22/12/2024

ARKA E PËRBASHKËT ILIRIKE

0
Camaj-Podrimja

(Ese. Leximi i poezisë “Atdheu i mbërthyer në arkë” e Ali Podrimjes, kushtuar Martin Camaj)

Nga Prend BUZHALA

Nëse religjionet i kanë arkat e përbashkëta të besëlidhjeve, profetëve, urdhërimeve fetare etj; ne, si komb, që nga lashtësia e kemi NJË ARKË të përbashkët ilirike e ilirishte, arkë gjuhe e shpirti…

Lirikat, shpesh, na e shqiptojnë vetëm të sipërfaqshmen, të dukshmen… e padukshmja, ose shumësia (a polisemia) e kuptimeve dhe leximeve, është pronë e lexuesit.

1.

Universalja: leximi nxit përfytyrime (imazhe poetike) figurative… Mund ta përfytyrojmë një figurë të shquar kombëtare, që përkujtohet një herë në vit (a një shenjtor që e ka festën e vet njëherë në vit)- dhe adhurimet, nderimet apo lutjet tona andej drejtohen; ngjanjëherë i drejtojmë edhe shigjetat, ligështitë tona, përdhosjet… e mesazhet që na vijnë ndër vite, nga jeta e një personanliteti të tillë (pa u emërtuar cili), nuk prajnë… prandaj dhe titulli bart vlerë e peshë figurative e kuptimore (biblike dhe nacionale)… Një varg nga krijimet personale është shënjues:

“E tash është Koha e Lirimit. Liroje shallin rreth qafës”.

Migjeni do të thoshte: “Hiqi bragashat.”

Hiçi prangat (paragjykimet vetërobërimet etj etj) sociale ose jetësore, botëkuptimore etj. etj.

2.

Edhe ne e kemi Besëlidhjen tonë historike, e kemi arkën tonë historike (arkivin tonë historik), shpirtëror, luftarak, kombëtar… aty i blatojmë vlerat më sublime, aty e shohim vetveten si në pasqyrë. Është si ajo historia e Arkës së Noes për shpëtim nga një kataklizëm a apokalips, për t’i shpëtuar ato që i kemi afër vetes. Nëse ne e kemi refuzuar këtë arkë të identitetit e të vetëdijes sonë (domethënë: refuzimin për t’i ruajtur gjërat, dëshmitë etj), atëherë kot i akuzojmë të tjerët “për përvetësime”. Te libri “Hieroglifet dhe Aritmetika e skrëbeve të lashtë egjiptianë” Donald Frazer e përshkruan Arkën e Besëlidhjes me një Drejtkëndësh të Artë, mbasi forma e saj drejtkëndëshe gjendet në proporcion me Lidhjen (a marrëdhënien) e artë. Fjala është për gjërat e paçmueshme, që kanë vlerë shumë të madhe e të dobishme. Nuk është e rastësishme pse që nga andej kjo arkë ka hyrë në përdorimin e këtyre gjërave me vlerë, siç janë arkat e bankave apo arka e shtetit.

Ai dimë t’i ruajmë këto dy arka të fundit?!

Dhe cilët janë sulmuesit e tyre sot e dje?!

Në Fjalorin e shqipes përmenden togfjalëshat “arka e kursimit,  “arkë druri”, “arkë hekuri”, “akat e bukëve”. “arkë birre”, “arkë qumështi, “arkë municioni”, “arka e ndihmës së shpejtë”, “kapaku i arkës”, “çelësi i arkës” e deri te “arka e vdekjes”. Në traditat tona etnografike: gjyshet e nënat tona kishin një orendi të tillë me kapak e me dry, me zbukurime motivesh etnografike ilirike, arbërore e shqiptare, e ku mbaheshin rrobat e paja e nusërisë. Quhej edhe “arka e nuses”. Rrobat më të çmueshme mbaheshin në fund të arkës. Po në Fjalor regjistrohet shkrehja frazeologjike” E ka gojën arkë”, në kuptimin: “nuk nxjerr fjalë nga goja, i ruan mirë të fshehtat.”

Gjërat më të shtrenjta e të shenjta a nuk ruhen në arkë?

Nënat tona kishin arkat e veta të kujtimit të shenjtë e të shtrenjtë…

3.

Poezisë mund t’i bëhen shumë lexime… Leximet nuk prajnë, nuk pushojnë asnjëherë- thoshte Ali Podrimja. Pra, leximit askush nuk mund t’i vërë pikë. Poezia a letërsia gjithmonë është e hapur për lexime të reja… për SHUMËSINË E LEXIMIT. Jo pak poezi ky poet i emërton me fjalën a leksemën figurative arkë, siç është kjo poezi kushtuar Martin Camajt:

ATDHEU I MBËRTHYER NË ARKË

Martin Camajt

Del në mëngjes Evropës

për një lutje fisi

Shpirtin asgjë nuk ta qetëson

Në mbrëmje kthehesh dikur vonë

dhe kur zonja Evropë

mbyll dhe syrin tjetër

Nxjerr nga arka Atdheun

dhe në dritë të hënës

e peshon në shuplakë

Damar pas damari e shpalon

kushedi për të satën herë

duke i gjetur kuptime të reja

Të bëhet se të thërret ndoj zot i harruar

të bëhet se kush ikën

nga përqafimi i llahtarshëm

Vë veshin pastaj dhe dëgjon trokun

mes Drinit të Bardhë e të Zi

që vetëm ti e kupton

Me ferk mbërthen Atdheun në arkë

dhe merr Evropën në sy

i bindur se asgjë nuk peshon më rëndë

Në hall na qite Burrë Malcie

me ata zëra paganë bubullimë Dheu

me ato ethe Arbërie

Ali Podrimja (1991)

Le ta përfytyrojmë emigrantin shqiptar nëpër dekada, me një çantë në krah a me një arkë druri në dorë, më vonë: me valixhe të mëdha, duke shkuar e zbritur nëpër aeroporte apo nëpër stacione autobusësh e trenash. Atdheu i mungon, arka e vlerave të tij në vendlindje është marrë peng. Kurse bota e tij e brendshme është e tronditur, e shqetësuar.

4.

Një lexim tjetër: Arka e Besëlidhjes gjendet në Bibël: hebrenjtë e kanë si të vetmin mjet “fizik” të lejueshëm (nuk lejojnë ikona a përfytyrime fizike, por vetëm spirituale), ku ruhen, nëpër shekuj e zjarre luftërash a mortajash, fjalët e Hyjit. Ishte traditë e lashtë që Kryesori (Udhëheqësi shpirtëror a kombëtar) të lutej një herë në vit për kombin e për veten… (e kush prej nesh nuk lutet për veten e për mirëqenien e kombit të vet)? Prototipin e Krijuesit, të Intelektualit heretik, të Tribunit a të Udhëheqësit të Dëbuar në ekzil, e hasim që nga antika, ndër ne e hasim që nga Epoka e Skënderbeut. E i larguari është dashur ta planifikojë përpara atë arkë a valixhe, ashtu siç shprehet Howard Ruff: “Nuk binte shi kur Noeu ndërtoi arkën.” Domethënë, ai e ka parashikuar rrezikun. Ndryshe e mzbërthen këtë arketip Richard Cushing: “Shkenca është vetë Arka e Noes! Mos kërkoni anije tjetër!” kësisoj, edhe Martin Camaj bredhte nëpër Evropë me lutjen e tij etnike,me shirtin e shqetësuar, me Dijen, Intelektin e Librin e tij.

Del në mëngjes Evropës

për një lutje fisi

Shpirtin asgjë nuk ta qetëson

A thua, e ka të humbur Arkën e Tij, a mos na qenka në kërkim të saj, mu si te ai miti i filmuar për Bartësit e Arkës së Humbur? Jo, ai e hap atë natën.

Në mbrëmje kthehesh dikur vonë

dhe kur zonja Evropë

mbyll dhe syrin tjetër

Nxjerr nga arka Atdheun

dhe në dritë të hënës

e peshon në shuplakë

Shqetësimet nuk marrin fund. A ka diçka që peshon më shumë se Atdheu? Mërgimtari shqiptar nuk ishte vetëm hallexhi, por ai mbi supe gjithmonë ka mbajtur fatin e atdheut. Hapja e saj ngjet me dhimbjen, me një shpalim të prekshëm. Aty, mbase, përpos ndonjë guri a grushti të dheut të vendlindjes, mund të gjendet edhe ndonjë asht emblematik i ndonjë të pushkatuari, apo i të parëve. Ndonjë relikt, në pamje të parë, i parëndësishëm, por që për poetin peshon sa krejt globi. Sa krejt universi. Tri ehrë përmendet nëpër vargje fjala Evropë. Në tri kontekste të ndryshme. Te strofa e parë është emigranti që ia mësyn strehimit, jo thjesht për ta strehuar ekzistencën vetjake, por për t’ia drejtuar Evropës një lutje fisi, lutje etnike (ideal arketipor i rilindasve për iluminizmin, dijen, forcën). Te strofa e dytë shfaqet figura kontrastive: shqetësimi i poetit kundruall indiferencës së kësaj zonje që quhet Evropë:

Në mbrëmje kthehesh dikur vonë

dhe kur zonja Evropë

mbyll dhe syrin tjetër

Ai është i pagjumë pranë kësaj zonje symbyllur e indiferente. Ditën e ka shpalosur kërkesën lutje të tij, në mbrëmje ai lektiset, vuan, e ka të humbur qetësinë shpirtërore. Është i merakosur tej mase me peshën e Atdheut. Aso kohe: të atdheut të mbyllur, të izoluar, si në kuti. Kutia a arka e tij është tjetërsoj: ka tjetër peshë dhimbjeje, kujdesi, kërkese. Te strofa e parafundit ky folës lirik na kumton ideologjinë etnike të protagonistit të tij lirik (folësi lirik është poeti Ali Podrimja, protagonisti lirik është Martin Camaj):

Me ferk mbërthen Atdheun në arkë

dhe merr Evropën në sy

i bindur se asgjë nuk peshon më rëndë

Mësymjet drejt Evropës asnjëherë nuk kanë pushuar. Këtë bindje askush nuk ia ka tyher as dje e as sot. Por bindje mbi bindje është Pesha e Atdheut. Kjo do të thotë se kjo arkë është simbol i përmbytjeve.

Madje i kataklizmave të mëdha kombëtare. I kthesave përmbytëse. I tragjedive e fatkeqësive të pafund. Poeti Podrimja veç sa e rikrijon mjeshtërisht figurën e arkës. Në Fjalorin e Simboleve (“A Dictionary Of Symbols” të J. E. Cirlot, thuhet: “Si në rrafshin material ashtu edhe në atë shpirtëror, arka simbolizon

Fuqinë për t’i ruajtur të gjitha gjërat dhe për të siguruar rilindjen e tyre… Si simbol i zemrës (ose i mendjes, ose i mendimit) imazhi i arka është e ngjashme me atë të enës së pirjes, aq e shpeshtë në misticizmin mesjetar.” Poeti, kur ia ka mësyrë Evropës me lutjen e tij, ka shpresuar gjithmonë në këtë ringjallje a rilindje. Ky ishte vizioni i tij jetësor, letrar, intelektual e njerëzor. Mbi të gjitha, vizioni atdhetar. Kur e ka shkruar e botuar këtë poezi Podrimja, Martin Camaj ende ishte gjallë. E përjetoi rilindjen që deshi. Historia i kishte dhënë të drejtë. Pikërisht pse peshimi i kësaj arke dhimbjesh, vlerash e përjetimesh, ka qenë i thellë:

Damar pas damari e shpalon

kushedi për të satën herë

duke i gjetur kuptime të reja

Ky shpalim (poetik) gati sa nuk ka kaluar në një ritual mistik, posi te “De arca mystica” e Shën Ambrozit. Shpalimi e ringjallja bëhen për t’i rishfaqur edhe njëherë, në tërë shkëlqimin e tyre të plotë, esencat, thelbin e pasurisë shpirtërore e trashëgimore. Tashmë ato mund të shfaqen në dritën e diellit. Tashmë mund të rivendoset një tjetër rend i ri. I çuditshëm është ky protagonist poetik i Podrimjes, që ngjet në heronjtë antikë:

Të bëhet se të thërret ndoj zot i harruar

të bëhet se kush ikën

nga përqafimi i llahtarshëm

Çka do të ndodhë nga ky përqafim i llahtarshëm, posi te Besa e Konstantinit? Rinjohja, rizbulimi i vetvetes?! Aty nuk ka hirrje për hakmarrje. Përkundrazi, ka vetëm një rikthim te vetvetja. Te vlerat burimore e shënjuar përmes topografisë etnike:

Vë veshin pastaj dhe dëgjon trokun

mes Drinit të Bardhë e të Zi

që vetëm ti e kupton

Në hall na qite Burrë Malcie

me ata zëra paganë bubullimë Dheu

me ato ethe Arbërie

Me këtë Arkë Arbërie ai notonte nëpër këto ujëra përmbytëse të shqetësimeve të atdheut, të emigrimit etnik, duke marrë botën në sy. Atdheu pëson hemorragjinë e largimit, siç shprehet vetë Podrimja diku te një ese i tij. Arka është edhe simbol i ruajtjes së gjërave të domosdoshme për rimëkëmbje. Le ta përfytyrojmë se te ajo arkë janë studimet për Buzukun, romanet e lirikat e tij, kërkesat e tij etnike, që i refuzon atdheu. Por ato triumfojnë, rimëkëmben, pranohen kah fundi i jetës së tij. Për këtë ruajtje është zotuar vetë poeti. Rikthimi ndodh te pika e nisjes, së bashku me përvojat shpirtërore, ekzistenciale, te origjina. Do të thosha: te arka ilirike.

5.

Është si ai zotimi i mbrojtjes hyjnore që përmban thelbin e traditës. Dhe këtë Podrimja e arin, nëpërmes ndërkomunikimit tekstual të teksteve të Martinit, Biblës dhe përgjithësisht krijimtarisë së tij. Është ai parimi estetik i rikrijimit të teksteve me intertekst.

Edhe kjo arkë camjane-podrimjane, aq e identifikueshme në kohët kur Kosova po pësonte këtë hemorragji largimi nga dhuna serbe. Ishte si një arkë shpëtimi, jo si një Titanik i profesionistëve që përmbytet. Teoricienët e artit e përqasin Titanikun (që e konstruktuan profesionistët) me ndërtimin e një arke, që e punuan njerëzit e thjeshtë. Domethënë: esencat (arka) sigurojnë ekzistencën. Ekzistenca pa këto esenca (si te Titaniku) përmbytet.

Nëse te librat e shenjtë arka është simbol i takimit me Hyjin, te Podrimja ajo është simbol i vendtakimit të shenjtë em vlerat e ringjalljes së Atdheut.

Poezia thuret nëpërmes trevargëshit të lirë, a në tercet, posi te disa tekste biblike, ndryshe nga tercinat danteske a petrarkiane që rimohen, dhe ndryshe nga haiku japonez, ku ka kërkesa sfiduese ndaj vargut (pesë rrokje në rreshtin e parë, shtatë në rreshtin e dytë dhe pesë në rreshtin e tretë). Ndërsa në kompozimet muzikore tercetat thuren për të kënduar një melodi nostalgjike, në poezinë mdoerne, si te kjo lirikë e Podrimjes, terceta me thurje të lirshme me intelekt krijues, është e përshtatshme për evokime artistike e historike, Delikatesa e vargjeve na vjen gjithnjë me një ritëm e rrjedhë të dinamizuar, përforcues, për të përpunuar e bërë ndikime emocionale e meditativë te lexuesi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok