28/04/2024

ITINERARI I NJË KOHE TË PAKOHË

0

Nga Ma.sc. FATMIR HALIMI

Një vit pa stinë, është titull shumë interesant dhe karakteristik i romanit të fundit të shkrimtares Ylfete Aliu Osmanit.

Zbërthimi i titullit Një vit pa stinë na shpie në dy venerime: atë artistik, simbolik e figurativ dhe në venerimin faktik e konkret. Venerimi simbolik e figurativ i titullit zbërthehet si një itinerar i një kohe të pakohë, si një rrugëtim i pandalshëm fiksional i një shoqërie në ndërtim e sipër, i një kohe që të gjithë vrapojnë pas angazhimeve ditore e që harrojnë të marrin frymë dhe duhet të ndodhë diçka e befasishme që këta njerëz të ndalen e ta kujtojnë vetveten dhe të mendojnë për të tjerët. Ndërsa zbërthimi faktik i romanit Një vit pa stinë valorizon kah një semantikë më filozofike dhe që është shumë vështirë të faktorizohet. Por, mbi të gjitha titullin mund ta konkretizojmë se stinët e vitit çdo herë lidhen me faktorin natyror, por edhe me qenien njerëzore, me njeriun dhe mund të ndodh që viti të jetë pa stinë pakohë e pa ndryshime në jetë.

Shumë kritikë ndajnë mendimin se shkrimtari nuk është këtu për ta interpretuar, por për ta shkruar veprën e tij, prapë se prapë interpretimin na e bënë çdo shkrimtar përmes titullit të veprës së tij. Pra, titulli i veprës për diskursin kritik çdo herë merret si çelës për interpretim. Në rastin tonë titulli i romanit Një vit pa stinë zbërthehet nga vetë autorja në momentin kur ajo ka vendosur që ta emërtoj me këtë emër duke i lënë anash shumë tituj, që duke u bazuar në përmbajtje, hipotetikisht do të mund ta kishte emërtuar edhe si: itinerari i një kohe të pakohë.

Fabula e romanit

Romani “Një vit pa stinë”  në vija të trasha trajton jetën e të rinjve të shoqërisë sonë në fillim vitin 2020, të një viti të jashtëzakonshëm për shoqërinë tonë dhe për shoqëritë e globit në përgjithësi, pra është një përshkrimi i realitetit aktual kosovar dhe një thirrje për tejkalimin e  krizës kolektive dhe individuale.

Ky roman është i ndërtuar  mbi bazën e shumë këndvështrimeve që kanë për qëllim të ngjallin shpresë dhe të  shtyjnë përpara ndryshimet. Romani nisë me  dukurinë e mërgimit të të rinjve nga Kosova. Duke përshkruar pesimizmin apo depresionin kolektiv, që jo pa shkak ekziston në Kosovë, për shkak të të cilit të gjithë kërkojnë shpëtim. Janë këta të rinjtë studentë të fakultetit të Juridikut, që diskutojnë për një mundësi për të emigruar në Amerike.

Laidi personazhi kryesor në roman refuzon tu bashkëngjitet për të migruar, por këtë e bën Doruntina e dashura e tij. Ajo bashkë me grupin largohet nga Kosova duke e lëne Laidin të pikëlluar dhe pa cak për jetën, Në këtë përudhë të zymtë Laidi takon një fëmijë, Aurelin, një  lypsarë, jeta e të cilit mbaron tragjikisht. Ky vogëlush, ndonëse rrjedh nga  shtresa më e ulët e shoqërisë, është në fakt një mirazh që shfaqet për të porositur, që të shohim gjërat nga një tjetër  perspektivë, jashtë asaj depresive. Pra, një i mitur i braktisur e i pa strehë,  thërret personazhin kryesor të këtij tregimi, Laidin, që të shoh ndryshe Kosovën dhe vendlindjen e tij. Nga një tjetër kënd, ndryshe duken kullat e bukura, që janë orakuj në dhomat tona. Kështu e nis udhëtimin e tij prej një avokati Laidi. Ai e kupton se tragjeditë dhe realiteti i tij është vërtet i karakterizuar me de-humanizëm, me humbje jetësh për shkak të shumë gjërave si, jetës së rëndë sociale-ekonomike, kushteve të vështira të punës, etj. Ai mjedis, ku ai jeton kërkon ndihmë dhe jo ta braktisim apo të qëndrojmë duarkryq.

Një personazh tjetër i rëndësishëm në roman është edhe Arina Bregu. Një gazetare që tenton të shpëtoj veten nga realiteti, i cili është jo adoptues për të. Arina në roman paraqitet si një person në ekstremitetin tjetër, në industrinë e famshme të modës, që është fikson i të rinjve, e që përsëri është i pa arritshëm nëse nuk e ka  origjinalitetin e vet. Përmes saj dhe shokëve të ngushtë Agnesës dhe Dinit theksohet kriza e  individualitet në shoqërinë tonë, posaçërisht e femrës kosovare. Ajo është vajzë e një gruaje të suksesshme ndërmarrëse, por nuk ndihet e përmbushur, sepse jeton midisi dy botëve plot  paradokse, varfërisë ekstreme dhe luksit që nuk e lumturon. Ajo lë luksin dhe pasurinë që i ofron e ëma për t’i ndihmuar shoqes së saj të fëmijërisë, Agnesës që të dalë nga kriza  dhe inferioriteti i shoqërisë, e sidomos i familjes së saj.

Midis përpjekjeve të Arinës shohim paragjykimet shoqërore, politikën që e ndikon jetën e të gjithëve, profesionalizmin e gazetarisë, botën e modës dhe keqkuptimet. Duket se autorja përmes këtyre personazheve dhe ndodhive që i ngërthen brenda romanit kërkon të gjej shtegun dhe të trokas ndërgjegjshëm, e me takt në egon e secilit. Ajo  sheh si të vetmit shpëtimtarë gjeneratat e reja, kërkon  që ata të aktivizohen, të bëhen bashkë dhe ta ndihmojnë njëri-tjetrin, si rasti i Arines ndaj Agnesës. Bashkë mund të tejkalojnë çdo kohë krizash, si ajo e pandemisë, e cila në roman paraqitet veç në pjesën e fundit të tij. Shih për këtë gjë mund të them se romani Një vit pa stinë është veç si një fillim i një kohe te pakohë, veç fillimi i pandemisë, e cila do të zgjas edhe për disa muaj, apo edhe për ca vite, gjë që autorja lë shumë gjera pezull, i lë pa i përfunduar. Unë mendoj se këtë e bën me të vetmin qëllim, që të zgjoi kureshtjen e secilit lexues dhe gjithsecili lexues të bëjë zgjidhjen e vetë imagjinare. Kjo mënyrë e të shkruari e zgjon kureshtjen te lexuesit, kjo mënyrë e të shkruarit tashmë edhe është vetëdije letrare artistike te shumë shkrimtarë dhe që s’do mend është edhe te autorja Osmani.

Për fund mund të them se romani “Një vit pa stinë” i shkrimtares Ylfete Aliu Osmani e ka arritur nivelin e duhur artistik dhe është një dhuratë e mrekullueshme për lexuesit.

Autores i dëshirojmë shëndet dhe suksese në të ardhmen, me prurje të reja të ndonjë libri të ri, sepse me këtë roman e ka dëshmuar veten dhe ka dalë e suksesshme në krijimin e artit letrar, sidomos krijimit në prozë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok