08/10/2024

AZEM VLLASI HABITET ME PYETJEN E STUDENTIT NASER BERISHA!

0

Në kuadrin e përvjetorit të demonstratave studentore 1981

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Azem Vllasi, në kujtimet  për demonstratën e 26 marsit 1981, flet për grumbullimin e studentëve në mes konvikteve nr. 5 dhe nr. 1, që përkonte edhe me përcjelljen e stafetës të rinisë, për ditëlindjen e Titos. “Mahmut Bakalli, kryetar i LK të Kosovës, në mëngjez, më njofton se ka informata, për lëvizje të një grupi të studentëve. Dyshoj se do të demonstrojnë kundër Jugosllavisë dhe Titos, në ditën e përcjelljes ceremoniale të stafetës. Dhe, na dalin shumë probleme politike, sepse e merr vesh i gjithë opinioni jugosllav”, – i thotë Bakalli kuadrit Vllasi.

Shkova aty, rreth orës 20.oo, pashë disa qindra studentë. Ishte aty rektori i Universitetit, Prof. Dr. Gazmend Zajmi, nënkryetari i Qeverisë të Kosovës, Prof. Dr. Pajazit Nushi, disa profesorë dhe aktivistë të tjerë. Prisja të kuptoj se për çka bëhet fjalë, çka donë. Gazmend Zajmi fliste, por, jo dikçka esenciale. Por, i luste që të shpërndahen, të shkojnë nëpër ligjërata dhe tjetër herë do të këtë kohë, raste dhe kushte për biseda të çfarëdo lloji. Por, jo sot.

Ali Lajçi dukej aty si koxhabash. Kur më pa , m`u drejtua me pyetje se ” a duhet të shkoj në polici, ngase për sot në orën 10.oo e kisha një ftesë, për t`u marrë në pyetje, lidhur me demonstratat e 11 marsit?” I thashë lë të vendosë vet, unë këtu nuk jam njeri i policisë. E dinte ai, por kjo ishte paksa si provokim.

“Në një moment, shikoj drejt para meje, në anën tjetër një djalosh i ri e ngre dorën lart dhe thotë se ka një pyetje, për neve, që kemi ardhë nga udhëheqja e Kosovës. Të tjerët afër tij e qetësojnë, nuk donë që ai të flet. Ai është këmbëngulës, do të bëjë një pyetje. Unë insistoj që ta lejojnë. Të gjithë dëgjojnë. Ai, paksa i kthehet Gazmend Zajmit dhe thotë:

“Po ju pyes juve, shok Rektor, ngase jeni i pari i Universitetit, e ne jemi studentë, por, mund të përgjigjën të tjerët, që janë këtu. Na intereson: PSE KOSOVA NUK MUND TË BËHET REPUBLIKË”?!

Disa aty prezent, paksa duatrokasin dhe, më shumë insistojnë për heshtje, për të degjuar përgjigjën. Gazmendi paksa habitet dhe thotë se “vet nuk është kompetenti, që të përgjigjet në këtë pyetje, pasi që këtu janë politikanët”. Dhe, disi shikon në drejtim timin, paksa dorën e drejton kah unë. U ndjeva si i thirrur që Gazmendit paksa t`ia lehtësoi punën dhe përgjigjëm:

“Me 11 mars ju kemi lutë, që të shkojmë në një ambient të përshtatshëm dhe të bisedojmë për çfarë të doni. Ju nuk pranuat. Tashti, ju lusim, ju sërish refuzoni. E ti, nëse mendon se këso pyetje mund të shtrosh kështu, në rrugë dhe të marrish përgjigjën, kështu në këmbë, më duket se edhe vet nuk e ke seriozisht” , – i dha përgjigje Azem Vllasi, studentit të Fakultetit të Shkencave të Natyrore-Matematikore, Katedra e Gjeografisë, Naser Mehmet Berisha, i lindur më 25 maj 1959, në fshatin Volljakë, komuna e Klinës

“Pse Kosova nuk mund të bëhet Republikë”, e bërë si pyetje, nga studenti Naser Berisha, ishte hera e parë, gjatë atyre ngjarjeve, e thënë dhe e dëgjuar publikisht, – shkruan, i habitur, në kujtimet e tij, Azem Vllasi. Që këtu, kërkesa për Kosovën-Republikë, u bë temë e debateve legale kudo, pavarësisht represionit, dhunës enorme, të organeve policore dhe gjyqësore të Federatës jugosllave.

Protesta e 11 marsit 1981, e filluar në Menzën e studentëve, me hedhjen për tokë të pjatës së parë me ushqim, siç thuhet, nga studenti Zymer Adem Kuqaj, i fshatit Studenicë, të komunës së Istogut, e pasuar nga dhjetra pjata të tjera të hedhura, ishte nisma, për të vazhduar më demonstratën e 26 marsit, e deri më 1 dhe 2 prill 1981, që përfunduan përgjakshëm.

Kanë kaluar 31 vjet nga demonstratat studentore, të vitit 1981 dhe ende nuk ka marrë përgjigje të saktë, pyetja: “Kush i organizoi, realisht, këto demonstrata, pikërisht, një vit pas vdekjes së Titos? Pse këto nuk u bënë në gjallje të tij dhe ai ishte momentumi i duhur të bëhen tani?

Veç arsyeve tjera, kryesisht, ekonomike, që, realisht, nuk ishin më keq se ato të rajonit, është hedhur ideja se në organizimin e tyre, “pati dorë” edhe Shqipëria. Në Kosovë, këtë dyshim e hodhi Azem Vllasi, por, pa e shpjeguar pse-në. Pro të këtij mendimi ishin edhe intelektualët në Shqipëri, si informacion i rrjedhur nga Sigurimi i Shtetit, të cilët do ta pësonin, me plumb dhe burg, së bashku me krerët dhe kuadrin e lartë të Ministrisë së Brendshme. Ata ishin më konkret, duke i përmendur shkakun se ecejakët, në mes dy shteteve, u përditësuan dhe “agjitacioni figurativ”, në shëndet, veshje e vetura, sfidoi standartin e përtokshëm në Shqipëri.

Stopimi zhvillimor në Kosovë, dajaku që u bë normë, do të bënin që shqiptarët të shpërqendrohen, nga varfëria dhe diktatura egër në Shqipëri. Dëshira, për ta ruajtur statusquonë në Kosovë, është parë edhe në heshtjen e demonstratave të vitit 1968, kur Hoxha i Tiranës dhe ai i Prishtinës, u dakorduan për këtë heshtje, pa u dëgjua asnjë fjalë nga Tirana zyrtare. Heshtjen donte ta përsëriste Tirana, edhe më 1981, duke mos përmendur as protestën e 11 marsit dhe as demonstratat studentore të 26 marsit. Tek më 8 prill, “Zëri i Popullit”, bëri reagimin e parë, ndërkohë që lajmi i përbotshëm ishte dëgjuar qysh më 11 mars!

Në “lojë” mund të kenë qenë edhe faktorë të tjerë. “Pse e dërgove ushtrinë, për ta mbrojtur Millosheviçin, në demonstratat masive të Beogradit”, -i thanë presidentin Stipe Mesiq? “Sepse askush si ai nuk punonte, për shkatërrimin e Federatës Jugosllave. Dhe, ne, kroatët atë prisnim”,- qe përgjigjur kroati Mesiq! Edhe kroati tjetër, Tuxhman, atë e donte, prandaj e nxiste Presidentin Rugova, për ta hapur, i pari, frontin e luftës në Kosovë, ndërkohë që “Shtëpia e Bardhë”, i kishte dhënë porosinë e prerë, D. Rugovës, se “luftën ta fillojë Serbia e para!” Sharlatanët profanë të LPK-së, edhe sot vazhdojnë ta penalizojnë Presidentin Rugova, pse nuk dëgjoi Tuxhmanin, për nisjen e luftës, që, padyshim, do ta shpinte në greminë Kosovën tonë.

Ata, injorantët politikë të LPK-së, anatemuan dhe iu gëzuan “humbjes politike të Rugovës, që mbeti jashtë pazareve të pista të “Dejtonit”, pasojat e të cilit e fundosën Bosnjen dhe Hercegovinën. Kujtoni edhe “xhevahirët” tjera, të krerëve anarkistë të LPK-së, të trullosur nga ideologjia sllavo-komuniste, kur protestonin, në kryeqytetet e Evropës e më tej,  kundër rrëzimit të “Murit të Berlinit”. Sepse, sipas tyre, dobëson kampin socialist me Bashkimin Sovjetik në krye dhe forcon kapitalizmin botëror, i përfaqësuar nga Amerika, me bashkimin e dy Gjermanive! Ja, se çfarë politikanësh monstra, sabotuan edhe luftën, përgjakën, grabitën dhe rrënuan Kosovën, përgjatë këtyre tej dy dekadave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok