17/04/2024

ARBA E MREKULLIMËS

0

Tregim nga Ndue Dedaj

Kisha ndigjue plot histori tronditëse grash dhe vajzash malësore, por jo si atë të Nanlokes prej vetë gojës së saj, emni i së cilës ishte një shkurtim i Shën Barbullës (Santa Barbaras), pajtore e asaj ane ku ajo kishte le. Herë – herë më bahej se nuk e kisha ndigjue me veshët e mi, por e kisha lexue në rrëfimet e Helenaut a të palekujt shkrimtari tjetër. Kishte qenë bash dita kur ajo grue sojnike kishte mbushë njëqind vjeç e njerëzit nuk dinin si ta uronin, se ajo me jetën e saj e kishte ba të pavlefshëm atë urimin tradicional “U bafsh njëqind vjeç”. Duhej shpikun nji tjetër urim për ata që e kalonin shkullin, çka dukej e pamundun.

Qëllova rastësisht aty atë ditë. Mbramjen e nji dite ma parë më kishte telefonue një mik i imi regjisor në nji televizion.

“A po vjen nesër deri në Mrekullimë se do të xhirojmë nji personazh, asht nji grue që mbush nji shekull jetë e ti e kupton, na i gjuejmë këto për me rrit audiencën!…”

“Po a ka ndonji të veçantë, përveç moshës, se dhe gjyshja eme i pati kalue të njiqindat?”…

Nejse, të nesërmen, për me i ba shoqni mikut tim, iu bashkova grupit të xhirimit, ata për punë, unë për qejf. Djemtë e asaj gjyshes kishin shtrue dhe nji drekë me tana të mirat. Ata të televizionit filmo e filmo pa ia nda, si me qenë dasma e saj; thoshte ndonji gja ajo grueja e moshueme për vete, se nuk kishte mbet kush gjallë nga moshatarët e saj me rrëfye ndoi gjasend për të. Por miku im regjisor ishte i kënaqun. Grupi i xhirimit iku mbasdite, kurse mue m’u lut njëni nga djemtë e Nanlokes me bujtë atë natë aty. Arsyja ishte krejt e beftë. Kishim pas qenë bashkëstudenta, por që nuk ishim pa prej 30 vjetësh, qysh nga koha e studimeve.

*

Si t’i kishin mbetun fishat hala lidhun me ata të xhirimit, befas Arba ia nisi:

Mbasi ia mbërrina kësaj dite, due me të diftue jetën teme, bir-o. Jo se jam sot për nesër, por tash ka hije, se ma përpara çaf me thanë, m’dukej vrik me fol njeriu për veten. Kur u bana 19 vjeç më vunë mbi kalë e me çuen te burri. Ju nuk e dini se si asht me hyp mbi kale nji vashë e re, që nuk di ta mbaje shtatin drejt mbi shalë, por i merren mendt. Kali deri atëbotë më dukej se ishte ba për kalorësit që shkonin në luftna, e tash kisha hipun vetë mbi kalin e bardhë e me krushqit varg po ngjitja tërmalen e Trojanës. Pata nji çast ndiesinë se atë ditë po fluturojsha nalt, ma nalt se shqipet. Andrra vashnore, mendova. O atë ditë, o kurrë me andrrue nji vashë malesh! Dasma eme qe boll e mirë, se aty ku shkova nuk qe shpi e paqenë. Mbas nji jave e hoqa atë shmaninë e kuqe të nuses prej kreje dhe lidha shaminë e zezë si gjithë grania tjetër.

Kalonin ditë, javë muej e nuk po kuptoja asgja. A thue isha martue me një trung lisi, që as fliste, as qeshte, as qante! E kishte pas ruejt fati për mue at’ rob të paemzá. Kishte qenë ora ime e ligë ajo martesë. Thoshin sa na kishin ba magji ditën që kisha shkue nuse. Truente, shamatohej kot, nuk dinte se ç’bante. Çfarë nuk i thoshte i ati plak, e ama ndukte faqet, i vëllai ma i vogël se ai i kërthnezej. Por ai njeri nuk bante pare përgjysë. Mbyllej në dhomën e gjumit e nuk e hapte derën të hyja unë nusenëmuna, atëherë shtroja teshat e mia e flija përtokë. Kur qëllonte që unë shkoja ma përpara tij me flet, ai nuk hynte mbrenda, por shtronte në dhomën e pritjes e flinte aty.

Sikur grindej me orët e malit, atyne s’kishte çaf me u ba dhe më kthehej mue si i marrë. Një ditë më ra me bishtin e sakicës duerve. Na pau vjehrri dhe i bërtiti, por si me pas fol me gurin.

Ashtu i mërizitur, vjehrri erdhi tek unë dhe m’u drejtue:

“Ruej se me më vra kush djalin, ty të ikën vëllai i vetëm!…”

Mbeta pa mend e pa fjalë.

Në nji anë s’kishte se çaf me i ba të birit, nga ana tjetër donte me u sigurue se unë nuk do të folshëm te njerëzit e mi. Ishte zanë ngusht edhe ai e nuk dinte nga t’ia mbante.

Burr’ziu em vazhdonte të sillej vrazhdë.

Vetëm kur veja te stani në mal me e ndihmue me tufën e dhive, ai ishte disi ma njerëzor. Bile njiherë më tha se nëse të vjen u, merr bukë e djathë e ha. Por dhe atje kur uleshim me pushue në zheg, njani në nji anë e tjetri në anën tjetër!…

Vjehrra shihte me bisht të syrit nga barku em, a thue po fryhej?

Po unë nuk isha Shën Mëria, që do të lindsha Jezusin!…

Nji ditë e gjeta vjehrrën hipun mbi nji palë shkallë tue pa në tra me nji qiri për djepin e vjetër. Sa hyna unë, iu anue shtati e desh u rrxue. Vetë u mbajt si i mbajt, por djepi ra përtokë e iu thye kaptelli. Ajo lëshoi një psherëtimë të thellë dhe nduku faqet. Nuk i thashë se ai djep nuk kishte me u përkundë e, deri kur të vinte nusja e djalit tjetër, kishte me u ndreq ndonji djep i ri…

Hasa nji ditë te kroi në komitën kundra Mbretit. Ishin kushërinj të mitë nga prindja.

“A do që ta vras burrin? Po the ti, ta heq qafe deri në darkë!” – m’u drejtue kreu i tyne.

“Jo, çaf asht ajo fjalë, o kushri! Prindt e tij e kanë djalë!”

Ata panë nga njëni – tjetri, banë nji shenj miradije kah unë për ato fjalë që thashë dhe morën malin me turr, se xhandarët ishin kudo n’kambë.

Ai nisi të mos vinte ma në shtëpi, flinte te stani, ma mirë thuej në një guvë, se stani ynë qe si nji zgjatim i Shpellës së Stërqokëve, e kishin ngritun ashtu për me mbajt të freskët bulmetin në verë. Kishte lënë mjekër të gjatë, kishte harrue me fol, kur qëllonte që takoheshim në shpat, ku unë veja për dru, shiheshim si dy të panjoftun. Kjo më trembte ma shumë.

Shkuen pesë vjet ashtu, zi e ma zi. S’i dija fe e vijë veti.

Por s’e kishte harrue zakonin e vjetër. Krisi shamata nji natë, kotsëkoti, që i përfshiu të gjith’ robt e shpisë, e, kur ai u mat të më gjuente, hovi i vllai, tue iu hedh në grykë: faqezi, nuk të lë mbas sodit të sillesh si burrec me gruen!

Të nesërmen kunati më priu e më çoi drejt e në shpinë time të lindjes, për t’panë. I thashë, kur po ikte, mos me prisni se nuk shkel ma në atë shpi! Me u ba bashkë qielli e toka! Ai nuk foli…

U ba gjyq i madh në Shkodër, që zgjati gjashtë muej, ngaqë fisi i tij ishte vu me na pajtue, se nuk donin me pranue se u kishte lëshue grueja njeriun e vet. Ai thoshte se e mbaj prapë për grue, kurse unë kundërshtoja me tanë fuqinë teme:

“Kur të dal prej këtu, kam me u hedhë te Ura e Bunës! A mundeni me më ndalë?”

Mbas këtyne fjalëve gjyqi na ndau, e përbetueme në vetëvete mos me u ba kurr’ma grueje e ndonji burri.

Por nuk paskësh qenë mbyll historia eme.

I thotë Dom Lazri tem vllai, atë motrën tande due me e marr për grue për vllaun tem, që i ka dek grueja vjet e i ka lanë dy cuca jetime. I thashë vllait t’i çonte fjalë Domit se nuk kisha ndërmend me u ba ma grueja e askujt. Por njeriu i perëndisë nuk deshi me ia kthye fjalën, u mërzit jo pak, ma përmendi dhe mue vetë nji të diele te Kisha e Sh’Barbullës mbas meshës, se i vllai ishte njeri i mirë, nuk ishte si ai që kisha lëshue…

“O uratë, nuk kam si me u ba nanë fëmijësh, pa pasë vetë fëmijë!?”

Mbeti pa fjalë. Atë çast me të ishte dhe e motra, Luzja, një vajzë e hijshme, që kishte sos mos me u martue. Ajo nuk bani za, veçse më pa thellë në sy…

*

Kaluan dy a tri vjet.

Nji verë te mullini, ku veja çdo javë për me blue kallamoq, më thotë Nanë Demetra: “Oj bijë, due me të marrë për djalin tem?”

Atbotë ndjeva se m’u rrotullue toka nën kambë e qielli mbi krye! Të ishte e mundun? Apo ishte vetë shkrola e Zotit?… Nuk ndodhte kurrë me fol nji djal a nji vajzë punë dashunie në kohën tonë. Por ai… djali i kësaj grueje, e cila tash po më lypte dorën për të, kishte dalë nji mot kah korijet tona, kinse po vriste mllenja me çifte, këndonte me nji za të ambël e shihte kah bregu i lumit, ku unë kullosja delet. Në ishim të njoftun, se shpia e tij me shpinë e prindëve të mi hynin e dilnin për mort e për darsëm, kështu që ishim takue gjithmonë si njerëz të afërt, veçse mrenda oborrit. Kanga që ai këndonte duhej të ishte fort e moçme:

“je ma e bukra vash’ ndër zana,

ka më të qit ty nuse hana!…”

këndonte ai, por zani i dridhej, fryma i merrej, më shihte me një palë sy që nuk më kishte pa kurrë njeri, a thue se donte me më përla si zog e me më shti në gji të vet? Mue, cucën që më ishte pre oroku, dita e martesës. Ndoshta pa  kuptue kisha pas ndie dhe unë për të, se atëbotë m’u ba se do të bija, prandaj pa folë asnji fjalë mora tërthores kah shpia.

Nuk e di, po sa herë më vinte e idhët jeta atje ku u martova, ajo kangë më gjëmonte në veshë si nji fllad…

“Nanë Demetër, po unë kam qenë grue e martueme? Kurse djali jot jo!…”

“Zoti e ka në dorë fatin e njerit! Unë ta kam pas vu synin qysh herët, por nuk e di si u ba ajo punë e martove ke ai qoftëlargu?”

“Po nuk ke droje se ndoshta nuk mundem me lind?…” – e, ashtu ndërmend, dora më preku barkun e fshehun poshtë këmishës. Fundja ky ishte fati i çdo grueje, me u pa kah barku, si ajo ara që nuk dihej nëse e qitte mbi dhe filizin e kallamoqit, apo fara e tij kalbej nëntokë se kishte qëllue gurishtë që e thante bimën pa mbimë…

“Zoja e Bekume, na pastë në dorë!…”

Ditën kur u martova për së dyti, krushqit vunë mbi kryet tem, njana mbi tjetrën, kësulat e tyne bardhë si bilori, pipiruce e rrashatake, simbas anëve kah vinin, nji zakon i maleve tona, që donte më thanë, nusja të lindte sa ma shumë djelm e konaku të kishte tërmale.

U befasova atë ditë dhe nga nji “karnavale” që kisha kohë pa e pa në darsma. Para se me u shtrue sofrat, se nga mbinë katër-pesë burra, të veshun me rroba të vjetra të dala boje, të maskuem sa mos me u njoftë, me njolla therri në fytyrë, që këndonin e kërcnin hareshëm, qeshnin e talleshin, me tremb synin e keq, që ai të mos i bante magji nuses e dhandrrit.

Dom Lazri nuk na vuni kunorë vetë, por thirri priftin e Sh’Metrit për me na e bekue martesën. Kur shkova në kishë për me pagëzue Mrinë, fëmijën tim të parë, na doli para Luzja dhe mori djepin në duar si të ishte ndrikulla e saj.

Zoti nuk le askand pa hisen e vet. Në kët’ shpi ora eme kishte le çuet…

Votra plot. Shtatë fëmijë, mos me e besue as unë vetë.

Si mund ta mendoja atëhere se kisha me u ba njiqind vjeçe?

Faleminerës Zotit!

*

Foli e foli sa për nji shekull. Kishte nji humor të hollë e të kandshëm. Si e kishte ruejt shpirti i saj, aq fort i travluem në rini. Mora vesh se njerëzia i tregonte me andje batudat e saj.

Kur Arba, ase Nanlokja pushoi së foluni, unë i rashë telefonit të mikut tim regjisor dhe i thashë: nëse asht e mundun, mos e shfaqni atë reportazhin televiziv pa ardhë dhe njiherë në Mrekullimë!…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok