25/05/2024

Dhuna dhe vrasja e grave

0

Nga Ndue Ukaj

Janë do raste, kur në vend të fjalëve të mëdha e retorikës boshe, shumë më mirë do të ishte të kthenim dorën kah vetvetja e të thoshim: “për fajin tim.”

Sepse, duke jetuar në një mjedis të ndotur moralisht, kemi punuar pak ose apsak, për ta ajrosë këtë mjedis nga duhma e keqe e ideve të këqija e të dhunshme.

Shoqëria jonë, për shkak të mentalitetit e të trashëgimisë, nuk e ka zhvilluar konceptin e fajit dhe as të pendimit, as në sensin religjioz e as në atë etikë; nuk është formuar me art e as me ide filozofike, siç ka ndodhë me shoqëritë perëndimore, prandaj nuk ka bosullë morale e as fillozofike që e orienton e as ide që e bashkon.

Dhuna ndaj grave është problem i mendësisë, po, është problem i shtresuar dhe në rastin tonë, i një mendësie që ka një mospërkim të thellë me realitetet e reja të krijuara në hapësirat tona dekadave të fundit, ku gruaja është Person, me interesa e ambicie, e pavaur, dhe jo një rob shpije, ku e kishte katandisë historia.

Dhuna ndaj grave, po ashtu është tregues alarmant i shkallës së dehumanizimit të shoqërisë sonë, për çka kanë dhënë kontribut plot figura publike, e sidomos disa fundërrina, që me gjuhën e dhunshme e të pjerdhur, kanë krijuar modele të dhunshme e të shëmtuara.

Kjo shkallë e barbarisë nuk luftohet me parulla, e as me deklarata shterpe, por mund të luftohet me edukatë e me kulturë të mirëfilltë, me arsim e me modele empirikisht të provuara si më humane.

Edukata nuk ka lidhje me parullat, as edukimi nuk bëhet duke shkruar e lexuar deklarata shterpe, shumica prej të cilave vijnë prej personave që nuk janë modele të mira.

Vrasja e grave, por edhe gjuha e dhunshme ndaj tyre është një tregues se deri në ç’shkallë kritike ka mbërri shtazifikimi i njeriut tonë dhe sa pak ka vlerë dinjiteti i personit.

Në anën tjetër, ka plot tutkunë e idiotë në shoqërinë tonë, që bëhen sikur shqetësohen për mjedisin ku jetojnë, ka të tillë që shtiren se brengosen për ajrin që thithin, disa mediokër që gërvallën se gjoja brengosen për gjendjen në arsim, ka plot budallenj që bëhen sikur i duan kufijtë e shtetin, por krejt këta fare nuk shqetësohen për njeriun e mejdisin etik ku rritet ai dhe gjuhën që formon ndjesitë e shoqërisë sonë.

A pyesim ndonjëherë, se çfarë ushqimi shpirtëror merr shoqëria jonë dhe me çfarë doza?

Kush e formon shoqërinë tonë?

Gjuha është thelbi i ekzistencës sonë, ajo formon perandori të mirëqenies ose të dhunës, me gjuhë humanizohet shoqëria ose barbarizohet.

Sa fjalë vullgare dhe të neveritshme dalin prej gojëve të plot meshkujve shqiptarë, që si bisha i shikojnë vajzat e gratë udhëve tona?

Po, njerëz, shoqëria bëhet më e mirë veç me edukatë e me modele të mira, me shkolla e libra.

Çfarë modele ka përpara shoqëria jonë?

Nëse duam të bëjmë një regjistër, e kemi zor të gjejmë modelin  e dytë dhe kjo është tragjedi në vetvete.

Nuk ka armik ma të madh një shoqëri se se gjuhën e dhunshme dhe idetë e këqija, dukuri këto që i paraprijnë dehumanizimit dhe egërsimit të shoqërisë.

E shoqëria jonë është duke rrezikuar të rrëshqasë drejt kësaj katastrofe. Sepse, përditë e më shumë mbillen ide të këqija e gjuha e dhunshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok