BUNKERËT NË SHQIPËRI
Nga Prof. Xhelal Zejneli
Askush nuk e di saktë numrin e bunkerëve në Shqipëri, të ndërtuar në kohën e regjimit komunist. Çështjet ushtarake, në çdo vend të botës kanë qenë sekret. Sekret janë edhe sot. Numrin e bunkerëve në Shqipëri e dinë vetëm instancat më të larta të ushtrisë shqiptare, Ministria e Punëve të Mbrojtjes dhe NATO-ja. Tjetër askush. Shpesh manipulohej me shifrat dhe thuhej se regjimi komunist ka ndërtuar në Shqipëri 700.000 bunkerë. Numri i bunkerëve sot, nuk është aq sekret si në kohën kur janë ndërtuar. Nuk duhet harruar faktin se luftërat e sotme bëhen me dronë e raketa dhe jo si dikur me këmbësori. Rëndësia e bunkerëve sot është relative. Regjimi komunist i Shqipërisë i ka ndërtuar bunkerët për t’u mbrojtur prej ndonjë sulmi eventual nga Jugosllavia, nga Bashkimi Sovjetik, nga Greqia, nga Italia, nga NATO-ja. Me fjalë të tjera, bunkerët duhej të ishin në funksion të mbrojtjes së vendit prej vendeve fqinje, anëtare të NATO-s dhe të Traktatit të Varshavës, përfshi edhe Jugosllavinë.
* * *
Sipas të dhënave të caktuara, në Shqipëri gjatë periudhës së regjimit komunist, kryesisht midis viteve 1975–1983 kur u intensifikua programi masiv, u ndërtuan 173.371 bunkerë. Ka burime që thonë se bëhet fjalë për 175.000 bunkerë. Por ka edhe burime që thonë se janë mbi 199.000 strehime dhe bunkerë përmasash të ndryshme.
Përqindja e PBB-së: Ndërtimi i bunkerëve i ka kushtuar ekonomisë së Shqipërisë rreth 2% të Prodhimit të brendshëm bruto (PBB) çdo vit.
Llogaritet se sasia e betonit dhe e çelikut që janë përdorur për bunkerët në Shqipëri kanë kushtuar sa dyfishi i shpenzimeve të Linjës Mazhino (Ligne Maginot)* në Francë.
Shënim: Linja Maginot (frëngjisht: Ligne Maginot) ka qenë një pakt masiv i fortifikimeve mbrojtëse të ndërtuara nga Franca përgjatë kufijve të saj me Gjermaninë, Luksemburgun, Zvicrën dhe Italinë në vitet 1929-1938. Emrin e mori sipas ministrit francez të Luftës, Andre Mazhino (André Maginot, Paris, 1877 – Paris, 1932), kjo vijë mbrojtëse konsiderohej një kryevepër e inxhinierisë ushtarake të kohës, e projektuar për të parandaluar një pushtim të mundshëm gjerman pas tmerreve të Luftës së Parë Botërore.
* * *
Përveç kostos financiare, ndërtimi i bunkerëve në Shqipëri në kohën e regjimit komunist ka pasur edhe një kosto të madhe në jetë njerëzish. Llogaritet se gjatë ndërtimit të bunkerëve kanë humbur jetën aksidentalisht apo në ndonjë mënyrë tjetër 70 deri në 100 veta në vit.
* * *
Pakkush beson sot se Shqipëria e regjimit komunist, e izoluar nga bota, do të mund të mbrohej me efikasitet nga ndonjë sulm eventual i NATO-s, në saje të bunkerëve.
Mbase do të kishte qenë më mirë që mjetet financiare që janë harxhuar për ndërtimin e bunkerëve, të ishin investuar në ekonominë e vendit. Ndërtimi i bunkerëve i ka shteruar energjitë e popullit.
NATO-ja nuk ka ndërmarrë ndonjë sulm ndaj Shqipërisë komuniste, jo nga frika e bunkerëve të ndërtuara pranë plazheve dhe në plazhe, në parqet e qyteteve, në trotuare, në qytete, në fshatra, në male, fusha, ara, pranë kufirit me Jugosllavinë e Josip Brouit, pranë kufirit me Greqinë, në brigjet e Adriatikut përballë Italisë. Ndërhyrje luftarake kundër Shqipërisë s’pati dhe mirë që nuk pati. Shqipërisë, Kosovës dhe shqiptarëve kudo ku ndodhen në rajon, u duhet paqe, zhvillim ekonomik, mirëqenie sociale, ndërtim të shtetit ligjor, shtetit të së drejtës, demokraci, punë e ndershme, arsim cilësor, shëndetësi cilësore, zgjedhje vendore dhe zgjedhje parlamentare të ndershme, gjyqësi të pavarur, luftim të korrupsionit, të mitës, të ryshfetit, mediume të pavarura, liri e fjalës, liri e mendimit, liri e shprehjes.
