN e Prishtinës me temën: “Arkitektura vërna kularë e Kosovës”. Ishte ligjërues i disa lëndëve në UN e Prishtinës deri në pension, mes tyre “Banimi tradicional në Kosovë”  si themelues i saj si lëndë mësimore.
Ka botuar disa monografi ndër të parat në Kosovë nga fusha e arkitekturës popullore të botuara në gjuhën shqipe. Disa prej tyre në gjuhën angleze.
…botime:
“Shkolla kosovare e mjeshtrit popullor shqiptar” (1993), “Të krijuarit dhe arkitektura” (1997), “Arkitektura tradicionale – popullore e Kosovës. Traditional popular architecture of Kosova” – shqip / anglisht) dhe “Arkitektura vernakulare e Kosovës”. Këto monografi studimore paraqesin një kontribut thelbësor plotësisht origjinal dhe me vlerë për kulturën materiale shqiptare.
Prof. Dr. Flamur Doli  marri pjesë me botime e tija  shkencore në shumë konferenca kombëtare e ndërkombëtare: Kosovë, Slloveni, Itali, Japoni  Slloveni, Kanadë,  Austri etj.
Flamur Doli është autor i ekspozitave shkencore kombëtare e ndërkombëtare nga lëmi i arkitekturës popullore të Kosovës, në: Kosovë,  Gjermani, Turqi etj.
Nga përvoja profesionale e autorit duhet veçuar hartimin e projekteve kryesore për restaurimin rindërtues dhe ri jetësimin e këtyre objekteve të realizuara: Mitrovicë (1989), të kullave të tipit të Rrafshit të dukagjinit në Junik, Prekaz, Mitrovicë, shtëpisë tradicionale për banim në Pejë. Është anëtar i asociacionit ndërkombëtar: “International Society for Geometry and Graphics” (ISGG) dhe anëtar nderi i: Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës. Aktualisht jeton në Prishtinë dhe është mësimdhënës dhe prodekan në Departamentin e Arkitekturës të Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës në Prishtinë.
Për tre mandate ishte Prodekan për mësim, si dhe për shumë mandate shef i Katedrës.
Vepra e Prof. Dr. Flamur Dolit është me vlera kombëtare e ndërkombëtare në historinë e arkitekturës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok