07/10/2024

Të mos lejojmë që përdorimi politik i feve ta kthej këtë komb në të kaluarën e tij të errët

0

Nga Prof. Blerim Latifi

Një ndër arsyetimet që po përmendet nga ata që janë pro idesë së Ramës për një shtet bektashi në Shqipëri, është edhe kontributi historik që bektashinjtë kanë dhënë për ngritjen e nacionalizmit shqiptar. Dhe vërtet ky kontribut është fort i madh. Patrioti më i madh shqiptar në Shekullin e Rilindjes Kombëtare vinte prej tyre. Quhej Abdyl Frashëri.

Por si t’ia bëjmë me Urdhërin e Françeskanëve në Veri, i cili po ashtu ka dhënë kontribut fort të madh për të njëjtën çështje, bile për një periudhë shumë më të gjatë se bektashinjtë?

A duhet edhe atyre t’u ofrohet mundësia që po u jepet bektashinjëve shqiptarë?

Nëse nuk është e mundur, atëherë i bie se shteti shqiptar po vepron me logjikën e diskriminimit. I bie si t’i thuash bektashiut Mitat Frashëri se për kontributin tënd në drejtimin e Kongresit të Alfabetit në Manastir do të shpërblehesh me një shtet brenda shtetit shqiptar, ndërsa françeskanit Gjergj Fishta për të njëjtin kontribut të mos i jepet asgjë.

Të tilla janë konsekuencat e një ideje dhe debati të panevojshëm.

Fatmirësisht kur bektashiu Mitat Frashëri dhe françeskani Gjergj Fishta u takuan në Manastir, në mendje kishin jo rehatimin e grupeve të tyre fetare, por si të ngrinin një komb modern shqiptar që qëndron mbi fetë, si e vetmja rrugë për të qëndruar e pasur një vend mes kombeve të lira europiane. Në fakt, si e vetmja rrugë që bën të mundur vetë ekzistencën e këtij kombi shqiptar. Dhe si e vetmja rrugë për të mos lejuar që përdorimi politik i feve ta kthej këtë komb në të kaluarën e tij të errët e të mjerë.

___________

Të vërtetat e kanë të vështirë të depërtojnë në veshët e bllokuar me dyllin e miteve dhe iluzioneve, prandaj shpesh ato, pra të vërtetat, duhet të bëjnë zhurmë, të alarmojnë dhe ndonjëherë edhe të brutalizohen në mënyrë që të arrijnë të dëgjohen.

Këtyre situatave u takon edhe deklarata “brutale” e ambasadorit Hovenier. Nën tonin e saj jodiplomatik qëndron një e vërtetë shumë diplomatike. Ajo që mendimtari amerikan, Joseph Nye, e paraqet në formë analogjie: Të jesh anëtar i bashkësisë ndërkombëtare të shteteve është si të jesh anëtar i një klubi, ku gjëja e parë që duhet të bësh është të pranosh rregullat e lojës dhe e dyta të sillesh sipas tyre. Nëse e bën të kundërtën ose të përjashtojnë nga loja, ose të dëbojnë krejt nga klubi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok