14/12/2024

AMERIKANIZMA NË SHËRBIM TË SHQIPTARIZMËS – PETER ÇIKOS SHËMBULL I PËRBASHKIMIT TË SHQIPTARËVE

0
Konferenca-Vatra1

Drejtuesit e seancave të Konferencës: “Vatra -110-Vjet në Shërbim të Atdheut dhe Komunitetit Shqiptar në Amerikë”

Fjala në konferencën: “Vatra -110 Vjet në Shërbim të Atdheut dhe Komunitetit Shqiptar në Amerikë”

Nga Frank Shkreli

Në historinë e saj 110-vjeçare, Federata Pan-Shqiptare Vatra, me të drejtë, krenohet me të kaluarën e saj në mbrojtje të interesave kombëtare, në përgjithësi. Krenare për aktivitetet e shumëta që ka organizuar dhe organizon.

Kanë qenë dhe janë këto aktivitete që e kanë bërë Vatrën, vatër për të gjithë, përbashkuese, në përpjekjet e saj për idealin gjithnjë të pa realizuar – vëllazërimin dhe përbashkimin e shqiptarëve. Por, njëkohësisht, me vazhdimsinë e saj, Vatra edhe në moshën 110-vjeçare sot po i tregon botës shqiptare dhe shoqërisë amerikane, ku jetojmë, se megjith sfidat me të cilat përballet  komuniteti shqiptaro-amerikan, por edhe Kombi shqiptar në përgjithësi — organizime si ky përvjetor, tregojnë se shqiptarët janë të vetdijshëm të vlerave të veta historike, shpirtërore dhe identitare – që i ruajnë si trashëgimi e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.

Dëshiroj që në këtë 110-vjetor — shkurtimisht  — të nënvijoj rolin përbashkues të Federatës Pan-Shqiptare Vatra — në bashkpunim me diasporën anti-komuniste matanë oqeanit dhe me Arbëreshët e Italisë — duke marrë si shembull, festimet e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skenderbe në Vatikan dhe në Romë, prillin e vitit 1968. Le të shërbejë ky si një mesazh i rëndësishëm simbolik, por jetik për brezin e sotëm të diasporës shqiptare këtu në Amerikë, për të bashkpunuar për realizimin e “përbashkimit vëllazëror”, në komunitetin shqiptaro-amerikan, si një porosi e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skenderbe.

Kryesia e atëhershme e Vatrës me në krye Peter (Chicos) Çikos dhe qindra shqiptarë nga të gjitha anët e botës, ishin ftuar të merrnin pjesë në celebrimet  e organizuara në Romë dhe në Vatikan në prill të vitit 1968,  me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skenderbeu.  Për nga organizimi dhe pjesëmarrja mbarë shqiptare, ky tubim ka mbetur një veprimtari e paharrueshme dhe historike e diasporës, organizuar nga Arbëreshët e Italisë me ndihmën thelbësore dhe nën drejtimin e përfaqësuesve të diasporës së pas luftës, si Prof. Ernest Koliqi me bashkpuntorët e tij në Itali.

Ishte pra prilli i vitit 1968, kulmi i luftës së ftohët. Më vonë atë vit, (në gusht) ish-Bashkimi Sovjetik do të pushtonte Çekosllovakinë dhe Shqipëria jonë e mjerë komuniste ishte zhytur në zjarrin vet-shkatërrues të lëvizjes më të turpshme të shekullit të kaluar për shqiptarët – të ashtuquajturit “revolucion kulturor” kinez –dhuratë nga Kina maoiste e që kishte për qëllim çkombtarizimin — zhdukjen e identitetit dhe të historisë së vërtetë të shqiptarëve – në lavdi të marksizëm-leninizmit ndërkombëtar.

Në këtë atmosferë të tensionuar kombëtare dhe ndërkombëtare, diaspora anti-komuniste në Evropë me Arbëreshët e Italisë dhe me Vatrën e Amerikës, vërshuan në Romë e Vatikan për t’i treguar botës me plot krenari dhe dinjitet– se pa marrë parasyshë se ç’po ndodhte në Shqipërinë e Enver Hoxhës në atë kohë – shqiptarët, si komb ishin të bashkuar rreth Fatosit të tyre trim, Gjergj Kastriotit-Skenderbe – në një frymë vëllazërimi e përbashkimi, pa dallim feje a krahine.

“Gjaku arbënuer njofti nji triumf të papritun n’ato ditë”, do të komentonte krye-organizatori i celebrimeve të 500-vjetorit të Skenderbeut në Vatikan, Profesor Ernest Koliqi.

Një rol të rëndësishëm – historik, mund të thuhet — në realizimin e këtij, “triumfi” arbëror, ka luajtur edhe kjo Vatër, 110-vjetorin e të cilës shënojmë sot.  Delegacioni i Vatrës në Vatikan, përbëhej nga ndër më të mirët e diasporës shqiptare anti-komuniste të asaj kohe – figura me emër në diasporë, por të urrejtur nga regjimi komunist në Atdhe.

Ja si e përshkruante Ernest Koliqi praninë e vatranëve në festimet e 500-vjetorit të vdekjes së Kryetrimit të shqiptarëve: “Nji tubë zojash të ndritshme e zotnijsh të zgjedhun, përfaqësoi — në rrethe arbëreshe e shqiptare – Federatën e mirënjohun që dikur aq hov i dha përpjekjeve për rilindje të Atdheut dhe sot mban naltë zanin e Shqipnisë në botën perëndimore. Hijet e madhnueshme të Nolit e të Faik Konicës na shfaqeshin para syve, tue vërejtë ndër rrjeshtat tonë kryesinë vatrane, të atyne dy Patriotëve të paharrueshëm, themeltarë të Shoqatës.  Kishim përshtypjen se drita e agimeve të reja të Rilindjes atë ditë po reshte mbi Bashkimin e Arbëreshëve me Shqiptarë. E bashkë me atë dritë, rrezja e bekimit të Perendisë”, do të shkruante Ernest Koliqi.  Pjesëmarrja e vatranëve në manifestimet përbashkuese të 500-vjetorit të Skenderbeut, Koliqi e ka cilësuar si një prani që ua, “shtoi shkëlqimin kremtimeve”.

Në vazhdim të temës së “përbashkimit”, në këtë 110-vjetor të Vatrës, dua të kujtoj një ish-Kryetar të Vatrës, një shembull të “përbashkimit të shqiptarëve” në diasporë, të ndjerin Peter Chicos. Jo me fjalët e mia pasi, fatkeqësisht, nuk e kam njohur, por bazuar në vlerësimet e të tjerëve.

Me rastin e kalimit të tij në amshim të parakohëshëm, Gazeta Boston Globe shkruante, ndër të tjera, se Departamenti Amerikan i Shtetit, duke njohur aftësitë e Peter Çikos si udhëheqës i komunitetit shqiptaro-amerikan, sanksionoi në vitin 1968 disa simpoziume ndërkombëtare nën drejtimin e tij dhe të Federatës Pan-Shqiptare Vatra, me rastin e 500-vjetorit të Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti-Skenderbe, në Romë, në Vatikan dhe në Nju Jork.

“Atëherë, për herë të parë”, theksonte gazeta amerikane Boston Globe, “Në Katedralën e Shën Patrikut në Nju Jork, u mbajtën shërbimet ekumenike fetare Katolike, Ortodokse dhe Myslimane.”  Gazeta shënonte gjithashtu se Peter Çikos ishte pritur në Vatikan nga Papa Pali i VI me rastin e ceremonive kushtuar 500-vjetorit të Gjergj Kastriotit Skendërbe në vitin 1968, ku ai kishte dhënë ndihmesën e tij në organizimin e manifestimeve madhështore me atë rast, në krye të një delegacioni mjaft të madh shqiptaro-amerikanësh, pa dallim feje a krahine, që mori pjesë në ato ceremoni.  Shqiptarët e mbledhur atje për të përkujtuar dhe nderuar Fatosin e tyre të Madh, por njëkohësisht, edhe për t’i shpalosur botës një dëshmi të pashoqtë identiteti dhe dinjiteti kombëtar, bashkpunimi dhe marrëveshje vëllazërore.

Ernest Koliqi kishte krijuar një respekt të jashtzakonshëm për aftësitë organizuese, për gatishmërinë dhe prirjet e Peter Çhicos për të frymëzuar dhe bashkuar diasporën shqiptare në Amerikë dhe më gjërë.  “I lindun e i rritun në tokën amerikane dhe si i tillë i përjashtuem nga ndasitë që ligshtojnë botën shqiptare, ai drejtoi veprimtarinë e vet dhe të rrethit vatran në harmonizim të atyne forcave të shpërndara”, ka shkruar Koliqi në një editorial botuar në revistën Shëjzat, kushtuar jetës dhe veprimtarisë patriotike të Peter Genc Çikos. “Me dinamizëm amerikan, i përkrahun nga rrethi i vjetër si dhe nga dashamirë të ri, ia doli qëllimit në skaj. Ai organizoi në Boston e në New York manifestimet dhe organizimet ma të shkëlqyeshme që njofti diaspora shqiptare sot e kësaj dite. Mblodhi në nji ndjesi vëllaznore Vatranë, Arbëreshë e Shqiptarë të mërgatës, pa dallim besimesh e krahinash, kulturash e rrymash politike.”

