22/12/2024

Ç’është adaptimi? (ekranizimi)

0
Mehmetaj-Adaptim-filmi

Fragment nga libri “Adaptim filmi” botuar me 2014

Nga Gani Mehmetaj

A ju ka rastisur që duke e lexuar një roman, tregim, dramë, tekst gazete a kronikë sociale, ta shndërroni në imazhe? Gjatë gjithë kohës sa jeni duke lexuar, në mënyrë të pavetëdijshme jo vetëm që mendonit me fotografi, por ju në mënyrë të pavetëdijshme e keni bërë regjinë e filmit, duke u mbështetur në tekstin e lexuar, megjithëse nuk e kishit idenë si shkruhet skenari i filmit a si bëhet regjia. E keni imagjinuar tekstin me fotografi lëvizëse, me fytyra konkrete të personazheve, jo rrallë me aktorë të caktuar, madje edhe me vendet e caktuara të imagjinuara a reale ku e mendonit ngjarjen.

Në këtë mënyrë keni bërë adaptimin e një teksti sipas pikëpamjes suaj, duke hequr a duke shtuar skena, ndërsa në rastet më të shpeshta, meqë ju pëlqeu teksti i lexuar, i përmbaheshit asaj që keni lexuar.

Rasti tjetër. U ka ndodhur që pasi ta keni shikuar filmin të thoni: romani ishte më i mirë? Sa herë keni dalë nga salla e kinemasë të zhgënjyer pasi e shikuat filmin sipas romanit tuaj të preferuar. Situatat, veprimet, dialogu ndryshojnë nga ajo që keni lexuar. Heronjtë tuaj të adhuruar kanë pësuar transformime, madje, sipas bindjeve tuaja, janë deformuar. Ndryshe i keni menduar duke fantazuar dhe ndryshe u dalin në ekranin e madh. Pjesa më e dashur e romanit është hequr fare, ose është adaptuar në atë mënyrë që nuk e njihni. Mllefoseni me skenaristin a regjisorin. Dëshpëroheni pse erdhët në kinema.

Kur u dha premiera e filmit “Getsbi i madh” (2013) jo pak shikues të cilët e kishin lexuar romanin, por njëkohësisht e pëlqenin edhe xhazin, dolën të zhgënjyer pas shfaqjes, sepse nga filmi, adaptim i romanit të shkrimtarit amerikan Skot Fixherald (skenaristë Baz Luhrmanit e Kreg Pirsit (Craig Pearce), diç tjetër prisnin e ndryshe u doli. Por brezit të ri filmi u pëlqeu me gjithë ndryshimet. Muzika ishte e kohës së tyre, personazhet atraktive e të këndshme, interpretimi i mirë. Jo pak prej tyre u deklaruan se nuk i pengonte shmangia nga romani, pos heqjes së babait të Getsbit.

Kur e shikojmë një film, na provokon ta lexojmë edhe romanin, duke i plotësuar në këtë mënyrë zbrazësitë të cilat i ndiejmë në film.

E kujtojmë filmin tjetër. Si e keni ndier veten kur e shikuat “Kodi i Da Vinçit”, ndërsa më parë e keni lexuar romanin e Dan Braunit? Në film nuk është as një e treta e romanit. Shumë ngjarje e personazhe nuk figurojnë fare, madje as që përmenden. Sikur t’i përmbaheshin autorët e skenarit romanit do të dilte një film prej dhjetë orësh, që s’do ta pranonte asnjë kinema. Filmi i ka kufizimet e veta në kohëzgjatje, romani nuk ka kufizime të tekstit. Këtu është dallimi i parë nga shumë dallime të tjera në mes të filmit e tekstit të adaptuar.

Ç’do të bënit sikur ju të ishit autor i skenarit? Si do të silleshit me shikues kur ta kenë parë filmin? Do të arsyetoheshit për shmangie nga vepra? Ose do të ndiqni punën tuaj pa e përfillur reagimin e tyre?

Lista e filmave të këtillë, të cilët kanë shmangie nga burimi i frymëzimit-romani, tregimi e drama, nuk është i paktë. Filmat e realizuar sipas adaptimeve të romanit janë të shumtë. Por fare lehtë mund të ngjajë e kundërta: pasi ta keni shikuar filmin, sipas romanit të preferuar, do të dilni nga salla e kinemasë i kënaqur. Filmi është bërë sipas shijes suaj, prandaj i entuziazmuar do t’i thoni mikut që nuk e ka parë filmin: ishte bukur si në roman. Ndryshe do të reagonit kur nuk e keni lexuar romanin, filmin do ta përjetoni si vepër të pavarur kinematografike, varësisht a është realizuar sipas shijes suaj apo jo. Romanin nuk e keni fare ngarkesë.

