21/12/2024

Ah! Kjo dashuria virtuale…!

0
Shyqyri-Fejzo1

Tregim Humoristik

Nga Shyqyri Fejzo

Duan e thonë se koha është flori. Po të ishte tamam kështu, një nga më të pasurit e nahijes do të ishte im shoq. Ai, në ato kohra kur u ndërrua sistemi, nuk e “blojti dot karroqen” të futëte kokë e këmbë në ndonjë parti e rrëmbente ndonjë pronë. Le atë nuk e qullosi dot, por humbi dhe punën që kishte nga një i flamosur nen 24/1 ndaj të cilit qahej vaht e sahat. Kjo vazhdoi ndonjë vit. Pastaj atij po i pëlqenin orët, ditët, muajt e vitet papunë. Tani kishte kohë me shumicë, po ç’e do. Florinjtë e kohës flori, nuk po dukeshin gjëkundi.

Kopështin e vogël që kishim, e vërteta është se e punoi nja tri herë, me bel e me kazmë. Mbolli nja dy tre pemë, dhe ndërroi disa fidana domate, speca e tranguj megjithëse gjitoni që e kishte në thua zanatin e perimeve, i  bënte herë pas here verejtje. Pa merrte kutinë e shahut apo të dominove dhe vrapin, pas mëngjesit e kafesë, e linte andej  nga parku. Kur u zmadhua nata dhe vranësira dominonte qiellin, im shoq ulej në lap-topin që i dërguan djemtë nga emigracioni. Nuk linte gazetë pa lexuar aty. Më pas hapi dhe një facebook dhe mburrej se tani vendosi lidhje me

shokë e miq jo vetëm në vendin tonë, po në mbarë botën. Qari i kësaj pune, me sa duket, ishte se bisedonim  me djemtë dhe nuset e tyre pothuajse çdo ditë.

Nganjëherë me të “i mbërthenim qetë”,se unë me gjysëm pune e gjysëm page, kthehesha e lodhur, e do të gatuaja, të laja, të shplaja dhe rrallë na mbetej pak kohë të pinim ndonjë kafe së bashku aty në kopësht.. Kot nuk thonë se”Gruaja punon si merimaga po dhe puna e  saj ka pak duk.” Nuk i isha ankuar ndonjëherë, por jo rrallë po bënte “mbi rrugë e nën rrugë” dhe një ditë po më qahej ai për lodhjen, ne vend te ankohesha vete.

-Po ku u “këpute” apo duke luajtur? Mos të kanë rrahur ata shokët e tu në domino?-e ngacmova atje ku ai nuk mban dobec.

-Akoma nuk e di ti, se mua në domino nuk më del njeri përpara? Që kur po shkruaj pikët, se ata nuk shikojnë nga sytë të shkruajnë, mua dhe ortakët e mi nuk na rreh dot njeri.-më ktheu një përgjigje të thatë duke mbyllur paq dhe syrin e majtë. Në bisedat që bënim, ai kishte rolin e komentuesit, sidomos nga facebooku dhe unë rolin e dëgjueses. Kjo më bëri ta ndjej veten jo të barabartë me të ndaj u kërkova djemve të  më sillnin një tablet të ri i kohës së fundit. Nipi dhe mbesa kishin blerë biletat dhe për dy javë fluturonin në Itali tek djemtë. Ksisoj, thirra me kujdes mbesën dhe i thashë se”dhe unë do të hap një facebook, ndaj ulu dhe më ndihmo .Në fillim ajo hapi sytë si të kaut kur shkon pranë një pellgu me ujë. Pas habisë, më shpjegoi ajo radhën e punës, po mua mu dukën shumë  e nuk i mbaja dot mend të gjitha sa më tregoi, ndaj ngrita zërin, i dhashë një letër të bardhë e një stilokalem dhe i them:”Pa mi shkruaj këtu, një për një dhe pa gabime çfarë duhet të bëj, se ta shkul gërshetin,” kërcënova me me grushtin mbyllur para fytyrës. Ajo qeshi fort, më hodhi një shikim prej mbese të dashur dhe ju fut punës për t’ma bërë dritë atë punën që do bëja me facebookun.

Kur përcollëm fëmijët e ndjemë më shumë vetminë. Ulem një ditë, hap fletët me shënime  që më kishte lënë mbesa dhe nisa punën të hap dhe unë një facebook.Mbasi shkrova ato që më kishte lënë mbesa “se duheshin se s’bën” ngeca tek fotografia që do  të publikoja. Se foton time nuk e futja aty unë. Po kërkoja një foto të bukur. “Se cila është ajo femër që nuk e qas bukurinë?”Në një revistë atje ku punoja,i ngula sytë një fotoje dhe aty ngeca. Atë mora për ta vendosur. Se cila ishte ajo fatlume që do vegjetonte në fb. tim nuk e dija se poshtë fotos ku e mora nuk kishte asnjë diçiturë. Po e soditja me zili shemrën time.

Kur ktheja kokën pas, në fytyrën e  sozisë time m’u duk se çeli trëndafili i një buzëqeshje të mirë, që buronte si nga shpirti im. Kur u linda, nuk më pyeti njeri, kur u rrita më vendosën në trupin që kam, por nuk do e zgjidhja po të më pyesnin sot.  Po ashtu edhe me ngjyrën e flokëve dhe të syve nuk do i merrja këto që kam tani. Dhe për  emrin nuk më mori njeri mendim, se cilin do më ngjitnin. Ama tani që më erdhi në dorë… Zgjodha një emër me dy zanore anash e një bashkëtingëllore në mes. Mbiemrin e zgjodha pak më të gjatë; me dy zanore e dy bashkëtingëllore. Publikova dhe dy foto të tjera, ku në një plazh ekspozoheshin më shumë trupi dhe ,kofshët, ndërsa  tjetra  në një pyll,  ku binte në sy silueta në  një shetitje e vetmuar. Të dy fotot pak të mjegulluara që mos më pikasnin që kisha “huajtur” dhuntitë e botës për ti kllaposur në fb.tim. Me këto tregues mendova se e fitoj provimin duke vlerësuar veten time. I futa disa të dhëna për vendbanimin, shkollimin etj.  dhe e publikova.

Ç’të shikoje si u kumbisën burra dhe gra të më bënin shok në fb. Pranova disa, të tjerë i fshiva. Po dhe vetë kërkova disa për pranim. Për tre katër ditë e net u ndodha në një tension të madh duke i bërë vetes pyetjen:”Çfarë po më ndodh  kështu? M”u bënë dhjetra shoqe e sidomos shokë.” Megjithëatë, gjeja kohë e merresha me facebookun. Im shoq, nobare, nuk është kurrë kurioz për xhepat e mij, për çantën time, apo tani tabletin që e fshihja në vend të sigurtë e me çelës.

Tani më kishte mbërthyer një merak e kuriozitet i madh se çfarë njoftime, përgjigje apo kërkesa kisha.  Ishte merak e kuriozitet më i madh se ai kur shikonim telenovelat turke.

Në një natë të bukur me hënë e prag pranvere,  hapa facebookun si zakonisht.  Çfarë të shikoj!  Ishin nja katër kërkesa në adresën time. Më e bukura dhe e papritura ishte se burri im kishte kërkuar të më bënte shok në fb.”Hë!” më erdhi të bërtas me një ndjenjë kënaqësie e çudie të pa provuar ndonjëherë.

Mendova të mos i përgjigjem me njëherë. E  lashë nja dy ditë të priste dhe ditën e tretë shkrova në mesenxherin për atë një përgjigje tepër elekuente   me një mirëse ardhje të ëmbël mjaltë, të cilën vetë nuk e kisha përdorur asnjë herë, se për ta dëgjuar nga të tjerë as që bëhej fjalë. “Kur ju pashë në fb. disa herë u mata të kërkoja për shok, por në fillim  ndruajta se vallë a  do pranoje. Nuk durova më  dhe ta nisa kërkesën. Tani jam shumë i lumtur që të kam e më ke shok,” kishte shkruar. Kur po pinim kafe e bisedonim për të rejat e ditës, vura re se ishte shumë i gëzuar, entuziast, por për “shoqen e re” të pranuar në facebook nuk foli asnjë fjalë.

Sapo u deklaruam me njëri-tjetrin shokë, teptisi një komunikim i ëmbël mjaltë, duke i deklaruar njëri tjetrit  fjalët më të mira e  më të bukura që  mban edukata. Krekosesha  me të drejtë se në jetën time nuk kisha pasur kurrë një kujdes të tillë. Ishte dita e dhjete a e dymbedhjetë  e “njohjes” tonë virtuale dhe isha kurioze se si do e “çante ferrën”më tej im shoq të cilin e mendoja se i gjori është mjaft i turpshëm dhe i pa shprehur  me femrat.

“Unë jam në dilemë si do e bëjmë bisedën bashkë? Me doganë apo pa doganë!” -Hë! ja sa i “pa shprehur qënka burri im!” më vëloi në  kokë mendimi.

”Po pa doganë, është më mirë. Doganat po hiqen në gjithë Ballkanin Perëndimor e vetëm ne të dy do i mbajmë akoma?” Më dridheshin  duart e me vështirësi po shkruaja përgjigjen.

”Kemi arritur afër rrethit të kuq, si do vazhdojmë më tej?”I ra “përmidis pazarit të Durrësit” im shoq.

“Si të kesh dëshirë i nderuar. Po disa pyetje i kam dhe unë që të të  njoh më mirë. Ju  a kini grua.?-Desha  ti vinja mengenenë unë.

“Jo. Fatkeqësisht ndërroi jetë para një viti.”-Shkroi pa teklif burrë i botës.

Atë që shkruante, me ngut e lexova nja tri herë se nuk i besoja syve. U ula në shkallët e gurta se po më vinte kopështi me të gjitha pemët rrotull e rrotull. E mblodha veten. Pranë kisha një cfurg, me të cilin po mblidhja barishtet e shkulura në kopësht dy ditë më parë. Dy mëhallanake më kishin vënë re  dhe pyetën çfarë kisha.”Asgjë asgjë! Ky djall kaposhi më ka prishur farishten e domateve.” Gënjeva. Dhe u bë mirë, se mos kishin pyetur ato mëhallanaket shkova me cfurg në dorë  ti lëshohesha burrit që për të kisha një vit që kisha ndërruar jetë.

Kjo, pa dashur më kujtoi komedinë “Pas vdekjes” te Çajupit e cila ishte dhënë në TV  dy netë më parë. Natën, kur zgjohesha nga një gjumë i turbulluar e flija përsëri, sepse më dilte në ëndërr ajo përralla, ku gomari i kafshuar nga ujku, i cili po i merrte frymën, mendonte “ishallah jam në ëndërr.” Por unë doja që ëndrra ime e dashurisë virtuale të  mbante sa më gjatë. Ne ndryshonim se gomarit i dhimbëte trupi e shpirti kurse mua më gëzonte shpirti si vetë pranvera që po trokiste kudo.Pas çdo leximi më shpërthente një gas në shpirt dhe ndihesha krejt e lumturuar.

-Më thuaj ndonjë gjë. Si ja bën për ushqimin, higjenën se njerëz jemi dhe njeriu i do të gjitha-shkrova në fb. Ai, me sa duket, këtë pyetje tepër njerzore e mori për keqardhje dhe kujdes të veçantë që po bëja për të se më pas lëshoi një lumë shpjegimesh  “për vuajtjet e tij i vetmuar”

-Lere,lere. Mos më pyet. Kur kisha me jetë time shoqe jam ndjerë si jo më mirë. Tani e kam kuptuar si ai që e mësoi se vlera e ujit dukej kur i shteri pusi.-Kur lexova këto në mesenxherin tim, më erdhi dhe keq dhe për të qeshur. Të paktën në këtë mes po merrja në mungesë një vlerësim për rolin tim. “Do gërmoj më tej në këtë minierën e fb.të burrit tim” më shkrepi aty për aty një xixë e re. E më pas, kur ai e “kishte kaluar vijën e kuqe”plasën ato më të bukurat. Nuk po i publikoj  tamam  si i kishte shkruar ai, se nga një anë, anonimimati duhet ruajtur dhe nga ana tjetër, “po të binte kallaji” i personit tim në fb.do të ndodheshim përpara një divorci të sigurtë. Po  ju shkruaj më poshtë se çfarë gjeta “në minierën” e burrit tim. M’u mburr në fb.se nuk ishte nazeli në ushqime e në gatimin që i bënte e ndjera. I pëlqente shumë dora e saj. Nga kjo ndjeva një lloj kënaqësie të përzier një krenari  të brendëshme.

Gjella me patllixhana, dollmatë me gjethe rrushi dhe byreku me dy petë me kungull, na qënkeshin dobësia e tij. E vërteta është se ato ai nuk i zinte me dorë fare.”Lum unë”,po  i thosha vetes.”Tani do të gatuaj lirshëm ato që  burri im u mburr në fb.”asaj tjetrës” se ishin “dobësia e tij”. Informacion të ri mora për bulmetin, mjaltin, reçelërat e glikotë. Ato që realisht ai nuk i hante fare  se po i vinte rrotull diabeti vitet e fundit dhe tani në fb. i   nxori të preferuarat e tij. Për fasulet trahananë e salcën e qumështit dhe piperkat e fërguara me gjalpë e gjizë, që janë të preferuarat e tij  te verteta, as që shkroi fare. Hap pas hapi i shkrova “burrit të botës” se çfarë pasione e hobi ka ai. Ndër kohë e vura në dijeni   sipas kërkesës së tij  se “çfarë pasione ka burri im”.U ndala tek peshkimi. Nuk harrova ti shkruaj se kur nuk kap asnjë cironkë kthehet tek dyqani i peshkut dhe nuk vjen kurrë bosh.” Kur erdhi fjala tek arti e kultura u ndala tek muzika e kënga. “kënga popullore nuk pëlqehet fare nga ai. Sa herë dua të dëgjoj këngë nga Skrapari të kënduara nga Demir Zyko apo Nesim Mane me Xhevair Borën, më bërtet: “Ule zërin, ose dil dëgjoje nga kopështi se më ngrejnë nervat këto këngë.”Vetë, sipas deklarimeve në fb.  ka pasion muzikën operistike, soprano Ermonela Jaho dhe Elbenita Kajtazi, koncertet e Yanis grekut, pjesë orkestrale të kompozitorit Bedirich Smetana, “Vëlltava” të Edvard Grig apo të japonezit Diku Si, pa harruar kompozimet e Tish Daisë  “Një ditë pikniku” apo “alarme të përgjakura”e “ditë feste “ të Zoraqit,etj. “Me siguri” mendoja  “që më mbushi mendjen “se është një dëgjues modern i muzikës klasike.”Kuptohet, këto që shkrova  e lexova nga ai duheshin lexuar realisht në të kundërtën e tyre. Në fakt, ai kishte shkruar për kërkesat e shijen time për muzikën. Pas këtij njoftimi lexova në fb.

-Ua! Sa përputhje paskemi në shumë plane ne të dy. Ku më qëlloi ky fat i madh të  njihem me ty!-

-Mos e zerë me gojë shumë atë “përputhjen” se nuk dihet, mua, apo ty apo të dyve fati mund të na bashkojë në atë emision me nam të madh.-shkrova.

-Të ngrëntë goja mjaltë moj guguçe. Çfarë kohë po jetojmë. Ta kisha afër atë bashkëshortin tënd do e kisha shpartalluar që nuk ta ditka vlerën. Nuk paska shije të njëjta me ju dhe më e keqja se nuk ju mbështetka në shijet tuaja për muzikën. Ju, përsa kemi komunikuar bashkë, jini një engjëll që duhej t’u mbante në pëllëmbë të dorës.”  Në shkrimet në fb. më krahasoi me zogj  të bukur, si “guguce”, “Thëllënxë”me “trandafil me fletë”,”borzilok”e”manxuranë,” “karafil me erë” etj. .Të gjitha lulet i kisha vënë në vazo në dritare e kopësht, por bukurinë e lezetin e tyre po e ndjeja nga ato që më shkruante im shoq në fb. M’u krijua një ndjenjë sikur isha në kulmin e lumturisë.  Përsa lexoja,  “m’u rritën veshët” e më vinte për të qeshur ku kemi shkuar me këtë median virale, po ç’është e vërteta, më gërricte kurioziteti se çfarë fshihej ende në “minierën” e pazbuluar  të burrit tim. Ksisoj, një ditë i shkrova se “ti je i  ri akoma. Nuk e shikon mundësinë e ndonjë martese apo bashkëjetese me ndonjë grua.?”

-Ah! Më qëllove drejt e në shenjë. Është e vërtetë se  akoma nuk mund të më thonë “je i moshuar”. Pastaj, nuk është sekret për ne të dy, ndihem vertet burrë i fortë. Si një dem i pa tredhur”. Kur  lexoja këto, e përmbajta veten se për pak do i shkruaja imtimitete nga jeta jonë bashkëshortore, për “për gjyqe me dyer të mbyllura të dështuara” që kemi bërë bashkë, po nuk e bëra, se më vinte më mirë ta vazhdoja lojën.”Le të dalë,ku të dalë” i  dhashë  udhë.

-Më thuaj të drejtën. Sa larg është vendbanimi juaj? Unë banoja në rrugën e thanave, afër asaj pemtores me murriza e kulumbri që ka ngritur një miku im.-shkroi.

-Largësinë midis nesh e do ta dish në metro, apo në kilometra?-shkrova pa marrë përgjigje se teptisi shkrimi tjetër.

”Po kërkoj ndonjë grua për bashkëjetesë, por ende nuk kam qëlluar në të. Njëra, e cila ishte nja 15 vjet më e re  se unë, m’u vërdallis dhe ishim gati në të ujdisur, po kur mora vesh se ishte e interesuar çfarë prona kam, hoqa dorë, se si më tha një mik nga Opari,  ajo dhe disa të tjera si kjo, e marrin me vete dhe barin e miut për ta hedhur në kafenë e burrit për të trashëguar vetë pronat…Kështu që u prishëm. Në fshatin fqinjë gomari vrau një burrë. Futa njerëz të ujdisesha me të vejen e tij, po ishte treguar më i shpejtë kovaçi i fshatit të cilit i kishte ikur gruaja në Gjermani dhe ishte martuar andej me një egjyptian. Eh! Kanë shumë probleme këto punë, po unë ty do ti tregoj “pa egjër dhe pa dushk” se më dukesh njeri shumë i mirë dhe i drejtë. Ti që ma njeh hallin, me siguri do calltisësh të më ndihmosh te gjej një njeri për të qënë.”

Dhe këtë kisha mangut nga komunikimet në fb.me burrin tim! Tani duhet të vrisja mendjen të gjeja për të një grua me të cilën të martohej ose të bashkëjetonte.! Kur  kërkonte, ai çuditërisht ishte shumë i ngjitur ne fb. e nuk të shqitej kollaj. Këtë veti, me gjithë stazhin e gjatë si bashkëjetesë në çift u desh fb. ta zbulonte. Tani unë po vrisja mendjen se si do të “na binte kallaji” e të delnim ashiqare në shesh cilët ishim në të vërtetë.  Se dhe kështu, me këto ngarkesa teatrale nuk jetohet në familje. Atë moment m’u duk vetja se kisha hipur në një pemë të lartë pa dege dhe po mendoja e shikoja për rreth se si do të zbrisja. Por sot nuk mbetet problem pa një zgjidhje.

Nga fb.mora vesh se do vinte këto ditë ime mbesë,  ajo  që më ndihmoi për fb. E vendosa që asaj do i tregoj dhe atë ditë do festojmë “për dashurinë tonë virtuale”.Por nuk qe e thënë. Lexoj në mesenxherin tim se burri im, me fjalë të ëmbla dhe ledhatare më kishte kërkuar një takim duke e lënë në dorën time, vendin dhe orën e takimit. Me siguri ai këtë propozim shumë interesant e kishte shkruar në LapTop ulur ku punonte vazhdimisht dhe unë e mora mesazhin për takim kur po bëja një lakror me saç  në ashef, rreth 20 metro larg nga im shoq.  Ju jap fjalën se kur të bëjmë takimin do të shkruaj realisht si u zhvillua dhe çfarë u bisedua. Mos hiqni dorë nga virtualja. Ne nuk e paskemi ditur se dashuria virtuale qënka shumë më lart dhe më e bukur se ajo reale.

Shyqyri Fejzo

Hamburg, Shkurt 2024.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok