16/04/2024

Arti i tekstilit në Galerinë Kombëtare të Kosovës

0

Nga Ilir Muharremi, kritik i artit

Një fije, pastaj shumë fije fibrash mund të jenë art. Gjithçka sot konvertohet në art, por arti nuk mund të konvertohet në gjithçka. Arti më shumë ngritë pyetje, narrativa, pastaj strehohet te dekoret dhe estetika. Tekstili si material përpunohet në art, prodhohet si formë pastaj objekt dekorativ. Është një nga format më të vjetra të artit në histori dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në objektet praktike dhe dekorative të krijuara nga dora e njeriut, qindra mijëra vjet.

Lirisht artin mund ta kufizojmë në tekstil brenda fibrave, veshjeve të thurura, pëlhurën e endur ose qëndisjen.  Bukuria e arti në tekstil përfaqësohet nga ndocat e imazheve dhe figurat apo edhe modelet abstrakte. “Ngjarja e një fijeje. Narrativa Globale në tekstil”, ekspozitë kolektive e cila u hap dy ditë më parë në Galerinë Kombëtare të Kosovës, kurator të së cilës janë: Susane Weib, Inka Gressel dhe Hana Halilaj.

Teksa vështroja punimet një nga një të artistëve pjesëmarrës vëreja etnologji, ëndrra, shumëçka që spërndritet, plot dinamizëm, dikund edhe ca heshtje fibrash që tentojnë të thurrin shpirt, art. Po kqyrja një grimë fibrash të zbarkuara, të thjeshta, por plot tekst dhe thekse. Ta analizosh ngjarjen e një fije, gjen një fillim, por vet e vendos një fund të pa kryer. Artistët më shumë shprehin kontekstet e tyre sesa ngjyrën, formën, ritmin, kompozicionin ose ndërlidhjen e zanatit me artin.

Ky është edicioni i tetë i kësaj ekspozita i zbarkuar në Prishtinë. Ta analizojmë më në thellësi ekspozitën se cilat janë këto dialogje të reja në kontesktin lokal? Qëllimi i ekspozitës ndërtohet mbi këtë pyetje hulumtuese e cila me ndihmën e veprave, teknikave, temave, koncepteve nxjerr një rezultat dhe konkluzion, ose ngritë pyetje dhe vazhdon rrugëtimin me pyetjet. Të paktën arti ka shumë misione, por misioni i tij i rëndësishëm është rruga drejt shpirtit. A e ka arritur këtë rrugë ekspozita? Janë fantomat e  fantazisë së artistëve, pak nga jeta sociale, të fusin në imazhin e koduar drejt një sublimiteti tronditës me versione artistike të përgjithshme. Arti sot është i përgjithshëm dhe do ta vazhdoj këtë rrugëtim.

Veprat e artistëve plot tekstil

Artistja Zille Homma Hamid prezantohet me veprën “Bie Nesër”, fije najloni dhe fije mëndafshi. Ca fije të zeza të zgjatura të grumbulluara afër njëra tjetrës. Teknika apo koncepti? Këtu më shumë shpjegohet mbas intervistës me artisten teknika dhe të mësuarit e thurjes. A e ka këtë qëllim punimi? Apo ideja për udhëtimin mendor drejt formës mbetet vetëm një tendencë dhe mendim? Misioni i artit tretet brenda rrugëtimit të zanatit. “Karrige Veku”, një punë tjetër e kësaj artisteje e krijuar me fije pambuku, gurë dhe karrige. Karriga u përdorë si simbol i përditshëm me të cilen ballafaqohemi, funksioni i saj dihet, madje këtu tejkalohet, transfigurohet, është energji dhe befasi e këndshme kjo vepër. Ca fije që mbajnë disa gurë. Çfarë gurë janë? A duhet të shpejgohet edhe simboli i gurëve dhe qëllimi? Apo gurët vetëm mbahen me këto fijë? Nuk ka rëndësi. Vet kontakti ynë me veprën nxjerr polemika dhe debate. A pranohet vepra?Këtë mision dikur e kishte arti, por sot arti ka tekstin pastaj veprën.

Artistja Valbona Zherka prezantohet me tapiceri, material  lesh,  me titull “Rrugëtimi”. Punëdore tradicionale, tekstil, pikturë në tekstil, vijë, formë. Dominon ngjyra e zezë, reflektimi është nga e kaluara, ardhmja, tashmja në kohë të cilen ajo e quan si mesë, dhe pjesa tjetër rrëfen të ardhmen. Një thirrje për njerëz të bashkuar duke vënë theksin te rinia jonë. Zherka  imagjinatën e punimit e mbush me tema, ngjarje, histori, rrëfime.

Güneş Terkol nga Turqia sjellë qëndisje në pëlhurë me titull “Dëshira e kaluar nga banda”. Janë gjithsej katërmbëdhjetë pjesë arti që ndërtojnë veprën e saj. Ajo ka qepur tyl dhe pëlhurë, është si bazë e punimit të saj. Çfarë personazhe me tregime janë në këto pëlhura? Vepra shkrihet me sfondin duke klithur kontekstin e ofruar nga jeta. Duken si karaktere surrealiste, ca krahë zëvendësohen me lugë, pjesët e trupit zëvendësohen me gjëra të ndryshme veçanërisht kokat, herë më gërshërë, luan, kofe. Duken si bend muzikor, anfaz, në lëvizje, ca kokat i kanë në profil. Ata bëjnë muzikë dhe mund të dëgjosh tingujt e intsrumenteve që ekzekutojnë. Veçse ritmi muzikal nuk është në harmoni me karakteret si në tërësi, pra e gjithë situata përshkohet nga një melodi, dhe trupi lëviz brenda këaj mbretërie. Është vepër moderne.

Judith Raum, prezantohet me ngjyra që kanë pigmente të larta akrilik në pambuk. “Copa pambuku” titullohet vepra e saj. Pëlhura të lyera të pambukut të zmadhuara me efekte interesante do thoja edhe të veçanta. Janë të përsëritura në pambuk duken si seri. Vërejmë ca njolla të papastërta në sipërfaqe të veprës, kjo simbolizon punën e përditshme, mbishkrimet, palosjet. Janë abstrakte të ngarkuara me njolla ngjyrash, mes kontrastesh sidomos e zeza është dominuese. E zezë jo e fortë, por e lehtë.

Farija Mehmeti, shfaq pikturë në letër, pëlhurë sintetike si dhe shamitë.  Ajo përmes shamive sjellë kulturën rome. Janë shumëngjyrshe me forma të ndryshme. Shamitë e varura në mur janë edhe në versionin e pikturës ku prezanton gruan rome duke i mbajtur ato të lidhura në kokë. Janë me lloje të ndryshme lulesh. Vepra e saj nuk del nga origjinaliteti dhe thellësia e kulturës.

Korridori në ngjitje të shkallëve drejt katit të sipërm është pikëtakimi me veprat e artistit  Gani Riza, “ALBAN’$ 4EVER: Kam një histori për të treguar”, titullohet vepra e tij. Ka sjellë në një tavolinë teknika të ndryshme me tekstil, përfshirë tapiceri me simbole kombëtare si dhe figura të tjera. Vërejmë ca qëndisje figurash, automatik, shqiponja,  shenja të mercedesit. Ku qe qëllimi? Gërshetimi i së shkuarës me të tashmen. Teknika si promovim i artit dhe të mësuarit e qëndisjes si proces dhe teknikë. Apo estetika si fenomen i mbijetesës së përhershme në vepër arti. Më shumë jeton tradita dhe të mësuarit  sesa arti si art ose si lëvizje krejtësisht tjetër siç kishte me thënë filozofi gjerman Friedrich Nietzsche.

Silvi Naçi prezantohet me gjashtë  foto në letër, Hahnemule Rrip, pambuk, qëndisje. “Pa titull”, titullohet vepra e saj. Rripi është simbol dhe vepër, protagonist i fotografive të saj. Si dhe një rripi i qëndisur. Shihet trajtimi i artit si praktikë, punëdore, dhe gjithçka mbështete te ky rrip, mbështetës i trupit, mbajtës i rrobave. Jastëkëve të librit të linjës, fija e kuqe tregon korrektësinë sipas autorës.Në anën e pasme të rripit shihet një ngjashmëri me një tekst që vështirë dallohet  kundrejt pjesës së përparme, kjo si hapësirë kufitare që tregon të menduarit në një gjuhë dhe nevojës për të rikthyer një gjuhë tjetër në mënyrë që të asimilohet. Rripi simbol i dhunës në shtëpi dhe jashtë saj. Vepra brenda një tregimi narrativ real me ambicie për të hulumtuar një fenomen joshës nga një çift, ku mashkulli ose femra ushtron dhunë.

Ula von Brandenburg, ekpozoi tre punime me copëza tekstili, pëlhura të ndryshme. “Pata fluturuese”, titullohet vepra e saj shumë ngjyrëshe. Pëlhurat e saj lidhen me shumë pyetje dikur revulucionare, sepse ato duken si jorgan ngjyror, por inspirimi vjen nga jorganët e hekurudhave nëntokësore që u dhanë skllevërve si mundësi për të ikur. Tekstilin artistja e vë në pikëpyetje me trupin shoqëror, e bashkon me shoqërin. Pra tenda ishte objekti i parë i ndërtuar nga njerëzit, përfaqësim i autonomisë dhe pavarësisë. Mund të vërejmë edhe gjurmë të trupit të valëvitura në këtë tekstil, kjo si simbol i veshjeve sepse veshja është shtëpia e parë e jona. Në jorgane janë ca vija ta trashë gjeometrike me ngjyra të ngrohta si e verdhë, përtokalli, e kuqe. Ka edhe ca kontraste si me të zezën, ose e bardha dikund në skajë të jorganit. Prapë kujdeset për ombrellën e artit-estetikës si plan i parë, pastaj vazhdon me konceptin ose teksin.

Matej Rodiqi, “Loja e dashurisë”, tapiceri materil lesh. Ca vija dhe vizatime në tapiceri, një lojë dhe gamë poetike. Është e dizajnuar dhe rafinuar, me një kompozicion të balancuar. Ngjyrat duken se kanë tinguj dhe paleta e artistit është e pasur me kombinime dhe nuancime.  Janë të pastra, dominuese janë tonet rozë. E veçanta te Rodoqi është linja në vizatim, është lozonjare, e sakt, sunduese, me një fillim të pastër, pastaj dikund në ikje dhe prapë e baraspeshuar, ca vertikale e ca horizontale.

Christina Jeitner, paraqet një çantë të madhe mbajtëse, të qepur së bashku me nga tre thasë të plastikës. Këtë vepër e ka nga nëna e saj. Puna tjetër e saj janë xhinse me tela. Ca xhinse të kompozuara, të shtrira, të prera në copëza drejtkëndëshe. Disa copa tjera të thjeshta por të shtrira saktë në pikturë.

Uli Fischer, mëndashf, material liri dhe letra. “Shpiti në rritje dhe “Aurorë në indigo”, dy vepra të saja e thyejnë heshtjen dhe zhvillojnë idenë dhe konceptin.

Elisa van Joolen &Vincent Vulsma, prezantohen me përvetësimin e modeleve Amerikane autoktone.

Olaf Holzapfel, prezantoi një ide interesante. I frymëzuar nga gjethet e bimëve chaguar që përmbajnë disa fibra të këtij materiali shumë të vlefshëm.

Barbara Prenka, paraqet printim dixhital në pëlhurë të qepur dhe të mbushur me vatë dhe kanavacë. “Predhat hapen me zhurmën e kohës” titullohet ky punim. Punimi tjetër i saj titullohet “Ylli në hije tërheq gjigantët e shkretë nën hënën e devijuar”, printim dixhital në pëlhurë të qepur dhe të mbushur me vatë dhe kanavacë.

Heide Hinrichs, “Gjysmëtrupi”, një video projeksion, panel prej pëlhure, kuti kartoni, lëkurë skulpturë prej letre, pëlhurë, pupla. Duket si maketë e shtirë në dysheme, një qarqafë i bardh, ca pupla të ngulitura në të.  Është një lojë, koncept, ide, tregim , përjetim individual. Arti është më i zgjeruar dhe më objektiv e shoqëror.

Driton Selmani,  prezanton një seri vizatimesh të hartës së Kosovës . Kjo vepër u punua në vitin 2012, vepra ishte konceptuar në kohën e studimeve në Angli kur kishte kuptuar se Kosova shpesh nuk gjendej në harta, tekste e në lista shtetesh. Skicat për “Tell me where I am from” janë përdorur nga kolegët e tij të cilëve u kishte kërkuar të tregonin se ku gjendej Kosova dhe si dukeshin kufijtë e saj. Ajo përfshin veprën e qëndisur në kornizë dhe nëntë vizatime.

A janë tekstilet art? Janë pjesë e zanatit ndërsa shija artistike është në një përqindje jo shumë mbikaluese. Teksti dhe theksi për kryefjalët e nënteksteve zë vendin kryesor te arti i tekstilit. Kjo ekspozitë është e nuancur me ide dhe koncepte nga përvoja personale e artistëve. Çka përfitojmë nga punime e tyre? Cili është rezultati?  Tekstilet janë ne, ne jemi veshja dhe materiali, të zbehet kjo vëmendje artistike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok