BUKA E DHANME
TREGIM NGA NDUE DEDAJ
Të dyshuemit se u kishin dhanë bukë Reaksionarëve duhej të niseshin nji orë e ma parë për në qendër të Nënprefekturës, por ata ishin tre veta e policët e lokalitetit vetëm dy. Nuk kishte makinë dhe ishin nantë orë të mira deri atje. “Do t’i lidhim dorë për dorë e kështu nuk kanë se si me na ikë”, thanë në postën e Policisë. Por nuk i lidhën ashtusoj, pasi nuk do të arrinin as për tri ditë. I prangosën me duert përpara secilin dhe u nisën të pestë, të lidhunit para, policët mbrapa me gishtin në kambëz. “Po guxoi ndonjani me ia mbath, plumbi asht ma i shpejtë se vrapi i tij”, menduan. Ishte vjeshtë e nuk kishte shumë etje, kështu që nuk ishte e nevojshme të ndalonin me pi uji gjithë ku kishte kroje. Por mund të shtrëngohej ndonjani nga ujët e hollë e policëve atëherë do t’iu duhej me ia zbërthye me duert e tyne kopsat e pantallonave…
Ishin nisun me të dalë drita e tash, mbas pesë-gjashtë orësh rrugëtimi, ishin rraskapitun të gjithë, por të lidhunit nuk qitnin za. Po vinte mesdita dhe as që kishin mendue se ku e si do të hanin drekë. Kur polici ma i vjetër Kol Hajmeli ia tha kët’ gja kolegut ma të ri, ky ngriti supet, si t’i thoshte ti je shefi e ty të përket me e zgjidhë. Por çfarë zgjidhje mund të kishte, kur ata kishin me vete tre njerëz të lidhun? Të ishin pa ata do t’i bëzanin ndonji fshatari në derë e kaq ishte ajo punë, do të mbushnin barkun me bukë e do të merrnin prapë Udhën e Madhe, se duhej mbërritun pa ra nata në Nënprefekturë. “Do të blejmë ndonji koromane e pak sheqer te Dugaja e Rikut, bukë sa për gjunjët” tha me vete polic Kola. Do të duronin dhe një gjysmë ore deri te tregtari shkodran i peshkves. I kishin thënë se nuk ishte larg Qafë-Benës, ku kishte kalue njiherë asaj tërthorje. Kqyrte kullat rrëzë kodrave që më shumë nxinin se zbardhnin dhe u kujtue se tri sosh kishin qenë shtëpitë në vakthit, shtëpi buke, shtëpi pushke dhe shtëpi gjaje. Tash si po vinin punët, gjasët ishin të mos ishte ma as njana e as tjetra. Por polici Kol e mbyti brenda vetes atë mendim të mbrapshtë që se nga i erdhi në krye. Shtëpia e tij kishte qenë shtëpi gjaje, por dhe burrnie, kishin pasë treqind krenë dhi, por gjysmën ua patën dhanë partizanëve nji dimën. Kjo ishte dhe arsyeja që Kolën e kishin veshë polic lokaliteti. Por desh e kishin flakun para një viti për një batudë që kishte ba gjatë nji shërbimi andej nga malet e Dukagjinit: “Jam polic lokaliteti / Qebesa plasa s’nxehti…”
Tash as që i shkonte ndërmend që të karratonte ma n’arshika, as për veten. Ishte hera e parë që bante nji rrugë kaq të gjatë për me shoqënue persona të rrezikshëm që bashkëpunonin me Bandat e Reaksionit që endeshin maleve për me rrxue pushtetin. Ai vetë ishte puntuer shteti, por as me pushtetin e as kundra tij. I njihte tre burrat e lidhun, i përkisnin një shtëpie në za në ato anë, që përmendej, në dash për trimni e në dash për dhanie buke, por që dita – ditës veçsa i keqsonin punët me pushtetin. E dinte se nëse do të mundnin, pas arrestimit të bujshëm mesnatën e kalueme, ata do të arratiseshin si burrat e tjerë të fisit të tyne, prandaj tregohej dhe ma shumë vigjilent. Nuk mund të shkonte vetë në burg në vend të tyne!…
Pesë shtegtarët e Udhës së Madhe, ku venin e vinin dhe plot të tjerë, tue shqye sytë në ta, po sharronin për të ngranë. Në katundin Blinas udha binte përbri një kulle trekatshe në kep të zi, me plot bashtina, sa në fushore, sa në kodrat përreth, bash aty ku lugina sosej e hynte në një grykë të ngushtë si tunel. Kola dhe polici tjetër nuk kishin kalue asnjiherë asaj rruge, por në çdo katund që kalonin i shoqëronte njani nga pushkatarët vendali, që e caktonte kryeplaku. Ky ishte nji si rregull i pashkruem për gjithë kalimtarët e panjoftun, të huajtë që vinin prej Europe e ndajvoni dhe për njerëzit e qeverisë.
Në anë të udhës, hasën një grua të moshueme që po kulloste dy a tri lopë në një livadh poshtë kullës hijerandë.
“Për të madhin Zot, or meca, mendova se ishit krushq, po kur u afruet ma këndej, thashë ku e kishit nusen?!” – i shpotiti ajo.
“Jemi gjind të shtetit, oj loke!” – foli Kol Hajmeli për t’i dhanë me kuptue asaj plake se nuk duhej folun ashtu. A nuk e shihte ajo se ata ishin policë e po shoqnonin tre të burgosun?
Në ato fjalë, në skaj të oborrit të kullës, doli një djalë rreth të njëzetave dhe u foli kalimtarëve:
“Tata Gjegjë më tha të ktheni kah kulla!”
“Shkojmë!” – tha burri i katundit që i shoqnonte.
“Si? Nuk e sheh si jemi?…” – foli Kolë polici i habitun.
“Nuk ban me kalue pa u ndal, tash që na ka thirrë! Për ju është fjala, se unë i shtëpisë jam, në kuptimin që jam nga ky fshat!”
“Po shkoj unë dy dekika sa më ndërrue një duhan! Ju më prisni këtu!”
Por Tata Gjegjë tashmë ishte shfaqur si një bust aty ku ma parë kishte qenë ai djali, me siguri ndonji nip i tij.
“Or komandant, priju shokëve tërmal!”
“Nuk janë të gjithë shokë!”
“Hem! Nji gotë ujë do të pini, or burra! A nji broke dhallë?”
Priu Kola e mbas tij të lidhunit. Në fund vinte polici tjetër dhe pushkatari i katundit. I zoti i shtëpisë nuk ia dha dorën askujt, por u tregoi një stol të drunjtë në hije të manit, ku qe vendosun një tavolinë e madhe si sofër, sa me zanë 12 vetë.
“Nuk po ma jep dorën?” – foli Kola.
“Po, or ti, si jo!… Por nuk po di se si me u falë me ju! Nuk më kanë ardhë miq kështu ndonjiherë në konak… Por zini vend njiherë, të merremi vesh!” Nuk ishte zakon me i pyet miqtë, ani se të panjoftun, se kush ishin e nga vinin e shkonin. Nuk patën zënë vend plotësisht, kur ia behu në oborr një burrë shtatgjatë, me mustaqe, që e shoqnonte ai djali që u kishte thirrun atyne nga oborri të vinin kah kulla. “Po ky?” foli me vete pushkatari për shoqin që sapo ia behu. Ai ishte i shtetit, i biri punonte shef në Nënprefekturë. Mbasi përshendeti me dorë u ul nga kreu i tavolinës.
Sapo plaku zot shtëpie ktheu kryet kah kulla, aty për aty, tavolina u mbush plot e përplot, në fillim shishja e rakisë me gotat, dy-tre pjata të vogla me meze, pastaj bukë e ushqime, mish i zier, groshë të kuqe, laknor. Gjithë të mirat.Të sapo ardhunit nuk po kuptonin asgja se çfarë ishte ajo gosti e papritur.
“Burra! – nisi të fliste i zoti i shtëpisë, – mirë se ju ka pru Zoti! – Do të hamë bukë si me qenë festë, ani se festë nuk asht, – por ma përpara këta tre burra do t’i zgjidhim, nuk kanë si hanë bukë duerlidhun! Janë në besën time…”
“Kjo nuk mund të ndodhë!” – u hodh polic Kola. – Këta janë të arrestuar! Do të shkojnë kështu lidhur në Nënprefekturë.
“Mos u gjut, or komandant, pashë bukën! Nuk thashë mos me i çue lidh atje ku janë nisun, por me ua heq hekurat nga duert sa të hanë bukë si njerëzit! Si thue, na të hamë, e këta të na shohin ne?!”
“Nuk hamë as ne! Ikim që tani! Jam me rrobën e shtetit e s’kam si me i thye ligjet e tij!”
“Shteti nuk thotë mos me hangër bukë gjindja! A nuk më thue ku do ta hanit sillën, nëse nuk do t’iu kisha ndalue unë?”
“Te Dugaja e Rikit do të blej ndonji copë bukë sa për gjunjë! Atje më kanë thanë ata të postës, kur u nisëm…”
“Po atje, me duart lidhun do të hanin këta???…”
Gjegjë Delia, i zoti i shtëpisë, pa nga pesë djemtë e tij burra që rrinin në kambë, iu drejtue tre ma të mëdhenjve, ti Mark, ti Gjin e ti Gjon, ejani e lidhuni në vend të këtyne tre burrave të panjoftun, sa të hanë bukë! Tash ata janë miqtë e kësaj shtëpie. Ata janë në besën tonë e na në besën e tyne!… Si thue ti, or Loc? – iu drejtue shoqit që kishte djalin shef në Nënprefekturë, me familjen e të cilit kishin kumari. Ky luejti paksa kryet, si për të thanë se ashtu si thue ti Gjegjë asht. Ta kishte ditë se do të gjindej në atë situatë, ndoshta nuk do të kishte ardhë, por tash nuk kishte nga ta luante shpinën. Gjegja jo më kot kishte çue e e kishte thirrë…
Tre të lidhunit nuk po dinin se ku ta vinin këtë kullë, këtë burrë plak dhe djemtë e tij, që atë çast ishin afrue të polic Kola me duert e shtrime përpara, gati me ua mbërthue prangat. Burri me uniformë mbeti pa fjalë para këtij gjesti të pazakontë kalorsiak, u ngrit dhe i zgjidhi nji nga nji të lidhunit tue ba burrni, kurse Gjegjë Delia, që nuk ishte ulun asnji dekik deri atëbotë, zu të falej ngrykaz me të gjithë të pranishmit në sofër, tue fillue nga polic Kola dhe pastaj shkoi e ul në mes të tre të sapozgjidhunve.
“Qoftë levdue Jezu Krishti! Shumë jetë bashkë!…” – nisi fjalët e rakisë i zoti i shtëpisë, që i thanë radhazi, siç ishte zakoni, nga i pari tek i fundit. Në tryezën-sofër u ulën dhe tre djemtë e Gjegjës, që sapo u kishte thirrë emrat, kurse dy të tjerët rrinin qiri në kambë në pritje të ndonji porosie nga i ati.
Loci kishte pa boll dynja me sy, por me lidhë i zoti i shtëpisë tre “shenjtën” (Markun, Gjinin e Gjonin) për tre miq të largët e të panjoftun, këtë as e kishte pa e e as e kishte ndigjue, ama i vetëdijshëm se gjithmonë kishte nji herë të parë për çdo gja. “Shtëpia e Zotit dhe e mikut” nuk ishte nji fjalë goje në malet e Shqypnisë…
Kur mbaroi dreka, policë Kola u vu t’i lidhte përsëri të arrestuemit, por i doli përpara Tatë Gjegja, siç e thërrisnin bijtë dhe nipat:
“Nuk ban me i lidhë pa kalue katundin, do të vijmë dhe na, siç jemi, me ju deri në Qafë-Benë!”
Polic Kola tha me vete, kiameti lë të bahet! E pat kjo punë. Edhe në ia mbathshin, burg do të ha, s’ka me më vra njeri, edhe pse s’e pëlqente hiç atë frazën ndjellakeqe “burgu për burrat asht”!”
Kur po kalonin prapë aty ku po kullosnin lopët, ua priti ajo gjyshja e moshueme:
“Tash ma batë qejfin, sak si me qenë krushq!”
*
Mbas tri ditësh, tre burra të rinj e të pashëm, me të shkue mendja me i vu krahët e me e kthye ujit e lumit për tërmal, ndaluen te kulla e Gjegjë Delisë, sa për nji faleminderës me dorën në zemër, por nuk u besuen syve kur panë se në oborr ishin shtrue jo nji, por tri sofra, me siguri me shtegtarë të tjerë, si ata para tri ditësh. Gjegja nuk i njohu, jo se nuk kishin ma hekurat në duer, por të bijtë sa i panë vunë buzën në gaz. I kishin lirue “për mungesë provash”, siç u kishin thënë ata të Degës së Mbrendshme.
“Ndonji bukë e dhanme” kishin thanë ata me vete, se ndryshe nuk kishte si t’i lironin, pasi me të vërtetë atë natë Reaksionarët kishin bujtë në kullën e tyne, ku ishte pre dashi e tash duhej ta kishin kalue kufinin…
Kësaj here i futën mbrenda në kullë. Kafet ua poqi një vajzë e hijshme, me rroba të bardha e shaminë e zezë lidhun poshtë mjekrës. A thue do të vinin krushq ndonjë ditë në këtë kullë?…