13/12/2024

DËSHMI TË RËNDËSISHME NGA MISIONARËT APOSTOLIKË NË “MBRETËRINË KISHTARE TË SHQIPËRISË”

0
u6_Jusuf-Buxhovi

-P. Fra’ Giacinto nga Sospello: “Relacion universal”, botoi Muzeu Historik Kombëtar, Tiranë dhe Biblioteka “Romolo Spezioli”, Fermo, përgatitur nga Mark Palnikaj, Tiranë, 2022.

Nga Jusuf Buxhovi

Mark Palnikaj, studjues dhe hulumtuesi i zellshëm i arkivave  kishtare  italiane nga koha e përhapjes së krishtërimit në Shqipëri, me theks të veçantë te shekujt XVII-XVIII, së voni  solli në dritë edhe një dokument të rëndësishëm nga  veprimtaria e misionarëve apostolikë në Mbretërinë e Shqipërisë. Bëhet fjalë për veprën “Relacion universal i zanafillës  dhe i suksesit të Misionit apostolik të Fretërve minorë observantë të reformuar  të Atit serafik Shën Françeskut  në Mbretërinë e Shqiprisë.”

Dokumenti, pronë e  bibliotekës së qytetit “Romolo Spezioli” të Fermos, është një dorëshkrim i shkruar   në gjysmën e viteve 1600, i ruajtur  me kujdes. Në gjashtë kapituj janë përmbledhur jo vetëm rrëfimet për gjashtëmbëdhjetë misionet e zhvilluara mes viteve 1634-1650, por edhe lajmet e rëndësishme historike të Shqipërisë, mes më të vjetrave. Informacionet e dhënëna në “sitin e Shqipërisë”, rreth Krishtërimit të “maleve  të Shqipërisë”, rreth “origjinës, cilësisë dhe zakoneve të shqiptarëve”, e bëjnë dorëshkrimin një mjet bazë për njohjen e historisë shqiptare.

Pra, libri, përveç anës fetare, që përmban afërsisht gjysmën e tij, paraqet edhe anën sociale dhe historike. Kështu, në kapitullin e pare, krahas të dhënave që jepen për krishtërimin në Durrës  dhe zonat në varësi të tij që shtriheshin nga Myzeqeja deri në Dibër, përshkruan edhe Kelmendasit , me ç’rast ata vlerësohen “më të fortit shqiptarë të fushës  e maleve” (faqe 10). Kjo ilustrohet me luftën e tyre me 700 burra kundër ushtrisë së Vuçi Pashës në Bosnje me 30 mijë ushtarë, ku pashai turk pëson humbje nga kelmendasit. Ndërsa aty ngjit, jepen përshkrime edhe për fiset e Berishës dhe Sapën dhe për një betejë të tyre me turqit.

Por, ajo që bie në sy nga këto relacione është gjendja e brendshme sociale e fiseve veriore shqiptare, të ngulfatura nga gjakmarrja dhe, siç thuhet, “injoranca e thellë”. Në këto rrethana, misionarët e kanë të vështirë që të përmbushin detyrat e tyre kishtare, nga të  cilat nuk heqet dorë, edhe pse, nga shënimet, del se në shumë raste dështojnë. Dështimet misionare, shfaqen të pashmangshme kur  në njërën anë kihet parasysh gjendja e rëndë e klerit katolik në  Shqipëri ( me pak fretër, shumë prej të cilëve nuk dinë shqip, me objekte të rrënuara të kultit dhe mangësi të tjera të shumta organizative) si dhe gjendja e rëndës sociale e popullates nën presionin e madh që ushtrohet nga pushtuesit për t’u konvertuar në besimin islam.

Pasazhe të tëra të këtyre përshkrimeve janë të mbushura me dokurinë e kapërcimit nga krishtërimi në islam, që për pasojë kanë mbijetimin në rrethanat e dhunës. Në këtë prizëm, përshkruhen edhe shumë nga bastardhimet morale te një pjese të popullates (ndër to dokuria e poiligamisë, shitja e grave, vjedhjet  e të tjera) që edhe më tutje, ritet fertare i ngatërron me ato pagane.

Në një pjesë të realcioneve, bëhet fjalë edhe për përpjekjet e misonarëve që të bëhet pajtimi i kishave  midis ritit latin me ato skizmatike. Të tilla janë vizitat manastireve ortodokse në Deçan, Pejë dhe gjetiu.

Por, këtu dhe te kjo çështje, bie në sy shema e njohur e organizimit kishtar nga shekulli XIII e tutje, kur pjesa më e madhe e kishave katolike në veri  përfshihen në kuadër të “Mbretërisë së Shqipërisë”, ndërsa ato në  pjesën qendrore të Dardanisë dhe tutje në lindje, i atribuohen “Mbretërisë së Serbisë”. Kështu, në këto relacione, pjesa më e madhe e Dukagjinit (Gjakova, Peja, Prizreni dhe Shkupi madje) bëjnë pjesë në kuadër të “Mbretërisë së Serbisë”.

Ky përkufizim i kodifikuar shihet edhe te relacionet e P. Bogdanit dhe te vetë Kuvendi i Arbnit, gjë që ka sjellë pasoja, ngaqë sferat kishtare dhe përcaktimi i tyre midis Vatikanit dhe Konstantionpojës nga shekulli XIII,  në shekullin XIX është përkthyer politiksht nga kisha ruse dhe serbe si “kufi shtetëror”, me ç’rast organzimit kishtar i janë dhënë   atributet e atij shtetëror! Andaj, nuk është e rastit që  politika hegjemoniste serbe dhe ajo ruse në Ballkan, ajo që nga Vatikani trajtohe si “Mbretëri e Serbisë” edhe në rrethanat e Perandorisë Osmane kur në Ilirikun e pushtuar kishte vetëm vilajete, sanxhaq e më vonë pashallëqe,  Serbia vazhdimisht thirret në “shtetin mesjetar në Kosovë” që e “pranon” edhe Vatikani! Me këtë rast, ndarja administrative kishtare, shfrytëzohet si argument politik!

Historiografisë sonë i mbetet  detyrë parësore që të dallojë organizimin kishtar dhe shtrirjen e tij  sipas marrëveshjeve treadicionale Vatikan-Konstantinopojë nga ai shoqërore dhe politike deri te përmasat e logjikës shtetërore. Me këtë rast, duhet  të diferencohen shemat kulturore (emancipimi kulturor dhe shpirtëror) nga ato politike, që ruan organizimi administrative i tyre (Mbretëri e Shqipërisë, Mbretëri e Serbisë) të cilat, nga shekulli XIX e këtej  janë shfrytëzuar për politikë antishqiptare.

Sidoqoftë, këto relacione, janë me interes, siç u tha, jo vetëm për t’u pare rrethanat e krishtërimit katolik në Shqipëri, po edhe ato shoqërore dhe politike.  Puna e hulumtuesit Mark Palnikaj duhet vlerësuar dhe respektuar si një kontribut i çmueshëm historiografisë sonë për t’u mbështetur mbi argumente origjinale

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok