14/12/2024

AT  GJON  SHLLAKU O.F.M.

0
At-Gjon-Shllaku

Nga Fritz RADOVANI

“Kallxonte nji zonjë, e cila aso kohe bante punën si përkthyese në shërbim personal të sekretarit të Partisë Enver Hoxhës, në marrëdhanjet diplomatike me ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, si njiditë me nji bashkëfjalim ndërmjet ambasatorit titist e Enverit, ky i fundit shend e verë i paska pasë kumtue përfaqësuesit të Beogradit gati-gati si tue u krenue:      “E mbytëm Patër Anton Harapin e, me té kemi plagosë për vdekje Klerin Katolik!”. Simbas rrëfimit të grues, ambasatori diplomat i vjetër pan-serbian, i paska pasë përgjegjë: “Po, po! Po keni ende gjallë Patër Gjon Shllakun, i cili peshon shumë”, duhet – vazhdoi ai “ si mbas porosisë që kam prej qeverisë seme, të zhdukni Shllakun dhe të shkatrroni kulm e temel çerdhen e Klerit Katolik në Shkodër, me në krye Françeskanët!” (At Daniel Gjeçaj “Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare” fq. 36.).

At Gjon Shllaku O.F.M. asht kenë një Françeskan i përgatitun në disa fusha.

Kishte kohë që e kishte thanë At Gjon Shllaku O.F.M., këte aksiomë të Tij:

“Tjetër kund njerëzit e idealit nëse i mbysin për së gjalli, i nderojnë për së vdekuni. Ndër né, ata mbyten dy herë, edhe harrohën!”.

Fatkeqësisht, një thanje që sot,  asht ma aktuale se asnjëherë!

At Gjon Shllaku asht le në Shkodër më 27.07.1907. Vazhdoi shkollen nder Françeskanët e Shkodres ku ra në sy per mprehtësi. Studimet universitare i bani në Lovanio të Hollandës si dhe në Paris. Asht shugurue Meshtar më 15.03.1931. Ka dhanë mësim si Profesor në filozofi, gjuhë frënge, ekonomi politike në Liceun Illyricum të Fretënve në Shkoder. Zotnoi disa gjuhë.

Ishte fillimi i vitit 1945, kur në Shkoder vinte Sejfulla Maleshova, gjoja me themelue “Parti Demokristjane”, dhe nepermjet rinisë shkodrane u takue edhe me At Gjonin, i cili e vuni në dijeni se: “Provinçiali I Françeskanve At Mati Prennushi, ua ka ndalue rreptësisht Fretenve me u marrë me politikë, dhe se, në rast të kundert do ti ndalonte thanjen e Meshes.” Vendimi i Tij ishte i padiskutueshem nga të gjithë Françeskanët e Shqipnisë.

Shpesh, flitej se asht mendue për një Parti Demokristjane.

Shpesh, bisedohej se, “ka kenë formue” kjo parti në Shqipni.

Kishte nga ata që e thonin të sigurt ekzistencën e kësaj partie; por nga shumë burime që për mue kanë kenë burime të sigurta e të sakta edhe pse ishin burime gojore, si bie fjala Prof. Gaspër Ugashi, Mark Gjon Shllaku, At Meshkalla, Don Mark Hasi, At Gegë Luma, At Dioniz Maka, Prof. Nush Radovani, Don Nikoll Mazrreku, At Gardini, Monsinjor Mikel Koliqi, etj., me të cilët, kur unë kam bisedue për këtë çështje, e thonin pa ma të voglin dyshim, se kjo parti nuk ka ekzistue kurrë në Shqipni,“ por, asht kenë një shpikje e komunistëve për me shkatrrue klerin katolik, inteligjencën dhe rininë entuziaste për ndryshime politike demokratike.

Asnjë organizatë antikomuniste prej vitit 1943 nuk ka pasë në emnin e saj një sigël demokristjane. Asnjë përson nuk merr përsipër një detyrë nga kjo parti. Ende sot nuk gjindet një dokument ku shkruhet një pikë e statutit të kësaj partie. Arkivat sot kanë edhe detaje të programit të „Besëlidhjes së Veriut“, që u formue në vitin 1943, si dhe perfundimin e saj.

Kjo përputhet edhe me thanjet e At Gjolajt, në librin „Çinarët“. Ky libër u ba shkak që në vitin 1998 me u bisedue kjo temë edhe njëherë me z. Nino Kurti. Ai kishte lexue librin dhe ishte i kënaqun që At Gjolaj, kishte shkrue një fakt që njihej edhe prej z. Nino, tue fillue nga loja e Sejfullah Malëshovës e deri tek laboratorët e Sigurimit të Shtetit, në lidhje me këtë parti fantazëm e çpikun  e gjithmonë e pakenun, që hangri sa koka njerëzish të pafajshëm.

I nderuemi z. Nino Kurti tregon se në muejn maji të vitit 1945, kishte shkue në shtëpinë e Mark Gjon Shllakut (Gjon Mark Pyka i Rusit), mbasi ishin shumë shokë. Aty kishte gjetë Mark Lulashin dhe Paulin Kel Palin, që sapo kishin shkundë mandin e po hanin në oborr. Ka shkue pak ma vonë edhe njëfarë Mark Palit nga Laçi, që Nino kishte kohë që nuk e kishte takue. I fundit ka mërrijtë Pjetër Berisha edhe ky krejt rastësisht. Asht bisedue për zgjedhjet që do të zhvilloheshin në dhjetor të 1945.

Asht  bisedue idea e ardhun nga Tirana prej Mark Palit dhe dyshimi që kishin të gjithë këta përsona se, mos kjo ide asht lojë e Sigurimit. Ndoshta, dy-tre nga këta përsona ndonjëherë kishin bisedue për këtë parti, por të gjithë sëbashku nuk e kishin bisedue kurrë. Sigurisht paraqiste rrezik.

Atëditë, i kujtohej mirë z. Ninos, se ishte kenë i pari Pjetër Berisha që ka hapë bisedën për këtë parti. Si parime për të gjithë nuk kishte asgja të panjoftuna, kuptohet pa hy ndër detaje.

Debati aty kishte fillue tek mënyra se si do të reagojë pjesa e kulturueme Myslimane dhe a do të mërrijë ajo pjesë e pergatitun e myslimanëve me ba për vedi shumicën tjetër. Njëkohësisht edhe a do të pranojnë ata me u drejtue kjo parti nga përsona që përfaqësojnë pakicën e popullsisë?

Problemi i dytë ishte kenë lidhja me klerin për me pa a pranohet prej tyne si parim. Këtë e ka marrë përsipër Paulin Kel Pali e Mark Shllaku, per me e bisedue me At Gjon Shllakun. Kur asht ba fjalë se kush mund të ishte kryetari, Mark Lulashi ka propozue emnin e Andro Petroviq, i cili nuk ishte aty dhe as nuk dinte gja për këtë bisedë. Të gjithë ishin dakord për Andron mbasi njihej si njeri i aftë, i prëgatitun mirë si intelektual dhe shumë besnik. Mbas pak ditësh Mark Shllaku kishte njoftue Ninon se, At Gjon Shllaku nuk ishte dakord që të formohet një parti e tillë, mbasi largimi i Delegatit Apostolik të Vatikanit Imzot Leone Nigris nga Shqipnia, prej qeverisë së Tiranës, më 5 maji 1945, asht tregues shumë i keq për problemet e katolikëve në Shqipni. At Gjoni u kishte tregue se një çështje si kjo as nuk mund të bisedohet as me Provinçialin At Mati Prennushi, e as me Imzot Thaçin, mbasi asnjeni nuk janë dakord. Mendimin e tyne sigurisht, ai e dinte nga takimi me Sejfullah Maleshovën, ku, At Gjoni asht kenë prezent. At Gjoni kishte shtue se propozimi i Tiranës asht vetem lojë e komunistëve prandej, si përfundim “kleri nuk përzihet në çështje partishë politike mbasi mund t’a pësojë si At Lekë Luli prej zogistave”.

Nino Kurti dinte se asht ba edhe një përpjekje tjetër prej Prof. Gjelosh Lulashit me At Çiprian Nikën, Guardian i Françeskanëve, por edhe kjo pa asnjë rezultat. At Çipriani, përveç shkaqeve të paraqituna nga At Gjoni, kishte shtue se ishte njoftue që edhe shkollat fetare shpejt po mbyllen.

Gjendja sa vjen e randohet mbasi kishte sinjalizime se ka xhakoj të përzimë me Sigurimin. Ai madje, kishte porositë Prof. Gjelosh Lulashin, që mos të përzihen asnjë në këtë çështje mbasi si po shifej, edhe anglo-amerikanët Shqipninë e kanë lanë në dorë të jugosllavëve dhe, “nuk dijmë si do të bahet halli i jonë”. Nino, shtonte, se nuk ishte kenë dakord që në fillim që kjo parti të formohej në lidhje me klerin katolik.

