Dështimi i sotshëm, faturohet mbi kurrizin e qytetarëve të ndershëm dhe të zakonshëm
Nga Petrit Dibrani
Prapë në zgjedhje nëse nuk ka kompromis dhe dakordim për President/e!
Jo vetëm nga kryeneqësia e hipokrizia, po edhe nga interesi për pushtet, s’ka dhe nuk besoj, që “partitë politike” të dakordohen për President/e.
Deri kur në kurriz të popullit?
Pse politikanët tanë nuk ngopen kurrë me pushtet?
Sot, po të dalësh në rrugë e ta pyesësh cilindo qytetar se çfarë pret nga politika, përgjigjja është e njëjtë: jemi lodhur!
Jemi lodhur nga premtimet e mëdha, nga fjalimet e bukura në televizion dhe nga krizat që nuk po mbarojnë kurrë.
E vërteta e hidhur është se jo vetëm nga kryeneçësia e hipokrizia, po edhe nga interesi i pastër për pushtet, s’ka më asnjë shpresë që këto “parti politike” të merren vesh për një President apo Presidente.
Kur vjen puna te karrigia e kryetarit të shtetit, të gjithë i harrojnë premtimet që na dhanë.
Secili lider barrikadohet në anën e vet, me një kryeneçësi që të habit, duke mos lëshuar asnjë pe.
Para kamerave na shiten si “shpëtimtarë të vendit” e na thonë se po mendojnë për popullin, por kjo është thjesht hipokrizi!
Prapa dyerve të mbyllura, ku nuk ka drita e kamera, ata bëjnë vetëm një llogari:
“Çka po fitoj unë?
Sa ministri po i marr?
Sa pushtet po më mbetet?”
Prandaj fjala “parti” sot na vjen me thonjëza.
Sepse ato nuk po sillen si parti që mbrojnë popullin, por si grupe që shohin vetëm interesin e xhepit dhe të pushtetit të vet.
Ndërsa ata zihen për poste e bëjnë pazare netëve të vona, populli pret në ankth.
Ndërsa ata mendojnë për karriget e tyre, prindërit mendojnë si t’i shkollojnë fëmijët e tyre, e të rinjtë mendojnë si të ikin nga ky vend.
Është koha që politikanët tanë ta ulin kokën, ta lënë inatin e t’i hapin rrugë dikujt që e do këtë vend, e jo vetëm pushtetin.
Sepse ky popull ka vuajtur shumë dhe nuk meriton të mbetet peng i lojërave të tyre të ftohta e mjerisht edhe të “Ndyta”!
Mjaft më!
Populli dëshiron zgjidhje dhe jo lojëra politike!
