22/12/2024
Edison_Ypi

Nga Edison Ypi

“Me bukë” bëhej gjithçka; Korreshin fitoret, ushqeheshin masat punonjëse, shtohej hovi revolucionar, çahej bllokada, përparonin shkencat, zhvillohej Arti, letërsia, teatri, kinematografia.

“Pa bukë” nuk bëhej asgjë, nuk ndodhte asgjë, nuk bëhej asnjë spiunim, nuk arrihej asnjë fitore, nuk tejkalohej asnjë plan, nuk bëhej asnjë mbledhje, nuk funksiononte asnjë komitet.

Disa nga të mirat e mëdha që vinin prej ngrënies së bukës, ishin; farkëtimi i prangave, mbushja e burgjeve, puna vullnetare, format e edukimit politik.

Nuk u prodhua kurrë aq drithë sa shqiptarët të ngopeshin me bukë. Megjithatë “Festa e Bukës” tundëte dheun. Megjithatë “sihariqin” për “bukën e siguruar në vend” kurvi e jepte me gojën e vet në çdo kongres. E prapseprap Shqipëria ishte plot me armiq e sabotatorë që rraseshin nëpër burgje sepse kapeshin duke dashur të djegin depo drithi.

Drithi për bukë ruhej në tunele prapa maleve “për tu siguruar nga bombardimet e NATO-s dhe Traktatit të Varshavës”.

Le të mos kishe gjë për të ngrënë, kocka për të lëpirë, dhëmbë për të kafshuar, madje as stomak për të tretur, bukë duhej të kishe patjetër.

Për ta theksuar rëndësinë e bukës, kujtohej shprehja e Stalinit; Bindja e ushtarit kalon nga mbushja e stomakut, pra nga buka.

Aq shumë bukë në një vend aq bosh, nuk mund të “sigurohej” ndryshe veçse duke e sjellë nga “jashtë shtetit”. Mirpo ta sillje bukën nga ndonjë vend tjetër do të thoshte se i ishe gjunjëzuar armikut. Prej këtij ankthi kurvi dhe partia nuk u rehatuan kurrë.

U bënë propozime nga shpikësa pararojë për të ngritur fabrika që të prodhonin grurë. “Nuk është e mundur, thanë agronomët. Gruri është produkt organik që ka brenda Albuminë, pra sipas Engelsit “Jetë”, ndërsa fabrikat prodhojnë produkte inorganike, “sende”. Meqënse problemi i prodhimit të grurit me fabrika nuk doli teknologjik por filozofik, propozimin e shpiksave të talentuar nuk e zunë më në gojë.

Propaganda tregonte papushim traktora që çanin arat, kombajna që korrnin grurin, koperativistë që buzëqeshnin duke futur grurë nëpër depo me cfurqe, e megjithatë gruri s’ndalte së ardhuri nga “jashtë shtetit”.

Rrena se buka sigurohej atje ku ishin arat, fushat, kooperativat, pra në fshat, të bënte të besoje se i pari që hante bukë gruri ishte fshatari. Ironi makabre. Fshatari hante vetëm bukë misri.

Buka shpërndahej me gramaturë; Kaq gram bukë qytetari, kaq ushtari, aq marinari, aq aviatori, aq minatori. Fshatari nuk llogaritej sa gramë bukë hante.

Buka, pjekja e bukës, blerja e bukës, ishin aq të mpleksura, sa “dyqani i bukës” quhej “furri i bukës”.

Nëse tek kafshoje bukën të pështillej nëpër dhëmbë një spango, kjo dhe të tjera tmerre ndodhnin ngaqë në furrin e bukës brumin e ngjeshin me këmbë ose çizme.

Flitej gjërësisht jo vetëm për bukën e fortë që nuk çponte as koburja por edhe për babain e saj të butë, brumin. Nga besnikëria për kurvin dhe kauzën, diskutimi që do mbaje në mbledhjen e kolektivit, e deri tek karakteri i individit, edukata e tij, kultura, dhe gjithë të tjerat, duhej të ishin “me brumë”.

Nëse makina punonte me karburant, hidrocentrali me ujë, mulliri me erë, shqiptari punonte me bukë.

“Buka me vete” që e merrje “nga shtëpia” për ta ngrënë “te puna” ishin dy copa buke me në mes ca tmerre që s’është mirë të kujtohen.

Të kudondodhurin slogan “Vetëm buka dhe fishekët të mos na mungojnë”, tani që s’të pjerdh kush mund ta quash monstruoz apo makabër, ndërsa atëhere të hidhnin hekurat edhe vetëm mendja po të shkonte ta interpretoje sadopak.

Myzeqeja, Devolli, Zadrima, ishin hambarë imagjinarë drithi, domethënë buke.

Pse për të ndërtuar shoqërinë pa klasa dhe shtresa nuk zgjodhën vezën, makaronat, orizin, mishin, por pikërisht bukën, mbeti e errët për një kohë të gjatë. Misterin e zbuloi një ishullar nutricionist autodidakt i cili tha; Veza ka lidhje me Kolombin, domethënë me Amerikën, makaronat lidhen me Italinë, orizi me Kinën, mishi me seksin, pra me kapitalizmin, ndërsa buka komuniste vetëm me krypë e zemër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok