14/05/2026

Demokristianët e mërgatës mbështesin kandidatët e LDK-së për deputetë

0
PSHDK1

Demokristianët e mërgatës, sidomos ata në Zvicër, Gjermani dhe Austri kanë vendosur që në zgjedhjet e ardhshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen me 7 qershor 2026, të mbështesin kandidatët e LDK-së. Në mënyrë të veçantë do të votohen ata që edhe vetë jetojnë në këto shtete dhe njohin, më mirë së kushdo tjetër, nevojat dhe interesat e mërgatës sonë në vendet gjermanofolëse. Një ndër ta është edhe aktivisti Niq Krasniqi me prejardhje nga Peja dhe me vendbanim tash e 30 vite në Austri. Pas tij vijnë edhe Hysen (Sali) Çekaj nga Gjermania, Robert Ukaj nga Zvicra dhe Albana Tomori nga Suedia.

Nga Anton Marku

Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës gjithmonë ka qenë një parti e vogël por që përherë ka pasur autoritet dhe peshë të madhe në zhvillimet politike dhe shoqërore në Kosovën e pas pluralizmit. Mbase, nga partitë, kushtimisht të vogla, ka qenë subjekti politik më i njohuri, më i respektuari dhe më i përfaqësuari në nivel shtetëror dhe ndërkombëtar. Sot ajo është katandisur në një derë pa shtëpi të cilën era e rrahë sa herë të dojë dhe atë në atë krah në të cilën këtë e duan një grusht i vogël sharlatanësh pa ideale të cilët e kanë shtrydhur deri në djersët e frymës së fundit. Në anën tjetër të historisë janë pozicionuar demokristianët e vërtetë, ata të cilët i kanë qëndruar dhe vazhdojnë t’i qëndrojnë besnik parimeve të vendosura nga kolosi i kombit, Akademik Mark Krasniqi, i cili, bashkë me Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova, ndërtuan një frymë bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe mirëbesimi, të cilat vazhdojnë të jenë të gjalla sikur atëherë, tash e 36 vite.

PSHDK është partia e parë e regjistruar në Kosovën e pas rënies së komunizmit. Ajo u themelua me 4 dhjetor 1990 në Gjakovë. Programi i saj është properëndimor i bazuar në sundimin e ligjit, mbrojtjes së vlerave kombëtare shqiptare dhe integrimit euroatlantik. Ajo në parim është dashur të bashkëpunoj me partitë politike me orientim të djathtë demokratik, e veçmas me ato që kanë  për synim integrimin në BE dhe në NATO. Këto parime ka kohë që anashkalohen nga ana e udhëheqjes së saj aktuale e cila është lëshuar në pazare matrapazësh duke u përpjekur të akomodojë disa nga figurat më kontroverse të saj, shkaktare dhe fajtore për uljen e imazhit të partisë dhe rënien e numrit të votuesve në nivelin më të ulët historik.

Në të njëjtën kohë demokristianët e mërgatës, sidomos ata në Austri, kanë qenë mjaft aktiv për sa i përket vendosjes së urave të miqësisë me politikanët vendas. Në këtë kontekst veçohet Niq Krasniqi i cili, për vite me radhë, ka punuar në qeverinë e Vjenës në programe të ndryshme integrimi. Ai, edhe pse jo anëtar i saj, ka qenë koordinator i projekteve të degës së PSHDK-së në Vjenë, detyrë të cilën e ka kryer me përkushtim dhe ndërgjegje të plotë. Falë angazhimit të tij komuniteti ynë u vizitua disa herë nga politikanë austriakë të të gjitha niveleve, filluar nga Lukas Mandl, eurodeputet nga Austria, Andreas Minnich, deputet i parlamentit të Austrisë, Hannes Taborsky, deputet në parlamentit të landit të Vjenës e shumë të tjerë. Andaj demokristianët në mërgatë do ta mbështesin fuqishëm kandidaturën e tij për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës me bindjen se ai do të jetë përfaqësues i denjë i tyre në këtë shtëpi të demokracisë.

PSHDK – dega në Vjenë, ashtu si dhe në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025, prapë kundërshton me vendosmëri koalicionin joparimor të lidhur mes PSHDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje (VV) për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ajo  konstaton se PSHDK-ja është marrë peng nga disa individë karrieristë, të cilët, për interesa klanore dhe grupore, janë duke e dobësuar, tash e disa vite, pozitën e këtij subjekti në skenën politike të Kosovës duke sjellë vendime të gabueshme në emër të saj. Për më tepër ajo vlerëson se edhe kësaj radhe vendimi për lidhjen e koalicionit me një parti ideologjikisht të kundërt, të majtë dhe populliste është bërë pa konsultim me anëtarësinë, degët, bashkësitë e degëve, këshillin qendror dhe kryesinë. Andaj si i tillë është i papranueshëm dhe rrjedhimisht i pazbatueshëm. Në lidhje me këtë ajo i bën thirrje elektoratit demokristian në Kosovë dhe mërgatë që të distancohet nga ky koalicion i dëmshëm dhe të votoj kandidatët e partive të djathta të cilat janë më të afërta me vizionin origjinal të PSHDK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

YouTube
YouTube
Tiktok