Kur Mark Shllaku i ka tregue se po formohet një organizatë pa pjesmarrjen e klerit dhe asht Mark Çuni që do t’a  drejtojë, Nino ishte kenë dakord dhe i kënaqun për tè. Me Ninon janë kenë të gjithë papërjashtim shka ishin deri atëherë për formimin e Partisë Demokristjane.

Kjo ishte edhe arësyeja që as nuk asht bisedue ma për atë parti që mbeti vetëm një IDE. Mbas tyne nuk asht mendue ma as si ide. Ai e kishte njohë ma parë Mark Çunin si djalë shumë inteligjent, trim, i vendosun dhe besnik. Ai e formoi Organizatën “Bashkimi Shqiptar” e dha edhe jetën për tè. Anëtarët e asaj organizatë edhe sot e kanë për nderë që kanë ba pjesë në té dhe janë drejtue nga atdhetari i flaktë Mark Çuni.

Nino e lente ide edhe për faktin se përsonat që janë kenë në shtëpi të Mark Shllakut, madje, edhe Andro Petroviq që nuk ishte fare aty, të gjithë janë arrestue vetëm për organizatën “Bashkimi Shqiptar” dhe as që, asht tregue prej ndonjenit se asht mendue për parti demokristjane, as gjatë torturave, as gjatë proçesit gjyqësor, madje, as kur ishin ndër kampe e burgje. Ata nuk e kanë zanë në gojë atë ide se mund të ridënoheshin mbas njëzet vjetësh. Ata vetëm kanë porositë njeni tjetrin që mos me zanë me gojë emnin e Andro Petroviq, mbasi mund të baheshin shkak për zhdukjen si dhe pushkatimin e tij kurdoherë nga komunistët.

Nino Kurti e përfundoi bisedën e tij me këto fjalë: “Hipotezat, provokimet e bame në hetuesi, në gjyqe etj., janë kenë vetëm trillime dhe shpifje, mbasi vetëm po të dihej idea, asnjeni nuk do të shpëtonte me kokë. Kjo ide asht kërkue për 50 vjetë rresht nga Sigurimi i shtetit, por asnjëherë nuk asht ra në gjurmët e vërteta të sajë, mbasi kryesore kemi pasë besën.

Unë jam edhe sot për një Parti Demokristjane të vërtetë, mbasi ajo do të ndikonte shumë për hymjen në Evropë, po ku, me e gjetë sot një kopjo të Andro Petroviq, apo të Mark Çunit, per me e drejtue këtë parti?”.

Mbas asaj bisedë per fatin e keq unë nuk u pashë ma me Ninon, mbasi edhe Ai vdiq ndër ato ditë krejt papritmas në Tiranë.

Ka pasë edhe një variant tjetër që flitej sikur Mark Pali i Laçit të Kurbinit, kur ka ardhë në Shkodër tek shtëpia e Mark Shllakut në Rus, asht kenë i dërguem për “Partinë Demokristjane” nga Imzot Vinçenc Prennushi. Edhe ky variant nuk qëndron mbasi as nuk asht folë në atë shtëpi për Imzot Prennushin. Njëkohësisht, si mujte Imzot Prennushi me dërgue Mark Palin për një detyrë kaq të rëndësishme, krejt në kundërshtim me Argjipeshkvin Metropolitan të Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçin, apo me kushrinin e vet, Provinçialin e Françeskanëve At Mati Prennushin?

At Pjeter Meshkalla thonte: “Asnjëherë Shqipnia nuk asht kenë e pergatitun për një parti demokristjane, mbasi kleri nuk duhet me u përzi ndër parti politike, ndërsa brezi i inteligjencës ishte ende në formim. Partia nuk bahet me aq pak njerëz të pergatitun sa kishte ajo kohë. Duheshin edhe pak vite, por komunizmi kje një shkatrrim për të gjitha fushat, sëpse, as që mund të bahej ma fjalë për qeverisje demokratike e aq ma pak Europjane.

Shkollat marksiste-leniniste kanë me e pengue demokracinë e qeverisjen demokratike edhe mbas përmbysjes së komunizmit. Shkaqet dihen!”

Dihet sakt: Gjatë asaj kohe të shkurtë, per me evitue takimet me Sejfullahin, dy here At Matia e dergoi At Gjonin, zëvendës-famullitar në Theth dhe, prej datës 14 korrik deri më 27 nëntor 1945, në Nikaj, tue zëvendësue Atë Dioniz Makaj, nder të parët fretën të arrestuem nga Sigurimi i shtetit në Shkodër.

Po i njajti fat më 23.01.1946, e ndjekë edhe At Gjon Shllakun ndërsa, jepte mësim në klasë. E arrestojnë dhe fillon hetimet.

At Gjon Shllaku O.F.M. deklaroi para gjyqit:

Jam kenë dhe jam kundër çdo lloj diktature. Për këtë jam kenë i keq edhe me italjanët, mbasi ardhjen e tyne e kam quejtë pushtim. Për këtë edhe Sejfullah Malëshova më ka kërkue me formue nji parti Demokristjane por nuk më kanë lejue eprorët, për mos me u përzi Kleri Katolik në politikë.

Me datën 28. 01. 1946, i kam thanë edhe z. Prokurorit se, Kisha, lejon pjesëmarrjen në politikë të anëtarëve të saj, mjaft që politika të përdorët për të miren e shoqnisë dhe të popullit.

Unë nuk kam ba pjesë në këtë organizatë dhe as nuk kam sjellë njeri në këtë organizatë mbasi po e përsëris, nuk më asht lejue me u përzi në politikë. Arsyeja kryesore asht se drejtimin e shtetit e morën komunistët ateista.

Kur asht inaugurue Shtëpia e Kulturës në Shkodër, unë kam shprehë bindjen teme, se asht e para herë që Shqipnia çlirohet me gjakun e bijve të vet. Indipendenca e Shqipnisë sot nuk asht nji dhanti, por asht fryt i përpjekjeve të popullit Shqiptar.

Për organizatën “Bashkimi Shqiptar” e kam marrë vesh kur asht arrestue At Fausti dhe At Dajani. Ma përpara nuk kam dijtë kurrgja.

***

Me datën 08. 02. 1946, kur po fillonte seanca e mbas drekes, porsa del para trupit gjykues z. Myfit Q. Bushati, ish student i gjimnazit të Jezuitve, i arrestuem edhe ky si anëtar i kësaj organizatë, ndërpritet seanca nga ndërhymja e prokurorit Aranit Çela, i cili i drejtohet kryetarit të trupit gjykues me këto fjalë: “Me qenë se avokat Muzafer Pipa, implikohet në këtë proçes, se ka pasë dijeni dhe se ka kënduar trakte të këtyre organizatave apo ka qenë pjestar, kërkoj që të përjashtohet si përfaqsues mbrojtjëje i të pandehurit Patër Gjon Shllaku me shokë”.

Av. Muzafer Pipa tha: Në lidhje me kërkimin e z Prokuror, unë nuk kam ndonjë kundërshtim por, në këtë rast unë nuk përfaqsoj Myfit Q. Bushatin.

Kryetari i trupit gjykues lexon vëndimin:

Lexoni me kujdes mënyren me të cilen u shtjellue ngjarja nga Aranit Çela, i cili nxjerrë fëtyren e vertetë të tij!

“Vëndim: Me qenë se Muzafer Pipa, mbi egzistencën e organizatës së ashtuquajtur Demokristjane, ka patur dijeni dhe i atribohet faji që pretendohet që organizator është Patër Gjon Shllaku, në anë tjetër, që të pandehurit që ky përfaqson kanë qenë pjestarë të organizatës “Bashkimi Shqiptar”, që do të bashkohej me Demokristjanën, sipas parimit juridik, nuk duhet të përfaqsojë, për derisa i atribohet faji i dijenisë ose i pjesëmarrjes, prandaj, Trupi Gjykues, konform kërkesës z. Prokuror, Vëndosë përjashtimin e tij si përfaqësues Mbrojtjëje i të pandehurve: Patër Gjon Shllaku, Rrok Martini, Çesk Gjeluci, Ndoc Rrok Jaku dhe emron avokat Ranko Çerankoviq.”

Avokat Muzafer Pipa doli nga salla e gjyqit. (Dosja nr. 1068).

Nuk shkoi gjatë dhe Aranit Çela e mbajti fjalën që i pat thanë tue hy në bar “Impero” të Fushës së Çelës: “Hë, Muzafer Pipa, e kemi ruajtur një gjysëm leku edhe për ty!”.(Dëshmi gojore e Prof. Gaspër Ugashit).

Populli i Shkodrës ruen në kujtesën e tij përjetë veprën heroike të Prof. Kol Prelës, Deputet i Kuvendit Popullor në zgjedhjet e 2 dhjetorit, i cili si burrat paraqet para gjyqit:

DEKLARATË:

Unë i nënshkruemi Kol Prela, profesor në Liceun e Shtetit Shkodër, dhe Përfaqsues i Dekretuem në Asamblenë Kushtetuese, përsa i përket të pandehurit Patër Gjon Shllaku, Françeskan nga Shkodra, deklaroj sa ma poshtë vijon:

Pader Gjon Shllakun e kam njoftë për herë të parë në verën e vjetit 1940 kur u ktheva prej Italijet, mbasi mbarova studimet universitare. Qyshë në takimet e para që kam pasë me té kam muejtë me konstatue, se ai ishte nji element anti-italian dhe anti-fashist.

Kudo qi kishte rastin dhe mundësinë demaskonte dhe disaprovonte ardhjen e Italisë këtu dhe, vëprimet të cilat Italia me trathtarët bante vazhdimisht këtu, në dam të tonë.

Në rast konkret dij se, ai propagandonte kundër njollosjes së Flamurit tonë Kombëtar me fashjot e Liktorit e, kundër artikullit denigrues për Popullin Shqiptar që P. Fulv Cordignano pat botue në revistën “Albania”. Madje, në këtë rasën e fundit nuk u kondenue vetëm me disaprovue por edhe punoi për përpilimin e broshurës: “Cordignano në gjyq përpara botës”, tue gjetë gadi të gjithë bibliografinë, tue përkthye të gjithë copat e autorve gjerman që nëvojiteshin për atë përgjegje. Nuk e vuni emnin në fund mbasi broshura delte n’emnin e grupit të profesorëve të Liceut të Shtetit të Shkodrës e me vue emnin edhe ky, do të dukej se profesorët e nji instituti Shqiptar mos të ishin në gjendje me shkrue nji artikull pa kërkue ndihmën edhe jashta rrethit të tyne.

Këtë, mund t’a dishmojnë edhe Prof. Mark Ndoja e Prof. Simon Deda, të cilët në këtë kohë janë kenë në kontakt vazhdimisht me të pandehurin.

Këtë qëndrim anifashist ka vazhdue t’a mbajë gjatë gjithë kohës që kam kenë në kontakt me té, d.m.th., deri në qershor 1943, datë në të cilën jam ilegalizue, mbas së cilës, nuk kam pasë ma rasë me ra në përpjekje me té derisa asht shlirue Shqipnia.

Mbas shlirimit dihet prej të gjithve se Pader Gjoni, ka dhanë kontribut në lamën që ishte ma i pregaditun d.m.th. në atë të kulturës.

Ka ba  konferencën për inaugurimin e Shtëpisë së Kulturës në Shkodër, në të cilën ka thanë ndër tjera edhe këto fjalë:

“Asht e para herë që Shqipnia shlirohet me gjakun e bijve të vet.

Indipendenca e Shqipnisë sot nuk asht nji dhanti, por asht fryt i përpjekjeve të Popullit Shqiptar”.

Përmbajtjen e kësaj deklarate, jam gadi me e vërtetue edhe para Gjyqit të Popullit, po mos të jemi i xanun në shkollë me mësime.

V.F.L.P.

Deklaruesi: Prof. Kol Prela d.v.

Shkoder, 14. 02. 1946.

Ndersa At Gegë Luma deklaron në gjyq në vitin 1968: “Shqipnia ka dy krahina të ndame, Veriu dhe Jugu, ka tre besime të ndame, myslimanë, orthodoks dhe ma pak se të gjithë katolikë. Sikur të kishte edhe dy parti, një në pushtet dhe një opozitë, popullsia do të ndahej në shtatë pjesë, që asht vështirë me u kuptue njena me tjetrën vetëm dy pjesë të sajat, jo ma shtatë. Atëherë, ku mbetë vend për Parti Demokristjane?”.

 

At Gjon Shllaku OFM u dënua me vdekje me pushkatim me 22.02.1946. Asht pushkatue në Shkodër, në orën 5 të mëngjesit, më 04.03.1946, së bashku me At Danjel Dajanin S.J., At Giovanni Fausti-n S.J., Seminaristin Mark Çuni, të rinjtë Qerim Sadiku, Gjelosh Lulashi e të tjerë.

Patër Gjon Shllaku tha: “Lamtumirë mi thoni shokve Françeskanë dhe të gjithë të njoftunve. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!”

Kështu mbylli jeten dijetari i madh At Gjon Shllaku.

At Gjon Shllaku O.F.M. nder shkrimet e veta me vlerë ka lanë një thesar të çmueshem nga ana historike dhe filozofike, tue mos nenvleftsue asnjëherë pikpamjet e Tij Fetare dhe gjuhsore. Ajo që e veçon Ate asht mospajtimi i Tij per asnjë arsy me pikpamjet komuniste të kohës dhe të shtetit Shqiptar.

Ishte viti 1938 kur At Gjoni ishte drejtor i Revistës “Hylli I Dritës”.

Aty botoi shkrimin “Shka asht komunizmi”, në të cilin analizoi doktrinën komuniste dhe njëherit tue e njohë mirë vuni në dukje të metat e saj.

Ky studim i mirëfilltë rreth marksizmit mbetë gjithnjë i kohës dhe aktual. Bie në sy sesi në ketë shkrim, Át Gjon Shllaku pohon se komunizmi u nis si shkencë, nga themeluesit e parë, por përfundoi si diktaturë, nën drejtimin fanatik të njerëzve të etun për pushtet që, për ta shue këtë etje të tyne, nuk hezituene që të flijojnë tue vra me miljona njerëz të pafajshëm të Globit.

Shkrim aktual dhe shumë i vlefshëm, ky shkrim për historinë e filozofisë.

Kushdokjoftë ai Shqiptar që sot do të lexojë mendimet rreth organizimit shoqnor, shkrimet filozofike, hulumtimet historike të Át Gjon Shllaku, ai do të vrejë menjëherë se ndër ata, do të spikasin tri fjalë me vlerë të madhe: “Shqiptari – Frati – Shqipnia”, dishka shumë origjinale dhe me vlerë per të gjitha kohët e historisë së Shqipnisë.

E ajo që ka vlerë asht se historia e Shqipnisë asht dishmitare e këtij trinomi të pandashëm, unjisues për idealet kulturore, shpirtnore dhe atdhetare.

Át Gjon Shllaku vazhdon edhe sot e na mëson se, idealet shpirtnore dhe atdhetare janë shumë të çmueshme, të njisueme me jetën e atij, që i jeton dhe i provon nder rrethanat e jetës së vet.

Mësimet e At Gjon Shllakut sot na kujtojnë gjithnjë sesi: Atdheu ndërtohet gjithmonë mbi themelet e botës Shpirtnore.

Në shkrimet e Tij At Gjoni, pohon pahezitue asnjë moment të jetës së Tij:
“Veç nji kulturë shpirtnore e hapët âsht e zoja të lindë nji atdhedashtní, me të cillen të çmohen, të ruhen e të lavrohen karakteristikat e ndjesítë kombtare, e mund të na shtyj me bâ flije të panumurta per të miren e Atdheut”. E sidomos At Gjoni (na mëson), kurr të mos bijmë në kurthën “ku aventurjerat e të çmendunit i bijnë lodrës e na duertrokasim marrít e tyne.”

Kjo kujtesë sot na tregon saktësisht sesa i perkushtuem ishte tirani Ever per zbatimin e porosive të diktatorit Tito, per zhdukjen Klerit tonë Katolik. Ky krim i dha vrasësit Ever dekoraten “Hero i Popujve të Jugosllavisë”, që ai e ka edhe sot të varun në fyt, mbasi nuk ka kush ia prekë me dorë, sepse tash ne, po presim dekoratat tjera që do të na “dhurojnë Ballkani i hapur”!

Por, mos harroni se tradhëtia e Atdheut paguhet edhe nga sternipat tuej!!

“Mallkimi i Popullit Shqiptar”, per të cilin lutet Nanë Tereza, njëditë jo larg do të marrin me vete të gjithë ata, që me perkushtim i sherbejnë sot atij!

Vlerat e paçmueshme të At Gjon Shllakut, edhe pse lehen në heshtje, ato janë vertetë të doemosdoshme po, edhe të perjetëshme per jeten e Atdheun.

Sa shumë nevojë ka Shqipnia sot, per Figura si At Gjon Shllaku O.F.M., që asht gjithmonë një Zamak i freskët i Flamurit të Kastriotit – Skenderbeut !

Melbourne, 26 Mars 2022.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok