Aktuale thënia e At Gjergj Fishtës: “Shqiptar! Tjetër kush Shqipninë ka ba, se na vetë, haram! Kurgja!”
Shkruan: Lekë Mrijaj
Fjala e At Gjergj Fishtës: “Shqiptar! Tjetër kush Shqipninë ka ba, se na vetë, haram! Kurgja!”, sot, në Republikën e Kosovës, nuk tingëllon vetëm si një thënie e fuqishme apo si një shprehje filozofike e dalë nga përvoja e hidhur historike e kombit, por si një pasqyrë e ndërgjegjes shqiptare. Ajo na detyron të pyesim veten se sa kemi ditur, për afro 27 vjet të pasluftës, ta ndërtojmë, ta ruajmë dhe ta nderojmë shtëpinë tonë të përbashkët.
Sa më shumë që i shohim dallgët rreth e rrotull nesh, sa më shumë që i vërejmë lëvizjet e ndërlikuara politike, diplomatike dhe strategjike në rajon, aq më qartë kuptohet se mosuniteti i faktorit politik dhe kombëtar shqiptar mund të bëhet një prej dobësive më të mëdha të Kosovës. Në kohë të qeta, përçarjet brenda spektrit politik mund të duken si pjesë e zakonshme e jetës demokratike; por në kohë të vështira, kur rreth nesh lëvizin ndërskamca armiqësore dhe interesa të mëdha, çdo mungesë bashkimi nga vetë ne mund të shndërrohet në çarje të rrezikshme për shtetin e ri.
Republika e Kosovës nuk është krijesë e rastësisë historike. Ajo nuk është bërë nga fjalimet e lehta, nga interesat ditore apo nga kalkulimet partiake. Përkundrazi, Republika jonë është ideuar, është ëndërruar dhe është përgatitur nga lëvizjet kombëtare, nga intelektualët atdhetarë, nga veprimtarët e palodhshëm, nga të burgosurit politikë, nga mërgata shqiptare, nga familjet që e mbajtën gjallë kujtesën kombëtare dhe nga breza të tërë që nuk u pajtuan kurrë me robërinë.
Në këtë rrugë të gjatë pos tjerave paraprakisht erdhi edhe lufta heroike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me dëshmorë, heronj e martirë, si dhe me një popull që, në epoka të ndryshme, pagoi çmim të jashtëzakonshëm për liri. Por, po aq e vërtetë është se Kosova nuk do të mund të arrinte në këtë pikë historike pa përkrahjen vendimtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të botës demokratike perëndimore.
Shteti ynë është fryt i sakrificës së popullit të vet, intelektualë, atdhetar, dhe i gjakut të dëshmorëve dhe i mbështetjes amerikane. Prandaj, në kuptimin politik, diplomatik dhe strategjik, Kosova nuk mund ta ruajë, ta forcojë dhe ta zhvillojë shtetësinë e saj pa miqësinë, partneritetin dhe përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në krye të asaj kohe historike qëndronte miku ynë, ish-presidenti amerikan Bill Clinton, emri i të cilit, në kujtesën shqiptare, lidhet me ndërhyrjen vendimtare për shpëtimin e Kosovës nga dhuna, dëbimi dhe shfarosja. Nuk është e rastësishme që Clinton, duke folur për Nënë Terezën, kishte thënë se ajo ishte e para që ia kishte bërë ta donte kombin shqiptar dhe se ndihej krenar që kishte përmbushur një detyrë morale ndaj saj dhe ndaj vlerave të lirisë.
Prandaj, Kosova është njëkohësisht amanet i dëshmorëve, fryt i qëndresës shqiptare dhe dëshmi e një miqësie historike me Amerikën. Kjo miqësi nuk guxon të harrohet nga asnjë lider, nga asnjë parti politike dhe nga asnjë brez. Ajo nuk duhet të relativizohet, as të keqpërdoret për përfitime të përkohshme politike.
Mirëpo, pikërisht këtu fillon shqetësimi i madh. A jemi duke u sjellë sot me Kosovën si me një amanet të shenjtë, apo si me një pronë të përkohshme politike? A po e ndërtojmë shtetin me pjekuri, apo po e lodhim me përçarje të brendshme?
A po flasin partitë politike, VV, PDK, LDK, AAK dhe faktorët e tjerë, me një zë në çështjet madhore kombëtare, apo po paraqitemi para botës si shoqëri e ndarë, e grindur dhe e paaftë për ta vendosur interesin shtetëror mbi atë partiak?
Kjo është pyetja që duhet të na shqetësojë të gjithëve. Kosova, si shtet i ri, demokratik dhe ende i sfiduar nga armiqtë e jashtëm, serbë dhe të tjerë (aziatikë…), nuk e ka luksin e mosunitetit të përhershëm politik. Demokracia, natyrisht, kërkon pluralizëm, debat, opozitë, kritikë dhe dallime mendimesh. Por demokracia e shëndoshë nuk nënkupton armiqësi të vazhdueshme, as shkatërrim të çdo ure komunikimi. Ajo nuk nënkupton që çdo çështje kombëtare të kthehet në betejë partiake dhe që shteti të dobësohet vetëm për ta dëmtuar kundërshtarin politik.
Në çështjet themelore, si sovraniteti i Kosovës, integriteti territorial, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rruga euroatlantike, siguria kombëtare, diplomacia ndërkombëtare dhe pozicioni i vendit në rajon, faktori politik shqiptar do të duhej të ishte shumë më i bashkuar, më i matur dhe më i përgjegjshëm. Nëse në këto çështje nuk ekziston një minimum uniteti kombëtar, atëherë shteti dobësohet nga brenda para se të sfidohet nga jashtë.
Dhe pikërisht këtu thënia e At Gjergj Fishtës merr kuptim të dhimbshëm: “Tjetër kush Shqipninë ka ba, se na vetë, haram! Kurgja!” Nëse ne vetë e dobësojmë shtetin me përçarje, nëse ia zbehim autoritetin me grindje të pandërprera, nëse e harrojmë amanetin e dëshmorëve, të intelektualëve dhe të brezave të flijimit, si dhe nëse nuk e kuptojmë rëndësinë jetike të partneritetit amerikan, atëherë nuk mund ta kërkojmë gjithmonë fajin te të tjerët.
Sigurisht, Kosova ka kundërshtarë, sfida, presione dhe rrethana të vështira ndërkombëtare. Por asnjë rrethanë e jashtme nuk na arsyeton nëse ne vetë nuk dimë të sillemi si shtet.
Sot, Kosova jonë Dardane ka nevojë për më shumë unitet, urtësi politike, kujtesë historike dhe vetëdije kombëtare. Nuk mjafton të përmenden dëshmorët në përvjetorë, nëse në jetën publike nuk respektohet amaneti i tyre. Nuk mjafton të vendosen lule te varret e heronjve, nëse shteti për të cilin ata ranë trajtohet si arenë interesash të vogla. Nuk mjafton të thuhet “Rroftë Amerika!”, nëse nuk kuptohet se miqësia me Amerikën kërkon seriozitet, besueshmëri, koordinim dhe përgjegjësi shtetërore.
Kosova nuk ka nevojë për politikë që prodhon vetëm zhurmë, por ka nevojë për parti me dinjitet kombëtar dhe orientim euroatlantik, për politikë që prodhon drejtim. Nuk ka nevojë për liderë që flasin vetëm për veten, por për njerëz që dinë të ulen, të bisedojnë, të pajtohen për çështje madhore dhe ta mbrojnë shtetin përtej interesave të përkohshme. Nuk ka nevojë për nacionalizëm të zhurmshëm pa përmbajtje, por për patriotizëm të përgjegjshëm, i cili e kupton se shteti forcohet me institucione, diplomaci, arsim, ekonomi, drejtësi dhe aleanca të sigurta.
Nëse Kosova është lindur nga gjaku i dëshmorëve, atëherë nuk guxon të udhëhiqet me mendësi të vogël. Nëse është mbështetur nga Amerika, nuk guxon të sillet si shtet pa kujtesë strategjike. Nëse është ëndërruar nga lëvizjet kombëtare, nga intelektualët dhe nga brezat e flijimit, atëherë nuk guxon të shndërrohet në vend ku qytetari e humb shpresën, ku rinia e sheh ikjen si shpëtim dhe ku politika e përditshme e lodh idealin e lirisë.
Prandaj, opinioni publik shqiptar duhet ta thotë hapur: Kosova sot ka nevojë për unitet shtetëror. Jo për heshtje ndaj gabimeve. Jo për mbyllje të debatit demokratik. Jo për kult individësh. Por për një vetëdije më të lartë se mbi partitë ekziston shteti, mbi karriget ekziston amaneti dhe mbi interesat e ditës ekziston e ardhmja kombëtare.
Në këtë kuptim, At Gjergj Fishta nuk është vetëm poet i së kaluarës. Ai është mendimtar i ndërgjegjes kombëtare dhe një zë që na ndjek edhe sot. Ai na paralajmëron se një popull që nuk di të bashkohet për çështje themelore, rrezikon ta dëmtojë vetë atë që e ka fituar me gjak. Ai na kujton se liria nuk është vetëm fitore historike, por edhe provim i përditshëm moral. Ai na mëson se shteti nuk ruhet vetëm me flamuj dhe fjalime, por me karakter, përgjegjësi dhe unitet.
Sot, më shumë se kurrë, Kosova duhet ta dëgjojë këtë zë. Dallgët përreth nuk janë të vogla. Bota dhe rajoni nuk është i qetë. Interesat ndërkombëtare janë të ndërlikuara. Kundërshtarët e shtetësisë sonë nuk kanë hequr dorë nga synimet e tyre. Prandaj, nëse vazhdojmë të humbim energji në përçarje të brendshme, nëse e shohim njëri-tjetrin si armik dhe nëse e vendosim partinë mbi shtetin, atëherë fjala e Fishtës do të tingëllojë edhe më rëndë mbi ne: “haram, kurgja!”. Por kjo fjalë nuk duhet të mbetet mallkim. Ajo duhet të bëhet thirrje për kthesë. Kosova ende ka mundësi të riparohet dhe forcohet, e cila ka një popull të qëndrueshëm, rini të aftë, mërgatë të fuqishme, aleatë historikë, kujtesë të madhe sakrifice dhe një ideal lirie që nuk duhet të shuhet. Ajo që i duhet është pjekuria për ta kuptuar se shteti nuk ndërtohet me urrejtje të brendshme, por me bashkim rreth interesit kombëtar.
Prandaj mesazhi është i qartë: politika kosovare duhet të ngrihet mbi vetveten. Faktori kombëtar shqiptar si VV, PDK, LDK dhe AAK, duhet të gjejë më shumë koordinim, maturi dhe përgjegjësi. Kosova nuk është e një partie, as e një qeverie, as e një opozite. Ajo është e dëshmorëve, e qytetarëve, e brezave që vuajtën dhe e fëmijëve që do të vijnë.
Nëse këtë nuk e kuptojmë me kohë, atëherë nuk do të kemi të drejtë të ankohemi nesër. Sepse, siç na e kujtoni përjetshmi At Gjergj Fishta ynë me ashpërsinë e tij profetike, shumë herë fatin tonë nuk e ka prishur vetëm i huaji, por edhe dora jonë e papjekur, zemra jonë e përçarë dhe mendja jonë e vonuar.
Kosova nuk duhet të shkojë drejt fjalës “haram, kurgja”. Kosova duhet të shkojë drejt fjalëve: amanet, përgjegjësi, bashkim, Amerikë dhe shtet.
Klinë, 29 prill 2026
