80 për qind e të hospitalizuarve me covid në Zvicër janë shqiptarë!
ATA JANË PASQYRA JONË
Nga Blerim Latifi
Lajmi se 80 për qind e të hospitalizuarve me covid në Zvicër janë shqiptarë, nxjerr në shesh problemin e vjetër të integrimit.
Për t’u integruar në një shoqëri nuk mjafton të jesh veç fizikisht prezent në të, sepse integrimi është proces i komplikuar socio-kulturor. Duhet të përvetësosh vlerat, normat kulturore dhe botëkuptimet e shoqërisë në të cilën ke emigru, që të mund të integrohesh në të. Dhe ky përvetësim nuk është i lehtë. Kërkon mund, kërkon mendje të hapur dhe investim shumëvjeçar në shkollim. Shumë shqiptarë që kanë emigruar në vendet perëndimore, sidomos gjatë viteve ’90, janë nisur me idenë e emigrimit të përkohshëm, pra me idenë se një ditë do të kthehen vendlindje. Kjo mund të ketë motivuar një pjesë të madhe të tyre që të mbesin konservatorë dhe të mos lodhen që të bëhen pjesë integrale e sistemit të vlerave në shoqëritë perëndimore.
Format e reja të komunikimit digjital kanë ndikuar që lidhjet e tyre me kulturën e vendlindjes të forcohen edhe më shumë, ndërsa distanca me vlerat e vendit ku jetojnë si emigrantë të rritet edhe më shumë. Si rezultat degradimi social e kulturor që ka ndodhur në Kosovë viteve të fundit, tash, me rrugë të shpejta digjitale, eksportohet në diasporën tonë në Perëndim. Një diasporë, si kjo e jona, që ruan lidhje të forta, ditore, me vendin e origjinës natyrshëm pasqyron gjendjen e atij vendi. Me pak fjalë ajo është pasqyra jonë.
Dikush thotë se diaspora jonë ka mbetur me mentalitetin e viteve ’90, ndërsa Kosova ka ecur përpara. Mendoj se kjo nuk qëndron, sepse, në shumë pikëpamje, shoqëria kosovare e viteve ’90, edhe pse nën regjimin fashist të Milosheviqit, ka qenë shumë më përparimtare se sa e sotmja. Të rinjët e Kosovës në ato vite kanë qenë shumë më të përparuar se sa të sotmit. Ata udhëhiqnin demonstrata, lëvizje politike, themelonin UÇK-në, udhëhiqnin lëvizje emancipuese, siç ishte lëvizja për pajtimin e gjaqeve, mbanin mësim në kushte të jashtëzakonshme, ndërsa të rinjtë e sotëm, në shumicën e rasteve, e kalojnë kohën me lojëra e thashethemnaja në telefon, e një pjesë e tyre, fatkeqësisht, i humbin vitet e tyre më të mira duke dëgjuar “këshilla për jetën” nga imamë injorantë vahabistë. Në vitet ’90 Milosheviqi nuk mundi ta thyente shoqërinë kosovare pikërisht sepse brumi i saj kulturor ishte i fortë. Në kushtet e degradimit të sotëm kulturor, do ta kishte shumë më lehtë.
____________
Këto autoblinda sot u vendosën në Kazermën “Adem Jashari” të Ushtrisë së Kosovës, e cila ndodhet në hyrje të Prishtinës. Dikur kjo kazermë kishte emrin Kazerma “Marshal Tito” dhe aty ndodhej forca kryesore e Armatës Jugosllave në Kosovë. Mënyra e vendosjes së saj në hyrje të kryeqytetit të Kosovës ishte tipike për regjimet komuniste: qytetarët duhej të ballafaqoheshin përditë me imazhin e një ushtrie, e cila qëndronte gati për t’i shtypur ata në rast të mosbindjes ndaj regjimit.
Kur Jugosllavia socialiste ra dhe Serbia me dhunë aneksoi Kosovën, kazermës iu ndërrua emri në Kazerma “Kosovski Junaci” dhe aty u vendos qendra e Korpusit të Prishtinës. Më kujtohet një pamje e saj e fillimit të vitit 1998, pamje të cilën nuk do ta harroj kurrë. Isha student dhe po vija në Prishtinë me linjën e autobusit nga Mitrovica. Kur po kalonim afër kazermës nga autobusi dukeshin dhjetëra tankse të rradhitura në oborrin e saj, me tyta të drejtuara nga Prishtina, thuajse donin të nisnin bombardimin e saj nga çasti në çast. Ishte një kërcënim i hapur ndaj një populli që kishte vendosur të mos nënshtrohej. Atë moment as që mund ta mendoja se vetëm një vit më pas unë do të isha pjesë e Betejës së Kosharës, ku UÇK-ja do të ndeshej pikërisht me forcat serbe të Korpusit të Prishtinës.
Në natën e 24 marsit 1999 raketat e para të NATO-s nga baza Aviano në Itali do ta rrafshonin këtë kazermë. Sot aty valon flamuri i shtetit të Kosovës dhe në hyrje të saj qëndron emri i njeriut që simbolizon më së miri sakrificën e madhe të Kosovës për liri, emri i Adem Jasharit.
Në foton e dytë shihen ushtarë serb në oborrin e Kazermës, aty ku sot qëndrojnë autoblindat e Ushtrisë së Kosovës.
____________
E kam njëlloj shprehie që, herë pas here, t’u kthehem dhe t’i shfletoj librat të cilat i kam lexuar qysh moti. Sot e mora njërin prej tyre, “Njeriu që qesh” të Viktor Hygosë, botim i vitit 1970. E pashë se në faqën e parë të këtij romani, shumë të lexuar dikur, e kisha nënvizuar një fjali : “Njerëzia gjithnjë kanë nevojë të dëgjojnë dokrra dhe të blejnë gjithfarë ilaçesh popullore”.
Duket se konstatimi i Hygosë vlen edhe për ditët tona. Dhe për këtë mjafton të shohim dokrrat e mëdha konspirative rreth pandemisë Covid-19, dokrra që kanë vënë në lajthitje miliona njerëz gjithandej botës, duke e bërë edhe më të vështirë luftën kundër saj.
Në kohën kur Hygoi e shkroi romanin e tij dominonte mendimi se zhvillimi i shkencës do t’i shkulte njëherë e përgjithmonë bestytnitë nga mendjet e njerëzve, por sot e shohim se sa larg jemi nga përmbushja e përndritjes iluministe.
Mbase duhet të pajtohemi me idenë se budallallëku bën pjesë në sëmundjet e pashërueshme të njerëzimit dhe, për rrjedhojë, duhet të mjaftohemi me përpjekjet e vazhdueshme për t’i zvogëluar sa më shumë dhe ku të mundemi pasojat e tij.