Ernest Koliqi e ka pagëzuar Peter Çikos, si “Unifikuesi”, në historinë e diasporës dhe të shqiptarëve, në përgjithësi. “Kjo i jep Atij të drejtën m’u quejtun në historinë e diasporës sonë, Çikos Unjisuesi, ose (Unifikatori) i gjakut të shprishur”, sipas Koliqit.

Ndërsa një tjetër eksponent i mërgatës së atëhershme shqiptare, Tahir Kolgjini e ka kujtuar ish-Kryetarin e Vatrës si një njeri me “Sjellje simpatike, t’urtë, i cili krijoi marrëdhënie të përzemërta me grupet e ndryshme, pa ardhun ndesh me programet e tyne”.

Muar pjesë në 500-vjetorin e përkujtimuer të Heroit Kombëtar në Romë. Shkoi edhe në gjirin e Arbëreshve në Itali, vizitoi vende të tjera të Evropës, rregulloi në mënyrë shembullore përkujtimin e Heroit tonë në Shtetet e Bashkueme”, e të tjera. Për të gjitha këto, sipas Tahir Kolgjinit, “Qëllimi i tij ishte për t’ia bamë të njohun botës se raca shqiptare ashtë e gjallë kulturalisht dhe fizikisht. Nderoi Vatrën, nderoi Diellin. Nderoi botën shqiptare. Nderoi edhe vetveten…Me pak fjalë, ngriti naltë sedrën kombëtare, tue mbajtun në kambë moralin e shqiptarëve, që ishin të dënuem me qëndrue larg Atdheut.”

Ndërsa Martin Camaj, një tjetër bashk-kohas i ish-Kryetarit të Vatrës, ka shkruar se e kishte njohur Peter Çikon si, “Një burrë të rrahun me jetë, realist, me cilësi të mbara e të nevojshme të një shqiptari të vendosun e krenar — për të ia pasë lakmi”.   Peter Genc Çikos, ka shkruar Martin Camaj, ishte ndër ata shqiptarë të cilët i, “Sollën nderimin emnit shqiptar në botën amerikane.”

Ishin këto ndjenja ndaj një shqiptaro- amerikani si Peter Çikos që i kishin lënë përshtypje të thella edhe albanalogut të njohur Italian, At Zef Valentinit.   “Me ‘të (Peter Chicos) në krye të Vatrës kishte hypë breznija e re e Shqiptarëve të Amerikës dhe ashtu kishte hyr përnjimend AMERIKANIZMA në shërbim të SHQIPTARIZMËS”, do të shkruante At Zef Valentini.

Ndërsa, Skendër H. Hasani në një shënim botuar në revistën Shëjzat të Ernest Koliqit ka shkruar se Peter Genc Çikos, si Kryetar i Vatrës por edhe si njeri dhe si shqiptaro-amerikan i brumosur dhe i ushqyer me më të mirat e dy kulturave tona – asaj shqiptare dhe amerikane – i tregoi, “Diasporës shqiptare se ç’rrugë duhet marrë e si mund të dëgjohet zëri i tyre në botë. Me urtësi e butësi, por me program të caktuar, ai bëri që të përtrihet me hov roli historik i Vatrës”, është shprehur ai ndër të tjera.

Unë, me qëllim solla në vëmendje, në këtë 110-vjetor rolin e ish-Kryetarit të Vatrës Peter Genc Chicos dhe vlerësimet e punës së tij si vatran dhe si shqiptaro-amerikan, e mbi të gjitha rolin e tij përbashkues që ai luante në Vatër dhe në komunitet – si një shembull, mundësisht, për t’u ndjekur e për t’u kopjuar nga brezi i ri.  Peter Genc Chicos kishte një përparsi të madhe si i lindur dhe i rritur në Amerikë, por me ndjenja të thella dhe dashuri për Shqipërinë. Ai nuk ishte as pjesë, as viktimë e ndasive që, historikisht, kanë ligështuar dhe po ligështojnë botën shqiptare edhe sot, jo vetëm në trojet tona, por edhe këtu në Amerikë.

Periudha e Peter Chicos si Kryetar i Vatrës ishte me të vërtetë — siç është shprehur dikur albanologu italian At Zef Valentini — një periudhë historike unifikuese e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe Vatrës, një kohë kur në këtë komunitet, përnjimend kishte hyrë fryma e, “Amerikanizmës në shërbim të Shqiptarizmës”.

Prandaj, urimi im në këtë 110-vjetor të VATRËS është i thjeshtë dhe I realizueshëm: Uroj që fryma e Amerikanizmës së Peter Chicos të jetë gjithmonë në shërbim të Shqiptarizmës, me vatranë si ish-Kryetari i Vatrës dhe unifikuesi i shqiptarëve, i ndjeri Peter Chicos.

Peter Chicos ka ndërruar jetë tepër i ri, në korrik të vitit 1970, në moshën 51-vjeçare. I përjetëshëm qoftë kujtimi i tij!

E Vatra rroftë e qoftë sot dhe për jetë të jetës! Ju falënderoj për durimin!

Frank Shkreli

*Fjala me rastin e 110-Vjetorit të themelimit të Federatës Pan-Shqiptare Vatra: Peter Chicos, shembull i përbashkimit shqiptar – “Amerikanizma në Shërbim të Shqiptarizmës”, Nju  Jork, 12 Qershor, 2022

KUSH ISHTE PETER CHICOS: Ishte fillim Korriku i vitit 1970 kur në komunitetin shqiptaro-amerikan dhe më gjërë u përhap lajmi i zi se, papritmas, kishte ndërruar jetë nga një goditje në zemër, Peter Genc Chikos (Çikos), Kryetari i Federatës Pan-shqiptare, Vatra.  Si udhëheqës i organizatës më të madhe shqiptaro-amerikane, Peter Çikos ishte, natyrisht, i njohur në radhët e komunitetit shqiptar në Amerikë, por ishte gjithashtu i njohur edhe në komunitetin më të gjërë amerikan ku jetonte e vepronte, sidomos në qytetin Boston të shtetit Masaçusets.

Gazeta e njohur amerikane Boston Globe kishte njoftuar vdekjen e para kohëshme, të Peter Çikos në moshën 51-vjeçare, duke venë në dukje arritjet në jetën dhe veprimtarinë e tij, përfshirë medaljet që kishte fituar si përfundim i heroizmit të tij në Luftën e dytë Botërore.  Shkruante për detyrat e ndryshme me rëndësi që kishte kryer në ushtrinë amerikane, përfshirë detyrën e oficerit zë inteligjencës ushtarake në stafin e Gjeneralit Dwight Eisenhower gjatë invadimit të Francës, si pjesëtar i Grupit të 6-të të Ushtrisë Amerikane, ndërsa ka shërbyer më vonë edhe si anëtar i Misionit për Kontrollin e Berlinit.  Ndërkohë që largohet me nderimet më të larta nga radhët e ushtrisë amerikane pas luftës, Peter Çikos me të kthyer në Boston ndihmoi në themelimin e Shoqatës së Veteranëve shqiptaro-amerikanë dhe fillon një jetë të re si civil, pa uniformën ushtarake.

Në një shënim nekrologjik, Gazeta Boston Globe shënonte se me të dalë nga ushtria, Peter Çikos vazhdoi veprimtarinë e tij në komunitetin shqiptaro-amerikan, bazuar në gjurmët që kishte lënë, si shembull babai i tij, Harris (Llambi) Çikos, njëri prej themeluesve të Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare në Amerikë dhe njëherazi Kryetar i Federatës Pan-Shqiptare Vatra, një organizatë patriotike shqiptare, siç e ka cilësuar Vatrën me atë rast gazeta Boston Globe.  Kjo gazetë ndër më të mëdhat e asaj kohe, por që edhe sot gëzon influencë në Amerikë, shkruante edhe për përpjekjet personale redaksionale të Peter Çikos në mbështetje të gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-shqiptare Vatra, si dhe për ndihmën financiare që ai jepte për botimin e gazetës që në atë kohë dilte një herë në javë.

Peter (Chicos) Çikos ish-Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare, Vatra, 1969 duke folur në Hotelin “Americana” në Manhattan të Nju Jorkut në tubimin me rastin e 60-vjetorit të gazetës Dielli – Ish officer i inteligjencës ushtarake në stafin e Gjeneralit Dwight Eisenhower gjatë invadimit të Francës dhe pjesëtar i Grupit të VI të Ushtrisë Amerikane, ndërsa ka shërbyer më vonë edhe si anëtar i Misionit për Kontrollin e Berlinit i Përherëshëm qoftë kujtimi i tij!

Peter Çikos me Z. Anthony Athanas në Romë/Vatikan, prill, 1968 – 500-vjetori i Gjergj Kastriotit -Skenderbe

Peter Çikos, i dyti nga e majta, te varri i Faik Konicës me Mons. Zef Oroshin, Nikoll Shkoza, Prof.Ernest Koliqi, Ndue Gjomarkaj, Christo Thanas, Dr Ismail Vërlaci, Ing, Ago Agaj, Sejdi Bytyçi dhe Gjon Buçaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok