23/12/2024

ARSIMI INATÇOR I MINORITETIT SERB NË KOSOVË

0
Adil-Fetahu

Nga Adil FETAHU

-E drejta e arsimimit në gjuhën e minoriteteve, nuk iu jep  atyre të drejtë ta injorojnë e kundërshtojnë shtetin në të cilin jetojnë

-Institucionet arsimore serbe doemos duhet të integrohen në sistemin e arsimit të Kosovës

E drejta e arsimimit të minoriteteve

E drejta për arsimim është një nga të drejtat themelore të njeriut, ngase me arsimim njeriu aftësohet edhe për realizimin e të drejtave tjera ekonomike, sociale, politike, kulturore, arritje shkencore e statusore, etj.  Kjo e drejtë garantohet me kushtetuta  dhe ligje të shteteve  si dhe me shumë parime,  norma e rekomandime të dokumenteve të së drejtës ndërkombëtare.

Pothuajse nuk ka shtet në botë  krejtësisht etnikisht i pastër, njënacional, por brenda tyre kanë minoritete, bashkësi e grupe të përkatësive të ndryshme, racore, etnike, gjuhësore, fetare, kulturore etj.  Konsiderohet se në botë ka minoritete e grupe etnike 22 herë më shumë se sa ka shtete anëtare të KB. Prandaj,  shumë  parime,  norma dhe rekomandime, kombëtare e ndërkombëtare kanë të bëjnë me garantimin e të drejtës së arsimimit   të minoriteteve, grupeve dhe bashkësive me të vogla etnike.  Në disa shtete kjo e drejtë është  e mohuar (psh.në Greqi, Turqi, Francë), në disa të tjera është e kufizuar, në disa të tjera është më e avancuar, përtej standardeve ndërkombëtare.

Në Republikën e Kosovës, si shtet i ri që gati për një dekadë ishte nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, të drejtat e minoriteteve janë përcaktuar me standardet më të larta të drejtave që mund t’i ketë një minoritet a grup etnik. Dhe ky përcaktim ka vazhduar dhe është avancuar edhe pas shpalljes së pavarësisë dhe miratimit të Kushtetutës së Kosovës, e mbështetur kryesisht në Propozimin Gjithpërfshirës së emisarit të KB, Marti Ahtisari (shkurt 2007).

Sot, e drejta e arsimimit të minoriteteve në Kosovës është e garantuar me Kushtetutë dhe me ligje përkatëse, sipas një të ashtuquajturi “diskriminim pozitiv”, duke caktuar kushte e favore më të përshtatshme për minoritetet se sa për popullsinë shumicë (shqiptare), veçmas për minoritetin serb, çfarë nuk ka asnjë minoritet në botë!

Sa i përket përdorimit të gjuhës, sipas Kushtetutës  së Republikës së Kosovës (2008), gjuhë zyrtare në Repblikën e Kosovës janë gjuha Shqipe dhe gjuha Serbe, edhepse minoriteti serb në Kosovë nuk e arrinë 5% të popullsisë së Kosovës. Gjuha Turke, Boshnjake dhe ajo Rome kanë statusin e gjuhës zyrtare në nivel komune ose do të jenë në përdorim zyrtar në cilindo nivel në pajtim me ligjin (Kushtetuta, neni 3 par. 1 dhe 2). Në nenin 57 par.1, është përcaktuar se “për banorët që i përkasin një grupi të njëjtë kombëtar ose etnik, gjuhësor ose fetar, tradicionalisht të pranishëm në territorin e Republikës së Kosovës (komunitetet), gëzojnë të drejta të veçanta të përcaktuara me këtë Kushtetutë, kahas të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të përcaktuara në kapitullin II të kësaj Kushtetute”. Kur është fjala për të drejtat e arsimimit të pjesëtarëve të minoriteteve dhe komuniteteve, Kushtetuta (neni 59 par. 2, 3, 4) ka përcaktuar se ata “marrin arsimim publik në të gjitha nivelet, në njërën nga gjuhët zyrtare të Kosovës, sipas zgjedhjes së tyre, në nivelin parafillor, fillor dhe të mesëm, në gjuhën e tyre, deri në masën e përcaktuar me ligj, ku pragu për themelimin e paraleleve a shkollave të veçanta për këtë qëllim do të jetë më i ulët sesa ai që përcaktohet rëndom për institucionet arsimoreAta kanë të drejtë të themelojnë dhe të menaxhojnë institucione private të arsimit dhe trajnimit, për të cilat mund të jepet ndihma financiae publike, në pajtim me ligjin dhe me standardet ndërkombëtare”.

