22/12/2024

11 vite pa poetin e kalibrit ndërkombëtar, Ali Podrimjen

0
Ali-Podrimja1

Nga Gjekë Gjonaj

Më 21 korrik të këtij viti janë bërë 11 vite pa poetin e madh shqiptar nga Gjakova (Kosovë), Ali Podrimjen. Atë ditë policia franceze gjeti trupin e tij të pajetë në afërsi të qytetit Lodve të Francës, ku kishte udhëtuar për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Voix de la Mediterranee”. Sipas raportit të hetuesve francezë, mbi trupin e të ndjerit nuk janë gjetur shenja dhune dhe përjashtohet mundësia e vetëvrasjes. Për autoritetet franceze, Podrimja kishte humbur orientimin gjatë një shëtitjeje në pyll dhe pas orësh të tëra lëvizjeje është dehidruar.

Lajmin e hidhur për gjetjen e trupit të tij të pajetë të gjithë shqiptarët kudo e morën me dhimbje dhe pikëllim mbase askush nuk do ta ketë pritur që poeti i madh i dhimbjes, vuajtjeve, qëndresës dhe qenies shqiptare, Ali Podrimja të na linte përgjithmonë lamtumirën pa kthim të kësaj jete, për të shkuar në amshim.

Me vdekjen e papritur të poetit u shua edhe një penë e madhe e letrave shqipe, që la zbrazëti e dhimbje në këto troje, për të mbetur përjetësisht në zemrat e të gjithë shqiptarëve, si udhërrëfim për brezat që do të vijnë. Vdekja e poetit nuk është humbje vetëm për familjen, të afërmit, miqtë dhe dashamirët e tij, por edhe për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët, artin dhe kulturën kombëtare në përgjithësi.

Jetëshkrimi

Ali Podrimja u lind në vitin 1942 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa Fakultetin Filo¬zofik, Gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Kosovës. Në vitin 1966 zë punë në gazetën e përditshme “Rilindja” në rubrikën e kulturës. Më 1976 në Edicionin e Botimeve “Rilin¬dja” udhëheq bibliotekat: Poezia shqipe, Letërsia botërore dhe Letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave. Ishte anëtar i LSHK dhe i PEN-it shqiptar. Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i ASHAK, ndërsa në vitin 2000 zgjidhet anëtar i rregullt. Bashkëpunoi me të gjitha revistat e fletushkat në gjuhën shqipe brenda dhe jashtë atdheut. Është fitues i shpërblimeve të ndryshme letrare. Në vitin 1999 në Shtutgart të Gjermanisë u nderua me çmimin e mirënjohur letrar Nikolas Linau. Librat e tij janë botuar, ribotuar dhe përkthyer në disa gjuhë. Është prezent në shumë manifestime ndërkombëtare. Pos poezive, Podrimja shkroi ese e tregime. Është fitues i shpërblimeve të ndryshme letrare.

Krijimtaria letrare

Ali Podrimja është autor i rreth njëzet vëllimeve me poezi i cili nga kritika vlerësohet si njëri ndër përfaqësuesit më të vlerësuar të poezisë së sotme shqiptare dhe poet me emër të njohur edhe në shkallë ndërkombëtare. Ai është marrë më tepër me poezi lirike, vargjet e së cilës çdo herë ishin të frymëzuara dhe të lidhura ngusht me fatin e hidhur historik të popullit shqiptar. Ndaj, në qendër të shkrimeve të tij, poeti gjithmonë kishte qëndresën heroike kombëtare. Nga opusi i tij i madh krijues veçojmë përmbledhjet me poezi “Thirrje” 1961, “Shamijat e përshëndetjeve”1963 , “Dhimbë e bukur” 1967, “Sampo” 1969 , “Torzo” / “Hija e tokës” 1971 , “Drejtpeshimi”1981,”Lum Lumi”1982 ,”Fund i gëzuar” 1988 ,”Zari” 1990,”Në bisht të sorrës” 1994, “Buzëqeshje në kafaz” 1994,”Burgu i hapur”1998,”Hrakiri” , “Ishulli Albani” 1999,”Dielli i zi” 2000 ,”Libri që nuk mbyllet” 2001 dhe dy libra në prozë “Burgu i hapur” 1998, dhe “Harakiri” 1999, etj.

Vlerësimet për poetin

Kritikët dhe studiuesit e letërsisë me të drejtë Ali Podrimjen e konsiderojnë një poet të kalibrit ndërkombëtar dhe njërin ndër përfaqësuesit më të njohur të poezisë së sotme shqiptare. Ata konstatojnë se poezia e Podrimjes është dëshmi e një vetëdijesimi kolektiv në luftën për liri e pavarësi që nga vitet ’60, respektivisht në vitet ’80, ku poezia e tij u bë zë i përgjithshëm i popullit. Sipas tyre, puna e tij ka bërë që poezia shqiptare në tërësi të respektohet në të gjitha trojet shqiptare, si dhe të përkthehet në shumë gjuhë të huaja.

Podrimja, shprehen njohësit e mirë të poezisë së tij, përmes artit poetik ka përçuar kulturën e traditën tonë dhe me krijimtarinë e tij e ka ngritur në një nivel tjetër poezinë shqipe. Studiuesit theksojnë se ai shquhej për atdhetarinë e flakët, si krijues i një arti të rrallë në letrat shqipe, një princ i poezisë, poet e mendjendritur i kombit tonë i cili tërë jetën dhe veprën e tij me shpirt ia përkushtoi lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, për të cilën bëri gjithë atë që mundi për të deri me vdekjen e tij në Paris.

Ismail Kadare e vlerëson si një nga poetët më të rëndësishëm të kombit shqiptar, të gjuhës shqipe, duke shtuar se ka qenë ndër kënaqësitë e jetës së tij prania e këtij poeti. Agim Vinca thotë se poezia ishte arti, feja dhe ideologjia e tij, duke qenë në rrethin e poetëve që e modernizuan strukturën e poezisë shqipe. Aleksandër Zoto shkruan se Aliu bëhet psalt i atdheut të vogël (Kosovës), po dhe i gjithë universit albanofon. Simbolika e gurit është përveçuar si një nga tiparet e tij krijuese, teksa Dino Kubatis konfiguron “kullën poetike Podrimja”. Flora Nrovina përvijon mishërimin e së bukurës dhe artistikes te poeti emblematik. Fatos Arapi, Hans-Joakim Lanksh, Mehmet Kraja, Sadik Bejko, Visar Zhiti, Agron Tufa etj., zbulojnë secili fille nga gjerdani poetik podrimjan, ashtu si dhe piktorët Gjelosh Gjokaj e Rexhep Ferri.

Përfundim

Krijimtaria e tij letrare la gjurmë të pashlyera në kujtesën e lexuesve duke kapërcyer kufijtë etnikë dhe përkthyer edhe në shumë gjuhë të botës, për të arritur deri në piedestalin e përjetshëm të poezisë, artit dhe kulturës ndërkombëtare. Ali Podrimja ishte krijues i veçantë dhe skalitës i vlerave të rralla artistike, i cili me veprën “Lum Lumi”përgjithësoi dhimbjen e tij të madhe shpirtërore, me të gjithë shpirtrat e pafajshëm kudo, që kanë mundur të përjetojnë tragjedi. Ai do të hynte në histori përmes fjalës së shkruar në mënyrë metaforike ku shprehu ndjenjat e vrara me shumë plagë të popullit të tij dhe dëshmoi vuajtjet e atdheut të kthyer në “Gjak që nuk falet” si dhe përpjekjet e shqiptarëve për çlirim kombëtar dhe atdhedashuri. Ali Podrimja kishte lindur për poezinë. Lirika e tij kishte një bukuri të fshehtë mahnitëse, që herë-herë duhej ta kërkoje.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

error

Nese e pelqyet ket artikull? Ju lutemi përhapni fjalën :)

Follow by Email
YouTube
YouTube
Tiktok