ALUSH SMAJLI- QERRATAJA- FORMIMI I SHQIPËRISË ETNIKE ISHTE DHE MBETI AMANETI DHE QËLLIMI SUPREM I GJITHË FORCAVE NACIONALISTE SHQIPTARE
T’I KUJTOJMË ATDHETARËT TANË:
( 1899- u likuidua me 1 prill 1946)
Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Alush Smajl Javori- Qerrataja u lind më 1899 , në fshatin Llazicë të Llapushës. Në kohën kur u lind Alushi, Kosova ishte vend i okupuar dhe varfëria ishte e paskajshme. Shkolla nuk kishte fare, dhe po qese ishte ndonjë, ato ishin në gjuhën serbe. Analfabetizmi ishte në përmasa të gjera popullore. Qerrataja, siç e thërrisnin familjaret nga dashuria, si fëmijë ishte tepër i zgjuar dhe dallohej nga fëmijët tjerë të lagjes. Dinte shkrim-lexim dhe shkronjat i kishte mësua vet (ishte autodidakt). Lexonte me të madhe duke siguruar vepra të shkrimtarëve shqiptar dhe të huaj. Duhet cekur se Alushi u rrit në një familje të njohur atdhetare dhe ndikim të dukshëm në të, pati xhaxhai i tij trim- Brahim Smajli, i cili një jetë të tërë ia kishte kushtua luftërave për liri dhe pavarësi. Çdo pushtet që vinte në këto anë, secili ishte më i zi se tjetri, andaj pushtetet okupuese, Brahimi iu dilte karshi dhe i luftonte deri sa kishte mundësi. Ai asnjëherë nuk u dorëzua dhe nuk u pajtua, ngase Kosovën e donte shumë dhe vazhdimisht ëndërronte që një ditë ta shihte aty ku e kishte vendin- në një Shqipëri Etnike. Andaj, idhulli i Alush Smajlit ishte dhe mbeti xhaxhai, dhe si i ri i dha vetës detyrë që të vazhdoi rrugën e tij. Dhe i qëndroi besnik këtij betimi. Si i ri iu bashkua trimave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, të cilët u angazhuan dhe luftuan kundër okupatorëve të ndryshëm. Po ashtu edhe Qerrataja luftoi pa iu trembur syri kundër çetniko-partizanëve dhe komunistëve që ishin kundër shqiptarëve dhe Kosovës.
Alush Smajli ishte njeri familjar dhe tej mase i donte fëmijët se mendonte vetëm me fëmijë sigurohet trashëgimia dhe ruhet kombi. Por fati e deshi që ai të ishte i pa fat. U martua katër herë. Vetëm me gruan e parë, Rukën që ishte bij e Llashka Drenocit e lindi një djalë, dhe pas një kohe të shkurtër i vdes gruaja bashkë me djalin. Alushi ishte i trishtuar nga fatkeqësia që e kishte goditur. Pas një kohe u martua me Shefkijen nga Banja e Malishevës, pastaj me Rukën e dytë, dhe Bahtijen nga Zhilivoda e Drenicës. Megjithatë fëmijë nuk pati.
Duke e parë pushtetarët e krajlit, se Alushi ishte trim dhe luftëtar i pashoq, e ndjeni se një ditë do iu prishte hesapet në popull, u munduan shumë që ta arrestonin dhe ta mbanin në burg. Trimi i Llazices kishte informata se po përgatiteshin bandat serbe që ta asgjësonin, më 1932, posa kishte mbushur 32 vjet, detyrohet që ilegalisht të kalonte kufirin shqiptaro- shqiptar dhe kalon në Shqipëri. Për çudi, as në Shqipëri nuk u pritë ashtu siç e kishte mendua. Por, me kohë i fitoi zemrat e patriotëve dhe gjithashtu e përkrahën në luftën e tij. Pesë vjet qëndroi në Kukës deri sa iu mundësua që ta tërhiqte familjen dhe nga aty u zhvendos në Shqipërinë e Mesme- në Rrethin të Lushnjës. Pastaj kaloi në Rrashbull, ku mbreti Zog i ndau një tokë sa për të jetuar edhe pesë vite të tjera.
Me 7 prill 1939, Shqipëria okupohet nga Italia fashiste po ashtu ajo në ndërkohë shtriu pushtetin edhe në Kosovë. Andaj kufiri ishte i hapur në mes Kosovës e Shqipërisë, Qerrataja e pa si shans të mirë që të kthehet në fshatin e lindjes, në Llazicën e bukur.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, ai kishte pasur fatin e mirë që të njihej me shumë atdhetar të njohur siç ishte prof. Ymer Berisha, me Shotë Galicën, Sadik Ramën e Gjurgjevikut, Rexhep Gjelin e Likoshanit, Mehmet Gradicën, Bislim Bajgoren por mbante kontakte edhe me nacionalistët e njohur të “Ballit Kombëtar” e shumë të tjerë. Miqësia e tyre asnjëherë nuk u ndërpre edhe pasi u kthye në Kosovë.
Me tu kthyer në fshat, ai pa hezituar vuri kontakte së pari me trimat e Llapushës për të organizuar pushtetin në këto anë. Edhe para se me shkua për Shqipëri Alushi kishte luajtur një rol të madh në fshatrat për rreth duke bërë bashkimin e tyre në një qëllim të përbashkët. Andaj fshataret e kishin zgjedhur në këshillin e katundit. Tani kur u kthye në Llazicë, kryetar komune në Kijevë ishte Kajtaz Ramadani, një atdhetar i madh. Kajtazi me mençurin që kishte e ofroi Alushin pranë vetes dhe bashkëpunonin dendur për çështjen kombëtare.
Me 9 prill 1943, Ukë Sadiku, bashkë me katër luftëtar ishte në kullën e Rifat Berishës në Berishë. Duhet përmendur se në këtë grup merrte pjesë edhe Alush Smajli. Ata ishin të ftuar nga Fadil Hoxha dhe Rifat Berisha, ngase donin të bisedonin që mos të sulmojnë njeri tjetrin, dhe kërkuan nga Ukë Sadiku që të bashkëpunojnë me partizanet, por Ukë Sadiku nuk pranoi kushtet e ofruara dhe, takimi kryhet pa ndonjë rezultat.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, çetnikët e Drazha Mihajloviqit, deshën të shfrytëzonin situatën e nderë, dhe kishin filluar masakrat në pjesën veriore të Kosovës. Në dimër, më 1943, nga të gjitha anët u dha kushtrimi për ti mbrojtur tokat shqiptare. Shaban Polluzha me trimat e tij doli i pari për të luftuar në mbrojtje të Kollashinit, Novi Pazarit e pjesët tjera të vendit. Po ashtu këtij kushtrimi iu bashkangjit edhe Alush Smajli, i cili në çetën e tij kishte grumbullua mbi 200 luftëtar vullnetar. Çetës së Alushit i bashkëngjitet Shaban Sadiku- Gjurgjeviku, pastaj Shaban Kotorri e shumë të tjerë. Në luftimet që zgjatën mbi pesë javë në fshatrat kufitare në mes Kosovës e Sanxhakut u vranë shumë çetnik por pati të vrarë edhe nga ana e vullnetarëve shqiptarë. Alush Smajli në luftimet me çetnikët u dallua për trimëri.
Për të bëmat e trimërinë e tij kishin dëgjua jo vetëm krahina e Llapushës me fshatrat e saja, por edhe krahinat e tjera shqiptare të Kosovës, Drenicës, Llapit, Shalës së Bajgores, Rrafshit të Dukagjinit, Gollakut, Sharrit, Opojës, Rugovës dhe Shqipërisë Veriore. Populli kishte dëgjua për të, andaj e admironin, ai mbeti fytyra më e dashur, më e adhuruar dhe më burrërore e mbar trevës së Llapushës. Vepra dhe lufta që kishte bërë në mbrojtje të popullatës shqiptare, strategjia prej ushtaraku si dhe urtësia bënë që gjatë gjithë Luftës së II botërore gati e tërë popullata e Llapushës të rreshtohet në anën e Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare. Për veprën e tij flasin edhe sot bashkëluftëtarë të tij dhe shumë të tjerë që kanë arrit të përjetojnë të gjithë llojet e torturave pas rënies së Tij heroike bashkë me luftëtarët tjerë.
Pasi kthehet nga Sanxhaku, në fillim të pranverës 1944, Alush Smajlin e vendosin kryetar komune në Kijevë. Ai pranë vetës grumbulloi mbi 80 luftëtar të cilët ishin të gatshëm kurdo që e kërkonte nevoja. Sa ishte Alush Smajli kryetar komune në ballkonin e ndërtesë valonte flamuri kombëtar, e pranë flamurit kishte vendosur mitralozin për ta mbrojtur atë.
Këtu duhet theksuar se Alush Smajli ka qenë besniku më i madh i organizatës “Besa Kombëtare” dhe mik i ngushtë i prof.. Ymer Berisha, vëllezërve Ukë e Shaban Sadikut dhe luftëtar i pathyeshëm për bërjen e Shqipërisë Etnike. Ishte pjesëmarrës dhe bashkë organizator i mbajtjes së Kuvendit historik të Dobërdolit, mbajtur me 4 e 5 gusht 1945, dhe zbatues besnik i urdhrave të Shtabit Ushtarak të OPU “Besa Kombëtare”.
Në fund të nëntorit, në fshatrat e Llapushës depërtojnë grupe partizane dhe posa hyjnë në fshatra fillojnë të propagandojnë për komunizmin dhe Rusin. Andaj, duke i parë se situata po rrëshqet nga dora, Alush Smajli vendos që të dali në mal. Ai edhe më parë kishte çetën e tij të vullnetarëve, por tani ajo shtohet me vullnetar të rinj, dhe bëhet tmerr për sllavo-komunistët. Çeta e Alush Smajlit herë-herë numëronte edhe mbi 300 luftëtar. Me një marrëveshje të pa shkruar, luftëtarët e Alushit mund të lëviznin nga një çetë në tjetrën duke iu ndihmuar çetës së Ukë Sadikut, profesor Ymer Berishës, çetës së Garaçevës të Qazim Bajraktarit të Astrazubit dhe çetës së Ndue Përlleshit nga Lugu i Drinit. Alushi çmonte shumë bashkëpunimin e çetave në mes veti, se vetëm si të tillë thoshte ai “armiku nuk do mundet të na thyej dhe trojet tona etnike do të çlirohen shpejt, prandaj, të jemi bashkë dhe të kemi një ideal-çlirimin e Trojeve Etnike Shqiptare dhe bashkimin me shtetin amë- Shqipërinë!
Pas ripushtimit dhe aneksimit të Kosovës më 1945, dhe pas ngritjes së kufirit ndarës ndërmjet Shqipërisë dhe shqiptarëve, çështja e Kosovës dhe e trojeve tjera që ngelën nën ish-Jugosllavi edhe më tutje do të mbeten të pazgjidhura. Në Kuvendin e Prizrenit, (8-10 korrik 1945), Kosova edhe zyrtarisht do të aneksohej nga Serbia. Me aprovimin e Rezolutës nga Kuvendi Federativ më 23 korrik 1945 dhe nga ai serb më 1 shtator 1945, çështja e Kosovës do të konsiderohej çështje e mbyllur. Pavarësisht se gjatë LANÇ-it ishin marrë shumë vendime, dhe ishin bërë shumë marrëveshje për vetëvendosjen sipas vullnetit të popullit shumicë, ato, jo vetëm që nuk u respektuan, por në mënyrën më të vrazhdë u shkelën, dhe u quajtën kërkesa e vendime armiqësore, kurse njerëzit, që i përpiluan apo i përkrahën ato, u quajtën armiq të popullit, të cilët si të tillë u ndoqën dhe u persekutuan.
Duke e parë tradhtinë e madhe që ndodhi në Kuvendin e Prizrenit, forcat atdhetare shqiptare u detyruan që të kërkonin përkrahjen, mbështetjen dhe bashkëpunimin e forcave demokratike në vendet perëndimore. Atdhetarët shqiptarë duke e parë se tokat shqiptare po rrëshqitnin në prehrin sllav, filluan organizimet për t’iu kundërvënë qëllimeve gllabëruese të tyre.
Pas formimit të Komitetit Suprem të Kosovës të Adem Gllavicës më 1 dhjetor 1944, lindi ideja që në Kosovë, dhe në të gjitha trojet shqiptare në Jugosllavi të formohen organizatat dhe grupet më të vogla të rezistencës shqiptare. Në këto vite, nga populli i okupuar formohen organizatat më të fuqishme nacionaliste siç ishin: “LNDSH”, me ne krye Hajdar Plenejën, “Besa Kombëtare” (me prof. Ymer Berishën), “Organizata nr. 2” (Ajet Gërgurin), dhe “Këshilli i të Dymbëdhjetëve”, me atdhetarin e shquar në krye Ukë Sadikun, e disa të tjera më pak të njohura.
Gjatë kësaj kohe, u shtrua nevoja e ngutshme dhe, e domosdoshme që krerët e lëvizjes të vepronin në ilegalitet të thellë. Kjo do të thoshte që duhej të bëhej një organizim tjetër, të cilën e impononte rrjedha e ngjarjeve, nga ai i mëparshmi. Në këto rrethana momenti historike shtroi nevojën e domosdoshme për mbajtjen e një Kuvendi të ilegales shqiptare, ku do të bëhej bashkimi i të gjitha grupeve ilegale, me një qendër udhëheqëse ushtarako-politike për veprime kombëtare-bashkimin e trojeve shqiptare. Nga një takim paraprak i njësive udhëheqëse ishte caktua vendi (fshati Dobërdol) dhe data e mbajtjes (muaji gusht).
Prof. Ymer Berisha në bisedë me Ukë Sadikun, situatën politike në atë anë e vlerësuan si të mirë. Andaj, Kuvendi i Dobërdolit u mbajt me 24 gusht 1945. Me këtë datë kishte filluar tubimi i madh i ilegales shqiptare, në malet e Martin Pjetrit të fshatit Dobërdol. Në të morën pjesë 19 grupe me përcjellësit e tyre, ndër të cilët edhe përfaqësuesit nga Rozhaja dhe Pazari Ri, gjithsej 158 veta. Në mënyrë solemne Kuvendin e kishte hapur Ukë Sadiku, Ai i kishte përshëndet të pranishmit dhe kishte prezantuar Prof. Ymer Berishën si iniciator ideor të lëvizjes dhe krijues të organizatës “Besa Kombëtare”, dhe pikërisht për situatën politike fletë vet profesori. Kuvendi kishte zgjatë dy ditë, procesmbajtëse e këtij tubimi kaq të madh e kaq të rëndësishëm ishte shkodrania trime Marie Shllaku. Në mes tjerash në këtë kuvend u mor edhe vendimi që të formohej organizata politiko-ushtarake, patriotike ilegale “Besa Kombëtare” e cila do të udhëhiqej nga kryesia e përbërë prej 12 vetave. Supozohej se ishte hera e dytë që formohej kjo organizatë, por me pak ndryshime. Kuvendi kishte zgjedhur Ukë Sadikun udhëheqës të sektorit ushtarak, ndërsa prof. Ymer Berishën ishte caktuar udhëheqës i sektorit politik. Ishte hera e parë që në radhët e grupeve ilegale patriotike u emëruan komisarët. Kjo ishte garanci se grupet do të veprojnë: unanimisht si mbas direktivave të udhëheqjes qendrore. Përveç këtyre në kuvend u zgjodhën edhe udhëheqësit e sektorëve sipas parimit territorial, duke mos lënë pa emëruar edhe aty, pos udhëheqësve ushtarakë edhe udhëheqësit politik. Meqenëse Kosova e Dukagjini u ndan në 12 sektorë dhe u emëruan 12 komandantë dhe po aq komisarë politik për të pasur autoritet edhe më të madh në fushën ushtarako-politike dhe për të qenë më afër popullit, ky grup u quajt “12 këshilltarët”
Pas përfundimit të punës së kuvendit, grupet ishin largua njëra pas tjetrës, pa pasur as më të voglin problem. OZNA, me ndihmën e disa personave kishte grumbullua të dhënat për grupet ilegale, kahet e shkuarjes së tyre, për njerëzit më aktiv etj. Më 9 shtator 1945, organet e OZN-ës në bashkëpunim me ushtrinë jugosllave sulmojnë pjesën më vitale të organizatës, në fshatin Jashanicë, prej nga sulmi bartet në Siçevë dhe në Drenicë.
Lufta e Qelisë kishte ndodhur me 12 shtator 1945, në mes të luftëtarëve të Çetës së Ukë Sadikut, të cilëve iu printe i vëllai Shaban Sadiku dhe Brigadës III Bokele të Kotorrit nga Mali i Zi. Sipas një dëshmitari që i kishte shpëtuar kësaj masakre sllavo-çetnike, Ali Metës, ai thekson se: Luftimet zgjatën tërë ditën deri në orën 21 të mbrëmjes kur filloi të binte një rrebesh shiu, i cili e pamundësoi vazhdimin e luftimeve. Aty atë ditë, nga çeta e Ukë Sadikut u vranë 32 luftëtar, të cilët i printe baci Shaban, ndërsa për partizanët të vrarë dhe të plagosur nuk kemi njohuri. Dëshmitarët e mëvonshëm thonë se edhe nga ta janë vrarë afro 200 e më dhjeta të tjerë janë plagosur…”. Sipas Jetish Kadishanit, i cili e ka hulumtuar terrenin për të vrarët e Qelisë, ai arrin që të identifikojë 21 shqiptarë të vrarë. Ndërsa 11 të tjerëve nuk iu dihen emrat dhe veç këtyre kishte shumë të plagosur që i mbijetuan luftës së Qelisë. Në mesin e të plagosurve ishte edhe Alush Smajli, i cili shpëtoi me 18 plagë në trup. Ashtu i plagosur bashkë me Ali Zeqirin dhe Sokol Ahmetin e Gjurgjevikut të Madh ishin drejtuar për Zabërgjë. Tërë ditën e kalojn pranë lumit Klinë dhe qenë të detyruar të strehohen në rakita që të mos të hetohen nga ushtria që po lëvizte gjatë tërë kohës në atë terren. Të nesërmen Alushi u strehua në shtëpi të Vesel Cenës, i cili ishte jatak i sigurt i luftëtarëve të lirisë shqiptare, ndërsa Ali Zeqiri dhe Sokol Ahmeti kishin shkua drejt fshatit të tyre, Gjurgjeviku i Mash. Alush Smajlin pas dy dite vjen dhe e mer vëllai i tij Murati duke e strehuar në një bunker që e kishin ndërtuar në vreshtin e tyre. Pas disa ditësh atë e vendosën në shtëpinë e kushëririt, Musli Ramadan Javorit, pastaj e dërguan edhe në shtëpinë e Bajram Kelmendit në Balincë, dhe deri sa u shërua, u strehua te Brahim Çela i Drenocit. Pas shërimit, Alush Smajli sërish iu rrek maleve mbi fshatin e tij bashkë me të vëllain Muratin dhe bashkëluftëtarin besnik, Ahmet Krajkun nga Gjakova.
Të rrethuar nga një brigadë partizane-çetnike, në vendin e quajtur Lugu i Lajthisë (në lindje të fshatit Gullboc), ku kishin ndërtuar dy bunker. Pas një qëndrese tepër heroike, duke iu shkaktuar armikut shumë të vrarë dhe të plagosur, me 1 prill 1946, më parë vritet i vëllai Murati dhe bashkëluftëtari Ahmet Krajku, e pastaj edhe vet Alush Smajli. Armiqët nuk kishin guxim ti afroheshin Alushit as për së vdekuri. Më parë e dërguan një jevg që të verifikoj vdekjen e tij e pastaj iu afruan ushtarët. Armët e tij ishin pa asnjë fishek, çanta me libra u gjend te koka e tij dhe flamuri me shqiponjë dy krenare ia kishte mbuluar trupin. Pasi i morën tri kufomat dhe i dërguan në Kijevë, popullata serbe nuk mund të besonte që vërtet është vrarë Alush Smajli. Komandanti serb urdhëroi që ti merrnin kufomat familjarët e tyre për ti varrosur në Llazicë, ashtu të mbuluar me flamurin kombëtar.