FLAMURI SHQIPTAR NË GJYQ – KU JANË VLERAT EVROPIANE TË MALIT TË ZI?
Drejtësia Selektive në Mal të Zi dhe “Kompromisi” i Heshtur i Politikës Shqiptare në atë vend
Nga Frank Shkreli
Flamuri shqiptar i padeshiruar në Mal te Zi — nje vend që pretendon vlerat e NATO-s dhe antarësimin në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian dhe NATO nuk janë vetëm organizata politike dhe ushtarake. Ato përfaqësojnë një sistem vlerash që mbështetet mbi lirinë, demokracinë, shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Në këtë kuptim, respektimi i identitetit kombëtar të shqiptarëve nuk është një favor që u bëhet atyre, por një detyrim që buron nga standardet demokratike që Mali i Zi ka pranuar vetë. Unë, personalisht, jam dëshmitar se Shqiptarët në Mal të Zi dhe n; Shtetet e Bashkuara t; Amerikës kanë qenë ndër mbështetësit më të qëndrueshëm të orientimit perëndimor të atij vendi. Ata kanë kontribuar në jetën politike, ekonomike dhe kulturore të shtetit dhe kanë mbështetur integrimin euroatlantik të Podgoricës. Frank Shkreli:Një shtet i ri me plagë të vjetra, Mali i Zi në 20-vjetorin e pavarësisë. Shqiptarët në Mal të Zi mes kontributit historik dhe pritshmërive të papërmbushura | Gazeta Telegraf. Pikërisht për këtë arsye, çdo veprim që krijon përshtypjen e diskriminimit ndaj simboleve kombëtare të shqiptarëve në atë vend rrezikon të dëmtojë besimin e një komuniteti që ka treguar vazhdimisht lojalitet qytetar ndaj shtetit.
Për vite tani, raportime dhe raste të veçanta që lidhen me përdorimin e flamurit shqiptar në Mal të Zi kanë nxitur diskutime publike mbi mënyrën se si zbatohen rregullat për simbolet kombëtare dhe si respektohen të drejtat e pakicave. Për shqiptarët e atyre trojeve, nuk ka asgjë të re. Kjo është një histori e vjetër, për të mos thënë permanente. Është një çeshtje që jam munduar ta trajtoj për pothuaj 15- vjetë tani. Asgjë nuk ka ndryshuar, fatkeqsisht. Shqiptarët e atyre trojeve vazhdojnë t’a ndjejnë veten si të huaj në shtëpinë e vet. Frank Shkreli: Shqiptarët nën Mal të Zi – si të huaj në tokën e vet – Zemra Shqiptare. Për shqiptarët autoktonë në Mal të Zi, flamuri kombëtar nuk është një simbol i huaj. Ai është pjesë e identitetit historik, kulturor dhe kombëtar të një komuniteti që ka jetuar në trojet e veta në Ulqin, Tuz, Plavë, Guci dhe vise të tjera shumë kohë përpara krijimit të shteteve moderne në rajon dhe në botë. Për këtë arsye, çdo përpjekje për ta trajtuar flamurin shqiptar si problem, provokim ose simbol të padëshiruar prek drejtpërdrejt ndjenjën e barazisë dhe dinjitetit të këtij komuniteti. Në disa situata, janë ngritur shqetësime nga komuniteti shqiptar atje, lidhur me kufizimet ose keqinterpretimet e rregullave për përdorimin e flamurit. Rasti fundit është reflektues i situatës aktuale. Rasti i Vatra Balidemajt me 1 gusht. E reja shqiptare u shoqërua nga policia dhe u gjobit nga gjykata lokale në Plavë-Guci, vetëm e vetëm, se mbante në dorë flamurin “Autochthonous” ndërsa merrte pjesë në një festival veror muzikor në vendlindjen e saj. Ka simbole që nuk kanë nevojë për leje për të qenë pjesë e historisë. Flamuri shqiptar është njëri prej tyre. Në trevat shqiptare të Malit të Zi ai nuk është një simbol i importuar, as një shenjë provokimi politik ndaj askujt. Ai është dëshmi e vazhdimësisë historike të një populli autokton që ka ruajtur gjuhën, kulturën dhe identitetin e vet ndër shekuj.
Prandaj, sa herë që ngritja e flamurit shqiptar shoqërohet me polemika, pengesa ose trajtime që perceptohen si të pabarabarta, nuk vihet në diskutim vetëm një simbol kombëtar. Por vihet në provë vetë besueshmëria e shtetit malazez si demokraci evropiane. Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Ky është një angazhim që kërkon më shumë se deklarata politike. Kërkon respekt të përditshëm për liritë themelore, për dinjitetin e njeriut dhe për të drejtat e pakicave kombëtare, përfshir shqiptarët. Këto nuk janë koncesione; janë standarde. Shqiptarët në Mal të Zi nuk kërkojnë privilegje. Frank Shkreli: Historia kombëtare shqiptare në shkollat e Malit të Zi mbetet një provë e papërfunduar e demokracisë dhe e përgjegjësisë politike shqiptare | Gazeta Telegraf Ata kërkojnë atë që u takon si qytetarë të atij vendi dhe si komunitet autokton: të drejtën për të jetuar identitetin e tyre pa paragjykime, pa frikë dhe pa u ndjerë se simbolet e tyre kombëtare janë më pak të pranueshme se të komuniteteve të tjera në atë vend.
Historia e Ballkanit ka treguar se shtetet nuk dobësohen nga respektimi i identitetit të qytetarëve të tyre. Ato dobësohen kur krijojnë ndjesinë se ligji zbatohet ndryshe — në mënyrë të hapur diskriminuese — për komunitete të ndryshme, sdimos për shqiptarët. Besimi ndërtohet me barazi, jo me standarde të dyfishta. Pikërisht për këtë arsye, çdo rast që ngre pikëpyetje mbi trajtimin e flamurit shqiptar duhet të trajtohet me seriozitet, transparencë dhe në përputhje me ligjin. Institucionet zyrtare malazeze kanë përgjegjësinë të sqarojnë çdo rast të diskutueshëm dhe të sigurojnë që ligji të zbatohet në mënyrë të barabart për të gjithë, përfshir rastin e Vatra Balidemajt. Standardi nuk mund të jetë i ndryshëm për një simbol kombëtar në krahasim me të tjerët. Demokracia matet pikërisht nga mënyra se si trajtohen pakicat dhe jo nga deklaratat formale për respektimin e të drejtave të tyre. Një shtet modern nuk ka arsye të ketë frikë nga një simbol që përfaqëson identitetin e një pjese të qytetarëve të tij. Në fund të fundit, demokracia nuk matet nga mënyra se si shumica ushtron pushtetin, por nga mënyra se si mbrohen të drejtat e atyre që janë në pakicë. Nëse Mali i Zi dëshiron të jetë një shembull i suksesit euroatlantik në Ballkan, atëherë duhet ta dëshmojë këtë jo vetëm në forumet ndërkombëtare, por edhe në Ulqin, Tuz, Plavë, Guci, Rozhajë e kudo ku shqiptarët jetojnë dhe ruajnë identitetin e tyre. Ishte Gucia, një vatër e lashtë e historisë dhe qëndresës shqiptare në Mal të Zi, që u kthye, së fundmi, në skenën e një paradoksi ligjor që ngre pikëpyetje të mëdha mbi barazinë qytetare në Mal të Zi. Vatra Balidemaj, një vajzë 19-vjeçare nga Martinajt, u shoqërua në polici dhe u gjobit nga gjykata vendase deri në 250 euro. “Krimi” i saj? Valëvitja e flamurit “Autochthonous” – një simbol i dizajnuar mbi të vërtetën historike të të parëve të saj në ato troje. Ky akt nuk është thjesht një incident i izoluar administrativ, por një pasqyrë e qartë vazhdimësie e asaj që quhet drejtësi selektive nga ana e shtetit malazez. Autoritetet u nxituan të aplikojnë Nenin 23 të Ligjit për Rendin Publik, duke e klasifikuar stemën si “provokim”, ndërsa mbyllin sytë rregullisht përpara valëve të stërgjyrëshave serbë dhe parullave shoviniste serbe që pushtojnë rrugët e Malit të Zi nëpër dasma e festa fetare.
Por, përtej fajit të qartë të qeverisë në Podgoricë, kjo ngjarje nxjerr në dritë një të vërtetë tjetër të hidhur: përgjegjësinë e madhe të vetë përfaqësuesve politikë shqiptarë. Sot, politikanët shqiptarë në Mal të Zi nuk janë më në opozitë e as në periferi të vendimmarrjes. Ata mbajnë poste me rëndësi në administratën shtetërore malazeze. Qytetari shqiptar nuk i voton liderët e vet vetëm për të bërë opozitë brenda qeverisë, por për të ndryshuar ligjet diskriminuese dhe për të garantuar që policia e shtetit që ata vetë bashkë-drejtojnë të mos persekutojë fëmijët shqiptarë. Me keqardhje të thellë e them se përgjegjësia e faktorit politik shqiptar – me ndonjë përjashtim aty këtu — qëndron te gatishmëria e tyre për të bërë kompromise të shpejta për karrige e pushtet, duke lënë pas dore reformat jetike ligjore të nevojshme për mbrojtjen e votuesve shqiptarë. Ligji aktual për simbolet është lënë qëllimisht me ekuivoke dhe kurthe burokratike, të cilat lejojnë policinë t’i interpretojë simbolet kombëtare sipas dëshirës. Për sa kohë që partitë shqiptare pranojnë të jenë dekor i qeverive në Podgoricë pa kushtëzuar pjesëmarrjen e tyre me fshirjen e këtyre neneve diskriminuese, ato bëhen bashkëfajtore në heshtje për çdo gjobë dhe fyerje që u bëhet bashkëkombësve të tyre. Frank Shkreli: Diktatura e shumicës ndaj pakicës shqiptare në Mal të Zi | Gazeta Telegraf
Vatra Balidemaj u shpreh e lënduar se u gjobit në tokën e të parëve të saj. Por gjoba e saj shpërfaqi rishtas dy dështime të mëdha: të një shteti malazez që ende trembet nga identiteti shqiptar, dhe të një klase politike shqiptare që ka pushtet në Podgoricë, por nuk ka fuqi (ose vullnet) të mbrojë popullin e vet dhe të drejtat ligjitime të tij.
Respekti për flamurin shqiptar nuk është favor ndaj shqiptarëve. Është respekt për parimet mbi të cilat ndërtohen demokracitë evropiane. Dhe pikërisht aty fillon prova e vërtetë e një shteti që pretendon të jetë pjesë e familjes evropiane. Mali i Zi duhet të vendosë nëse dëshiron të jetë një shoqëri me të vërtetë demokratike, apo një sistem që përdor ligjin si mjet penalizimi selektiv ndaj shqiptarëve. Rasti i Vatra Balidemajt duhet të shërbejë gjithashtu edhe si një moment reflektimi, jo vetëm për Podgoricën dhe për përfaqsuesit politik[ shqiptarë në Mal të Zi, por edhe për Evropën. Sepse nëse një flamur shqiptar shihet si kërcënim, problemi nuk qëndron te flamuri. Problemi është te frika që dikush ka prej tij. Megjithse flamuri nuk është armë. Dhe as identiteti kombëtar nuk është krim!
Flamuri shqiptar nuk është armë që dikush duhet t’i frikësohet. Ai nuk kërcënon, nuk pushton dhe nuk kërkon luftë. Flamuri kuqezi është simbol i identitetit, i lirisë dhe i dinjitetit kombëtar të një populli. Të respektosh flamurin shqiptar nuk do të thotë të kesh frikë nga Shqipëria apo shqiptarët. Por do të thotë të respektosh një komb, historinë e tij dhe të drejtën e tij për të qenë krenar për identitetin e vet. Edhe NATO — anëtare e së cilës është edhe Mali i Zi — nuk është një organizatë që duhet të ngjallë frikë. Ajo është, para së gjithash, një aleancë e vendeve që kanë zgjedhur të mbrojnë lirinë dhe paqen së bashku. Në këtë kuadër, flamuri shqiptar në Mal të Zi nuk është simbol kërcënimi, por simbol i një vendi që ka zgjedhur të jetë pjesë e botës euroatlantike.”