Procesi i bartjes së veprës letrare në film është proces i gjatë dhe jo më pak i mundimshëm, është një punë kreative që kërkon imagjinatë e përkushtim. Prandaj që në fillim shtrohet pyetja: Ç’është adaptimi (përshtatja)? Çka nënkupton të adaptosh një roman, tregim, dramë e novelë në film? Cilat janë kriteret e adaptimit? Cilat janë rregullat që duhet t’u përmbaheni? A ka rregulla të precizuara, të cilat e përcaktojnë çka duhet të adaptosh nga romani, e çka duhet të heqësh? Pse një version adaptimi është ndryshe nga tjetri? Pse filmat “rimejk” asnjëherë nuk janë të njëjtë me njëri-tjetrin ose nuk i ngjasojnë romanit? Pse autorët e ndryshëm kanë mendime të ndryshme për adaptim filmi? Cilat janë përparësitë dhe cilat mangësitë e adaptimit?

“Getsbi i madh”, të cilin e përmendëm në fillim, ka disa versione të adaptuara, por ne po përqendrohemi në versionin e realizuar më 1974 me Robert Redfordin e Mia Faroun në rolet kryesore, nën regji të Xhek Klejtonit (Jack Clayton), sipas skenarit të Frensis Ford Kopoles, ndërsa versioni i tashëm (2013) nën regji të Baz Luhrmann me Leonardo di Kaprion në rolin kryesor. Këto dy adaptime prapë ndryshojnë në mes vete, megjithëse e kanë të njëjtin burim frymëzimi. Kështu kur bëhen krahasimet në mes të dy adaptimeve të fundit, gjithnjë gjenden kritikë të cilët e pëlqejnë më shumë versionin e vitit 1974 nga ai i vitit 2013, por mund të gjenden edhe ata që këmbëngulin se filmi i Baz Luhrmanit ishte më i arrirë.

Ky është sharmi i adaptimit, këtu qëndron fshehtësia e përshtatjes: nga i njëjti roman, filmat dallojnë në mes vete, janë ndryshe, i shmangen më shumë a më pak romanit, duke nxjerrë në dritë diçka tjetër. Ndërkaq romani mbetet ai që ishte.

Në librin “Reading the Movies” Uiliam Konstanzo ( William Constanzo) nxjerr të dhënat interesante: në botë vlerësohet se një e treta e filmave janë vepra të adaptuara. Nëse merren parasysh edhe format e tjera letrare sikurse janë drama e tregimet e shkurtra, të cilat adaptohen për film, atëherë mund të flasim për dy të tretat e të gjithë filmave që janë realizuar ndonjëherë, e që janë vepra të adaptuara. Prandaj adaptimi i filmit është njëri ndër segmentet kryesore të kinematografisë, që do ta ndeshim në punën tonë në film, kështu që është e domosdoshme ta kemi një informacion për rregullat elementare, për mënyrën e adaptimit, përparësitë e mangësitë dhe një varg elementesh të tjera. Po ashtu duhet të dimë edhe rregullat e të shkruarit të skenarit, sepse varësisht a do ta bëjmë skenarin origjinal, apo do ta përshtatim sipas tekstit letrar, duhet të mësojmë si ta shkruajmë, meqë skenari sikurse të gjitha format e shkrimit ka rregulla, ka teknikë shkrimi dhe mënyrë të qasjes.

Mëdyshjet gjatë adaptimit

Janë një varg pyetjesh e mëdyshjesh, të cilat i dalin para skenaristit në çastin kur e fillon procesin e shkrimit të skenarit, duke e pasur për bazë romanin e caktuar, ose, kur producenti i ka dhënë detyrë skenaristit të përshtatë një vepër letrare, sipas së cilës duan të bëjnë film. Në këto çaste halli më i madh i skenaristit është si të sillet me veprën letrare: t’i qëndrojë besnik apo ta shpërfillë romanin, duke i dhënë krah imagjinatës së tij? Skajshmëritë janë të rrezikshme. Maturia e kujdesi janë fanar udhëzues që ndihmojnë shumë. Prandaj përpiquni të gjeni mesin. Që nga çasti kur e lexoni romanin për ta adaptuar e deri në finalen kur e keni përfunduar procesin e adaptimit, ju do të ecni nëpër një rrugë të gjatë, plot të papritura e vështirësi. Të papriturat duhet t’i kaloni, nëse i keni vënë detyrë vetes të keni sukses. Mëdyshja e pasiguria do t’ju ndjekin gjatë gjithë kohës, por ju duhet t’i përballoni, t’i mundni, sepse gjatë çdo procesi të krijimit a rikrijimit, sikurse është skenari i adaptuar, ka mëdyshje e pasiguri.

Teoritë e adaptimit janë të ndryshme. Pa u përqendruar hëpërhë te skeptikët, që mendojnë se letërsia nuk mund të përkthehet në film dhe se filmi duhet të jetë i pastër, e i pandikuar nga letërsia e teatri, ne po përmendim ato teori sipas të cilave letërsia është e pashmangshme në kinematografi.

Sipas grupit të parë duhet t’i qëndrojmë besnik romanit të adaptuar, meqë sipas tyre besnikëria garanton sukses, qoftë atëherë kur romani tashmë ka bërë jetën e vet publike (është i popullarizuar), qoftë atëherë kur romani ende nuk ka bërë jetë publike, por ka situata të gjetura me mjeshtëri, karaktere të skalitura për mrekulli dhe ka rrëfim të mirë. Por vetëm këto dy segmente nuk mjaftojnë për t’i qëndruar besnik romanit, ashtu sikurse duhet të jemi të kujdesshëm atëherë kur i shmangemi romanit, duke e ritreguar me mjetet tona shprehëse dhe me mënyrën tonë, sepse edhe për këto shmangie duhet të dimë arsyet. Nuk mjafton arsyetimi i shpeshtë se adaptuesi ka liri të pakufishme shprehëse, se është i pavarur të bëjë ç’të dojë me romanin, sepse ai mund të ketë liri edhe më të madhe shprehëse nëse e bën skenarin origjinal, pa e kërkuar frymëzimin në roman, tregim, novelë apo tekst drame dhe pa i dhënë llogari askujt pse e bëri në këtë mënyrë e jo në një mënyrë tjetër. Atëherë do të varet vetëm nga imagjinata dhe kreacioni i tij.

Në këtë punë të vështirë e me plot të papritura, disa nga autorët e romaneve janë të kënaqur me veprat e tyre të adaptuara, të tjerët janë po aq të dëshpëruar, ndërsa të tretët që të mos e shprehin haptas pakënaqësinë e tyre shpesh deklarojnë: filmi është ndryshe. Ata nuk pranojnë se kjo është vepra e tyre, por nuk duan të acarojnë më shumë raportet me producentin a skenaristin. Megjithatë mbeten të thartuar me atë që shohin nga vepra e tyre në ekranin e kinemasë. Prandaj, adaptimi është punë me përgjegjësi.

Por para se të flasim për adaptimin, duhet të dimë ç’është adaptimi.

Adaptimi është bartje, transformim, distilim, përkthim, transponim nga një medium në mediumin tjetër, përkatësisht përshtatje nga romani e drama në film. Teoritë për adaptimin e skenarit merren me shqyrtimin e qasjeve të ndryshme, analizojnë mundësitë e teknikat e përshtatjes së një teksti letrar (tregim, novelë, roman), apo të shkrimeve të gazetave (reportazhe, analiza sociale, lajm i zgjeruar, fejtone) në film.

Adaptimi i skenarit është faza e parë më e rëndësishme e bartjes së një teksti nga një medium në një medium tjetër, përkatësisht nga një art në artin tjetër. Nga mjeshtëria e bartjes, aftësia e transformimit dhe nga kreativiteti i skenaristit varet se si do të funksionojë ky skenar, sa do t’i ofrojë mundësi regjisorit dhe se si do të duket në film.

Për shkallën e përshtatjes së skenarit ka qasje e teori të ndryshme. Disa janë të mendimit se s’ka roman apo dramë që s’mund të bartet në film, të tjerët mendojnë se kjo nuk është bartje, adaptim, por është një lloj tradhtie që i bëhet letërsisë! Sepse bartje (siç e vënë në pah kundërshtarët e adaptimit) nuk është e mundur të bëhet në atë masë sa të ruhet integriteti i tekstit të bartur.

Sergej Ajzenshtajni (Sergei Eisenstein), gjeniu i kinematografisë, njëri ndër regjisorët që i dha shumë filmit, ishte i mendimit se edhe “Kapitali” i Marksit mund të bëhet film, madje këtë mendonte ta bënte personalisht. Thuhet se pati bisedime edhe me autorin e romanit “Uliksi”, Xhejms Xhojs, që ta ekranizonte romanin e tij . Të tjerët mendojnë se shndërrimi i këtillë është i pamundur. Sipas tyre nuk është e mundur shndërrimi nga një medium në tjetrin, por është fjala për një proces të ri, madje për një vepër të re. Prandaj ata e mbrojnë teorinë se për filmin duhet të bëhet skenari origjinal që nuk frymëzohet nga letërsia a mediumet e tjera, por kryekëput frymëzimin e ka në imagjinatën e autorit të skenarit a regjisorit. Madje shumë prej tyre mendojnë se letërsia e mediat e tjera nuk duhet të barten në ekran të madh, sepse vetëm mund të deformohen.

Pavarësisht mëdyshjeve të vazhdueshme të kritikëve të adaptimit për film, pavarësisht kundërshtimit që letërsia të ushtrojë ndikimin e vet në film përmes adaptimit, në historinë e filmit shumë nga romanet e njohur janë bartur, pra janë adaptuar në film, disa janë adaptuar më shumë se dy-tri herë, ndërsa më vonë ky proces u bë diçka e zakonshme. Ndonjëherë gati gjysma e filmave të prodhimtarisë kombëtare ishte adaptim, përshtatje e romanit, tregimit, novelës e tekstit të dramës. “Historia e letërsisë ka regjistruar shembuj të panumërt të përshtatjeve të veprave klasike dhe të krijimit të kryeveprave nëpërmjet përshtatjeve” .

Ndërkaq, kur është çështja te bartja nga letërsia në film shumë nga teorikët e filmit e skenaristët mendojnë: “Kultura në përgjithësi dhe letërsia në veçanti s’kanë ç’humbin nga aventura ë përshtatjes . Përkundrazi. Bazen mendon se letërsia mund të fitojë.

Nëse përshtatja është e suksesshme, statistikat kanë dëshmuar se edhe tirazhi i librave të shitur është më i madh. Ndërkaq, po dështoi filmi i bërë sipas romanit, këtë gjë do ta marrin vesh vetëm një numër i vogël i lexuesve, të cilët e kanë lexuar romanin. “Dihet fare mirë se letërsia dhe romani janë elitare, ndërsa filmi u dedikohet numrit shumë më të madh të shikuesve . Pra, në këtë rast përfiton edhe letërsia, e cila popullarizohet, sepse shikuesi cytet ta lexojë romanin, tregimin a dramën, por përfiton edhe kinematografia, sepse merr subjekte të gatshme, ka në dispozicion karaktere të formuara, nuk e çan kokën të krijojë situata as të shpikë veprime . Mbi tekstin që e merr për ta adaptuar ai mund të veprojë pastaj duke shtuar apo hequr, duke e plotësuar apo ndryshuar. Por edhe për këto veprime janë disa rregulla, ka procedura, ndiqet përvoja nga e kaluara dhe adaptimet në mediat e tjera, ashtu sikurse duhet të përfillet mënyra se si do të bëhet adaptimi.

P.S. Në literaturen sovjetike, pjesërisht edhe në atë shqiptare në vend të adaptim, është përdor ekranizim.

Literatura:

1.Rimejk është filmi i bërë sipas skenarit të njëjtë apo filmit të mëparshëm, por natyrisht i plotësuar e me ndryshime.

2.D. A. Cook: A history of narrative film 1999 , 1996, W. W. Norton &Company, Inc, faqe 254-256.

3. Balazh, Bela, Filmkultura, faqe 269, përkthyer nga Kristaq Dhamo, Albin, Tiranë, 2008.

4. Andre Bazen, Ç’është kinemaja, përkthyer nga Elvis Hoxha, Zenit Etitions, Tiranë, 2012, faqe 98.

5.Po aty.

6. Pas suksesit që pati filmi “Apokalipsi tash”, nën regji të Frensis Ford Kopoles e “Daullja e llamarintë” i Folker Shlendorfit, redaksia e botimeve të “Rilindjes” në Prishtinë, përktheu romanin e Xhozef Konradit “Zemra e errësirës” dhe të Gynter Grasit “Daullja e llamarintë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok