A “PRODHON” UDHA E KOMBIT MIRËQENIE PËR BANORËT?
NGA NDUE DEDAJ
Udha e Kombit nuk është një kombinat që të prodhojë mallra, ajo “prodhon” qarkullim kombëtar. Por a prodhon dhe mirëqenie për banorët e zonave që përshkon? Për ata që iu kalon rrëzë shtëpisë? Dikujt i ka prishur kullën e dikujt i ka zënë arën e misrit a grurit, dikujt i ka mbyllur shtegun e dikujt tjetër i ka shembur mullirin në përrua. Edhe sot qoshet e gdhendura të kullave të Fanit janë truc anës së rrugës. Nëse dikush thotë se banorët janë kompensuar, do të ishte vetëm një klishe zyrtare. Me asgjë nuk mund të kompensohet toka e trashëguar, jo më me ca milionë lekë të vjetra, që nuk kanë vlejtur as për të blerë një hyrje dhomë e kuzhinë në Kukës a Rrëshen. Më shumë ka “dhuruar” banesa tërmeti i 2019-ës.
Nuk po shtyhemi në një analizë më të thellë, se pastaj do të na duhej të thoshim, Udha e Kombit e hodhi pas krahësh Pukën e Fushë – Arrësin dhe e “treti” ku s’ka më larg Tropojën. Ndokush mund të thotë, kështu i bie që të mos bëhen autostrada? Jo, ato do të bëhen, por asnjëherë duke ndëshkuar qendrat e banuara. Ka gjithmonë zgjidhje e mundësi për të qenë sa më pranë banorëve. Puka dhe Fushë-Arrësi nuk do ta kishin ndjerë mungesën e rrugës së djeshme nacionale nga Qafa e Malit, nëse do të ishte hapur Tuneli i Gjegjanit, aq shumë i përfolur, si dhe nëse do të ishte bërë në parametra modernë rruga për në Tropojë, që u hap në vitet ’70 për hidrocentralin e Fierzës. Vërtet e ka lënë anash Llogaranë tuneli i Palasës, por aq shmangie nuk e hedh pas krahësh malin turistik, ku ka jo vetëm dhi, po dhe drerë. Dihet që autostradat nuk i “kursejnë” qendrat e vogla urbane, por asnjëherë nuk ka kuptim që ato të ulin ritmet e tyre të zhvillimit. Nesër do të bëhet rruga Milot-Balldre, por Talja duhet të përfitojë e jo të humbasë prej saj. Ndryshe udhët e mëdha do të ishin stoli të varura në qafë për shumë fshatra e qyteza.
Nëse mendohet se gjerat janë të përfunduara njëherë e përgjithmonë, do të ishte e pafalshme për qeverisjen. Sa përmendëm më sipër, lidhur me “shtrirjen” më në thellësi të Udhës së Kombit, si tunele, rrugë dytësore etj., ato nuk mund të fshihen nga projektet e nesërme me argumentin burokratik se malësia është braktisur. E braktisur ishte dhe Shala në Dukagjin, por ajo u zgjua papritur dhe bë aset i rrallë turistik. Nëse do të kishte rrugë si në bjeshkët e Europës, Dardha e Pukës dhe gjithë lugina e Drinit nga Kukësi në Fierzë do të ishte një “zbulim” mahnitës për turistët.
Autostrada në Rrëshen, si të derdhësh lumin në përrua?!…
Udhëtarët që vijnë nga Kosova nuk mund ta kuptojnë se pse Udha e Kombit në Rrëshen përgjysmohet, deri në Milot!? Është si të derdhësh lumin në përrua. Në vend që të vazhdonte me katër kalime, aty ku bashkohet Fani i Madh me Fanin e Vogël, është krijuar një “hinkë” në gjuhën teknike e metaforike. Këtë anomali nuk e kuptojnë as ata që vijnë nga Durrësi, Tirana e Shkodra e shkojnë drejt Kosovës. Janë 28 kilometra, që në vitin 2009 iu ra kryq dy kalimeve. Jo rastësisht aksidentet më të shumta ndodhin në këtë segment, ashtu si në atë Milot-Lezhë. Nuk është vetëm mungesë buxhetesh, por në radhë të parë studimesh lidhur me përparësitë. Nëse duam të jemi seriozë, na duhet të kujtojmë se njëqind vjet më parë pikërisht në Milot u ndërtua vepra më e rëndësishme e infrastrukturës rrugore në Shqipëri, Ura e Zogut mbi lumin Mat, që sot ne nuk po e mbajmë dot në këmbë, as si urë – muze. Doemos që këto më mirë duhet t’i dijë ministri i Infrastrukturës dhe ai i Kulturës.
Mbas 16 vitesh, ndërtimi e dy kalimeve të munguara të Udhës së Kombit, në segmentin Milot – Rrëshen, nga qeveria është vlerësuar si përparësi e nivelit “A”, në listën unike të projekteve që do të financohen nga buxheti gjatë periudhës 2025 – 2027, në vlerën 60 milionë euro, por ka kaluar gjysma e këtij afati kohor dhe jo vetëm nuk është hedhur asnjë kazmë, por duket se as është vënë uji në zjarr, se do të kishim dëgjuar të paktën për tenderimin (aty ku është dhe “thembra e Akilit”), që siç dihet këtu zgjat me ditë e me net, me javë e me muaj, me vite e vite….
Trau i Kalimashit, “lopa” që milet jo nga banorët
Trau i Kalimashit është një “shtrungë” – kështu quhej ngushtica që krijohej te dera e vathit kur dhitë kaloheshin njëra pas tjetrës për mjelje. E njëjta gjë dhe tek trau, anise pa blegërima, apo pëllitje. Pesë euro me shkue e pesë euro me ardhë nuk janë pak për xhepat shqiptarëve të papunë. Është një histori e njohur tashmë. Asgjë nuk e ndryshoi tarifën, as protesta e banorëve. Tek ne tarifat, taksat, çmimet vetëm rritën, edhe pse të ardhurat mund të mbetën në vend, apo diku-diku dhe ulën.
Trau i Kalimashit, si ka mundësi që “shpërblen” vetëm mirëmbajtësin e rrugës, edhe pse ai është ndërtuar me buxhetin e shtetit, të thonë zyrtarët vendorë. Po ata që e kanë traun në tokën e tyre, kuksianët dhe hasjanët a duhet të përfitojnë? A duhet të prodhojë trau njëfarë rente dhe për bashkitë që përshkon Udha e Kombit, Kukës dhe Mirditë? Me se do të mbahen ato nëse, nuk vjelin “fruta” nga udhët, ujërat, mineralet, pyjet? Apo atyre iu takojnë vetëm frutat e hidhura? Ka një logjikë të thjeshtë, nëse qeveria dëshiron ta zhvillojë Hasin, Lumën, Borjen etj. duhet jo vetëm që t’iu heqë pagesën e traut, por dhe t’iu paguajë biletën për disa vite, sa të fillojë të prodhojë ekonomia e tyre e varfër. Është i bukur “shtegu i ngjyrave” në Shishtavec në reklama qeveritare, por turistëve iu duhen lehtësi për të shijuar lartësitë e bjeshkëve të verilindjes. Trau është si ai laku (kurtha) që vihej dikur për të zënë gjahun, ngaqë nuk kishte rrugë tjetër se nga të kalonte. Edhe ky “gjahu” u traut të Kalimashit kështu është, nuk ke se nga të shkosh pa kaluar aty, vetëm nëse do të fluturosh. Rruga nga Qafë – Mali është si me i ra nga Kina…
Çfarë ju mbetet banorëve? Kromin ua merr në oborr dhe nuk iu jep asgjë, pyjet ua ke marrë një jetë pa asnjë shpërblim, lekët e traut ua merr e atyre s’iu lë asnjë qindarkë. Nuk ka kuptim që tarifat të jenë një gjobë e pandryshuar nga shteti, për llogari të sipërmarrësit.
Nëse çdo vepër analizohet nga të mirat dhe dobia që sjell, Udha e Kombit vërtet shkurtoi largësinë mes qyteteve shqiptare e shteteve të rajonit, solli më shumë turistë në bregdet, krijoi mundësi për disa komplekse shërbimesh e karburantesh në autostradë, por nga ana tjetër “izoloi” shumë fshatra për mungesë të rrugëve dytësore, nuk nxiti mjaftueshëm investime agroturizmi, blegtorie etj. dhe rëndoi xhepin e njerëzve në nevojë, që e kishin të domosdoshme lëvizjen për arsye pune etj.
Ky vetëm vizion i përgjithshëm zhvillimi nuk është, prandaj gjithnjë ka vend për rishikime, korrigjime, ndryshime ligjore, strategjike, instrastrukturore e ekonomike, në dobi të banorëve dhe të përspektivës së vendit. Kjo do të ishte dhe reforma territoriale e nevojshme dhe jo mbyllja e disa bashkive për njërën palë (mazhorancën) apo shtimi i tyre për palën tjetër (opozitën)…