Por, qytetarët e një vendi, krahas të drejtave kanë edhe detyrime dhe përgjegjësi ndaj shtetit. Një nga detyrimet kryesore është  ai se duhet të sillen e veprojnë në pajtim me ligjet e shtetit (neni 57 par.4 i Kushtetutës), ndërkaq minoritetit serb nuk ia ndien për kushtetutën, ligjet  as institucionet e shtetit të Kosovës!  Ata vetëm Serbinë e njohin si shtet të tyre!

Përveç garancioneve me Kushtetutë, kushtet, mënyra, procedurat, rrjeti i institucioneve, financimi i tyre dhe çështje tjera, janë përcaktuar edhe me një numër të madh të ligjeve relevante dhe akteve nënligjore lidhur me arsimin, ndër të cilat vlenë të përmendën:

Ligji për Arsimimin Parauniversitar,

Ligji për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave dhe Interesave të Bashkësive dhe të Anëtarëve të tyre,

Ligji për Arsimin në Komunat e Kosovës,

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Kosovë

Ligji për Arsimin Parashkollor në Kosovë,

Ligji për Vetëqeverisjen Lokale,

Ligji për Arsimimin e të Rriturve në Kosovë,

Ligji për Arsimimin dhe Ushtrimin Profesional.

Të drejtat për arsimim të minoriteteve dhe të grupeve etnike  janë të garantuara edhe me parime dhe norma të shumë konventave, marrëveshjeve dhe instrumenteve tjera ndërkombëtare, të cilat në Kosovë janë të zbatueshme drejtëpërdrejtë dhe me përparësi kundrejt Kushtetutës dhe ligjeve vendore (neni 22 i Kushtetutës së Reublikës së Kosovës), edhepse Kosova nuk është palë nënshkruese të asnjë prej tyre!

Serbët me kryeneçësi mohojnë shtetin, sistemin dhe institucionet e Kosovës

Përkundër të gjitha garancave kushtetuese e ligjore dhe kushteve e përparësive që iu jepën serbëve për arsimim në  gjuhën dhe kulturën e tyre, në të gjitha nivelet, të manipuluar e ndikuar nga politika  nacionaliste-hegjemoniste serbomadhe e Beogradit, ata nuk kanë pranuar sistemin  as programin arsimor të Kosovës dhe tërë kohën janë mbajtur në sistemin dhe programin e Serbisë. Kështu, në Kosovë funksionojnë paralelisht dy sisteme arsimore. Sistemi arsimor i Kosovës, sipas të cilit mësimi zhvillohet në gjuhë: Shqipe,  Turke, Boshnjake dhe Rome, varësisht nga përcaktimi i pjesëtarëve të secilit nacionalitet. Ndërkaq, serbët mësojnë sipas sistemit dhe  programit arsimor të Serbisë, ndërsa  në shkollat e tyre  mësimi zhvillohet (vetëm) në gjuhën serbe, edhepse institucionet parauniversitare financohen edhe nga buxheti i Kosovës, respektivisht përmes buxhetit të vetëqeverisjes lokale (komunave). Sistemet dhe programet mësimore dallojnë prej njëri-tjetrit. Në sistemin arsimor të Kosovës shkolla fillore zgjatë 9 vjet, e shkolla e mesme 3 vjet. Në sistemin e Serbisë shkolla fillore zgjatë 8 vjet, ndërsa ajo e mesme 4 vjet. Programet arsimore nga lëndët shoqërore janë krejtësisht të ndryshme. Sipas legjislacionit të Serbisë tërë sistemi arsimor  është i centralizuar, në kompetencë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik. Vetëm institucionet parashkollore janë në kompetencë të vetëqeverisjes lokale (komunave). Ndërkaq, legjislacioni i Kosovës ka bërë decentralizimin e sistemit arsimor, ashtu që edukimi parashkollor dhe arsimimi publik në shkollat fillore dhe ato të mesme është në kompetencë ekskluzive të komunave: themelimi dhe licencimi i shkollave, rekrutimi, pagat dhe aftësimi i kuadrove dhe personelit administrativ.

Për shkak të bojkotimit dhe mosnjohjes së institucioneve të shtetit të Kosovës, shkollat serbe nuk dërgojnë kurrëfar raporti as të dhëna Ministrisë së Arsimit as Agjensionit të Statistikave të Kosovës. Nga ana tjetër, as në web-faqet e Ministrisë së Arsimit as të Entit të Statistikave të Serbisë, nuk jepen shënime për rrjetin e shkollave, numrin e nxënësve e studentëve në shkollat dhe fakultetet serbe në Kosovë. Të dhëna për këto, në mënyrë indirekte mund të gjendën në raporte e deklarata të udhëheqësve serbë nga mbledhje të ndryshme, por sa janë ato të besueshme? Sipas deklaratës së ministrit të Arsimit të Serbisë, Sharçeviq, nga mbledhja me drejtorët e shkollave të mesme serbe të Kosovës, të mbajtur në Rahavec, në janar të vitit 2018, në Kosovë funksionojnë 120 shkolla serbe, prej të cilave 33 janë shkolla të mesme, por nuk ka dhënë kurrëfar shënimi statistikor për numrin e nxënësve në ato shkolla. Ndërkaq, nga një studim i Institutit për Zhvillim Ekonomik Rajonal (InTER), të cilin e ka financuar Ambasada e Zvicrës në Kosovë (2017),  shihet se në vitin 2016 në katër komuna në pjesën veriore të Kosovës, në sistemin arsimor të Serbisë kanë funksionuar 6 ente parashkollore, në të cilat kanë qenë 1783 fëmijë, me të cilët kanë punuar 175 edukatorë, dhe kishin 383 punonjës tjerë. Në 16 shkolla fillore, me 56 paralele, mësimet i kanë ndjekur 4101 nxënës, me të cilët kanë punuar 536 mësues-arsimtarë, që raporti mësues/arsimtar – nxënës, del të jet 1:7,7, apo 16,1 nxënës për një paralele. Në 10 shkolla të mesme, me 137 paralele, të profileve të ndryshme, kishte 2174 nxënës, 454 arsimtarë, që mesatarisht del se për një paralele kishte 15,9 nxënës, apo raporti arsimtar- nxënës 1:4,8. Në të njëjtën kohë, në 10 fakultete dhe 3 shkolla të larta të Universitetit (serb) të Mitrovicës, kishte 9761 studentë, 965 mësimdhënës dhe 1815 punonjës tjetër, që në mesatare del raporti 1 mësimdhënës për 10,1 studentë.

Sipas të dhënave të mësipërme, del se numri i nxënësve në shkollat fillore e të mesme, dhe numri i studentëve në fakultete e shkolla të larta, në raport me numrin e paraleleve dhe me numrin e mësimdhënësve, është dukshëm nën kriterin e caktuar me ligjet përkatëse të Kosovës dhe kjo paraqet barrë për buxhetin e Kosovës, nga financohen shkollat krahas financimit që bënë edhe Serbia për to. Ligjet e Kosovës për arsimin në komuna, respektivisht për vetëqeverisjen lokale, duke paraparë lehtësira e favore për minoritetet,  kanë përcaktuar raportin mësimdhënës – nxënës 1:14,2 për shkollat fillore dhe gjimnazet, ndërsa 1:11,5 për shkollat profesionale. Për shkollat e popullsisë shumicë (shqiptare) ky raport ka prag më të lartë (1:21,3; respektivisht 1:17,2). Por, siç sihet nga të dhënat e mësipërme, në shkollat fillore dhe të mesme serbe në pjesën veriore të Kosovës, ky prag është shkelur dukshëm nën nivelin ligjor (7,7 në shkollat fillore dhe 4,8 në shkollat e mesme). Në enklavat tjera serbe në Kosovë, kjo gjendje është ndoshta edhe më e disfavorshme në raport me legjislacionin.

(Mos)njohja reciproke e diplomave

Të dy sistemet arsimore që funksionojnë në Kosovë, nuk kanë kurrëfar marrëdhënie,  kontakti as bashkëpunimi reciprok. Përkundrazi, as nuk e njohin njëri tjetrin. Dhe kjo mosnjohje midis sistemeve, ka bërë që as diplomat e lëshuara nga njëri sistem, nuk i njeh sistemi tjetër, as sa i përket kualifikimit për punësim në sektorin publik, as sa i përket regjistrimit dhe vazhdimit  të shkollimit në nivelet më të larta të arsimimit, apo për provime e licencime të ndryshme profesionale e shtetërore. Në vitin  2008, 2011, 2013 e 2016 janë  zhvilluar disa bisedime e nënshkruar  disa marrëveshje të lidhura në Bruksel për njohjen reciproke të diplomave, por në praktikë nuk kanë dhënë rezultate, për shkak të obstruksioneve, kushteve, kompetencave, afateve, procedurave dhe pengesave tjera që ka paraqitur qeveria e Serbisë, e cila nuk pranon kurrëfar  shenje të shtetësisë së Kosovës. Por, deri sa për studetët serbë të diplomuar  në Universitetin e Mitrovicës, është gjetur një zgjidhje e lehtë dhe e favorshme për njohjen e diplomave të tyre, me ndërmjetësimin e një organizate joqeveritare: Qendra Europiane për Pakicat (ECMI) që vepron në Kosovë, për studentët shqiptarë të diplomuar në universitetet e Kosovës nuk është gjetur zgjidhje e përshtatshme, ngase Serbia e komplikon me kushte, afate, kompetenca dhe procedura të ndërlikuara.  Kështu, me ndërmjetësimin e ECMI-së, deri në janar të vitit 2019, nga 1628 kërkesa të paraqitura, janë verifikuar e “nostrifikuar” 1547 diploma të Universitetit serb të Mitrovicës, 38 janë refuzuar (7 kërkesa ishin jo të kompletuara), ndërsa 85 ishin në procedurë të shqyrtimit. Procesi i njohjës së diplomave praktikisht po zhvillohet në mënyrë unilaterale (të njëanshme), vetëm nga pala kosovare e në favor të serbëve, por jo edhe nga Serbia në favor të shqiptrëve. Sepse, me ndërmjetësimin e ECMI-së, janë çertifikuar   vetëm 5 diploma të lëshuara nga universitetet shqiptare të Kosovës,  ndërsa më heret,  në vitin 2012, përmes Asociacionit Europian të Universiteteve,  janë verifikuar dhe njohur 74 diploma, kryesisht të shqiptarëve të Luginës së Preshevës të cilët kanë kryer shkollimin në Kosovë.

Kështu, pas përfundimit të luftës së armatosur dhe çlirimit të Kosovës, prej vitit 1999, është duke u zhvlluar një luftë e ftohtë  midis Kosovës e Serbisë, nepërmes sistemit të arsimit, por jo vetëm përmes arsimit, veçse edhe përmes sistemteve dhe  institucioneve tjera publike (shëndetësisë, sigurimeve sociale, ndërmarrjeve publike, kulturës, gjyqësisë, vetëqeverisjes, lokale, etj). Deri kur do të vazhdojë kjo luftë e ftohtë, apo të gjenerojë në një formë tjetër, nuk mund ta dijë askush? Serbia është kërcënim permanent dhe jo vetëm ndaj Kosovës!

Si e ka zgjidhur Kroacia arsimin e minoritetit serb

Si shtet hegjemonist e pushtues që ka qenë Serbia, përveçse brenda shtetit të vet që ka 25 grupe minoritete dhe etni të ndryshme, në vendet të cilat i ka pushtuar gjatë historisë, ka lënë, si vetë e qyqes, një minoritet destruktiv serb. Sipas regjistrimit të popullsisë (2011), Republika e Kroacisë kishte 4.284.889 banorë, prej tyre 328.738 banorë u përkasin 22  minoriteteve dhe grupeve të ndryshme etnike, ndër të cilët 17.513 ishin Shqiptarë. Me gjithë shpërnguljen e  serbëve nga aksioni “Oluja” (Stuhia, 1995), në Kroaci minoriteti serb është me numrin më të madh: 186.633 banorë, apo 4,36% të numrin të përgjithshëm të popullsisë së Kroacisë. Do të thotë, në numra absolut, serbë ka më shumë në Kroaci se në Kosovë. Megjithatë, serbët e Kroacisë e kanë “ulur bishtin” e shtrirë qafen, dhe do të jenë të kënaqur me realizimin e të drejtave më elementare të parapara me standardet ndërkombëtare dhe me Kushtetutën e ligjet e shtetit ku jetojnë.

Edukimi dhe arsimimi i pakicave kombëtare (minoriteteve) në Kroaci zhvillohet sipas programit dhe në kuadër të sistemit të arsimit të Kroacisë. Nuk mund të bëhet fjalë për program e sistem të Serbisë as kurrëfar paralelizmi. Kroacia si shtet anëtare e Bashkimit Europian e ka ratifikuar Kartën Europiane për gjuhët rajonale dhe të pakicave, dhe iu përmbahet atyre standardeve.  Pjesëtarët e minoriteteve kanë të drejtë të shkollimit në gjuhën e tyre amtare, në të gjitha nivelet e arsimit, prej nivelit parashkollor deri në atë universitar. Kushtet materiale dhe objektet shkollore i siguron themeluesi (publik, ose privat). Mësimi dhe edukimi  në institucionet parashkollore zhvillohet në të dy gjuhët: në gjuhën e pakicës së caktuar, dhe  së paku 10 orë në javë program i caktuar në gjuhën kroate.

Në vitin shkollor 2016/2017, në të gjitha nivelet e arsimit në Kroaci kishte 67 institucione arsimore me 3607 pjesëtarë të pakicës serbe që i ndjekin mësimet në gjuhën dhe alfabetin e tyre, në të cilat punonin  679 mësues dhe arsimtarë. Në shkollat fillore dhe ato të mesme zbatohen tri modele të arsimimit të pjesëtarëve të minoriteteve (modelet: A, B, C). Sipas modelit A,  në shkollat ose paralelet e minoriteteve, tërë mësimi zhvillohet në gjuhën dhe alfabetin e tyre, me obligim të mësimit të gjuhës kroate aq orë sa mësojnë gjuhën amtare.  Sipas modelit B, në shkolla kroate, ka paralele të veçanta ku mësimi zhvillohet në dy gjuhë: grupi lëndëve shkencore-natyrore zhvillohet në gjuhën kroate, ndërsa grupi i lëndëve shoqërore – në gjuhën e pakicës. Në modelin C, krahas mësimit të rregullt  që zhvillohet në gjuhën kroate, mësohet për gjuhën dhe kulturën e pakicës, gjithsejt 2 – 5 orë mësimi në javë (gjuhë e letërsi të minoritetit të caktuar, gjeografi, histori,muzikë, art figurativ). Për të gjithë nxënësit e pakicave, për të cilët nuk mund të organizohet mësimi sipas modeleve A, B ose C, organizohen forma të posaçme të mësimit: seminare, shkolla verore ose dimërore, mësimi konsultativ me korespodencë, etj.

Përfundim

Përkundër bisedimeve të gjata (teknike) të zhvilluara midis Kosovës e Serbisë, dhe marrëveshjeve të nënshkruara, më 2008, 2011, 2013 e 2016, me të cilat parashihej integrimi i institucioneve publike të Serbisë të cilat funksionojnë në Kosovë edhe pas çlirimit, deri më sot asgjë nuk është arritur në integrimin e arsimit serb në sistemin arsimor të Kosovës. Përkundrazi, ndarja dhe kundërshtimi i arsimit serb veçsa është thelluar e fuqizuar më tepër, në të gjitha nivelet. Qeveritë e Kosovës, njëra pas tjetrës, secila më e dobët se e para, nuk kanë arritur vet as me bashkësinë ndërkombëtare ta integrojnë, edhe përkundër të gjitha kushteve dhe favoreve të ofruara, çfare nuk i ka asnjë minoritet në botë! Derisa arsimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës vuan të zitë e ullirit nga diskriminimi e presioni i pushtetit serb, është absurd kur politikanët tanë përmendin fjalën reciprociet, e s’bëjnë asgjë dhe nuk zbatohet për asgjë prej saj!

Serbët e Kosovës dhe Serbia zyrtare e “arsyetojnë” funksionimin e sistemit të tyre arsimor në Kosovë me rolin që ka arsimi për mbetjen e qëndrueshme të serbëve në Kosovë. Ata pretendojnë që pas themelimit të “Zajednicës” (bashkësisë së komunave serbe), ajo do të merr kompetencat e Qeverisë së Serbisë për të udhëhequr e menaxhuar funksionimin e institucioneve publike të Serbisë në Kosovë, ndër të cilat, sipas tyre, sistemi i arsimit është më i madhi dhe më i rëndësishmi. Se deri kur Kosova mund ta durojë këtë gjendje absurde, mbetet të shihet?

Sipas standardeve ndërkombëtare për të drejtat e pakicave, ato kanë të drejtë dhe duhet t’iu mundësohet të marrin pjesë në shqyrtimin dhe miratimin e vendimeve të cilat kanë të bëjnë me të drejtat dhe interesat e tyre, por nuk kanë të drejtë të bllokojnë institucionet demokratike në marrjen e vendimeve dhe miratimin e ligjeve të shtetit, siç po vepron minoriteti serb, duke u mbështetur në mundësinë që u jep Kushtetuta e Kosovës e bërë sipas Planit të Ahtisarit e kundër parimit demokratik të legjitimitetit të shumicës.

Në Rekomandimet e Hagës për të drejtat e pakicave kombëtare për arsimim në gjuhën e tyre, njëkohësisht rekomandohet edhe mësimi i gjuhës zyrtare, të shumicës, për t’u integruar më lehtë në shoqërinë në të cilën jetojnë (rek.1). Minoritetet kanë të drejtë të themelojnë  dhe udhëheqin institucione të tyre private të arsimit, në pajtim me legjislacionin e vendit (r.8). Gjuha zyrtare, e shumicës, duhet të jetë lëndë e rregullt mësimi në shkollat e pakicave edhe për shumë lëndë tjera mësimore (r.12; 13). Arsimi interkultural duhet të mundësojë njohjen e historisë, kulturës dhe traditës reciproke. Sipas rekomandimeve të përmendura, e drejta e pakicës për ruajtjen e gjuhës dhe identitetit të vet, është e barabartë me detyrimin dhe përgjegjësinë e saj për t’u integruar në bashkësinë e gjërë të shtetit ku jeton. Shteti gjithmonë ka të drejtën e mbikqyrjes së institucioneve arsimore, qofshin ato publike a private. Prandaj, sistemi arsimor i minoritetit serb, doemos duhet të shkëputet nga sistemi arsimor i Serbisë dhe të integrohet plotësisht në sistemin arsimor të Kosovës, duke gëzuar të gjitha të drejtat dhe favoret që i ofron ky sistem.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok