25/05/2024

Dënim minimal që e ngarkon Serbinë me përgjegjësi shtetërore!

0

Shkruan: Florim Zeqa

Për masakrat në rrethin e Pejës dënohen me vetëm 56 vjet burg shtatë ish-anëtarë të ushtrisë jugosllave (të njohur si “Çakallët”)

Deri tek ky dënim minimal erdhi pas denoncimit të krimeve nga të mbijetuarit e masakrave, të cilët, përveqse i panë me sytë e tyre, i përjetuan rëndë në shpirt dhe në zemër krimet më të monstruoze dhe makabre ndaj familjarëve të tyre. Edhe pse dënim minimal dhe i vonuar, megjithatë është një dritë e vogël në fund të tunelit për drejtësi dhe një satisfaksion i vogël moral për familjarët e viktimave të terrorit serb.

Të dhënat zyrtare të një dënimi minimal

Sipas njoftimit të publikuar në Web-faqen e Gjykatës së Lartë në Beograd më 24 prill 2024, ish-anëtari i Ushtrisë Jugosllave, Toplica Milladinoviq, u dënua me 20 vjet burgim për krime kundër shqiptarëve të Kosovës në fshatrat përreth Pejës më 1999, kurse gjashtë ish-pjesëtarët e tjerë të Ushtrisë Jugosllave u dënuan si në vijim: Predrag Vukoviq u dënua me 13 vjet burgim, Abullah Sokiq me 12, Sinisha Mishiq me 5, ndërkaq Lazar Pavlloviq, Sllavisha Kastratoviq dhe Boban Bogiçeviq u dënuan me nga 2 vjet burgim secili. Ndërkaq, Velko Koriqanin dhe Millan Ivanoviq u liruan tërësisht nga akuzat e ngritura!

Ja vlenë për të cekur se gjykimi për këtë rast kishte filluar në vitin 2010. Vendimi i parë ishte marrë më 2014, por Gjykata e Apelit e Serbisë e kishte shfuqizuar atë më 2015.

Sipas aktakuzës, ish-anëtarët e Detashmentit të 177-të të Ushtrisë Jugosllave, (të njohur si “Çakallët”), morën pjesë në masakrat kundër shqiptarëve të Kosovës në fshatrat Zahaq, Lubeniq, Qyshk dhe Pavlan gjatë Prillit dhe Majit të vitit 1999. Të pandehurit, siç u tha në aktakuzë, morën pjesë në vrasjet dhe në shkatërrimin e pronave të shqiptarëve.

Prokurorët thanë se Toplica Milladinoviq si komandant i Detashmentit 177, kishte urdhëruar dëbimin e civilëve shqiptarë dhe se ai kishte njohuri për vrasjet dhe vjedhjet gjatë zhvendosjes së dhunshme të popullatës shqiptare.

Në aktakuzë u tha se vrasjet u kryen në mënyrë mizore dhe tinëzare, teksa në shumicën e rasteve viktimat u qëlluan pas shpine. Më pas, shumica e trupave të viktimave u dogjën, në mënyrë që ata të mos mund të identifikoheshin nga familarët.

Edhe pas publikimit të vendimit të Gjykatës së Lartë të Beogradit më 24 Prill 2024, ky nuk është vendim përfundimtar, pasi ai prapë mund të apelohet dhe të prolongohet në pafundësi nga autoritetet e drejtësisë serbe!

Pranimi i krimit nga kriminelët, një dritë e vogël në fund të tunelit

Edhe pse dënimi për kriminelët është tepër minimal, pozitiv është fakti se ata i kanë pranuar krimet e kryera, gjë e cila e ngarkon drejtëpërdrejt Serbinë me përgjegjësi shtetërore dhe më nuk mund t’ua hedhin fajin “strukturave paramilitare”. Deri tek ky epilog erdhi falë insistimit dhe konsistencës së gjatë e të mbijetuarëve të masakrave për zbardhjen e së vërtetës dhe arritjes së qëllimit final për dënimin e kriminelëve.

Edhe pas 25 viteve, dhembja që kanë familjarët për humbjet që ua ka shkaktuar Serbia është e freskët, e madhe dhe e pakompensueshme. Andaj, çdo ngritje e zërit në mbështetje të familjarëve e zbutë sado pak dhembjen e tyre.

Le të shërbejë ky shkrim si thirrje për ndërgjegjën e fjetur të politikanëve kosovarë, të cilët nuk kanë bërë asgjë sa i përket denoncimit dhe zbardhjes së rasteve të rënda kriminale të ndodhura gjatë luftës në Kosovë!

E vetmja gjë që e bënën liderët shtetërorë dhe partiakë për këto 25 vjet, ishte pjesëmarrja dhe fjalimet patetike në përvjetorët e masakrave, si ngushëllim i vetëm për familjarët!

Nuk mjaftojnë fjalët e mira dhe “lotët e krokodilit” për shërimin e plagëve shpirtërore të familjarëve. Shkaku i mos qenurit të Kosovës anëtare e Këshillit të Evropës dhe organizatave tjera ndërkombëtare, drejtuesit e institucioneve shtetërore është dashur që të angazhojnë mekanizma të tjerë për ngritjen e padisë shtetërore ndaj Serbisë, e jo të presin që të kalojë një çerekshekulli nga koha kur kanë ndodhur masakrat dhe vrasjet monstruoze të djegies së kufomave me qëllim të pamundësimit të identifikimit dhe fshehjes së gjurmëve të krimit.

Dallimet dhe ngjashmëritë, e përbashkëta e krimeve në Kosovë

Për secilën masakër të kryer në Kosovë nga forcat serbe, nuk mjafton një shkrim dhe as një libër autorial, duhen vëllime të mëdha librash dhe enciklopedi për t’i trajtuar me fakte dhe argumente të gjitha krimet barbare të forcave serbe.

Edhe përkundër faktit se maskrat e kryera nga forcat policoro-ushtarake dhe paramilitare serbe ndaj civilëve të pafajshëm dhe krejtësisht të pambrojtur në rrethin e Pejës, ka dallime dhe ngjashmëri të shumta, nuk i jepë të drejt vetës t’i klasifikojë as për nga numrat dhe as nga monstruoziteti i krimit.

Ashtu siq nuk ndahen heronjët dhe dëshmorët, nuk ndahen as martirët dhe të rënët për lirinë e Kosovës. Ata janë gurthemeli më i fuqishëm i lirisë sonë, janë kallxuesi dhe kryefjala e themeleve të shtetit tonë.

Të mbijetuarit e masakrave janë heronj dhe dëshmitarë të gjallë të cilët i mbajnë të freskëta kujtimet e ngjarjeve më tragjike dhe më të kobshme të familjarëve të tyre dhe popullit tonë në përgjithësi.

Thënë ndryshe, të mbijetuarit e masakrave janë thesarë i çmuar për drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare, për të çuar në vend drejtësinë, si parakusht për paqe afatëgjate dhe pajtim mes dy popujve të armiqësuar ndër shekuj, e në veçanti në dekadën e fundit të mileniumit të dytë.

Ky ishte vetëm një vështrim imi analitik rreth ngjarjes makabre dhe dënimit minimal të kriminelëve, për të ndarë dhimbjen dhe pikëllimin e përhershëm me familjarët e viktimave të pafajshme.

Lavdi dhe krenari e përjetshme për të gjithë ata që u sakrifikuan, martirizuan dhe ranë për lirinë që ne sot e gëzojmë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok