20/04/2024

Mos e bëni Kosovën ferrin e së nesërmes!

0

Nga Enver Bytyçi

Tema e krijimit ose jo të Asosacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë është aktualisht tema më e nxehtë. Që në fillim duhet thënë se kjo kërkesë e Serbisë erdhi në duart e Albin Kurtit si një patate e nxehtë, për shkak të nënshkrimeve të 19 prillit 2013 të Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiç, si dhe të nënshkrimeve të Isa Mustafës dhe Aleksandër Vuçiç në vitin 2015.

Po ta vemë re me kujdes, tani Kosova po rikthehet te 19 prilli 2013. Asaj i është paraqitur një projekt i njëjtë si para 10 vitesh. Qeveria Kurti, duke qenë se erdhi në pushtet me kauzën anti-asosacion (Zajednica nuk kalon), është i detyruar që ta kundërshtojë dhe të luftojë kundër tij. Por edhe mund të ndodhë që ai të pajtohet me ndonjë intrigë “ndërkombëtarësh” për t’ia lënë dikujt tjetër nënshkrimin e saj. Pastaj të mjaftohet me retorikën anti-asosacion. Në këtë rast ai do të ishte dyfish i ndëshkuar, si intrigant dhe si tradhtar i premtimeve të veta. Unë nuk besoj në këtë thash e them! Besoj shumë se ky lloj përgojimi është sajuar në Beograd, si element trysnie dhe ndikimi në opinionin publik. Këtë thash e them e përçojnë ata të ashtuquajtur politikanë dhe analistë të cilët thonë se “Kurti e ka pranuar asosacionin”!

Por Kurti vazhdimisht thotë se nuk e pranon atë. Ka dhënë dhe po jep pa fund argumente për këtë dhe kjo e ngre atë si politikan të mendimit dhe argumentit. Megjithatë trysnia është shumë, shumë e madhe. Nesër në ambasadën amerikane do të jenë të gjithë aktorët politikë, përveç Kurtit. Po interpretohet kjo si një organizim kundër Albin Kurtit. Por unë nuk e mendoj të tillë takimin e ambasadoorit Hovenier me përfaqësues të politikës e të shoqërisë civile ditën e nesërme më 31 janar. Sepse aty do të jetë edhe zv. kryeministrja dhe ministre e Jashtme, Donika Gërvalla. D.m.th do jetë e pranishme edhe qeveria.

shoh dilema dhe përpjekje diametralisht të kundërta në qëndrimet politike e të medies sa i përket kësaj çeshtjeje shumë delikate. Nëse do kishte njohje të Kosovës nga ana e Serbisë rreziku i asosacionit do të zvoglohej. Njohja e ndërsjelltë do të detyronte Serbinë t’i përmbahet rregullit ndërkombëtar për respektimin e integritetit territorial të Kosovës. Në këtë rast një asosacion pa kompetenca ekzekutive në çeshtjet e sigurisë, politikës së Jashtme dhe të gjyqësisë, mund të funksiononte. Vetëm se edhe në këtë rast do duhej parashikuar që ky asosacion të ngrihej pasi Kosova të bëhej anëtare e OKB-së.

Por nuk është kështu. Asosacioni kërkohet të realizohet e krijohet pavarësisht mos-njohjes nga ana e Serbisë. Në këtë rast bëhen garantë Fuqitë Europiane dhe SHBA-të minus Britanisë së Madhe. Por nuk mjafton kjo. Sepse integriteti i vendeve garantohet e duhet të vijë si produkt i anëtarësimit në OKB. Kjo gjë është e pagarantuar. Madje nuk jepet garanci as për pranimin në NATO e BE. Kështu që do të vijë një moment i dytë, kur do të vendosen raportet e njohjes midis të dy vendeve. Ky moment do të jetë në kohën kur Serbia të diskutojë kapitullin e fundit për integrim në BE. D.m.th pas 5 deri 10 vitesh!

Çfarë do të ndodhë deri atëherë? Serbia do të marrë kohën e nevojshme për ta realizuar idenë e ndarjes së Kosovës. Do të shtojë të gjitha kapacitetet e veta për ta realizuar këtë. Ndërkohë krijimi i asosacionit do t’i mundësojë asaj të krijojë mekanizmat “legalë” të shpalljes së pavarësisë së veriut të Kosovës dhe kësisoj të bëjë trysni në emër “të vullnetit” të serbëve që jetojnë në këtë pjesë të vendit. Deri aso kohe Escobar dhe Rollet nuk do të jenë personazhe në ndërmjetësim. Ata që do të vijnë do të thonë, siç thotë sot Hill, se “Ne kemi qenë për ndarjen e Kosovës dhe jo për unifikimin e saj”! Alibia e garancive do të bjerë dhe Kosova do të detyrohet të kapitullojë.

Nëse ndodh kjo, dhe të gjitha gjasat janë se kështu do të zhvillohen ngjarjet, atëherë Kosova shpërbëhet si shtet. Ata që sot besojnë se do të kenë një shtet dhe institucione do të zhgënjehen përfundimisht. Kosova do të ndahet midis Serbisë dhe Shqipërisë dhe në këtë rast nuk rrezikohet vetëm veriu i Kosovës. Një Kosovë e ndarë, pa resurset e pasurive të veriut, nuk mund të mbijetojë si shtet. Këtë e dinë ata që kanë inicuar dhe këmbngulin për asosacionin.

Prandaj dhe është më mirë ta ndani mendjen sot: – Nëse e doni shtetin, shtetësinë dhe vetë Kosovën, mbrojeni sot integritetin territorial të saj. Nesër do të jetë vonë, shumë vonë! Nëse doni ta shpërbëni shtetin e shtetësinë e saj, miratojeni asosacionin dhe jepjani që sot veriun Serbisë! Mos harxhoni energji dhe nerva për ta zgjatur e transferuar konfliktin në kohë tjetër! Serbia edhe sikur të pranohet në Bashkimin Jupiterian nuk ka për ta ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës! Mos krijoni iluzione as nga „garancitë“ europiane dhe amerikane. Shembull kemi Ukrainën, të cilën e ç’atomizuan në favor të Rusisë me garancitë e Perendimit dhe sot ajo gjendet në ferr! Ukraina do ta fitojë luftën, por ferri mbetet ferr! Mos e bëni edhe Kosovën një ferr të vërtetë, në një kohë tjetër, kur Ukraina nuk do të jetë më tema kryesore e lajmit në botë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok