26/12/2024

Aura e Mesias dhe autoriteti i Mahmutit

0
u6_Xhemal-Ahmeti

Nga Xhemal Ahmeti

Kur kritikon qeverinë të thonë prit se herët. Sikur për të të vdekurit nga pandemia të jetë koha e duhur. Kosova është në majë ë listës së vendeve në gjendjen më të rëndë. Kur kritikon se avokatët e kësaj qeverie janë qesharak, debilë, klounë, janë fabrika e zhgënjimit të masave me qeverinë e re, të thonë : ti përherë ke qenë kritik ndaj tij. A ka ndonjë kritikë diku që mund të ishte e arsyeshme, e drejtë për «xhematin» e tij? A ka ndonjë kritikë që mund të bazohet në tashmëri e jo në histori – saherë hap gojën të thonë: po qeveria tjetër!Po cili qenka interesi i një analizuesi të shtrirë kanapéve helvetikase ta urrej një primat ballkanik? Ndoshta interesi që vendi i atij primati t’ia dalë?

I.

Edhe zhgënjimi ka anën e mirë. Max Planck thoshte se kur zhgënjimi është i plotë dhe definitiv është një hap përpara. Për dikë është ecjepara e për dikë jo: për të zhgënjyerin është çlirim, mësim, përvojë dhe kthellje për udhë tjera, për shkaktuesin e zhgënjimit mirëpo është demaskim, tkurrje audience dhe ngarendje drejt gropës, dështimit. Autoriteti i bazuar në premtime boshe përfundon rëndom kështu. Ngjitet në majë të Olimpit për tu rrokullisur pastaj si topi këmbëve të Messit drejt humbjes së lojës, drejt portës tënde. Kështu sepse siç e definoi me të drejtë filozofi francez Bertrand de Jouvenel, kur potencoi, ai, autoriteti të vlejë vetëm si talent për të fituar tjerët, por assesi për më shumë. Edhe proletovjershëtarit të rrasur në demagogjitë e kominternave Bertolt Brecht i shpëtoi dhe rrëshqiti njëherë nga lapsi fjalia: «E vërteta është fëmija e epokës e jo autoriteti». E vërteta? Jo ajo e kuantofizicientit Planck, e cila nuk triumfon kurrë, por ajo tjetra, shumë më e thjeshta dhe që të vdekshmit e zonave përtejintelektuale e kanë një definicion të vetin për të, i cili matematikisht mund të formulohet kështu: premtove kështu – veprove ashtu – na rrejte! Për çka? Pas kësaj polemike qytetari kupton mashtrimin, zhgënjehet, vulos primatët si demagogë, populistë dhe të paaftë [në kushtet shqiptare edhe më rëndë] dhe nis të kërkojë strehën politike të radhës.

II.

A jam duke ia adresuar përshkrimin lartë Albin Kurtit, pa e përmendur – ende – fare. Më shumë përshkrimi vjen i nxitur nga miq të zhgënjyer me të, të atillë që kanë përkrahur zjarrshëm ardhjen e LVV-së në pushtet. Është diagnozë e mesazheve, komunikimit të tyre me mua. Për çdo ditë numri i këtyre rritet. Tkurret numri i atyre që bëjnë avokatinë rrjetit e mediave, sepse dalin qesharak, banal. Dalin klounë ngase tentojnë ta ridefinojnë nepotizmin për ta arsyetuar të vetin; kamuflojnë rritje ekonomike me krahasime infantile: natyrisht se rritet ekonomia, gjersa në vitin paraprak në krahasim e sipër ishte e mbyllur fare nga pandemia; natyrisht se delta acaroi situatën e pandemisë, por jo edhe tek të vaksinuarit; po ç’u bë me reformat në arsim, gjyqësi, shëndetësi? Ende herët ? Po një pushtet nuk bën reforma dot pa i nisur ato ndonjëherë. Edhe më dramatikja: i gjithë aparati qeveritar, në kohën kur pandemia fshinë dhjetëra njerëz në ditë, bënë dasma elektorale për primatë katundesh e komunash, sikur jeta e qytetarëve të ishte mish për revolucionin në zhvillim e sipër. Cilin revolucion, kur as rokada nuk ndodh?

III.

Paçka se Kurti më duket mua fantastik se si sillet në diplomaci, brenda mirëpo ai është menaxheri – deri tani – më dështak i mundshëm. Kryeministri më pa autoritet që ka pasur ndonjëherë Kosova. Ose njeriu pa fije autoriteti brenda qeverisë së tij e jashtë me aurën e Mesias. Betrand Russell [këtë duhet lexuar më shumë se një rresht] shkruan: «Ai që vërtet ka autoritet nuk i vjen turp të pranojë gabimet». Kush nuk pranon gabime manifeston mungesën, mosveprimin e tij.  Po a gabon Mesia e njerëzit e tij?

Mediat nuk mund t’i zmadhojnë numrat e të vdekurve; mediat dhe konkurrenca nuk t’i shtyn ministrat t’i lënë punët anash dhe të bëjnë kampanja për paraprimatë mediokër si Bahtiri dhe plotë tjerë si ai. Nuk mundet një qeveri të pranojë si kritikë të vetme bindjet e atyre që i ka ndërsyer vetë mediave e rrjetit me pare apo me trushpërlarje. Ngase mendimet e tyre nuk janë bindje, por elozhe të detyruara, të cilat nuk vlejnë as pesë pare për të analizuar veten. A analizon veten, veprimet e saja kjo qeveri? A ulet ndonjëherë Albin Kurti me veten dhe të krahasojë listën e premtimeve me ato që mundet apo s’mundet t’i bëjë, ngase pa qenë në Qeveri nuk e dinte se sa të komplikuara janë?

IV.

Po vazhdoj kjo sjellje, LVV dhe Kurti nuk do jenë – ashtu siç shpresohet ende – porta nëpërmjet së cilës Kosova do të kalojë në një demokraci më kualitative dhe në një shtet më ligjor, por përkundrazi: do ta rikthejë sistemin politik kosovar në zero. Albin Kurti dhe kjo qeveri duhet ta kuptojnë se nuk e kanë përgjegjësinë e njëjtë si qeveritë para tij. Jo se ky është Supermen e tjerët jo, por se ky ka fituar zgjedhjet duke premtuar gjëra tjera, ndryshe nga ata që bënin parapraket, premtime që deri tani nuk u del zot, përkundrazi vazhdon teatri ku vetëm figurinat janë ndryshe. Ndryshe dhe shumë më të paafta se parapraket, në çdo drejtim. Nëse nuk e ka ditur se Kosova nuk ec dot pa amerikanët dhe tjerët – le ta thotë. Nëse është peng i religjiofanatikëve, injorantëve dhe s’ ka personel – le ta thotë. Nëse ka menduar se mund të qeveris, por qenka punë shumë e zorshme – le ta thotë. Kështu do të shpëtonte si njeri më mirë se sa të gënjejë për t’i mbrojtur kastat e veta të paafta, duke hyrë në histori jo si Mesia por si njëri nga ata të anës së kundërt që tentonin t’i pushtojnë masat me magjinë e zezë dhe turmat i dogjën duke u bërë vetë drunjtë e zjarrit.

V.

Qeveria Kurti shpëton nëse ndërron këtë kurs. Nëse së paku i përmbush premtimet rreth shtetit ligjor, luftimit të nepotizmit, korrupsionit  dhe reformave në arsim dhe shëndetësi. Ajo mund të dalë e suksesshme nëse bazohet në fuqitë e brendshme të saja dhe mbush administratën me njerëz të aftë e jo me proletarë të të gjitha kombeve vetëm pse janë ithtarë të devotshëm të kultit të tij. Ajo do të përfundojë edhe më keq se gjitha tjerat nëse vazhdon që edhe në raste morti, drame e tragjedish t’ua fyejë inteligjencën qytetarëve me «pozharë» mediave, ministra e ministre mediokër/e dhe zombi agresiv rrjetit, që ulurijnë për sisteme pa media dhe regjime si ai në Kabul.

Vizitoni: https://xhemal-ahmeti.eu/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok