21/12/2024

”ARAT PO I LËNË, PO MARRIN KURBETIN, CA MALLKOJNË TOKËN, CA MALLKOJNË SHTETIN…”

0
Albert-Zholi

Nga Albert Z. ZHOLI

Është një orkestër e vogël me katër vetë. Këndojnë dhe u bien veglave muzikore, duke i rënë cep më cep lagjeve të Athinës. Por më shpesh i gjen nën këmbët e Akropolit e në lagjen “Plaka”, ku i gjetëm edhe ne për herë të parë …Lagja “Plaka”. Mos vallë është fjalë shqipe? Pasi edhe kjo lagje është më e vjetra në Athinë, sa vetë Akropoli. Ishim nisur për punë por…Po binte mbrëmja!

Sa i dëgjuam sazet, menduam se ishte ndonjë kasetë me këngët e njohura përmetare. Së bashku me një shokun tim, i afruam këmbët andej nga vinte ëmbëlsia e atyre këngëve…Ishin 4 muzikantë dhe këngëtarë bashkë.

Ata të katërt ishin pranë murit të një ndërtese. Të katër esmerë, nga ata stërnipërit e muzikantëve, që solli Pirroja i madh nga Egjipti, që në Përmet e gjetkë u bënë djep- kënge në Shqipëri. Me muzikën lidhën jetën. Sikur ishin vëllezër ngjanin. Klarinetisti ishte pak më i shkurtër …U binin veglave dhe këndonin siç bëjnë grupet e herëshme përmetare, sidomos ai më famozi, grupi i Laver Bariut. Ia kishin marrë vençe një kënge të vjetër, sikur të ishin në grykën e Këlcyrës e jo në këmbët e Akropolit:

“Në qivur të shtrinë,

Të veshën si nuse.

Sa hije të kishin,

Të shkretat baluke!

Rreth këngës grumbulloheshin e grumbulloheshin shqiptarë e turistë të ardhur ‘pranë bukurisë greke…Grekë janë?-pyesnin turistët. No no Grecia, Albania- u tha dikush. Ata ngritën supet…Ne dëgjonim si pa marrë frymë e ata këndonin :

“…Te gorica plakë,

Po ta bëjnë varrë.

Pleqtë po rrëmojnë…

Beqarët po qajnë…

Edhe ne na mori kënga dhe thoshim nëpër buzë :

“Pleqtë po rrëmojnë/Beqarët po qajnë…

Disa turistë nordikë, kështu dukeshin nga trupat e gjatë e nga tiparet e theksuara të bardha, sic i themi ne shqiptarët “të shpëlarë”, hodhën disa monedha në kapakun e violinës dhe ngatërruan disa fjalë, që donin të thoshoshin, “tjetër..tjetër”. Nuk shqiteshin nordikët. Tingujt e kalrinetës të frenonin si me magji.

Aq donin ezmerët. Sa panë lekët dhe fjalët e nordikëve filluan:

“…Kishe dalë e rrije, afër trëndafilit,

Të digjej jeleku, nga zjarret e gjirit…”..Ah..zjarret…

Bravoo, bravoo!-folën dy nga “të shpëlarët”…

Neve sa nuk bëheshim me krahë nga gëzimi e krenaria. Në ato çaste mu kujtua një thënie e një filozofi: “ Popujt që kanë këngë të bukura, kanë të ardhme…” Po! Ne kemi këngë të bukura. E kujtova këtë thënie dhe psherëtiva. “Ku është e ardhmja e këtijë populli këngëbukur si i yni?!!…” dhe shoh me keqardhje bashkëatdhetarët e mi të ikur tufa-tufa, nëpër udhët e botës… Dhe këngëtarët derdhnin shpirtin e tyre në këngë për të kënaqur zotërinjtë portë më portë e lagje më lagje. Dhe ata si ta kishin lexuar dhimbjen time, ia morën një këngë tjetër: Një këngë të dhimbëshme kurbeti:

“…C’ka që s’mbin bari në qafë?

Nga lotët që derdhnin gratë!

Marrin rrugën e kurbetit

Dhe s’e dimë c’vjen prej detit?

Rruga jonë, dreq o rrugë,

Zgjatet për një copë bukë…”

-Zot i madh! Po ashtu po ikin shqiptarët për një copë bukë. Ikin pa kthim. Ikin si tingujt e këngës…

Një vogëlushe u lëshua nga dora e nënës dhe i dhuroi një trëndafil të kuq atij me klarinetë qe po e magjepste këtë këngë. Edhe unë jam shqiptare nga Tepelena, tha vajza. E përqafoi klarinetistin hodhi dhe disa dhrahmi tek kapaku i violinës dhe shkoi tek nëna. Ata shtangën. Nuk e prisnin që ajo vogëlushe të ishte shqiptare. Klarinetisti e vuri karafilin diku, aty nga qante klarineta dhe filloi:..

“…Djemtë e burrat tanë, shpirt e zemër vrarë,

Arat po i lënë pa i hedhur farë.

Arat po i lenë po marrin kurbetin,

Ca mallkojnë tokën, ca mallkojnë shtetin…”

Mbetëm pa fjalë. Nuk na ikej. Njerëzit po shtoheshin. Klarineta kapte qiellin. Koha nuk na priste, ishim për punë. Po, a të ikej? A largoheshe dot nga ato këngë mbushur me dhimbje?! Muzikën nuk e bën vetëm instrumenti ose gishtat, e bën shpirti. Të detyron shpirti ti luash gishtat, duhet të jesh I lindur me ndjenja, … Dhe ja…Ikëm me dhimbjen e gëzimit, që na kish mbushur shpirtin dhe na derdhej si kënga pambarim e katër esmerëve. Lagja “Plaka” në Akropol atë natë këndoi shqip….

ATHINE, PRILL, 1998

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok