08/10/2024

A ËSHTË FEJA DOKTRINË QË I SHËRBEU EKSPANZIONIZMIT?!

0

Nga Ryzhdi Baloku

Shpeshherë më ka rënë të shoh komente të nxehta në rrjetin social “facebook”, kur temë diskutimi ishte feja. Madje, nganjëherë kam parë edhe ngritje tensionesh me tone kërcënimi, sidomos atëherë kur në ato rrahje mendimesh merrte pjesë ndonjë nga besimtarët fanatikë, i cili u kundërvihej të gjitha gjykimeve të parashtruara që nuk përputheshin me mendimin e tij në atë debat.

Duke marrë parasysh aktualitetin e çështjes së cekur, mora ta lëvroj këtë temë, nga këndvështrimi i të qenit të saj si një fenomen e doktrinë që në mënyrë permanente gjatë historisë së njerëzimit ishte shfrytëzuar nga sundimtarët.

Sipas njohurive që kemi, mund të themi pa mëdyshje se, feja është shumë e vjetër si dukuri shoqërore. Gjenezën e ka që nga koha kur mashtruesi i parë takoi njeriun e marrë. Lidhur me këtë çështje ka dhënë mendim edhe gjeniu francez, Zhan Mari Arue (1694-1778), të cilin bota e njeh si filozof iluminist me emrin Volter. Ai thotë: “Kleriku i parë ishte mashtruesi i parë që takoi idiotin e parë”.

Nga shkrimet e shumta që janë në dispozicion, dimë që bota ka kaluar nëpër disa etapa të besimit gjatë historisë së njerëzimit.

Para shfaqjes së politeizmit si besim, ekzistonte totemizmi, fetishizmi dhe animizmi. Totemizmi kishte te bëjë me adhurimin e ndonjë kafshe, bime etj., fetishizmi me hyjnizimin e shtatoreve dhe animizmi me besimin te shpirti, se të gjitha sendet kanë shpirt.

Pas periudhës kohore të politeizmit, apo thënë ndryshe, të besimit në ekzistencën e shumë perëndive, kemi lindjen e monoteizmit, apo të besimit në një Zot të vetëm, që edhe sot si dogmë e mbizotëron tërë njerëzimin e botës.

Pas tranzicionit të periudhës së cekur, respektivisht pas kalimit nga paganizmi në monoteizëm, besimet fetare nisën pas një kohe të zgjerohen në lloje bashkësish, sipas mendimeve dhe mësimeve nga shkrimet e shenjta (krishtere, islame, hinduiste, budiste etj.) dhe sekte, sipas pikëpamjes. Por, në parim të gjitha kishin dhe kanë një qëllim themelor. Andaj, nga ky këndvështrim s’duhet ngatërruar besimin në Zot, me besimin në fe.

Për ekzistencën e një fuqie absolute mbinatyrore, na shton bindjen fenomeni i pashpjegueshëm nga mendja e njeriut, lidhur me funksionimin e përsosur e preciz të galaktikave në hapësirën e universit. Megjithëkëtë, esenca e këtij shkrimi nuk është shqyrtimi i kësaj çështjeje, andaj me këtë rast i kthehemi temës së parashtruar.

Nëse feja si dogmë është në shërbim të kombit dhe paqes, atëherë qëllimi i saj është i karakterit fisnik e njerëzor. Mirëpo, nëse ajo i shërben vetëm kombit e jo paqes, atëherë një fe e tillë është e dëmshme për njerëzimin. Në këtë rast vjen në shprehje mendimi se “feja është krijuar nga njeriu për ta kontrolluar individin mendje-dobët, sepse në kohë mizorish dhe dëshpërimi këta e marrin fuqinë në numër”. Nga kjo pikëpamje mund të nxirret edhe konkluzioni logjik, se feja më së shumti u shërben sundimtarëve.

Kryqëzatat janë shembulli më eklatant i shfrytëzimit të fesë për qëllime të ekspansionizmit, pa harruar se edhe pasuesit e profetit Muhamed e kanë shfrytëzuar atë si frymëzim, që i ka inkurajuar për fitore në betejat e luftës.

Në këtë kontekst mund të themi se edhe konvertimi në besimin islam i popujve nën Perandorinë Osmane, kishte për qëllim neutralizimin e rezistencës ndaj sundimit pushtues Otoman.

Pas Luftërave Ballkanike dhe pushtimit të Kosovës me 1912, kemi nisjen projekteve serbe për konvertimin e shqiptarëve nga myslimanizmi e katolicizmi në fenë pravosllave.

Në atë kohë, për shkak se famullitari i kishës katolike i Gllogjanit të Pejës, At Luigj Pali kundërshtonte të konvertohej në pravosllav, xhandarët e krajlit ia këpusin dy gishtat e dorës së djathtë, me preferencë të krye-murgut të Patrikanës së Pejës, me qëllim që kur të bënte kryq, ta bënte atë me tre gishta si serbët e malazezët. Po ashtu, ata i detyruan hoxhallarët shqiptarë që ta përqafojnë stufën e skuqur nga zjarri, si ndëshkim për mosbindje për konvertim në fenë pravosllave.

Edhe sot është aktuale çështja e diskriminimit të ujgurëve myslimanë në Kinë, për shkak të fesë, andaj ky shtet paraqet pasqyrën më të keqe, lidhur me sundimin jonjerëzor të kësaj popullate prej 8.569.000 frymësh.

Me përfundimin luftës së fundit në Kosovë, respektivisht në qershorin e vitit 1999, më ka rënë në dorë dokumenti, të cilin pas lufte ia kam dorëzuar akademikut Pajazit Nushi (tashmë të ndjerë), për ta evidentuar në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, me seli në Prishtinë, me të cilin tekst paramilitarët serbë të Pejës e kishin dhënë betimin në Patrikanën e Pejës për vrasjen e shqiptarëve.

Sa mbaj mend, në atë dokument (po e parafrazoj) shkruante: “Kunem se u ovu svetu crkvu da ču ubiti šiptare …”. Pra, emërtimi “shiptare” kishte konotacion përbuzës, e që kjo fjali në shqip përkthehet: “Betohem në këtë kishë të shenjtë se do t’i vras shqiptarët …”.

Nga dokumenti i cekur dhe praktika konkrete e zhvillimeve të deritashme nëpër periudhat e kaluara historike të serbëve, mund të vërehet se feja dhe shteti te ta, ishin dhe janë në shërbim të njëra-tjetrës, edhe pse me kushtetutën e këtij vendi, feja është e ndarë nga shteti.

Kur bëhet fjalë për fenë myslimane, apo besimin islam te shqiptarët, s’duhet harruar faktin se në kohën e Perandorisë Osmane, në një numër xhamish të vilajeteve shqiptare, e sidomos në atë të Kosovës, predikuesit e fesë ishin të kombësisë ruse që shtireshin si myslimanë, andaj edhe predikimet fetare ata i orientonin në drejtim të ekspansionizmit pan-sllavist, pa u diktuar nga pushteti turk dhe besimtarët shqiptarë të asaj kohe.

Sipas rrëfimeve të pleqve shqiptarë, një shembull i tillë kishte ndodhur në vitin 1912, atëherë kur forcat e armatosura serbe, malazeze dhe ruse ishin futur në Prizren me rastin e pushtimit të Kosovës. Me atë rast, hoxha i xhamisë së Sinan Pashës kishte deklaruar para ushtrive pushtuese që ndodheshin aty, me fjalët: Nga kjo ditë, shërbimi im në këtë xhami ka përfunduar përgjithmonë. Misionin që e kisha, e kreva me sukses. Tani e tutje do t’i kthehem punëve tjera që do t’i kontribuojnë atdheun tim, Rusisë.

Lidhur me këtë ngjarje, flet edhe romani me titull “Misioni rus” i shkrimtarit Ibrahim Kadriu, përmes të cilit autori i zhvesh në tërësi synimet e misionarëve të shtetit rus.

Një shpalosje të ngjashme, na sjell edhe autori çam, Sejdi Kondi në romanin “Djaj në veladon”, përmes të cilit e pasqyron misionin pushtues të tokave çame nga grekët dhe asimilimin e arvanitasve, përmes murgjve të kishës ortodokse greke.

Pas pushtimit të Kosovës dhe përcaktimit të kufijve të shteteve ballkanike nga fuqitë e mëdha të kohës me 1913, Serbia dhe Mali i Zi e konsoliduan pushtetin edhe në Kosovë. Imamët e xhamive morën titullin “državni imam” që në shqip përkthehet “imam shtetërorë”, të cilët i paguante pushteti i ri. Pra, qëllimi dihej ! Imamët e asaj kohë u bënë varësit e pushtetit, pa dëshirën e tyre.

Me qëllim që feja mos të përzihet në punët e shtetit, vendet e civilizuara dhe ato demokratike, qysh herët e kanë bërë ndarjen e fesë nga shteti në mënyrë institucionale, jo vetëm përmes kushtetutës dhe ligjeve, por edhe në praktikë. Andaj në këto shtete, feja i shërben humanizmit njerëzor, e jo sundimtarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok